VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TURQI -  QYTETI ANTIK NËNTOKËSOR PËR 50 MIJË BANORË

E Premte, 09.05.2014, 11:21am (GMT1)

 

Më shumë se para pesë dekadash në Turqi rastësisht një banor zbuloi një qytet nëntokësor, një gjetje e rrallë arkeologjike

Në Kapadoki, transmeton Koha.net shkrimin e Daily Mail, turku më 1963 derisa po përpiqej të rinovonte shtëpinë zbuloi diçka të pabesueshme. Ai pasi shembi murin e bodrumit të shtëpisë së vet prapa tij zbuloi një tunel, pastaj një objekt, përtej tij edhe një tjetër, pastaj edhe një... Kështu fare rastësisht zbuloi qytetin më të madh nëntokësor në Turqi, thellë nën tokë 85 metra.
Për këtë qytet të pazakonshëm nëntokësor pa mëdyshje mund të thuhet se është një kryevepër inxhenierike dhe një zbulim i madh arkeologjik.

Përmes tij rrjedh uji i pijshëm, ka një varg sistemesh ventilimi, banesa individuale, shitore, bunarë, ambiente për ruajtjen e armëve, madje edhe varre.
Në qytet madje është gjetur edhe shkolla si dhe ambiente të veçanta për mbajtjen e kafshëve. Deri më tash janë zbuluar 52 vrima ventilimi e po ashtu është zbuluar se jo të gjitha burimet ishin të lidhura me sipërfaqen, mbi tokë, me siguri nga frika se pushtuesit do të mund t'i helmonin.

Supozohet se ky qytet nëntokësor, që mund të akomodonte deri në 50 mijë banorë, është ngritur në shekullin e 17-të ose të 18-të para erës sonë.
Gjatë ngritjes së Perandorisë Perse qyteti është përdorur si vendbanim për refugjatë, më vonë si strehimore nga invadimi i romakëve e i arapëve.
Qyteti nëntokësor banorëve të tij gjatë vrave përcëlluese u ofronte mbrojtje të shkëlqyeshme nga vapa, kurse gjatë dimrit si strehimore nga të ftohtit.
Ky qytet impresiv nuk është zbulimi i vetëm arkeologjik në Turqi. Afër tij janë zbuluar rreth 200 qytete të tjera nëntokësore, nga të cilët 40 kanë tri nivele nën tokë. Të gjitha këto qytete mund të strehonin rreth 100 mijë njerëz.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.