E Shtunë, 07.20.2019, 10:38am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
Fotografisë i mungon daltoniku gjenial Helmut Newton
E Martë, 01.27.2009, 04:31pm (GMT+1)

Me rastin e 5 vjetorit të vdekjes

 

Voal-online - U bënë pesë vjet që Helmut Njuton nuk është më. Ai ishte një prijatar novator në botën e fotografisë, duke eksploruar pushtetin, roli e gjinisë natyrore të njeriut dhe bukurinë e ftohtë meditative femërore në fotografitë e tij. Veprat e tij u publikuan në revistat më të famshme të specializuara të Amerikës dhe të botës si në Playboy, Elle, Marire-Claire, Jardin de Mode, Stern dhe Vogue, por ai ishte tejet i njohur për fotot e tij të vrazhda, bardh e zi, nudo të femrave, foto të realizuara në teknikën e thjeshtë Polaroid. Njuton, subjektet e të cilit përfshijnë personazhe të tillë si Paloma Picasso, Pierre Cardin dhe Naomi Campbell. Më 23 janar u mbushën pesë vjet nga dita kur ai vdiq pas një përplasje me makinën e tij. Njuton ishte 83 vjeç dhe kishte prapa vetes një karrierë gjashtëdhjetëvjeçare artistike kushtuar kryesisht shërbimeve fotografike për yjet e kinematografisë dhe të modës.

Njuton sapo ishte larguar nga Chateau Marmont, një hotel ekskluziv që frekuentohet nga jet-setët, kur ai ka humbur kontrollin e automjetit, me sa duket nga një sëmundje e befasishme dhe xhipi i tij Kadillak (Cadillac) ka pasur një përshpejtim të papritur e është përplasur në një mur në të famshmin Sunset Boulevard, pra pikërisht në Shëtitoren Perëndimi i Diellit, në Hollivud. Ai është transportuar menjëherë në spital, ku ka vdekur pak pas arritjes.

“Ai ishte një gjigant,” tha themeluesi i revistës Playboy, Hugh Hefner. “Ai ishte talenti më i madh, i cili i zgjeroi hapësirat e artit të fotografisë dhe ndikoi fuqishëm tek të gjithë fotografët e tjerë të shumë breznive. Vdekja e tij është një humbje e madhe. Mungesa e tij do të ndihet pa masë.”

Ishte një gjeni si të gjithë gjenitë, ai dashuronte shkeljen e rregullave, ai dashuronte skandalizimin, ai nuk njihte kufij. “Gjithmonë kam kërkuar ngapak ose ngashumë skandalin, edhe në portretet e mia. Do të më pëlqente të isha paparac. Nëse ka diçka, të cilën unë do ta urreja është shija e hollë. Kjo për mua është një fjalë pise.”, ka thënë në një intervistë vetë Helmut Njuton. Ai pranonte se ishte daltonik, pra disa ngjyra nuk i dallonte. Ai e ngatërronte të verdhën me jeshilen, e ngatërronte jeshilen me blunë dhe një ditë ai tha: “Pikërisht nga kjo arsye unë bëj fotografi të mrekullueshme me ngjyra.”

Ai realizonte libra të shumtë fotografikë, tejet të kushtueshëm, përmbledhje fotografish nga 1500 dollarë secila. Kishte një stil që e ka konsakruar atë si një fotograf gjenial e vizionar. E kanë kritikuar se e shikon së tepërmi bukurinë femërore nga këndi burrëror. Njuton iu është përgjigjur gjithmonë me ironi atyre që e kanë kritikuar. “Pjesët më tunduese e një femre janë qafa dhe këmbët,” ka thënë ai. Ndërmjet modeleve më të parapëlqyera prej tij ishte Nastassia Kinski, e cila pozoi për të në revistën Playboy në vitin 1983. “Ka qenë shumë e vështirë t’ia hiqje rrobat, tregonte njëherë Njuton. Është një vajzë inteligjente dhe e ndjeshme.”

