VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Miti Shiler - Si u nderua, tabuizua dhe instrumentalizua
E Enjte, 11.12.2009, 03:24pm (GMT1)

 Varri i Shilerit në Vajmar

 

Klasiku Friedrih Shiler nuk është më sot autor bestseller. Ai është zhdukur nga librat shkollorë. Shkollat ose rrugët që mbajnë emrin e tij janë dëshmi e kohës kur nderimi i poetit ishte një çështje shoqërore.

 

Shkolla të Shilerit, rrugë të Shilerit, sheshe të Shilerit ka sot gjithandej në Gjermani - dëshmi nga një kohë kur nderimi i poetit ishte një çështje shoqërore, njerëzitë recitonin vargjet e tij dhe përmendoret e tij ishin kthyer në vende pelegrinazhi. Shilleri është nderuar që kur ishte gjallë. Megjithatë lartësimi i tij arriti majat nga mesi i shekullit të 19-të.

 

Friedrich von Schiller, ka lindur 1759 në Marbah dhe ka vdekur më 1805 në Vajmar

 

Aktiviteti më i madh festiv i Gjermanisë së shekullit të 19-të

 

Më 10 nëntor të vitit 1859 në gjithë vendin festohej 100 vjetori i lindjes së Shilerit. "Deri në qytezat më të vogla, çdokund ndodhi diçka e tillë, spontanisht. Mësuesit, priftërinjët, të arsimuarit morrën organizimin në duart e tyre. U mbajtën marshime nëpër rrugë dhe në to morrën pjesë edhe organizatat e para të punëtorëve. Në të vërtetë ishte një eufori. Duhet thënë se ky ishte aktiviteti festiv më masiv që ka ndodhur në Gjermani në shekullin e 19-të". 

 

 Shkolla të Shilerit, rrugë të Shilerit, sheshe të Shilerit ka sot gjithandej në Gjermani.

Një eufori në aspektin politik, siç e thekson historiani i Kölnit Otto Dann. Kishin kaluar vetëm dhjetë vite nga revolucioni i dështuar i vitit 1848. Në Gjermani qeverisnin ende princët. Por ideja për një shtet kombëtar gjerman nuk ishte harruar kurrë. I linduri 100 vjet më parë, që ndërroi jetë në vitin 1805 dhe ende poeti më i nderuar i kohës  Shiler konsiderohej si prototip i rezistencës kundër sundimit absolut. "Një burrë që ishte përpjekur gjithmonë të mirrej me problemet e kohës së tij dhe që kishte një shkallë të lartë sensibiliteti për shoqërinë e tij, për politikën dhe çështjet estetike".

 

Shileri konsiderohej prototipi i rezistencës kundër sundimit absolut

 

Shtëpia ku ka lindur Fridrih Shiler në Marbah.

 

Më vonë Lëvizja e riformuar gjermane e puntorëve zbuloi tek Shileri një shok të përbashkët për klasën punëtore. "Në këtë lëvizje emancipuese u kuptua vërtetë tërësisht shpirti republikan i gjysmës së parë të shekullit të 19-të. Simfonia e nëntë me oden e lirisë të Shilerit zuri një vend të rëndësishëm tek lëvizja punëtore. Ajo luhej gjithmonë për vitin e ri". 

Një mit, një legjendë ishte Shileri që kur ishte gjallë. Pjesët e tij teatrale ku mbizotronin mendimet për lirinë prekën thellë dhe i hapën sytë njerzëve. Leksionet e Shilerit mbushnin plot sallën në Universitetin e Jenës.

 

Shileri ndërkohë nuk nderohej vetëm në Gjermani

 

Poeti gjerman u bë figurë e njohur edhe jashtë principatave  gjermane. Asambleja kombëtare franceze e pati shpallur atë qytetar nderi të Francës. Paria e Danimarkës e pati mbështetur me para Shilerin e futur thellë në borxhe. "Shileri ka shkruar drama për kombet më të rëndësishme evropiane, në të cilat është trajtuar historia kombëtare e tyre. 'Don Karlosin' për Spanjën, 'Vilhelm Telin' për Zvicrën, 'Maria Sjtuartin' për Anglinë. Dhe ai ka vdekur mbi dorëshkrimin e 'Demitriusit' për Rusinë".

Dhe vepra dramatike e Friedrich Shilerit ka arritur t'i mbijetojë ndryshimit të kohërave. Për këtë dëshmojnë riinskenimet e shumta në skenat evropiane.

(http://www.dwelle.de)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.