VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRVJETORI JUBILAR I LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

E Hënë, 05.04.2015, 06:12pm (GMT1)

Përvjetori i 70-të i fundit të Luftës së Dytë Botërore do të përkujtohet në të gjitha vendet evropiane, me përjashtim të Gjermanisë, e cila e humbi luftën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin vizitoi Berlinin për të raportuar se si e shikojnë luftën atje dhe efektet që ajo vazhdon të ketë.

Një memorial madhështor për gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë nga nazistët, zë një hapësirë të madhe në qendër të Berlinit. U ndërtua vetëm dhjetë vjet më parë mes kundërshtimesh të konsiderueshme. Rreth 200 metra më tutje, prapa pemëve, ndodhej bunkeri ku Adolf Hitleri drejtonte luftën, dhe ku mendohet se vrau veten.

Nuk ka mbetur më asgjë nën këtë vend parkimi, por për vizitorë si Tina nga Britania, mësimet mbeten.

"Edhe sot, ka në vendin tonë grupe ekstremiste që gjallojnë. Dhe mendoj se nëse njerëzit e zakonshëm nuk veprojnë për t'i kundërshtuar, atëherë ekziston gjithnjë mundësia që historia të përsëritet."

Ky është edhe mesazhi drejtuar berlinezëve nëpërmjet një videoje dhe një ekspozite fotografish të vendosura në vende të ndryshme të këtij qyteti që dikur ishte i ndarë.

Bjoern Weigel është përgjegjësi i fushatës.

"Kjo ka ndodhur 70 vjet më parë, por në pjesë të tjera të botës, madje edhe në Evropë, kjo është jeta e tyre e përditshme."

Tema i prek evropianët që vizitojnë Berlinin, të cilët e dinë shumë mirë se maji i vitit 1945 nuk ishte edhe fundi i telasheve të kontinentit.

"Për ne, popullin polak, ishte fundi i shkatërrimit të vendit tonë, por ne vazhduam të kontrolloheshim nga sovjetikët, kështu që nuk ka domethënie shumë të madhe për ne. Sidoqoftë, ne e festojmë," thotë një student nga Polonia.

"Nuk dimë se çfarë do të kishte ndodhur nëse gjërat do të zhvilloheshin tjetërsoj. Ndoshta do të kishte qenë një botë krejt tjetër, këtu në Gjermani, në Francë, në të gjithë Evropën," thotë një mësues nga Franca.

"Për gjermanët, dhe për mua, është një ditë që nuk do të harrohet, që nuk mund të harrohet," thotë ish-botuesi gjerman Gerd Appenzeller.

Zoti Appenzeller është anëtar i bordit editorial të gazetës berlineze Tagesspeigel. Ai shqetësohet për faktin që aleancat e pasluftës që siguruan dhe ribashkuan Gjermaninë po ndryshojnë formë, ashtu siç edhe Rusia po bëhet më kategorike, ndërkohë që një brez i ri gjermanësh e marrin paqen për të qenë.

"Shumica janë të rehatuar me lirinë. Nuk mendojnë se si kjo liri është vazhdimisht në rrezik. Amerika po ndryshon; marrëdhëniet globale po ndryshojnë, dhe gjermanët dhe evropianët duhet të bashkohen, të qëndrojnë së toku, qoftë edhe për të qenë thjesht një partner i përshtatshëm për Shtetet e Bashkuara."

Ndërtesa e re e ambasadës amerikane në Berlin duket se thekson këtë partneritet, e pozicionuar në krah të Portës së Brandenburgut, një ndër simbolet kombëtare gjermane, dhe dikur një simbol i çarjes perëndim-lindje.za

WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.