VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shën Valentini dhe Stina e Dashurisë
E Djelë, 02.08.2009, 10:18am (GMT1)

 

Festa e Shën Valentinit nuk është festa e fejesës me dikë, por e të qenurit i dashuruar, është kujtimi dhe falenderimi për perëndinë e Erosit, për plagët që na shëron ne të vdekshmëve, kur të tërhequr drejt një qenieje tjetër, biem në atë "maladie d'amour" (sëmundje dashurie) që na komplikon jetën, duke alternuar momente dalldie dhe ekstaze me kriza melankolie, ligështimi dhe vetmie, sapo i dashuri largohet nga horizonti ynë. Shën Valentini është një ditë në të cilën njihen të dashuruarit, shumica pajtohet me sfidën ndaj një perëndie ndonjëherë tirane. Po, tirane, e pashpirt, sepse dashuria mund të marrë fund dhe të dashuruarit mund të gjenden të vetmuar pikërisht në ditën e Shën Valentinit...
----------------

 

Dita e Shën Valentinit, Dita Botërore e Dashurisë, Dita Botërore e të Dashuruarve. Në jetën tonë të përditshme ajo tashmë shënon një nga festat më të hareshme dhe më gazmore. Në jetën e natyrës ajo shënon atë fazë zgjimi ku gjithçka në natyrë kërkon të çiftëzohet, zogjtë, lulet, e gjithë bota e gjallë. Prej nesër, me Ditën e Shën Valentinit fillon Stina e Dashurisë, e cila përshkon gjithë muajt e pranverës, pra të luleve, të gjelbërimit, të lindjes dhe të pjekjes së frutave të pemëve.

