VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Stratfor Institute: E ardhmja e Rusisë, më e errët se e kaluara
E Shtunë, 10.03.2009, 08:20am (GMT1)

 

Të shumta janë ngjarjet që kanë pasuar qysh kur Putini është zgjedhur fillimisht si kryeministër në gusht të vitit 1999, por ndryshimi më domethënës në Rusi ka qenë ai nga ditët e paqëndrueshmërisë, në të cilat mund të flitej për gjysëmdemokraci, në ditët e sotme, me një strukturë staliniste dhe autoritare. Nëqoftëse nga njëra anë këtu tek Stratfor janë ushqyer dyshime lidhur me faktin nëse Putini do të arrinte ose jo që t'i mbijetonte tranzicionit të Rusisë nga demokraci ngurruese në diçka shumë të afërt me një shtet policor, nga ana tjetër transformimi i vetë Rusisë i ka konfirmuar gjithmonë parashikimet tona. Qeveria autoritare është një prej karakteristikave gjeografikisht të ngulitura tek Rusia. Struktura autoritare e vendit i ka rrënjët e saj në dy aspekte të lidhur midis tyre: përmasat e territorit të saj dhe mungesa e kufijve gjeografikë të mirëpërcaktuara.

 

Çështja e shtrirjes territoriale.

 

Rusia është e madhe. Aq shumë sa të ngatërrojë idetë. Deri amerikanët, vendi i të cilëve ka një shtrirje jo të pakët, kanë vështirësi të konceptojnë sesa e madhe është Rusia. Jo rastësisht, përmbledh në vetvete 11 zona të ndryshme orare. Të spostohesh nga një cep i vendit në një tjetër me tren kërkon një udhëtim prej 7 ditësh dhe 7 netësh. Avionët tregtarë deri pak kohë më parë nuk arrinin që ta përshkonin të gjithë territorin me një furnizim të vetëm karburanti. Rruga e parë transkontinentale e vendit është bërë operative vetëm prej pak vjetësh. Me pak fjalë, për të mos folur për Bashkimin Sovjetik, shumë më i shtrirë, Rusia është e madhe pakashumë dy herë se të 50 shtetet e Shteteve të Bashkuara të marrë sëbashku. Duke pasur parasysh këtë shtrirje të jashtëzakonshme, Rusia është e dënuar që të jetë jashtëzakonisht e varfër.

Pjesërisht përjashtimit të konsiderueshëm të Vollgës, vendi nuk ka lumenj të dobishëm që të mund t'i shfrytëzojë për transportimin e mallrave dhe Vollga, që është e mbuluar nga akujt për pjesën më të madhe të vitit, derdhet në Detin Kaspik, në një zonë të privuar nga çdo dalje tregtare. Ndërsa amerikanët dhe europianët e kanë pasur gjithmonë mundësinë për të transportuar mallra dhe persona me kosto të ulët andej këtej nëpër lumenjtë e tyre, duke kursyer para që mund t'i përdornin më pas në prodhimin e armëve, në blerjen e mallrave dhe në përgatitjen e krahut të tyre të punës, duke u bërë kështu akoma më të pasur, rusëve u është dashur që t'i përdorin të gjitha kapitalet e tyre të pakta në ndërtimin e sistemeve të transportit të nevojshëm për mbështetjen e popullsisë.

 

Pjesa më e madhe e qyteteve perëndimorë është zhvilluar në nyje natyrore transporti, ndërsa shumë qytete ruse janë thjesht rezultat i një planifikimi shtetëror. Për shembull, Shën Petërburgu është ndërtuar ekskluzivisht për t'u përdorur si vendndodhje pararojë për të sulmuar Suedinë dhe kontrolluar Detin e Balltik. Bazat e para të industrializimit, të vendosura në të gjithë Europën dhe Amerikën gjatë shekullit të Nëntëmbëdhjetë, kërkonin mundësinë e një transporti të shpejtë dhe pak të kushtueshëm për ta realizuar procesin në mënyrë ekonomike dhe për t'i përdorur qendrat dendësisht të populluara si basene, nga të cilat të nxirrej krahu i punës me kosto të ulët dhe tregjet e përqendruara. Rusia nuk kishte as strukturat e tranzitit, as popullsinë për një qëllim të kësaj natyre. Qytetet e mëdha kanë nevojë për sasira të mëdha ushqimi me kosto të ulët.

