VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTI GJERMAN GAUK KRITIKON PROTESTAT ANTI-ISLAM

E Enjte, 12.25.2014, 10:25am (GMT1)


 

Presidenti gjerman, Joakim Gauk ka uruar bashkëkombësit e tij me rastin e Krishtlindjes, duke e shoqëruar atë me një apel për të mirëpritur refugjatët që vijojnë të hyjnë në Gjermani nga vende të ndryshme.

Gauk ka mbajtur fjalimin e tij të përvitshëm me rastin e Krishtlindjeve, që pritet të transmetohet të enjten në televizionin shtetëror.

Në këtë fjalim kreu i shtetit lavdëruar gjermanët për mikpritjen e 200 mijë refugjatëve që kanë mbërritur këtë vit në vendin e tyre, por nga ana tjetër u ka bërë thirrje që të ulin tonet kundër islamit.

Një pjesë të medieve vendase e kanë cilësuar këtë fjalim si një sulm i tërthortë ndaj grupimit të ri kundër islamizimit të Gjermanisë të shfaqur kohët e fundit me një sërë protestash në vend.

Patriotët Europianë, siç e quajnë ata veten, kanë kryer që prej tetorit tubime të përjavshme kundër emigrantëve në vend, sidomos atyre që i përkasin fesë islame.

Në tubimin e të hënës së kaluar në Drsden numri i marshuesve arriti në 17 500 vetë, një shifër rekord. Por Gauk i këshillon gjermanët që të mos kenë frikë nga bota përreth tyre.

Edhe Kancelarja Angela Merkel i ka kritikuar shfaqjet e fundit kundër emigrantëve.
Më shumë se çdo vend tjetër në Europë, Gjermania vazhdon të përballet me një numër mjaft të lartë të kërkesave për azil.

Shumica e azilkërkuesve vijnë nga Lindja e Mesme të cilët largohen për shkak të luftës në Siri dhe Irak, ndjekur më pas nga vendet ballkanike, mes të cilëve ndodhet edhe Shqipëria me Kosovën.

/Shekulli
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.