VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BERLIN - EKSPOZITË MBI PASOJAT E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

E Shtunë, 05.02.2015, 06:02pm (GMT1)

Shtatë dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, më shumë se 500 fotografi dhe objekte të tjera arti janë sjellë  në Berlin për një ekspozitë të madhe që tregon fundin e luftës dhe viteve të pasluftës në 12 vende.

Ardhja e nazistëve në pushtet dhe hollësitë e aneksimeve dhe pushtimeve që pasuan kanë mbetur kryesisht të paeksploruara.

Por, në vend të kësaj, ekspozita përqëndrohet në shkatërrimet dhe sfidat me të cilat janë ndeshur vendet më 8 maj të vitit 1945, pas mbarimit të  luftës.

Përveç Gjermanisë, ekspozita ilustron situatën humanitare dhe politike në vendet e pushtuara apo të aneksuara si Austria, Norvegjia, Danimarka, Luksemburgu, Holanda, Belgjika, Polonia dhe Republika Çeke, dhe shtetet aleate evropiane si Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik

Ajo trajton pasigurinë politike pas luftës dhe se si qytetarët e thjeshtë u ndeshën me pasojat e konfliktit: nga gëzimi për çlirimin, deri tek sulmet hakmarrëse të kryera ndaj bashkëpunëtorëve të supozuar të nazistëve.

"Si ishte gjendja pas luftës në këto vende? Çfarë probleme kanë patur ato? Si u përballën njerëzit me atë që ndodhi gjatë viteve të luftës? Për ne ishte e rëndësishme të tregonim se si disa gjëra ishin të veçanta për disa vende. Për shembull, çfarë ndryshimi kishte në sfidat e pas luftës në Holandë, Britaninë e Madhe, Bashkimin Sovjetik, Poloninë. Cili ishte dallimi mes tyre dhe cilat ishin ngjashmëritë mes këtyre vendeve? Për shembull, në mënyrën se si ata i kanë trajtuar bashkëpunëtorët dhe bashkëpunëtorët e supozuar të nazistëve",  thotë bashkë-kuratorja e  ekspozitës Maja Peers.

Ekspozita fillon me një dhomë të ftohtë, të ndriçuar mirë, me statistika nga lufta të shkruara në mure.

Vizitori ndeshet menjëherë me realitetin e zymtë: 13 milionë njerëz u vranë nga nazistët; rreth 45 milionë njerëz vdiqën në luftë. Ekspozita gjithashtu jep hollësi mbi faktin se shtatë milionë njerëz, që kryenin punë të detyruar, u liruan në fund të luftës.

Sipas bashkë-kuratores tjetër të ekspozitës, Babette Quinkert, synimi është të edukohet publiku gjerman mbi tmerret e luftës në vendet e tjera.

"Unë mendoj se publiku në Gjermani ende nuk di shumë për atë që ka ndodhur në vende të tjera gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të paktën jo në hollësi. Për shembull, shumë pak njerëz e dinë se mbi 90 për qind e 13 milionë viktimave të krimeve naziste ishin nga Evropa Lindore, nga Polonia, Ukraina, Bjellorusia", thotë ajo.

Shtatë dekada pas përfundimit të luftës në Evropë, në kryeqytetin gjerman ende mund të shihen pasojat e betejave përfundimtare të vitit 1945.

Katedralja e Berlinit, e cila ndodhet afër Muzeu Historik, ende ka një fasadë të mbushur me vrima plumbash.

Nëse një kujtesë e tmerreve të luftës është ende e nevojshme, një banor i Berlinit mund bëjë një ecje të shkurtër më në jug, ku do të ndeshej me memorialin e hebrenjve të vrarë të Evropës.

Memoriali, i përbërë nga 2711 pllaka betoni në qendër të qytetit, u hap në vitin 2005 për të përkujtuar mbi 6 milion hebrenjtë që u vranë nga nazistët.

Bashkë-kuratorja Quinkert thotë se për shumë gjermanë ballafaqimi me tmerret e luftës është i vështirë.

"Natyrisht, është e tmerrshme të përballesh me shkallën e krimeve dhe përgjegjësinë e shtetit gjerman, dhe me dëmin që ky vend u solli vendeve të tjera. Por, është e rëndësishme që t'ia bëjmë të qartë vizitorëve të rinj, se Gjermania e filloi luftën dhe Gjermania është përgjegjëse për shumë krime".

Ekspozita u hap më 24 prill,  dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 25 tetor të këtij viti.za

WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.