VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NGJITJA E NJË GANGSTERI. RUSIFIKIMI I STALINIT GJATË INTERNIMIT

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 08:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
NGJITJA E NJË GANGSTERI. RUSIFIKIMI I STALINIT GJATË INTERNIMIT
E Premte, 07.30.2010, 10:28am (GMT+1)

Nga Gori i Gjeorgjisë në Kremlinin e Moskës. E gjithë historia e vërtetë se si Stalini ia doli që të ngjitej në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të kthehej në gangsterin më të rrezikshëm të historisë

1. "Stalini", kujtonte mensheviku Nikolaj Sukhanov në kujtimet e tij të Revolucionit Rus të 1917, "më ka lënë përshtypjen ... e një njolle gri që dridhej në mënyrë të errët në largësi pa lënë asnjë gjurmë. Në të vërtetë nuk mund të thuhet asgjë tjetër lidhur me të". Falë shkrimeve të armiqve të tij të markës më intelektuale, që e influencuan thellësisht historiogradinë perëndimore e viteve të para të regjimit sovjetik, kemi përfunduar për të parë tek djaloshi Stalin një individ mediokër, ndjekës besnik i Leninit, e dalë nga humnerat më të errëta të partisë deri në kapjen e pushtetit.

Ai që kontribuoi më shumë se çdo njeri tjetër në këtë portret qe Leon Trockij, armik i betuar i Stalinit, Historia e Revolucionit Rus e të cilit, e shkruar në mërgim midis viteve 1929 e 1932, tërhoqi vëmendjen e lexuesve perëndimorë prej prozës brilante të tij. Trockij, që konsiderohej si trashëgimtari natyror i Leninit, e portretizoi armikun e betuar të tij si një nulitet të projektuar drejt pushtetit nëpërmjet një manipulimi të aftë të elementëve proletarë të partisë që përfaqësonte. Kështu lexohej në autobiografinë e tij në kohën e vdekjes së Leninit, në vitin 1924: "Instrumenti kryesor i kësaj përmbysjeje është Stalini, njeri praktik, këmbëngulës dhe kokëfortë. Horizonti politik i tij është shumë i kufizuar, niveli teorik i tij absolutisht primitiv... prej formës mendore të tij ai është një empirik kryeneç, i privuar nga fantazia krijuese. Në sferat drejtuese të partisë gjykohej njeri për t'u marrë në role dytësore. Dhe nëqoftëse tani ka rolin parësor, kjo i detyrohet jo dhe aq atij sesa dekadencës së politikës".

Përkufizimi trockian i Stalinit si "i keqi ex machina", nënvizoi një herë Isaac Deutscher, është aspekti më pak bindës i Jeta ime. Nuk kuptohet, shkruante Deutscher, sesi një figurë kaq e "papërfillshme" mund të përbënte një antagonist serioz për Trockij dhe aq më pak si Stalini mundi të arrinte të "dominonte skenën e shtetit sovjetik dhe të komunizmit ndërkombëtar për tri dekada të tëra". Në realitet, në Testamentin e tij Lenini e kish përshkruar Stalinin si një prej dy "anëtarëve më të aftë të Komitetit Qendror" dhe, siç e demonstron mirë Simon Sebag Montefiore në biografinë e tij të ndritshme të re, Lenini ishte i vetmi që e dinte vërtet sesa partia e tij i detyrohej "punëve të pista" të kryera nga Stalini përpara vitit 1917.

Literatura lidhur me vitet e para të Stalinit është relativisht e kursyer - sigurisht krahasuar me fluksin e librave lidhur me djaloshin Hitler - pavarësisht pranisë të një studimi të shkëlqyer në rusisht të Aleksandr Ostrovskij, që mbështetet në material arkivor prej pak kohësh të vënë në dispozicion dhe jep një bazë të qëndrueshme në punën e Montefiore. Stalini e kaloi pjesën më të madhe të këtyre viteve në brendësi të lëvizjes revolucionare klandestine, duke jetuar në ilegalitet, midis një internimi dhe tjetrit, në qytete të ndryshme të Kaukazit, të Rusisë veriore dhe të Siberisë, duke përdorur në këtë hark kohor nja 40 midis emrave. Nofkave dhe pseudonimeve të ndryshme, për pasojë, biografi i tij duhet të presë një çikë punë investiguese nëpër arkiva. Nga ky këndvështrim, Montefiore është një jashtëklas. Ashtu si në librin e mëparshëm "Njerëzit e Stalinit", ai ka gërmuar një seri të padëgjuar konfirmimesh në arkivat e Moskës, Shën Petërsburgut, Tbilisit, Gorit, Batumit, Bakusë, Londrës, Berlinit dhe Kalifornisë, duke gjetur një numër po aq të pabesueshëm dëshmitarësh, nga trashëgimtarët e miqve të fëmijërisë të Stalinit tek të njohurit e moshuar të tij - midis të cilëve 109-vjeçarja Mariam Svanidze, me lidhje farefisnore më gruan e parë të Stalinit, Katon, që ia kujton akoma vdekjen në vitin 1907.