 

Në mungesë opsionesh transporti efikas, produktet e fshatarëve do të kalbeshin përpara se të arrinin tregjet, duke penguar çdo mundësi fitimi të mirë. Tentativat e shtetit për të konfiskuar prodhimin bujqësor kanë çuar në kryengritje të shumta. Qeveritë e para ruse janë ndodhur vazhdimisht në një gjendje ngërçi, të bllokuar nga pasiguria se u duhej të zgjidhnin, nëse t'i nxirrnin nga resurset tashmë të pakta të vendit për të blerë ushqime dhe mbështetur rritjen e qyteteve apo ta investonin atë para mbi një forcë të sigurisë për të terrorizuar bujqit, në mënyrë të tillë që të procedohej me konfiskimin e produkteve të tyre. Deri kur nuk ka ndodhur zhvillimi i infrastrukturave hekurudhore dhe vendosja e dorës së hekurt nga ana e Bashkimit Sovjetik, fshati ka vazhduar që të shfrytëzohet ekonomikisht dhe të mbytet shpirtërisht, me një rregullshmëri të tillë sa të mundësojë rritjen dhe industrializimin e qyteteve të Rusisë. Por edhe atëhere, qytetet ndërtoheshin mbi bazën e një mendimi strategjik dhe jo ekonomik. Magnitogorsku, një prej qendrave më të mëdha industriale ruse, është ndërtuar në lindje të vargmalit të Uraleve, për të siguruar një mbrojtje nga sulmet e Gjermanisë. Pengesat ndaj zhvillimit ekonomik të Rusisë mund të tejkaloheshin vetëm nëpërmjet planifikimit shtetëror apo praktikimit institucional të terrorit. Siç e dinë të gjithë, vala e parë e vërtetë e zhvillimit dhe e industrializimit nuk është verifikuar deri në ngjitjen e Stalinit në pushtet. Zbulimi i resurseve të mëdha energjetike qysh atëhere, në njëfarë mënyrë ka demonstruar në vite dobishmërinë e vet. Por duke parë se pjesa më e madhe e këtyre rezervave ndodhej realisht mijëra kilometra larg nga çdo treg, nevoja për të ndërtuar infrastruktura të mëdha vetëm për të arritur ato vendburime ushtronte presion ndaj rezultatit final të vendit.

 

Mbrojtja më e mirë

 

Shtrirja e Rusisë në vetvete çon drejt një sistemi autoritar, por shkaku më i thellë në bazën e një sistemi të ngjashëm i ka rrënjët e tij në mungesën e kufijve të mirëpërcaktuar. Për ta përshkruar më mirë një situatë të tillë është e nevojshme një rishikim i shkurtër në mësimet lidhur me pushtimin e mongolëve. Forca e mongolëve, që dikur dominonin stepat e Azisë dhe me kalimin e kohës pjesën më të madhe të territorit që sot përbën Rusinë (në mes territoresh të tjerë të gjerë) qëndron në eksepsionalitetin e tyre ushtarak me kalë. Aty ku territori paraqitej i hapur dhe i shtrirë, kalorësit mongolë nuk kishin shok. Pjesa më e madhe e popullsisë së pafundme ruse i nënshtrohej aksionit të tyre.

 

Nuk ekzistonin barriera fizike që të mund ta bllokonin apo edhe vetëm ta ngadalësonin avancimin e mongolëve dhe fitoren e pashmangshme të tyre. Vetëm pyjet në veri të Moskës paraqisnin mbrojtjen më të mirë për Rusinë. Kur hordhia mongole arrinte përpara pyjeve, njerëzit e kavalerisë qenë të detyruar të zbrisnin nga kuajt atëhere kur u duhej të bëhej një luftim. Sapo privoheshin nga kali i tyre, avantazhi i luftëtarëve mongolë ndaj ushtarëve - fshatarë rusë reduktohej në mënyrë të papritur. Dhe është për këtë motiv qe vetëm në pyjet në veri të Rusisë ka arritur të mbijetojë ndonjë dukje e pavarësisë ruse gjatë tri shekujve të dominimit mongol.

