VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RICIKLIMI I MBETURINAVE ELEKTRONIKE NË KORENË E JUGUT

E Martë, 12.02.2014, 08:02pm (GMT1)



Koreja e Jugut po përballet me rritjen e sasisë së mbeturinave nga pajisjet elektronike. Për të mos lejuar që tonelata me kompjutera, telefona dhe pajisje të tjera të vjetra të përfundojnë nën tokë, duke lëshuar kimikate toksike, disa qeveri vendore po krijojnë programe të specializuara në riciklimin e këtyre mbeturinave.

Kjo është ndalesa e fundit për këto pajisje elektronike të thyera, të vjetëruara apo të padëshiruara. Qyteti i Seulit prodhon rreth 10 tonë mbeturina elektronike çdo vit dhe rreth një e pesta e tyre vjen në këtë qendër riciklimi. Këtu, në Qendrën SR, pajisjet çmontohen në mënyrë që të mund të nxirren metale të vlefshme si ari, bakri apo minerale të rralla - një industri prej 3,8 miliardë dollarësh, sipas qeverisë.

Por kjo nuk bëhet vetëm për përfitim ekonomik, thotë drejtori i qendrës Ji Un-geun. Bëhet për mbrojtjen e mjedisit.

"Planeti ynë ka një sasi të kufizuar burimesh natyrore. Kompania jonë kontribuon për një shoqëri të qëndrueshme, duke i ruajtur këto materiale."

Zoti Ji thotë se rreth 90 për qind e asaj që vjen këtu riciklohet.

Grumbullimi i sasive të mëdha të mbeturinave elektronike nuk është një shqetësim vetëm në vendet e avancuara teknologjikisht si Koreja e Jugut.

Kombet e Bashkuara raportojnë se miliona tonë mbeturina elektronike të botës përfundojnë në vendet në zhvillim. Atje, materialet toksike si plumbi dhe merkuri përbëjnë një rrezik të madh shëndetësor. Kjo ndodh pavarësisht nga marrëveshjet ndërkombëtare që e ndalojnë eksportin e mbeturinave elektronike.

Që nga viti 2009, bashkia e Seulit ka bashkëpunuar me Qendrën e riciklimit SR për të mbledhur mbeturina elektronike nga sektori publik dhe privat. Zyrtari i bashkisë Lee Tae-hong thotë se riciklimi është gjithashtu një çështje sigurie në epokën dixhitale.

"Në qoftë se pajisjet si telefonat nuk riciklohen, atëherë ato mund të përfundojnë në mënyrë të paligjshme në vende të tjera, si Kina apo në Azinë Juglindore, dhe të dhënat personale mund të vidhen."

Edhe pse qendra riciklimi si kjo pakësojnë sasinë e pajisjeve elektronike që depozitohen me mbeturinat e tjera, kjo nuk është e mjaftueshme, sipas disa grupeve mbikëqyrëse të mjedisit.

Koreanojugorët e dhënë pas teknologjisë vazhdojnë të blejnë pasisje të reja. Disa vlerësojnë se vetëm rreth 21 për qind e mbeturinave elektronike të vendit riciklohen si duhet. Kjo sipas Lee joo-Hong i Rrjetit të Konsumatorëve për Mjedisin. Ai thotë se mesatarisht njerëzit në Korenë e Jugut blejnë një telefon celular të ri çdo një vit e gjysmë.

"Njerëzit i ndryshojnë telefonat e tyre shpesh, pjesërisht për shkak se kompanitë e mëdha ofrojnë zbritje për produktet e tyre të reja. Dhe konsumatorët koreanë nuk duan të ndihen të mbetur pas, duke mos pasur modelin e fundit."

Ji Un-geun i qendrës së riciklimit SR në Seul është dakord se konsumi i lartë është një arsye e rëndësishme pse grumbullohen kaq shumë telefona të vjetër. Por ai thotë se ai është duke dhënë kontributin e tij për ta zbutur këtë dukuri.

"Kam të njëjtin telefon për 10 vjetësh. Kjo është ajo që unë mund të bëj për të ndihmuar në ruajtjen e burimeve tona natyrore."

Zoti Ji thotë se më shumë qytete të Koresë së Jugut duhet të fillojnë programet e tyre të riciklimit, për të përballuar shtimin e sasisë së mbeturinave elektronike.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.