Lindur me emrin Helmut Neustaedter në vitin 1920 në Berlin nga prindër hebrej, Njuton u muar në punë nga shoqëria e fotografëve Yva në vitin 1936 dhe u largua nga Gjermania dy vjet më vonë për në Singapor. Prej andej ai shkoi në Australi, ku shërbeu në ushtri dhe punoi, tashmë me mbiemrin Njuton, si fotograf i modës së lartë para se të rikthehej në Evropë më 1957. Pasi e bëri Parisin shtëpinë e tij për shumë vite, ai shkoi në Monte Karlo më 1980. Prej atëherë ai nëntë muaj jetonte në shtëpinë e tij buzë Mesedheut, ndërsa tre muajt e verës i kalonte në Los Anxhelos.

Njuton kaloi shumë kohë në Paris kur ishte i ri. Ai u bë i njohur në vitin 1961 me fotot e botuara në revistën franceze Vogue. Ndërkohë që ai fotografonte edhe njerëz të famshëm të veshur dhe skena natyre, ai ishte i prirur që të fotografonte femra të fuqishme, ku spikatnin muskujt, të njohura si amazonat e Njutonit. Ndërkohë burrat ai i fotografonte në pozicione tipike servile, si kamarierë, shoferë, guzhinierë. Të famshme janë seritë e fotove të tij “Big Nudes”, ku femrat e kanë kamerën objekt, ku femrat e përpijnë me shikimin e tyre kamerën, dhe jo kamera t’i ketë ato objekt, pra duke përmbysur ashtu raportet midis subjektit dhe objektit në artin e fotografisë. Lëvizjet feministe kanë protestuar sistematikisht për mënyrën si Njuton e ka trajtuar femrën në qendër të artit.

Fakti që ai lëvizi në shumë vende të botës, e bëri atë një qytetar të planetit, një kozmopolit. Veprat e tij e demonstrojnë kozmopolitizmin e tij. Pikërisht në Paris, në Ville Lumiere, ku kaloi një pjesë të madhe të jetës, njëzet e pesë vjet, ai u njoh me gruan e tij të ardhshme, June, një artiste që punoi me emrin Alishë Springs (Alice Springs). Ata u martuan në vitin 1948. Dhe e shoqja ishte një subjekt i parapëlqyer i fotove të Helmut Njutonit. Në një seri fotosh të vitit 1973 ajo ishte portretizuar si Hitler, me mustaqet e njohura komike, dhe kishte përkrah modelen Jerry Hall, e cila pozonte në vend të Eva Braun. Shumë nga portretet që Njuton dhe e shoqja ia kanë bërë njëri tjetrit u përfshinë në librin e vitit 1999 “Us and Them” (Neve dhe Atyre).

Në nëntor të 2003 Helmut Njuton ia dhuroi më se 1000 foto një galerie në Berlin duke thënë se ai ishte “krenar” që vepra e tij do të prehej tani në qytetin e tij të lindjes. Kancelari gjerman i asaj kohe Gerhard Shrëdër e quajti vendimin e Njutonit “një shenjë të ripajtimit”. “Njeriun mund ta largosh nga shtëpia e tij, por njeriut nuk mund t’ia heqësh shtëpinë nga shpirti i tij,” tha Shrëdër atëhere në një letër të lexuar në konferencën e shtypit me rastin e dhurimit të bërë nga Helmut Njutoni. Helmut Njuton nuk la fëmijë, por vetëm artin e tij që e ka bërë të pavdekshëm. /Elida BUÇPAPAJ



Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Poetja që përuron Obamën (12.25.2008)
THOMAS WOODROW WILSON,GJENIU SHPËTIMTARI I SHQIPËRISË E KOMBIT SHQIPTAR& (12.14.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2019  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 

 
VOAL
[Shko lart]