VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
100 vjetori i futurizmit ose primitivëve të një ndjeshmërie të re E Hënë, 02.23.2009, 10:15am (GMT1) Lëvizja që pati në qendër të saj dinamizmin, shpejtësinë, fuqinë e makinave, si dhe gjallërinë (vitalitetin) e ritmin e çmendur të jetës moderne, lindi 100 vjet më parë në Itali. "Qënduram zgjuar gjithë natën miqtë e mi dhe unë nën llampadarët e xhamisë me kubenë prej tunxhi të latuar, yjëzuar si shpirtërat tona, sepse si ato lëshonin rreze nga vezullimi i ngujuar i një zemre elektrike." Me këto fjalë më 20 shkurt 1909 në faqet e së përditshmes Le Figaro do të shfaqej Manifesti i Themelimit të Futurizmit. Futurizmi, lëvizje moderniste me zanafillë krejtësisht italiane, buruar prej intuitës së guximshme të Filippo Tommaso Marinetti, synonte ta përmbyste rregullin e të gjitha arteve dhe ta përballte jetën shoqërore me një ndjeshmëri të paparë kundruall kohës së saj, karakterizuar nga përparimi teknologjik dhe nga zbulimet e reja shkencore. Qëllimi i futurizmit ishte për ta modernizuar botëkuptimin e jetës dhe të arteve zotëruese në Itali, duke iu kundërvënë kalsicizmit dhe të gjitha dobësive që ai mbartte me vete në mjediset artistike, dhe duke imponuar dashurinë për makinat, teknologjinë dhe shpejtësinë. "Bijtë e brezit të sotëm, të cilët jetojnë midis kozmpolitizmit, vërshimit sindikalist dhe fluturimit të aviatorëve janë projektime të njeriut të shumëzuar me vetveten të cilin ne po përgatitim." Të parët që iu përgjigjen thirrjes së lëshuar nga Marinetti ishin Umberto Boccioni, Luigi Russolo, Giacomo Balla, e Gino Severini, të cilët më 1910 do të shkruanin "Manifestin teknik të pikturës futuriste". Aavangarda futuriste ishte më poliedrike dhe bujare në kërkimet dhe në prodhimtarinë në të gjitha artet, (pa nënvlerësuar asnjërin, madje nuk mungonin as eksperimentimet kinematografike), përfshirë arkitekturën, fotografinë, deri te zakonet, tek politika dhe madje tek kultura e të gatuarit. Marinetti u dëshmua skajshmërisht kreativo në të studiarit e mënyrave dhe mjeteve për të mbajtur në qendër të vëmendjes së publikut veprimtarinë e grupit, e duke ngjallur interesin e masave edhe jashtë vendit, ku përuruan ekspozita apo dhanë konferenca. Një mënyrë e vrazhdë dhe një të folur i dhunshëm i karakterizoi mënyrat e të vepruarit të futuristëve, çka nuk mungoi së krijuari hutime, por pas një periudhe të shkurtër kundërshtimeshe dhe mosbesimesh, shumë, para së gjithas artistë të rinj, u përfshinë në lëvizjen, e cila, sipas përkufizimit të vetë themeluesit, ishte "një lëvizje antikulturale, antifilozofike, lëvizje idesh, intuitash, grushtash, shqlemash pastrues dhe përshpejtësues. Futuristët luftojnë maturinë diplomatike, tradicionalizmin dhe neutralizmin, muzetë, kultin e librit." Me të mbaruar lufta lëvizja iu dha jetë shoqërive të Fashistëve Futuristë (Fasci Futuristi) dhe manifestet e saj politike ndikuan Musolinin aq shumë sa bënë që ai të marrë prej andej shumë pika programore. Kjo çoi edhe në bashkimin e Fashove të luftëtarëve rreth duçes në propagandë të përbashkët me futuristët të cilët shpresonin se te ai do t'i shikonin të realizuar vizionet e tyre. Futurizmi politik karakterizohej nha sjellje antimonarkike e antiklerikale, si dhe nga ideja "e fshirjes së kujtimit brejtës të madhështisë romake, për ta zëvendësuar me një madhështi italiane njqëqind herë më të madhe." Pikërisht këto pika përbënë pikëtakimet më të forta midis futuristëve dhe regjimit të ardhshëm, i cili i forcoi raportet me monarkinë dhe klerin, dhe ia ripropozoi popullit një estetikë të bërë prej klasikëve grekë dhe në mënyrë të veçantë nga Perandoria Romake. Prej vititl 1920 Marinetti dhe shumë futuristë u ditancuan nga Musolini dhe nga fashizmi duke e akuzuar për pasatizëm. Pavarësisht këtij ripozicionimi, Musolini gjithnjë u tregua i vëmendshëm ndaj liderit të lëvizjes dhe ndaj vetë lëvizjes futuriste, duke e zyrtarizuar si art të shtetit dhe duke ia dhënë Marinetit më 1929 karriken e Akademikut të Italisë. Në rrjedhën e gjithë viteve 1920 e 1930 futurizmi vazhdoi kërkimet e tij stilistike dhe komunikative në art, duke u shtrirë sidomos në kërcimet (balet), në teatrin sintetik dhe në kulinari (artin e guzhinës). Ndërkohë, në degëzimin e saj rus, lëvizja futuriste do të kishte një ndikim të fuqishëm në Rusinë e viteve të Pas Revolucionit të Tetorit. Zëri më i spikatur i këtij degëzimi do të ishte padyshim Vladimir Majakovski, i cili i ruajti në krijmimtari e në veprimtarinë e tij politike e gazetare deri në fund të jetës së tij të ndërprerë, të gjitha shenjat e futurizmit. Ndërsa në degëzimin e saj perëndimor, pjellë e drejtpërdrejtë e futurizmit dhe paralele me të do të ishte dadaizmi, një tjetër lëvizje e fuqishme, e cila do të lindte në Zyrih më 1916 dhe do të kishte në qendër pikërisht nihilizmin ndaj traditave. |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |