VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

POLICIA DHE DHUNA RACORE NË SHBA

E Enjte, 11.27.2014, 04:01pm (GMT1)


Tensionet janë të larta në Seint Ljuis, në rrethinat e qytetit Ferguson të shtetit Mizuri. Komuniteti është në pritje të një vendimi gjyqësor, nëse do të ngrihen apo jo akuza kundër oficerit të bardhë të policisë, Darren Wilson, për vrasjen e një adoleshenti zezak të paarmatosur, Michael Brown, në muajin gusht. Siç njofton korrespondenti ynë Chris Simkins, rastet e përdorimit të forcës së tepruar, për të cilat akuzohet policia, kanë shkaktuar trazira racore edhe në të kaluarën.

Vrasja e afrikano-amerikanit Michael Brown nga oficeri i policisë Darren Wilson në Ferguson, rindezi tensione të vjetra në lidhje me racën dhe policinë.

Vdekja e adoleshentit të paarmatosur u pasua nga ditë të tëra trazirash dhe demonstratash zemërimi në këtë komunitet me shumicë afrikano-amerikane. Studiuesi i Qendrës për Progresin Amerikan në Uashington, Sam Fulwood, thotë se dhuna racore shpesh vjen si rrjedhojë e irritimit të të rinjve afrikano-amerikanë të cilët besojnë se sistemi nuk i favorizon.

“Ka diskriminim racor. Ka brutalitet policor. Ka pabarazi ekonomike dhe diskriminim në strehim. Të gjitha këto sjellin fyerje. Ata kërkojnë të dëgjohen njësoj si elita e shoqërisë sonë, dhe ky është shkaku themelor.”

Dhuna në Ferguson vjen 23 vite pas rrahjes së afrikano-amerikanit Rodney King nga policë të bardhë në Los Anxhelos. Përjashtimi i tyre nga akuza për ushtrim të tepruar të dhunës në prill 1992, shkaktoi menjëherë trazira, më të rëndat në historinë amerikane. Vetë viktima bëri thirrje për qetësi dhe harmoni ndërmjet racave.

“Dua vetëm të them: a nuk mund të bashkëjetojmë të gjithë bashkë?”

Pavarësisht thirrjeve për paqe, 55 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 2 mijë u plagosën në Los Anxhelos. Djegiet dhe plaçkitjet shkaktuan mbi 1 miliardë dollarë dëme. Ekspertja e politikave publike, Elsie Scott, thotë se afrikano-amerikanët shpesh ndjehen së nuk kanë të drejtat e qytetarisë.

“Mendoj se shumë prej atyre që marrin pjesë në trazira janë njerëz që ndjehen të pafuqishëm, dhe e vetmja fuqi që kanë është të dalin për të djegur ndonjë biznes të cilin nuk kanë mundësinë ta kenë pronë të tyren.”

Në prill 2001, policia u përplas me protestuesit pas goditjes me armë nga policia të një adoleshenti zezak të paarmatosur në Sinsinati, të Ohaios. Ashtu si në Ferguson, vija e betejesës u krijua ndërmjet njësisë kryesisht të bardhë policore dhe komunitetit të zezakëve. Oficeri i policisë i Sinsinatit, Keith Fangman, thotë se duhet punuar më shumë në komunitetin zezak për të ndryshuar perceptimin e punës që bën policia.

“Na duhen në veçanti udhëheqës zezakë që të dalin dhe të mbështesin publikisht një oficer policie që ka ushtruar forcë të justifikuar kur është përballur me të dyshuar të dhunshëm.”

Disa udhëheqës afrikano-amerikanë thonë se trazirat racore mund të ringjallen nëse pakicat vazhdojnë të ndjejnë se janë shndërruar në objektiv të oficerëve të policisë që përdorin forcë të tepruar ose që nuk zbatojnë ligjin me objektivitet dhe paanshmëri.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.