VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LUFTËTARËT E HUAJ VËRSHOJNË NË SIRI NË SHIFRA REKORD

E Martë, 09.23.2014, 05:46pm (GMT1)



Luftëtarët e huaj po vërshojnë në Siri në shifra rekord. Deri në 15 000 luftëtarë të huaj nga të paktën 81 vende mund të jenë të angazhuar në luftën në Siri dhe Irak.

Disa analistë thonë se ky është rekrutimi më i madh i luftëtarëve të huaj, që nga vitet 1980 kur lindi kjo dukuri me xhihadin afgan kundër sovjetikëve.

Ashtu si në Afganistan, shumica e luftëtarëve të huaj vijnë nga bota arabe, por këtë herë disa mijëra prej tyre mbajnë pasaporta perëndimore, përfshirë Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re. Të paktën 1 mijë janë nga Rusia. Dhe ndërkohë që lufta vazhdon, numri i luftëtarëve të huaj është në rritje.

Shumica e tyre luftojnë së bashku me ISIS, grupi më i madh, më i zellshëm dhe më i rrezikshëm në këtë fushë beteje të mbushur me fraksione xhihadiste.

Një organizatë kundërzbulimi në Nju Jork me emrin Soufan, e përshkruan rajonin si një "inkubator për një brez të ri terroristësh" që kanë gjetur terren veprimi afër kufijve perëndimorë.

Shumë prej tyre janë të rinj, shpesh adoleshentë, dhe shumë nga ata që vijnë nga Perëndimi janë konvertuar në fenë islame, thotë eksperti i SOUFAN-it, Patrick Skinner, i cili ka punuar në Irak.

Disa shkojnë thjesht për aventurë.

"Ata janë tërheqës sidomos për të rinjtë 15 deri në 25 vjeç, kryesisht meshkuj, por jo gjithmonë. Në Perëndim, ata e bëjnë 'xhihadin' të duket si një videolojë. Ata nuk e tregojnë luftën me ngjyrat e saj vërteta, por me ngjyra prej Hollivudi, a thua si të jetë qejf. Dhe dihet që adoleshentët kanë qejf të argëtohen. "

Disa shkojnë për shkak të krizës personale.

"Ata janë të pakënaqur, nuk kanë asnjë lidhje me shoqërinë dhe familjen dhe ISIS ua mbush mirë këtë boshllëk. "

Të tjerë kanë ndjenjën e persekutimit si myslimanë.

Ata duan të shkojnë luftojnë për sunitë, për muslimanët e shtypur nga regjimi i Asadit dhe tani nga Perëndimi."

"... Është nocioni se ka një luftë mes të pafeve dhe besimtarëve, kështuqë ata e përqafojnë këtë konflikt të vazhdueshëm e të përjetshëm. Disa të tjerë janë fanatikë që i tërheq dhuna", thotë eksperti i terrorizmit Brian Jenkins.

"Fakti që ata e publikojnë dhunën tregon se, sipas mendjes së tyre, kjo jo vetëm që do t'i tmerrojë kundërshtarët e tyre, por edhe do të tërheqë një grup të caktuar njerëzish që duan të marrin pjesë."

Zoti Jenkins, këshilltar i lartë në organizatën studimore RAND Corporation, flet edhe për një shqetësim të madh ndërkombëtar: Çfarë  do të bëjnë këta të rinj dhe të reja pasi të kenë ikur nga Siria ku janë ekspozuar ndaj ndikimeve ekstremiste të xhihadit.

Vendet perëndimore, sidomos evropianët, janë të kujdesshëm që xhihadistët që kthehen të mos mund të kryejnë akte terroriste në vendin e tyre, shton Jorge Benitez, ekspert për sigurinë në Këshillin e Atlantikut.

"... Barbaria që ata po mësojnë, si ekzekutimet mwe prerje koke apo me kryqëzim, ka ngjallur shqetësimin se këta njerëz do të kthehen në Evropë, pasi ende kanë pasaporta të BE-së, dhe do të fillojë të propagandojnë atje këtë lloj fanatizmi dhe dhune."

Çështja e rekrutimit të terroristëve të huaj për të luftuar në Lindjen e Mesme ka bërë që Presidenti amerikan Barak Obama të ndërmarrë një hap të pazakontë dhe të kryesojë personalisht një sesion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të tërhequr vëmendjen ndaj këtij kërcënimi global në rritje.za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.