VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

XHEJMS DIN OSE IKONA HOLLIVUDIANE E REBELIT
E Djelë, 02.01.2009, 05:35pm (GMT1)

Ishte pasdite vonë, pak para mbrëmjes, më 30 shtator 1955: në autostradën kombëtare 466 në drejtimin Salinas, Kaliforni, një Porsche Spider nuk mundi të shmangte përplasjen me një tjetër automjet që, ndoshta për shkak të një pakujdesie të shoferit, kishte shkelur korsinë. Pasoja ishte fatale: për drejtuesin e veturës nuk mund të bëhej asgjë, kishte mbaruar në sekondë dhe vetura e tij ishte thërmuar. Pak orë më vonë, mes pikëllimit të përgjithshëm, filloi të përhapet lajmi se James Dean kishte vdekur. Ishte 24 vjeç. Tani nga largësia e më shumë se pesëdhjetë viteve nga humbja e aktorit dhe nga lindja e mitit, figura e James Dean është një ikonë që kultura rinore e ka bërë pjesë të jetës së saj, tashmë në mënyrë pothuaj të pavetëdijshme. Dhe legjenda e tij vazhdon të pavdekësohet në brezni pas breznish, pa u zbehur magjepsja e tij dhe aktualiteti i tij. Nuk është e lehtë të gjesh një tjetër personazh që, sa ai, të ketë ndikuar kaq shumë dhe kaq gjatë, në mënyrën e sjelljes, më mënyrën e veshjes, në mitologjitë metropolitane të të rinjve; deri në atë pikë sa mund të pohosh se në çdo të ri ka gjetur strehë diçka që i përket aktorit James Dean, prototipit të çdo adoleshenti.

Në të njëjtat vite kur fillonte të përvijohej legjenda, rokenrolli i hidhte hapat e tij të parë dhe  figura e "rebelit" (kryengritësit) e mishëruar nga aktori, qysh nga fillimi, qe pranuar si e vetja nga prirja e re muzikore: në SHBA lindte kultura rinore, e cila shpejt do të pushtonte dhe do ta revolucionarizonte botën. Ashtu si për vdekjen e tij aq të parakohshme, për jetën e James Dean është shkruar përgjatë dhjetëra viteve, shpesh me thekse gati epike që do të arrinin të ishin burim i pashtershëm i krijimit të hendekut midis jetës private dhe publike, por, mbi të gjitha, midis jetës dhe artit. Kjo formë e hendekizimit, nëse nga njëra anë mund të përfaqësonte një kufi, sepse shpesh përballej me rrezikun e vënies në plan të dytë të atyre që janë merita të padyshimta artisitke të aktorit në krahasim me një dobësi të veçantë për jetën anekdotike të njeriut, nga ana tjetër është ndoshta njëkohësisht e pashmangshme të kuptohet një personazh enigmatik dhe të pakëndtjetër si James Dean, i cili luajti rolet e tij filmike sikurse në mënyrën që jetoi, dhe jetoi si në mënyrën që luajti në ekranin e madh.
James Byron Dean lindi më 8 shkurt të vitit 1931 në Marion, në Indiana, në shtetin që ishte asokohe ndër shtetet amerikane më të prekura nga kriza ekonomike dhe ndër më bujqësoret. Fëmijëria e tij e parë u shënua nha humbja shumë e shpejtë e nënës dhe nga raportet e vështira me babain. U rrit me një dashuri të madhe nga dajët dhe, i pasionuar që në moshë të vogël ndaj teatrit e veprimtarive të tjera krijuese, filloi të zhvillojë një personalitet të trazuar, egoist, ambicioz, dhe që do të ishte plot e përplot me konflikte adoleshente të cilat kurrë nuk u zgjidhën. Disa vite më vonë do të ishin pikërisht këto karakteristika të veçanta të tij që do ta bindnin regjisorin Elia Kazan se njëzet e tre vjeçari James Dean - i cili kishte studiuar për aktor, pasi kishte mbaruar "Actors Studio" e kishte tashmë një mori përvojash teatrore, por edhe radiofonike e televizive zotëronte personalitetin më të përshtatshëm për ta luajtur personazhin e vështirë të Cal Trask në filmin Ana lindore e Parajsës ("East of Eden", 1955), përshtatur nga romani me të njëjtin emër i Steinbeck. Për këtë rol ai ishte parapëlqyer qoftë përkrah Marlon Brandos, qoftë përkrah Montgomery Clift: dy "kryengritësve më të vjetër" të tjerë të Hollivudit, të dy modele për të riun James Dean, nuk zotëronin sipas Kazan të njëjtën ngarkesë emotive, të njëjtën ndjesi në përballjen me figurën atërore, të njëjtën vrull, si dhe palumturinë e thellë të atij.