Shën Valentini, si çdo festë është një manifestim real dhe i përëndërrt, manifestim deliri dhe zgjëndërre për një ngjarje të veçantë. Dita Botërore e Dashurisë shënon një dashuri të pakufishme, që përqafon gjithë Universin, pra që nuk është domosdoshmërisht e lidhur me një njeri. Tradita për të festuar një festë të veçantë i ka bazat e saj në zakonin e të fituarit të favorit dhe bekimit hyjnor përmes ceremonive rituale, për të falenderuar të mirat materiale, për të ofruar sakrifica dhe për të thërritur mbrojtjen e hyjnive. Kjo mund të jetë për pjellorinë e tokës, për lindjen e një fëmije, për lindjen e një martese, për të larguar sëmundjet... Dhe meqë zotërit dëgjojnë, ndërhyrja e tyre e mirë kujtohet dhe rikujtohet nëpër kohëra, duke festuar kujtimin e "paktit" mes zotërve dhe njerëzve, përmes këngëve, valleve, lutjeve dhe ofertave. Festa bëhet kështu kujtesa e një ngjarjeje të veçantë dhe gëzimi për faktin se të kujton të falenderosh Zotin për të mirat që të ka dhënë. Në këtë mënyrë ne festojmë edhe ditëlindjet tona, përvjetorët e martesave, pagëzimet dhe fitoret tona, të gjitha këto, momente me kuptime të veçanta për jetën tonë.
Shën Valentini është dita në të cilën festojmë atë mrekulli që është rënia në dashuri, duke shkëmbyer dhurata për t'i kujtuar njëri-tjetrit rëndësinë, bukurinë dhe kënaqësinë e të qenurit "të prekur" nga Erosi, perëndia e dashurisë. Kjo festë nuk është një përvjetor, domethënë kujtimi është një "zgjidhje" impenjative, që gjithsecili e bën sipas mënyrës së vet. 14 shkurti është një ditë e gëzueshme dhe e këndshme feste, kjo pasi çdo Shën Valentin mund të festohet me një person të ndryshëm. Sepse festa e Shën Valentinit nuk është festa e fejesës me dikë, por e të qenurit i dashuruar, është kujtimi dhe falenderimi për perëndinë e erosit, për plagët që na shëron ne të vdekshmëve, kur të tërhequr drejt një qenieje tjetër, biem në atë "maladie d'amour" (sëmundje dashurie) që na komplikon jetën, duke alternuar momente dalldie dhe ekstaze me kriza melankolie, ligështimi dhe vetmie, sapo i dashuri largohet nga horizonti ynë. Shën Valentini është një ditë në të cilën njihen të dashuruarit, shumica pajtohet me sfidën ndaj një perëndie ndonjëherë tirane. Po, tirane, e pashpirt, sepse dashuria mund të marrë fund dhe të dashuruarit mund të gjenden të vetmuar pikërisht në ditën e Shën Valentinit...
Vetëm pak vjet më parë, diçka më shumë se para një dekade, festa e të dashuruarve mori qytetarinë e një feste të vërtetë edhe për shqiptarët. Aq shumë ra në sy kjo, sa "të rriturit" mendonin se kjo ishte një festë krejtësisht rinore, thuajse "e ndaluar" për ta. Kjo për shkak të mosnjohjes së festës, historisë dhe domethënies së saj. Ashtu siç ka ndodhur me shumë ngjarje të tjera të veçanta, të konsideruara të rëndësishme për të gjithë pjesën e botës, por të mbajtura larg nga ne shqiptarët. Por pak nga pak, festimi i Shën Valentinit filloi të mos i bënte më alergjikë prindërit dhe të moshuarit dhe të bënte më të vetëdijshëm të rinjtë, të cilët tashmë e kishin kuptuar se të festosh Shën Valentinin, nuk do të thotë medoemos të bësh namin në dashuri, por të falenderosh një shenjt që bashkon zemrat e njerëzve të cilët kanë lindur për të qenë bashkë.
Kështu në 14 shkurt, nga viti në vit, nëpër rrugët dhe qytetet shqiptare, shtohen vajzat dhe djemtë që mbajnë dhurata dhe lule në duar, por shtohen dhe njerëzit që dalin rrugëve, lokaleve dhe parqeve për të festuar një festë që në thelbin e saj i ngre hymn një ndjenje mjaft intime. Tashmë shqiptarët preferojnë ta festojnë dhe me shumë bujë bile, atë rënien e tyre në dashuri, atë të ndjerin në një planet tjetër, kur çdo gjë të duket e bukur dhe pa të meta.
Por si çdo fillim dhe këtu ka tepërime, nganjëherë të skajme, dhe sigurisht që pak kohë më pas, gjërat do të vijnë në vendin e vet dhe kjo festë do të fillojë të marrë kuptimin e saj të vërtetë, atë të një tufe trëndafilash të kuq, të një kutie me çokollata në formën e zemrës, të një darke nën dritën e qirinjve, të një propozimi dashurie, apo më mirë akoma për fejesë, të një dasme me tullumbace dhe aheng...
"Në fakt, unë me të fejuarën time Shën Valentinin e festojmë gjatë gjithë vitit. Se ç'kuptim do të kishte pastaj nëse do të dashuroheshim vetëm një ditë në vit?", shprehet një djalosh, që gjithsesi, pohon se në të vërtetë, kjo festë i duket pak si pa kuptim ta festojë në grup. "Unë nuk mund ta kuptoj daljen rrugëve të qytetit për të festuar një festë të dashurisë...", shprehet ai, ndërsa tregon se e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar në këto 5 vjet të njohjes së tij me të fejuarën, janë trëndafilat e kuq. "Pastaj përveç trëndafilëve, i dhurojmë njëri-tjetrit ndonjë kuti me çokollata, ndonjë stoli. Këtë vit do t'i dhuroj një fundjavë në det", përfundon ai.
Ka dhe të tjerë që kanë pritur pikërisht këtë ditë për t'i shprehur dashurinë mikes së tyre të zgjedhur... "E kam vendosur, do ta ftoj për darkë dhe do t'i them "Të dua". Ajo e ka kuptuar dhe e di se edhe ajo më pëlqen, por jemi gjithmonë në shoqërinë e miqve të përbashkët dhe thuajse kurrë nuk kemi mbetur vetëm të dy. Kam besim se ajo do të pranojë...", shprehet një tjetër, që pavarësisht se shprehet i bindur, herë-herë ka frikë se do t'i duket shumë budalla me romantizmin e tij, që e konsideron të tepruar. Por në fund të fundit, kjo është festa e Shën Valentinit, apo? Dhe ia vlen të bësh ndonjë "çmenduri" që të rrezikon miqësinë, në një ditë kaq të veçantë kur të gjithë e ndiejnë nga pak atë prani të ngrohtë dhe të ëmbël të zotit të dashurisë.  