 

Mongolët u kanë lënë një mësim të rëndë rusëve, duke treguar sesa pushtimet, në veçanti ato të suksesshme, të përgatitura për breza të tërë, mund të jenë të tmerrshëm. Pushtimi mongol ka lënë një shenjë të pashlyeshme në kujtesën kolektive të Rusisë, duke krijuar në popullin e saj një obsesion në kuptimin e vërtetë të fjalës përsa i përket sigurisë kombëtare. Jehona të kësaj kujtese të tmerrshme janë ripërsëritur herëpashere në historinë e vendit, me pushtimet e Napoleonit dhe të Hitlerit, për të përmendur vetëm prej shembujve më të vonshëm. Pjesë e madhe e popullsisë ruse e shikon akoma sot nën këtë dritë edhe ekspansionin progresiv të Bashkimit Europian dhe të NATO-s në ish-territoret sovjetike, që konsiderohet thjesht si mishërimi më i vonshëm i terrorit mongol. Me përfundimin e periudhës së pushtimit mongol, strategjia e Rusisë mund të përmblidhet me një fjalë të vetme: ekspansion. Rekursi i vetëm ndaj sfidës së ekspansionit territorial dhe mungesa e opsioneve të transporteve të brendshme, bashkë me mungesën absolute të çdo barriere domethënëse ndaj pushtimeve, ka shtyrë në kërkimin e numrit më të madh të mundshëm të zonave kushinetë. Për këtë qëllim, Rusia e madhe dhe e varfër ia ka kushtuar resurset e pakta të saj ndërtimit të një ushtrie në gjendje që t'i shtyjë kufijtë e saj larg nga territori qendror, në kërkim të sigurisë. Komplikimet derivuese nga një ekspansion i kësaj natyre, si ai i arritur në periudhën sovjetike, kanë një formë trifaqëshe.

 

Në radhë të parë, siguria është e paplotë. Ndërsa shumë vende disponojnë një lloj barriere gjeografike që u garanton një shkallë të caktuar sigurie - Kili mund të mbështetet tek Andet dhe Shkretëtirën e Atacama, Mbretëria e Bashkuar tek Kanali i La Manshit, Italia tek Alpet - për Rusinë barrierat potenciale ndaj një pushtimi janë të largëta dhe të paplota. Në fakt, megjithëse mund të mbështetet në perëndim tek Karpatet, mbetet e ekspozuar në Ultësirën Verieuropiane dhe në boshllëkun e Besarabisë. Mund të arrijë Malet Tien Sha në Azinë Qendrore dhe moçalet e Siberisë, por midis maleve dhe zonës moçalore shtrihet një zonë stepash deri brenda Kinës dhe Mongolisë. Veç në mos pushtoftë praktikisht të gjithë Eurazinë, nuk ka asnjë mënyrë për t'i bërë të sigurta kufijtë e Rusisë.

 

Në radhë të dytë, tentativat për t'i bërë të sigurta kufijtë e saj janë jashtëzakonisht të kushtueshme, në një nivel të tillë që asnjë shtet nuk mund t'ia lejojë vetes në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm të provuarit e mbështetjes të një shpenzimi të kësaj natyre do të sillte për sistemin ekonomik të Rusisë, tashmë në vështirësi të konsiderueshme, nevojën për të mbështetur një kufi akoma më të gjatë, me një impenjim që do të kërkonte edhe një rritje të forcave ushtarake. Por sa më shumë zgjerohet Rusia, aq më shumë varfërohet dhe aq më shumë gjendet për të përballuar vështirësi që derivojnë nga resurset e pakta të saj, që kanalizohen drejt nevojave të shtetit dhe kjo nënkupton se kontrolli qendror bëhet gjithnjë e më thelbësor.