Në këtë mënyrë ndodhi që aktorit të ri, për herë të parë, iu hapën dyert e mëdha të famës dhe të suksesit, për të cilat ai ishte stërvitur aq gjatë. Por nëse James Dean kishte nevojë për Hollivudin që të realizonte qëllimin e tij të pashembullt dhe të pandalshëm, edhe Hollivudi kishte nevojë për aktorë si ai. Në po ato vite, në fakt, "fabrika e famshme e ëndërrave" po hapej edhe drejt një mënyre të re për të bërë kinema: më të lirë dhe të pavarur, të karakterizuar nga një stil më realist, më të plotë dhe më pak vetafirmues, të vemendshëm ndaj dukurive sociale dhe sidomos në drejtim të universit rinor që po lindte, për të cilin vetë kinemaja dha ndihmesën që ta përftonte dhe ta ushqente. James Dean qëndroi në Hollivud nja tetëmbëdhjetë muaj dhe pati kohë të luante vetëm në tre filma, por pikërisht në këtë hark kaq të ngushtë, revolucionarizoi jo vetëm jetën e miliona adoleshentëve, por edhe stilin e lojës së shumë aktorëve kinematografikë. Autori Truffaut shkruante për të, pas vdekjes së tij: "Dean shkon kundër pesëdhjetë viteve të kinemasë. Ai luan diçka tjetër nga ajo që e shpall, shikimi i tij nuk ndjek të folurit e tij, provokon një shfazim midis shprehjes dhe gjësë së shprehur. Çdo gjest i tij është i paparashikueshëm. Dean, duke folur, mund t'ia kthejë shpinën makinës së xhirimit dhe ta përfundojë në këtë mënyrë skenën filime, mund ta përplasë kokën vrullshëm prapa ose ta hedhë përpara, mund të qeshë aty ku një aktor tjetër do të qante dhe anasjelltas, sepse e ka vrarë lojën psikologjike të aktoritn në të njëjtën ditë kur ai është shfaqur në skenë."
Vetmitar, rreban, me një magjepsje disi të errët, që nga loja e tij Ana lindore e Parajsës, ky fëmijë i tmerrshëm i Hollivudit u konsideua një hero i rinisë amerikane, duke demonstruar aftësinë për ta përfaqësuar tëhuajtjen, të denonconte moskuptimin, ta shprehta ashpër vetminë. Filmi vuri në skenë historinë e vrazhdë të raporteve midis një babai e më të voglit të djemve të tij, i cili ushqen inat për babain e tij sepse, ndryshe nga i vëllai, nuk është ndjerë kurrë i vlerësuar dhe i dashur. James Dean, për jetën e tij të ngjashme personale,  e karakterizoi në mënyrë të thellë personazhin Cal Trask, të palumtur dhe të keqkuptuar, saqë nuk kishim të bënim vetëm me një interpretim të hatashëm kinematografik; ishte diçka me një fuqi dhe ngarkesë shumë më të madhe që shkonte përtej trillit filmit, përtej skenarit: aty për aty ai u pranua zëdhënës i një breznie të tërë rinore e cila, për herë të parë kërkonte të afirmonte veten. Po gjatë atyre muajve, një tjetër dukuri revolucionare, rokenrolli, shfaqje në mënyrën më të bujshme. Nëse "Ana lindore e Parajsës" nxori në dritë një zbulim të ri të kinemasë, dhe filloi të skicohet si simbol i breznisë së tij, do të ishte mbi të gjitha roli i dytë, Rebel pa Arsye, ai më i paharrueshmi dhe që e përjetësoi legjendën James Dean në formën që ka ardhur deri sot: është imazhi i tij në këtë rol më i lidhuri me mitin e aktorit, sepse  në këtë film njeriu Dean e  personazhi Jim Stark, falë edhe një regjie të hatashme, duket se arrijnë të identifikohen me gjithçka; kështu filmi transformohet gati në një dokument biografik të aktorit, një pjesë e jetës së tij të shkurtër dhe, në të njëjtën kohë një parathënie e vdekjes së pafat, të cilin para se filmi të dilte në salla, ai e kishte gjetur. "Ankthi i tij ishte i mirëfilltë si në ekran, edhe në jetë," thoshte për të vite më vonë Andy Warhol. Për koincidenca të habitshme, dhe dy aktorët e tjerë kryesorë të rinj të filmit- Natalie Wood e Sal Mineo- do të gjenin edhe ata një vdekje tragjike të përkohshme e të pashpjegueshme.