Puthje nën shi, puthje nën borë, puthje sipër rërës së plazheve, puthje lamtumire, puthje qiellore, puthje ndërgalaktike. Puthje antologjike me të cilat merret Libri Gines. Deri sot e kësaj dite, në kujtesën dashurore të njerëzimit, rekordin e mban puthja e Odri Hepbërnit (Audrey Hpeburn) me Xhorxh Pepardin (George Peppard) në filmin "Drekë në Tifani", një komedi romantike e vitit 1961, bazuar në romanin e Truman Kapot, që iu thurte hymne vajzave me zemër të artë por të vështira në dashuri të qytetit të Nju Jorkut. Puthja më e vjetër në krye të kësaj antologjie është ajo e viti 1939 midis Klark Geibël (Clark Gable) dhe Vivien Llaijh (Vivien Leigh), e cila shkakton emocione te publiku edhe sot e kësaj dite.

Në këtë hierarki bëjnë pjesë edhe çifte kinematografike të tillë si Burt Lancaster e Deborah Kerr në filmin "Prej këtu e në përjetësi" apo Patrick Swayze e Demi Moore në "Fantazma", të tjerë më të sofistikuar si Julia Roberts e  Richard Gere në "Gruaja e bukur". Por të famshëm janë edhe Ryan O'Neal me Ali MacGraw në "Histori dashurie", apo Kate Winslet a Leonardo di Caprio në "Titanik". Ashtu edhe Renéè Zellwegger e Colin Firth në "Ditari i Brixhit Xhonsit", apo Tobey McGuire e Kirsten Dunst në "Njeriu merimangë", apo Carrie Fisher e Harrison Ford në "Luftërat e yjeve". Nga ato më të fundit janë edhe ato midis Xhad Llo e Nikolë Kidman në "Mali i Ftohtë", tashmë edhe në kinematë evropiane.
Përveç kinemave, të cilat janë në ditë të tilla si Shën Valentini dhe në të gjitha ditët e stinës së dashurisë të cilave ai iu paraprin, plot e përplot me klientë që blejnë si të marrë janë edhe dyqanet e argjendarive, dyqaneve të kozmetikës, veshjeve, librarive dhe kinkalerive. Ata që blejnë më shumë janë të rinjtë, të cilët janë dhe më "të varfërit" në dhurata. Një libër, një lule, një parfum, një varëse, këto janë dhuratat që mund të blejnë më së shumti të rinjtë për të dashurat apo të dashurit e tyre. Ndërsa ata që e kanë kaluar paksa fazën e parë, të fejuarit apo të martuarit, shkojnë tek diçka më "e rëndë", siç mund të jetë një fustan, një unazë "bërtitëse", një darkë lluksoze, një udhëtim... Por që t'i bësh këto të fundit të kushton mjaft dhe sigurisht që këto janë në "duart" e atyre që ua mban xhepi. Për të tjerët, një ëmbëlsirë në shtëpi dhe një e dalë mbasdite dhe ja se dhe kjo festë mbaroi...
Por ka dhe nga ata apo ato që gjithmonë kjo festë i gjen të vetmuar dhe mendojnë se nuk kanë asnjë arsye të festojnë 14 shkurtin kur kanë 15 shkurtin, që pak e dinë se është festa e beqarëve, Shën Faustinin. "Është e çuditshme, por çdo vit më 14 shkurt jam vetëm. Dhe trishtohem shumë. Nuk marr asnjë dhuratë, asnjë puthje, asnjë gjë. Rri në shtëpi duke parë maratonën e filmave me temën e dashurisë që japin të gjitha TV-të dhe them me vete, se kushedi, vitin tjetër do të bëhet më mirë, ndoshta vitin tjetër, më në fund do ta festoj dhe unë. Por vjen 14 shkurti tjetër dhe sërish vetëm. Rri dhe shoh morinë e çifteve në rrugë dhe mendoj se kushedi pse zoti preferon të më lërë vetëm...".

