VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Evropa e Lirë: Ndahen çmimet Nobel për Mjekësi
E Hënë, 10.05.2009, 04:48pm (GMT1)

Pesë çmimet tjera do të ndahen gjatë javës, përfshirë Çmimin Nobel për Paqe, i cili ndahet të premten, më 9 tetor.

Çmimin Nobel për Mjekësi e morën Elizabet Blekbërn, Karol Grejder dhe Xhek Shostak. Çmimin në vlerë prej 1 milion e 400 mijë dollarësh e shpalli Goran Hanson nga Fondacioni Nobel.

"Asambleja e Nobelit në Institutin Karolinska sot vendosi të shpërblejë me Çmimin Nobel për Fiziologji apo Mjekësi së bashku Elizabet Blekbërnin, Karol Grejderin dhe Xhek Shostakun, për zbulimin e mënyrës se si kromozomet janë të mbrojtura nga telomeret dhe enzimat telomerase", tha Hanson.

Blekbërn është me origjinë nga Australia, ndërsa Shostak nga Britania.

Në arsyetimin për ndarjen e çmimit, instituti tha se tre shkencëtarët kanë "zgjidhur një problem të madh në biologji", respektivisht e kanë zbuluar mënyrën se si kromozomet kopjohen plotësisht gjatë ndarjes së qelizës dhe mbrohen nga degradimi.

Zbulimi i tyre ka implikime në kërkimet mbi kancerin dhe mënyrën se si funksionon procesi i plakjes.

Çmimi për mjekësi është i pari nga gjashtë çmimet Nobel për këtë vit, të cilat do të ndahen gjatë kësaj jave.

Të martën, më 6 tetor, ndahet çmimi për fizikë, të mërkurën për kimi, të enjten për letërsi, të premten për paqe, ndërsa të hënën, më 12 tetor, për ekonomi.

Çdo çmim e ka vlerën prej 1.4 milion dollarësh.

Si gjithmonë, komiteti asnjëherë nuk i zbulon emrat e kandidatëve për cilindo çmim, kështu që ka spekulime të shumta për fituesit e mundshëm.

Kjo vlen sidomos në rastin e të nominuarve për letërsi dhe për paqe, dy çmimet joshkencore, të cilat nuk mund të gjykohen nga standardet faktike shkencore.

Sa i përket letërsisë, agjencia AFP raportoi se është koha që të shpërblehet një shkrimtar spanjishtfolës. Emri që përmendet është i shkrimtarit peruan, Mario Vargas Llosa.

Për Çmimin Nobel për Paqe, i cili është më i njohuri dhe më i lakmuari, duket se këtë vit gara do të jetë e hapur. Është një numër rekord i 205 të nominuarve, por askush nuk është favorit.

Në mesin e të nominuarve janë edhe presidenti amerikan, Barak Obama, dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi. Për dallim nga çmimet tjera, ai për paqe shpallet në Oslo të Norvegjisë.

Çmimet Nobel u themeluan në vitin 1901, në pajtim me dëshirën e shpikësit suedez, Alfred Nobel, njeriu që zbuloi dinamitin.

Nobeli përcaktoi që çmimet t'i nderojnë ata individë, "nga të cilët gjatë vitit njerëzimi do të ketë më së shumti dobi".

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.