 

Në radhë të tretë, çdo shtet kushinetë i ri që Rusia pushton nuk është i pabanuar, por është shtëpia e njerëzve të ndryshëm nga rusët dhe këta rrallë janë të gatshëm që të pranojnë idenë që t'i shërbejnë Rusisë si banorë rajonesh kushinetë. Sigurimi i qetësisë së popullsive të pushtuara nuk është detyrë për atë që nuk ka kurajo. Përkundrazi, kërkon forca sigurie që jo vetëm duhet të jenë të mëdha dhe imponuese, por edhe në gjendje të penetrojnë në brendësi të grupeve që paraqesin rezistencë, duke siguruar informacione dhe ndihmë në ruajtjen e rendit publik. Kështu që, është i nevojshëm një shërbim i brendshëm inteligjence, me qëllimin kryesor e mbajtjes në linjë të grupeve të shumtë të pushtuar, qofshin ata letonezë, ukrainas, çeçenë apo yzbekë, përmasa dhe prania konstante e një shërbimi të ngjashëm inteligjence tenton, që të jetë përpjestimor vetëm me brutalitetin e tij.

 

Furrnalta e Kremlinit

 

Rusia është një vend i vështirë për t'u qeverisur dhe, siç e kemi theksuar më parë, në të Stratfor-it jemi mjaft të habitur nga fakti që influenca e Putinit ka arritur të zgjasë në kohë. Kjo jo pse e konsiderojmë jokompetent, por vetëm pse jeta në Rusi është tmerrësisht e vështirë dhe Kremlini është një furrnaltë, ku liderët shkrihen me shpejtësi. Përpara se Putini të merrte postin e numrit dy në Rusi, ish-Presidenti Boris Jelcin ua kish besuar këtë pozicion jo më pak se 10 njerëzve të ndryshëm, njëri nga të cilët qe thirrur dy herë. Por Putini mund të gëzojë një tipar që Stratfor e kish individualizuar qysh 10 vjet më parë dhe që e bën të ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Putini ka deklaruar në mënyrë të dallueshme, nuk ka asgjë të krahasueshme me një ish-funksionar inteligjence. Kjo i ka mundësuar që t'i vërë frerët mishërimit modern të institucioneve që e kanë bërë Rusinë jo vetëm një realitet të mundshëm, por edhe të qëndrueshëm - degët e ndryshme të inteligjencës - dhe t'i mbjellë në zemër të regjimit të ri. Pjesa më e madhe e stafit të nivelit të lartë aktualisht i pranishëm në Kremlin dhe pothuajse të gjithë komponentët e rrethit të ngushtë të Putinit, qenë thellësisht të përfshirë në rrjetin e aparatit të sigurisë sovjetike. Ky nuk është shembulli i vetëm i një koalicioni forcash në historinë e Rusisë. Andropovi ka drejtuar KGB-në përpara se të marrë në dorë frerët e perandorisë sovjetike. Stalini ishte (trishtueshmërisht) i njohur për përdorimin nga ana e tij të aparatit të inteligjencës. Lenini pothuajse e kish hedhur përdhe Rusinë, përpara se përdorimi i forcave të Çekas nga ana e tij të frenonte rënien e lirë të vendit dhe liderët sovjetikë qenë shumë në dijeni të rolit që mbulonin shërbime të tilla.

Midis joefikasitetit ekonomik - që ka ardhur vetëm duke u keqësuar nga kohërat sovjetike - dhe problemit demografik, Rusia ndodhet përballë një të ardhmjeje, që duket se është më e errët se e kaluara e saj. Në fakt, ajo e shikon veten si një vend i rrethuar nga armiq nga jashtë: Perëndimi, bota myslimane dhe Kina. Për të mos folur për ato që shikohen brenda: vetëm 3 qytetarë në 4 janë të etnisë ruse, me një moshë shumë më të madhe respektivisht mesatares, dhe koeficienti i lindshmërisë i qytetarëve me etni të ndryshme është sa dyfishi i atij të rusëve. Vetëm një institucion në të gjithë historinë e Rusisë është demonstruar në gjendje t'u rezistojë forcave të tilla dhe bëhet fjalë për atë institucion që edhe njëherë akoma qeveris vendin. Rusia mund të arrijë të rezistojë në këmbë në pragun e perëndimit të saj. Nëqoftëse ekziston një forcë që mund të ruajë njëfarë versioni të Rusisë, ajo mund edhe të mos jetë identike me Putinin, por domosdoshmërisht duhet të ketë shumë të përbashkët me atë që përfaqëson Putini.

(Stratfor Institute)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA
Armin Tirana


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.