Por për atë që mbetet vetëm më 14 shkurt, asnjë mendim mbi faktin se zoti ka harruar të krijojë shpirtin e tij binjak dhe mbi të gjitha, mos bini në kurthin e vetëkritikës dhe të melankolisë. Jeni të ndërgjegjshëm se sezonet e Erosit ndryshojnë dhe alternohen, çdo dimër ndjek një pranverë. Nëse jemi në fazën dimërore, i bëjmë megjithatë një homazh energjive erotike, pozitive dhe vitale që na rrethojnë. Duhen evituar ndjenjat e kotësisë dhe jeta në izolim. Evitojmë të ushqejmë ndjenjat e zilisë, xhelozisë, zemërimit, fjalë që sipas psikanalistëve, nuk i tërheqin favoret e Erosit! 
Le ta celebrojnë edhe të vetmuarit dashurinë, ndoshta duke vendosur një trëndafil në qoshen e heshtur të një tempulli apo në pjesën më të kapur nga dielli të shtëpisë. Një rit i heshtur që ama i bën më të ëmbël për ta pranuar dashurinë, që ashtu siç na kujtojnë mitet e poetët, tërhiqet nga një njeri me zemër xhentile dhe me sy të pastër. Shkrimtarja e madhe Marguerite Duras shkruante, se "unë jam gjithmonë e dashuruar me një ide, një frymëzim, një mundësi..." Nëse jeni të dashuruar pas dashurisë, atëherë keni të gjitha të drejtat të festoni edhe ju  Shën Valentinin tuaj. Vetmia është prova që jeni pa dashuri dhe i vetmi realitet që vlen është çiltërsia dhe zemra e hapur ndaj dashurisë. Vetmia është e përkohëshme aq sa është dashuria e përjetëshme.
Mundet që në të kundërtën, ta keni partnerin me të cilin festoni por nuk njihni realitetin e dashurisë, që qëndron mbi çdo ide. Vetmia, braktisja, mund të jenë rrugë të detyrueshme drejt ecjes suaj personale para se të arrini një përkryerje më të lartë për të shprehur ndjenjat tuaja.
Pse festa e Shën Valentinit bie pikërisht më 14 shkurt? (E keni pyetur ndonjëherë veten?...) Është një rastësi apo ka një kuptim të veçantë? Mos harroni dhe mos i humbi shpresat tuaja. Të gjitha rrugët të çojnë tek dashuria.
Në kalendarin ilir, shkurti është konsideruar si muaji në të cilin njerëzit përgatiteshin për mbërritjen e pranverës, stinën e rilindjes. Kështu fillonin ritet e pastrimit: shtëpitë pastroheshin dhe ju hidhej kripë si dhe një farë e veçantë. Por në veçanti, në mes të muajit fillonin festimet në nder të zotërve që i mbanin ujqërit larg nga fushat e kultivuara. Njerëzit e frymëzuar nga ky kult i blatonin perëndisë së dashurisë flijime zbutëse. Gjaku i kafshëve të flijuara përhapej pastaj në vendin përreth, si shenjë e pjellorisë. Ngjarja e vërtetë për rininë ilire të asaj kohe ishte një tip lotarie dashurie. Çdo vajzë e re, në kohë për t'u martuar, vinte emrin e saj në një vazo dhe çdo beqar duhet të kapte një emër pa e parë se për kë bëhej fjala. Kështu formoheshin çifte, që shpesh përfundonin në martesë.

