VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTI OBAMA DHE INDIANËT E AMERIKËS

E Martë, 12.02.2014, 07:58pm (GMT1)



Gjatë këtij viti, Presidenti Obama ishte i katërti president në historinë e Shteteve të Bashkuara që vizitoi një rezervat të indianëve të Amerikës. Ai udhëtoi drejt Standing Rock, që shtrihet në një hapësirë prej 800 mijë hektarësh në pjesën veriore dhe jugore të Dakotës. Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë po përgatitet për të organizuar më datë 3 dhjetor konferencën vjetore të fiseve indigjene, korrespondenti i Zërit të Amerikës Aru Pande, udhëtoi drejt Standing Rock dhe bisedoi me banorët rreth shpresave të tyre për të ardhmen.

Pothuajse 100 kilometra larg qytetit më të afërt, e vendosur midis kodrave me kullota, një hapësirë e vogël me më pak se 1000 persona nuk përfaqëson normalisht një vend që vizitohet nga presidenti.

"Unë jam rritur këtu në Cannon Ball dhe familja ime është prej këtu, dhe kjo vizitë është një gjë e mrekullueshme."

Randi Dogskin kujton ditën kur Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama erdhën në rezervatin Standing Rock, në Dakotën e Veriut, dhe premtuan të përmirësojnë jetën e indianëve të Amerikës.

"Le të bashkojmë mendjet tona për të përmirësuar shkollat, sepse fëmijët tanë meritojnë një arsimim të nivelit më të lartë botëror."

Presidenti Barack Obama u takua me të rinjtë në shkollën e Cannon Ball në muajin qershor. Gjatë vizitës, ai u shpreh se zgjerimi i mundësive për arsim dhe për zhvillim ekonomik janë thelbësore për forcimin e komuniteteve tona të indigjenëve.

Është një mesazh që prek prindërit në Cannon Ball, ndërsa mblidhen në shkollë në këtë ditë të ftohtë nëntori, për të krijuar globe dëbore së bashku me fëmijët e tyre.

Nëna e dy fëmijëve, Kelly Ayutapi, thotë se ekziston nevoja për më shumë mundësi për të rinjtë e fiseve indigjene.

"Nuk është se ka shumë gjëra në rezervate, apo akses në shumë gjëra."

Për anëtaren e bordit të shkollës, Sue Isbell, nevoja për më shumë fonde është e dukshme ndërkohë që ecën brenda godinës së shkollës, e cila është ndërtuar në vitet '30-të.

"Ka myk, dhe mundohemi të luftojmë lagështirën. Tavanet pikojnë. Ka vetëm arna pas arne."

Banorë të Cannon Ball, si Randi Dogskin, thonë se një godinë më e mirë për 100 nxënësit e shkollës, do të ndihmonte për të ngritur moralin e rinisë indigjene, e cila ka përqindjen më lartë të braktisjes së shkollës në SHBA.

"Ata do të jenë udhëheqësit tanë një ditë, dhe ne do të donim ta kishin patur edhe këtë mundësi; që ta dinë se vërtet jeta në rezervat është e vështirë, por se ka edhe shumë gjëra të mira këtu."

Është një mesazh që shumë veta këtu shpresojnë se Presidenti Obama e ka marrë me vete kur u kthye në Uashington.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.