VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shën Valentin: Kur dy shpirtëra e gjejnë njëri tjetrin lidhja e tyre fillon mbi tokë dhe vazhdon përherë në qiell


E Enjte, 02.12.2009, 04:25pm (GMT1)

 

Në rrjedhën e shekujve dashuria ka qenë vërtetë e rëndësishme për shumë burra të famshëm e të shquar. Ja disa prej letrave të dashurisë që ata kanë dërguar apo marrë:

-

"Kam udhëtuar papushim duke e pasur kokën plot me ty. Portreti yt dhe nata dehëse që përshkuam bashkë mbrëmë më kanë trallisur. E ëmbël, e pakrahasueshme, çfarë ndikimi të çuditshëm ke në zemrën time! Po çfarë mbetet prej meje kur prej buzëve të tua dhe prej zemrës sate rrjedh një dashuri që më gërryen si flaka?" Napoleone Bonaparte dërguar tek Giuseppina (1795).

***

E dashura ime e shtrenjtë, të dashuroj prapë e prapë pa asnjë rezervë... Në çdo mënyrë të mundshme, edhe xhelozitë e mia nuk janë gjë tjetër veçse përshpirtje Dashurie, në dhimbjet më therëse që kam provuar ndonjëherë, do të kisha vdekur për ty. Ti gjithmonë rinohesh e rinohesh. Puthja jote e fundit ishte më e ëmbëla, buzëqeshja jote e fundit ishte më e shndritshmja, lëvizja jote më e fundit ishte më hirplotja. John Keats dërguar tek Fanny Brawne (1820).

***

"Kur dy shpirtëra më në fund e kanë gjetur njëri-tjetrin, ata ndjehen të krahasueshëm dhe plotësues midis tyre, janë të krijuar për të qenë përgjithmonë të njëri-tjetrit, sepse janë të ngjashëm, janë njëlloj, atëherë midis të dyve themelohet një lidhje e përhershme, e pamposhtur, e pastër, një lidhje që fillon mbi tokë dhe që vazhdon përherë në qiell... Është pikërisht kjo dashuria që ti e frymëzon tek unë..." Victor Hugo e dërgon tek Adèle Foucher (1821)

***

"E tani ti më përket mua! Të përfytyroj si nusen time të njomë, e pastaj të përfytyroj kur do të bëhesh nënë, por gjithmonë të përfytyroj kështu siç je tani, e ëmbël dhe e adhuruar, njëlloj si në përkushtimin që kërkon jeta martesora është si në vajzërinë tënde të dashurisë sonë të parë. Më thuaj nëse arrin të pranosh lumturinë e një dashurie të pavdekshme, të një bashkimit të përjetëshëm!" Victor Hugo e dërgon tek Adèle Foucher (1822).

***

"Nëse ti do ta dije sa digjem për ty, sa më mban të dehur dhe të përvëluar, plot gëzim dhe plot dëshirim, kujtimi i natës sonë të fundit së bashku. Sa digjem për t'u dhënë e tëra tek ti në dalldinë e frymëmarrjes sate të ëmbël dhe të atyre puthjeve që prej buzëve të tua më lartësojnë në kulmin e kënaqësisë! Kam nevojë për dashurinë, sepse ajo është guri i themelit të ekzistencës sime. Dashuria jote është dielli që e kultivon jetën tek unë." Juliette Drouet e dërgon tek Victor Hugo (1833).

***

"Zemra ime përpëlitet nga emocionet dhe nga gëzimi! Nuke e di çfarë dehjeje parajsore, kënaqësie të pafundme ma mbush tërë qeinien dhe më rinon. Është sikur të mos kem dashuruar kurrë!!! E gjithë kjo, natyrisht, nuk mund të burojë prej teje, femër engjëllore. E gjithë kjo nuk mund të jetë tjetërgjë, veçase një rreze e brishtë që është nisur nga shpirti yt i kulluar, ose një pikë e fshehtë loti që ti e ke lenë shumë kohë më parë mbi kraharorin tim."

Franz Liszt e dërgon tek Marie d'Agoult (1834).

***

"Shumë e dashura ime, kam qarë nga gëzimi duke menduar se ti je imja, e shpesh e pyes veten nëse unë të meritoj. Ndokush mund të mendojë se në zemrën dhe në mendjen e asnjë burri nuk mund të gjejnë folenë plot gjëra në të njëjtën ditë... Por sa i lumtur ndihesha dje dhe pardje! Nga letra e tua frymonte një shpirt vërtet fisnik, një besim, një pasuri dashurie! Çfarë nuk do të bëja për ta merituar dashurinë tënde!" Robert Schumann e dërgon tek Clara Schumman (1838).

***

"Shumë e dashur, do të doja të kisha dhuntinë e poetit, sepse më duket se poezia është e pranishme në mendjen time dhe në zemrën time që prej ditës që kam filluar të të dashuroj ty. Ti je një Poezi... Ti je një lloj balade, e ëmbël, e thjeshtë, emocionuese, të cilën Natyra e këndon, herë duke qarë e herë duke qeshur, e nganjëherë duke i përzier lotët me buzëqeshjet." Nathaniel Hawfhorne e dërgon tek Sophia Hawfhorne (1839).

***

"A e di se sa herë më kërkuar të martohemi, e kam ndjerë veten ngushtë sa shumë mendoj për ty. Duke menduar vetëm për ty, ndoshta e tepër tej çdo mase. A duhet të ta them? E kam përshtypjen, të paktën kështu më duket, se asnjë burrë nuk ka qenë kështu për një grua, siç je ti për mua... A e përfytyron dike që e kanë nxjerrë nga një burg i errët dhe e kanë vënë në majën e një mali, siç më ka ndodhur mua? E ti thua të më duash më shumë? Kë duhet të falënderoj atëherë, ty po Zotin? Të dyve, besoj..." Elizabeth Barret e dërgon tek Robert Browning (1846).

***

"Çfarë viti ka qenë për ne! Përkufizimi im për Bukurinë është se ajo është dashuria, madje është edhe e vërteta dhe e mira. Por vetëm ata që dashurojnë si dashurojmë ne, mund ta përfytyrojnë domethënien dhe forcën e gjithë kësaj. Sophia Hawfhorne e dërgon tek Nathaniel Hawfhorne (1839)./Elida BUÇPAPAJ



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.