Dita e të Dashuruarve ndër ilirët, romakët dhe popujt e tjerë të qytetëruar kishte natyrën e një festivali të përvitshëm, pra shumë më herët se ajo të ishte Dita e Shën Valentinit. Në Ditën e të Dashuruarve djemtë e qëndisnin emrin e së dashurës së tyre në këmisha, që ta shpallnin publikisht dashurinë e tyre. Kjo traditë është mbartur deri në ditët tona, kur të dashuruarit mbajnë të shkruar, brenda një zemre të vizatuar emrin e partnerit ose të partneres në dashuri.

Në antikitet dhe deri në mesjetën e vonë vajzat, në Ditën e Shën Valentinit hanin një vezë të zier fort dhe pastaj vinin pesë gjethe dafine nën jastëk përpara se të flinin, duke besuar se do t'iu shfaqej në ëndërr fytyra e burrit të ardhshëm. Më vonë ky rit u zëvendësua me një para argjendi që vihej poshtë jastëkut në vigjilje të Ditës së Shën Valentinit dhe besohej se brenda atij viti njeriu me të cilin vajzat do të martohej ia shfaqte asaj propozimin për martesë. Pikërisht në kohën e mesjetës filluan të dërgohen edhe kartolinat e para të dashurisë. Kjo dukuri lidhet me emrin e Dukës së Orleanëve, i cili thuhet të ketë dërguar kartolinën e parë të dashurisë kur ishte i burgosur në Tower  (Kullë) të Londrës më 1415, ku ai edhe shkori poemat e dashurisë, të njohura si "valentinet", kushtuar së shoqes së tij në Francë. Kartolinat, kuptohet, nuk ishin të industrializuara, ato përgatiteshin nga vetë të dashuruarit. Kartolinat e dashurisë filluan të bëhen popullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në periudhën e Luftës Civile. Kjo u bë kaq e modës saqë Dita e Shën Valentinit u bë shumë më popullore sesa Krishtlindjet. Krahas kartolinave në këtë festë janë bërë gjithnjë e më të pranishme tufat me lule, të cilat shiten me miliarda në një ditë të tillë të vitit, çokollatat gjithfarëshe, stolitë e shtrenjta.

Mbi shenjtin e të dashuruarve, historia dhe legjenda ndërthuren dhe ndonjëherë bëhen konfuze. Jeta e shenjtit martir që festohet më 14 shkurt në realitet ndahet më dysh. Jo një shenjt martir por dy: njëri i cili ka jetuar rreth shekullit të III, dhe që ka banuar për një kohë të gjatë në Romë dhe martiri tjetër i Ternit që ka shumë mundësi të ketë qenë peshkop përreth shekullit të VI-të. Martiri i Romës është përkujtuar në Martirologjinë Romane në 14 shkurt me një regjistër që vjen nga njëfarë Beda (shekulli i VIII). Në të rrëfehet një histori në të cilën thuhet se Valentini, i cili ishte arrestuar sipas urdhrit të perandorit Claudio, u gjend i vrarë në rrugën Flaminia; në varrin e tij në të njëjtën rrugë është ngritur një bazilikë, me dëshirën e papa Xhulio I, e ribërë edhe kohët e fundit dhe e rregulluar në mënyrë ornamentale nga papa Teodoro.
Ndërsa martiri i Ternit, i përkujtuar gjithmonë më 14 shkurt në Martirologjinë Jeronimiane, i arrestuar sipas një urdhri të dhënë nga prefekti Placido ndërsa ishte në Romë, pasi kishte refuzuar të sakrifikohej për idhujt, u vra dhe u varros afër rrugës Flaminia, në të hyrë të Ternit, ku ekzistonte një varr i krishterë mbi të cilën më pas u ndërtua një bazilikë. Dihet që duke qenë dy histori shumë të ngjashme nuk mungon as ai që mbështet ekzistencën e një martiri të vetëm Valentin. Në 498 papa Gelasio e konsideroi 14 shkurtin si festën e Shën Valentinit dhe nxori jashtë ligjit lotaritë e dashurisë të origjinave pagane.
Kaluan vite dhe shekuj dhe festa e  Shën Valentinit fitoi gjithmonë e më shumë rëndësi, aq sa tani kemi dhe një dokument historik: një letër dashurie të cilën ia ka shkruar gruas së tij me rastin e Shën Valentinit  Carlo i Orleansit, i burgosur në Londër.