Rebel pa Arsye ("Rebel Without A Cause", 1955), me regji të të talentuarit Nicholas Ray, vë në skenë historinë dramatike e shokuese të tre adoleshentëve përballë kalimit në moshën e rritur dhe kërkimit këmbëngulës të identitetit të tyre. Bota e të rriturve, ajo e prindërve, është parë nga larg dhe me tëhuajtje të madhe, si një botë që është e pazonja të gjejë përgjigje për shqetësimet e të rinjve, sidomos ta gjejë atë me ngut. Pason një moskomunikim total midis dy horizonteve: atij të të rriturve, trajtuar si i dobët, mungues e dyfytyrësh; atij të të rinjve, pikturuar si sentimental e idealist. Pasiguria ekzistenciale, vetmia e thellë, mungesa e përkrahjes, i bën të rinjtë të kërkojnë rrugën e tyre edhe me kusht që ta humbasin atë. Në fund, historia e dashurisë midis Jim e Judy do të jetë ndoshta për dy të rinjtë një mjet për ta risuar e përshtatur jetën prej të rriturish, një jetë njëkohësisht e vetëdijshme dhe guximtare; çmimin do ta paguante, megjithatë, më i vogli e i pambrojturi i tre protagonistëve: Plato, viktima e pafajshme e një shoqërie të sëmurë dhe të rrënuar. Rebel pa Arsye bëhet shpejt një film-kult, vërshojnë vrullshëm edhe ato tematika që e shoqërojnë nga pikëpamja e natyrës së tij, që nga mosha më e re, jetën e shkurtër e të trazuar të James Dean: konkurenca, vënia e vazhdueshme në provë e vetvetes, ngutja për të jetuar, sfida kundër vdekjes. Siç dihet, në fakt, aktori ishte nga natyre e tij një "rebel" jo më pak se në ekranet kinematografikë, duke bërë një jetë të ngjeshur, të papërmbajtur dhe të çrregullt.
Jimmy (Xhimi) siç thirrej nga miqtë ushqente një pasion të pamasë për garat me motoçikleta dhe automobilë, me të cilët kalonte shumë kohë, shpesh duke marrë pjesë edhe në gara zyrtare të motoçiklizimit dhe automobilizmiz. Ditën kur vdiq, ai ishte nisur për në Salinas për një garë ku ai do të merrte pjesë të nesërmen. Ironia e fatit kishte dashur që edhe pak më shumë se një muaj para incidentit, Jimmy të kishte marrë pjesë në qendër të një spoti televiziv për sigurinë e drejtimit të veturës.  Në atë rast fjalët e tij qenë këto: "Drejtoni me kujdes," - e pastaj, duke e kthyer shikimin tek telekamera, me një buzëqeshje enigmatike shtonte: "Sepse jeta që do të shpëtoni mund të jetë imja." Ndonëse më pas ishte qartësuar se incidenti viktimë e së cilës ishte, nuk lidhej me shpejtësinë e madhe, epilogu i trishtë përfaqëson fundin e një jete të jetuar gjithmonë në fill të perit. Një nga refrenet që kishte për autor atë vetë ishte: "Ëndërro sikur do të jetosh përjetësisht, jeto sikur do të vdesësh sot."
Ashtu jetoi, ashtu vdiq.
