VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TREGTIA E SHBA ME KUBËN - PËRJETIMET E EMIGRANTËVE KUBANË

E Hënë, 01.05.2015, 08:33am (GMT1)


Vendimi i Presidentit Barack Obama për të lehtësuar kufizimet ndaj tregtisë së Shteteve të Bashkuara me Kubën, po tërheq mjaft vëmendjen e komunitetit të biznesit. Shumë kompani po përpiqen të hyjnë në vendin e fundit komunist të Amerikës Latine. Por emigrantët kubanë të vendosur në Miami prej vitesh, i thanë korrespondentes së Zërit të Amerikës Sharon Behn, se ky lajm është sa i gëzuar, edhe i dhimbshëm për ata që ju desh të largohen nga vendi i tyre, duke lënë pas gjithshka.

"...Më kujtohet që dola nga shkolla dhe shkova në shtëpi, e gjeta derën të vulosur me dyll."

Kur Jorge Valdez ishte 8 vjeç, ai bashkë me familjen u larguan nga Kuba, vetëm me një çantë me rroba në shpinë.

Tani atij i kanë mbetur vetëm disa fotografi të vjetra dhe kujtime të shumta.

"Kur isha fëmijë, gjyshi pinte puro. Uleshim tek pragu i shtëpisë, - babai  dhe xhaxhai luanin domino, që është pjesë e të qënit kuban. Ne luajmë domino, pijmë puro dhe hamë missh derri të pjekur. Këto janë pjesë e të qënit kuban."

Sot, Jorge Valdez është pronar i suksesshëm i një dyqani purosh në

Miami, "Sabor Havana", ku ai shet prodhime kryesisht të familjeve të larguara nga Kuba. Sot ata përdorin duhan tjetër për të prodhuar puro të klasit të lartë.

Zoti Valdez thotë se njerëzit për vite me radhë kanë bërë kontrabandë me purot nga Kuba. Por tani, kompani të mëdha po planifikojnë për ditën kur do të hapen tregjet kubane dhe ai pret që të shtohen shitjet në dyqanin a tij.

"Mendoj se kur të fillojë tregtia me Kubën, kur të kemi puro kubane për t'i shitur këtu në SHBA, ka për të patur një shtim të madhe xhiros, sepse për 50 vjet me radhë kjo ka qenë një mollë e ndaluar;  tani të gjithë duan një pjesë prej saj."

Andy Consuegra, pronar i një dyqani pijesh alkoolike,  thotë se në mbarë Miamin, qendër e kubano-amerikanëve, heqja e embargos me Kubën do të rriste ndjeshëm shitjen e verës dhe pijeve të tjera në Karaibe.

"Do të vijnë 4-5 milionë turistë brenda një dite, plus rritjes së turizimit në përgjithësi,  shto edhe popullatën lokale; kanë për të ardhur edhe 11-12 milionë njerëz të tjerë."

Andy Consuegra thotë se deri tani, kompani të mëdha evopriane kanë dominuar tregun, ngaqë ato nuk kanë qenë nën embargon ekonomike amerikane.

Businesmenë si Consuegra dhe Valdez presin me kënaqësi mundësitë që do të krijojë tregtia e lirë me Kubën. Por Valdez thotë se ka për të qenë e vështirë të harrohet e kaluara.

"Kjo është pjesa e hidhur. Do të doja që këto gjëra të fshiheshin nga memorja, por për 50 vjet me radhë ka patur mjaft dhimbje dhe për ne është e vështirë ta shohim këtë ndryshim, pa patur përfitime për njerëzit e atjeshëm."

Valdez thotë, se edhe në se do të kishte mundësi, ai nuk do të donte të kthehej në vendin komunist. Ai thotë se është i kënaqur ta kalojë kohën me miqtë dhe klientët e tij në këtë copëz Kube këtu, në Miami.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.