Një ditë, peshkopi Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit të tij, dy të rinj të fejuar që po ziheshin. Mori atëherë një trëndafil, doli nga kopshit dhe shkoi të takonte ata të dy, duke u ofruar trëndafilin duke u thënë fjalë mbi pajtimin. Kaq mjaftoi për të mbyllur në çast grindjen mes dy të dashuruarve që ashtu siç u tha shenjti, shtrënguan trëndafilin duke u lutur derisa dashuria e tyre u bë e përjetshme. Pak kohë më vonë, të dy u kthyen tek Valentino për t'i kërkuar t'u celebronte martesën. Sa për titullin e "padronit të të dashuruarve" duket se i është atribuar në Mesjetë, sepse dyshohej se më14 shkurt, në ditën e festës së tij, zogjtë fillonin të cicëronin duke ndjekur rizgjimin e natyrës dhe të dashurisë.

Valentin tingëllon si "valorem tenens", "që mban vlera", domethënë "që përmban shenjtëri"; ose do të thotë "valens tyro, "ushtar me vlera", domethënë "ushtar i dashurisë". Thuhet se një ushtar është me vlera kur nuk prapset kurrë, kur nuk kthehet kurrë nga rruga, kur mbrohet me rreptësi dhe fiton me pushtet. Në të njëjtën kohë, Valentini nuk u zbraps kundrejt martirizimit, e goditi duke e shkatërruar idhujtarinë, u mbrojt duke përforcuar besimin.

Ndërsa formula e lutjes që të dashuruarit ia drejtojnë Zotit në Ditën e Shën Valentinit, pra Ditën Botërore të Dashurisë është: Në zemrën time, Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm, që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për kë më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për kë më ec përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmo dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo, kështu që duke filluar nga sot, shpirtrat tona të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri e paqe.

 

Elida BUÇPAPAJ

 

 

Uilliam Shekspir

 

SYTË E SË DASHURËS SIME NUK JANË SI DIELLI

 

Sytë e së dashurës sime nuk janë si dielli;

Korali është ku e ku më i kuq se buzët e saj;

Nëse bora është e bardhë, pse gjinjtë e saj janë të zeshkët;

Nëse flokët do të ishin tela, atëherë tela të zi rriten në kokën e saj.

Unë kam parë trëndafilë të verdhë, të kuq e të bardhë,

Por nuk kam parë trëndafilë si faqet e saj;

Parfumet e tyre dihet sa janë dehës

Por jo si frymëmarrja e kraharorit të saj.

Unë çlodhem së dëgjuari zërin e saj, ndonëse e di

Se muzika tingëllon shumë më bukur ;

Ju betohem unë s'kam parë kurrë perëndeshë qiellore;

Kur e dashura ime shkel mbi tokë ia kalon çdo perëndeshe.

Dhe prapë unë besoj se nga qielli e dashura ime ka rënë

Më duket se është pak ta krahasoj me bukuritë qiellore.

Shqip: E.B.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.