Atë 30 shtator 1955, Amerika e të rinjve - e jo veç ajo u gjet prapë në lotë për humbjen e një heroi; ishin skena të një dehjeje tragjike të krahasueshme vetëm me ato të tridhjetë viteve më parë, që kishin shoqëruar humbjen e Rudolph Valentino. Bash një javë para përplasjes tragike në timon të veturës së tij "Little Bastard" kështu e kishte quajtur veturën fringo të re Porsche 550- aktori James Dean kishte mbaruar në Hollivud, pranë Liz Taylor, xhirimet kryesore të kolosalit Gjiganti (« Giant », 1956), me regji të George Stevens; roli i tij i tretë dhe i fundit kinematografik, madje rol jokryesor. Filmi doli një vit më vonë pas vdekjes së tij dhe u prit me bujë të madhe. Disa muaj më vonë, Hollivudi i kushtoi gjithë ato nderime heroi të tij të ri dhe të pafat: The James Dean Story (1957), një dokumentar i gjallë me bashkëregji të djaloshit Robert Altman, dhe kolona zanore e të cilit do të kishte intepretues xhazistin e jashtëzakonshëm Chet Baker (i cili, gjithashtu i bukur e rebel, ishte quajtur James Dean i jazz). Në film, pavarësisht natyrës dokumentaristike, dilej përtej normave të gjinisë duke i dhënë aktori përmasat e legjendës. Legjendë që nuk duket se do të njohë ndonjëherë perëndim. Nga mesi i viteve 50 deri sot, James Dean është objekt i një kulti të vërtetë: për dhjetëra vjet, mijëra e mijëra fansa e kanë nderuar dhe imituar, e kanë përkujtuar, ia kanë vizituar varrin, ia kanë koleksionuar objektet e jetës private, disa kanë marrë pjesë edhe në gara në nderim të kujtimit të tij.
Figura e tij është përdorur pa fund nga industria e kinemasë, televizionit, modës. Mund të thuhet edhe se askush tjetër nuk ka ndikuar si ai për mënyrën e sotme të paraqitjes së jashtme të të rinjve në gjithë botën e sotme: jeans e t-shirt, veshje të pandashme nga të rinjtë. Por ndoshta kjo është në natyrën e rokut dhe të mitologjive përkatëse që ndikimi i autorit ka qenë kaq i mirëfilltë dhe i pareshtur. Bash të nesërmen e vdekjes së tij, rock&roll që po lindte mori jo vetëm bukurinë e tij estetike, por edhe shpirtin anarkoid e rebelues: Elvid, për të konsoliduar figurën e tij, përshtati në mënyrë strategjike pamjen dhe gjestet "prej kafshe" alla James Dean, admirues fanatik i të cilit ishte; Gene Vincent e Eddie Cochran, patën një njëjtësim shpirtëror shumë më të madh.
Trashëgimia mitike e rebelit të Hollivudit, gjithsesi, nuk u kufizua vetëm në rock&roll, prej atëherë e tutje, bëhet përfundimisht pjesë organike e kulturës muzikore dhe deri në ditët tona figura e James Dean e shoqëron krejt historinë e rokut; duke mishëruar atë shpirt rebel e magjepsës, por edhe të brishtë e fëminore, duke karakterizuar personalitetin e tij të të "ashpirt me zemër të butë" dhe duke sfiduar deri edhe betejet mes breznive, duke u pranuar sa nga fëmijët edhe nga prindërit. Nëse i riu Bob Dylan e konsideronte James Dean një idhull dhe e vajtonte vdekjen e tij, disa vjet më vonë Beach Boys-at ia kushtuan një këngë. Nga ana e këndejme e oqeanit, John Lennon arrin të deklarojë "pa James Dean nuk do të kishin ekzistuar kurrë Beatles". Vetë Lennon, në e ballinën e albumit të tij "Rock'n'roll", ishte në një montazh fotografik me James Dean, duke e bërë kështu të qartë lidhjen shpirtërore të aktorit me kulturën dhe muzikën rok. Në vitet 70 do të kishim shprehës më agresivë të rinisë së rebeluar, larg engjëllit të mallkuar të Hollivudit. Në vitet 80, do të ishte Morrissey këngëtari i grupit Smiths që do t'iu jepte jetë anëve më intime e melankolike të aktorit, të cilit ia kushtoi edhe një libër ("James Dean Is Not Dead", 1983). Në vitet 90 arrin tërmeti Kurt Cobain dhe grupi i tij Nirvana, duke sjellë një James Dean modern. Ndoshta nuk qe humbja e James Dean ajo që solli mitizimin e vdekjes së parakohshme, por sigurisht humbja e tij solli një formulim të ri të idealit romantik. Ishte James Dean në fakt intepretues i pashoq i "live fast, die young" (jeto shpejt, vdis i ri" që u bë lajtmotiv i rokut./Elida BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.