Jo se libri është i privuar nga defektet. Studiuesit mund të avancojnë rezerva ndaj rrëshqitjeve të shëndetshme të tij në një arrativë gjysmë të romanizuar, ndërsa të tjerë do të jenë të irrituar nga notat e mbylljes, nga të cilat, në shumë raste, është praktikisht e pamundur të zbritet në burimet e citimeve tekstuale. Por janë defekte të vogla në një tekst të mrekullueshëm, që i bën përfundimisht drejtësi mitit të "njollës së hirtë" duke zbuluar fytyrën e vërtetë të një njeriu që qe revolucionar i dhunshëm, vjedhës bankash, gangster, poet, don zhuan, pedofil dhe vrasës i pashpirt. Portreti i Stalinit që del nga këto faqe është më kompleti, më piktoresku, më shtangësi dhe patjetër shumë më bindësi se çdo tjetër që na është ofruar më parë.

Josif Dzhugashvilli lindi në qytettin e vogël Gor të Gjeorgjisë në vitin 1878. Falë zbulimit në arkivat gjeorgjiane të një memoriali të së jëmës, Montefiore ka qenë në gjendje të na japë një kuadër më të detajuar të fëmijërisë së tij. Babai i tij, Beso, qe një këpucar relativisht i kamur, me stazhierë të ndryshëm në varësi të tij, por në vitin 1889 kompania e tij dështoi. Beso u dha pas pijes dhe e rrihte shpesh të birin, që e refuzoi në favor të një serie figurash atërore, midis të cilëve një tregtar dhe një prift, njëri apo tjetri prej të cilëve mund të ketë qenë babai i vërtetë i tij. Lija e dhenve që hasi kur qe fëmijë la shenja të pashlyera në fytyrën e Stalinit. Një incident me pajton i shkaktoi plagë të rënda në një krah dhe në të dyja këmbët, duke e bërë fuqimisht të kompleksuar ndaj trupit të tij. Pasiguritë e tij do të bëheshin më keq nga kultura mashkullore e Gjeorgjisë, kundër të cilës iu desh që të luftojë për të mbijetuar. Gori ishte një qytet në të cilin zëniet në rrugë përbënin kalimin kryesor të kohës së lirë. Vogëlushi Stalin ("Soso") ia dilte shkëlqyeshëm në këto zënie. Në krye të një bande vagabondësh, rrihte rrugët me hark dhe shigjeta, duke terrorizuar fshatarët dhe bagëtinë e tyre.

Nëna e Stalinit kishte plane ambicioze për të birin, ëndërronte që ta shikonte peshkop, e futi në shkollën fetare të Gorit dhe më pas në seminarin e famshëm të Tiflisit (Tbilisit), duke bindur të njëjtin prift që ndoshta ishte dashnori i saj që ta regjistronte si djalin e tij (në epokën cariste, seminare dhe institute fetare u rezervoheshin fëmijëve të klerikëve). Montefiore nënvizon me të drejtë influencën e seminarit ndaj diktatorit të ardhshëm. "Stalini ia detyroi suksesin politik të tij", thekson ai, "një kombinimi të pazakontë brutaliteti rruge dhe arsimi klasik". Seminari i Tbilisit i inkurajonte të dyja gjërat. Ishte "një institucion më i ngjashëm me public school më represive të Anglisë së Tetëqindës sesa një akademi teologjike; fjetoret, ngacmimet e përhapura dhe praktikat homoseksuale, mësuesit e rreptë dhe mizorë, orët në qelitë e ndëshkimit e bënin një version kaukazian të Tom Brown's Schooldays".

Seminari i Tbilisit prodhoi më shumë ateistë dhe revolucionarë se çdo shkollë tjetër e perandorisë. Murgjërit e tij, shkruan Montefiore, "qenë shumë të vendosur për të fshirë çdo gjurmë gjeorgjianizmi tek nxënësit e tyre, të cilët qenë me krenari gjeorgjianë". Si adoleshent, Stalini ishte krenar për origjinën gjeorgjiane të tij (mbetet për t'u sqaruar se si dhe kur ndjenja i refuzoi ndjenja të tilla patriotike nacionalizimin rus më pas i bërë tipari qendror i diktaturës së tij). I vlerësuar për aftësitë zanore të tij, shpesh thirrej për të kënduar melodi gjeorgjiane në martesa. Admironte poezitë e nacionalistit kryesor gjeorgjian Rafael Eristavi, të cilit i njihte përmendësh Atdheu i chevsur-it. Në imitim të Eristavi shkroi disa vargje romantike, të botuara në anatologji të poezisë gjeorgjiane, shumë të njohura qysh përpara se për të të dëgjohej të flitej si revolucionar. Një prej poezive të tij, të shkruara në moshën 17-vjeçare, tregon historinë e një profeti vetmitar të tradhtuar nga populli i tij. I cituar nga Montefiore në përkthimin e Donald Rayfield, vepra lejon që të shfaqet mentaliteti paranojak i diktatorit të ardhshëm: "Mbi këtë tokë, si një spektër / Shkonte nga njëra portë tek tjetra; / Në duar shtrëngonte një llautë / Dhe ëmbëlsisht i shkrinte tingullin; / Në meloditë ëndërruese të tij, / Si një rreze drite, / Mund të dëgjoje vetë të vërtetën / Dhe dashurinë qiellore. / Zëri bënte të dridheshin shumë zemra / Që qenë bërë prej guri; / Ndriçonte shumë mendje / Të precipituara në errësirën më të thellë. / Por në vend që ta glorifikonin, / Çdo herë që llauta prekej, / Turma depononte përpara të refuzuarit / Një kupë plot me helm.../ The i thoshte: "Pije, i mallkuar, / Është ky fati që të është caktuar!/ Ne nuk duam të vërtetën tënde / Dhe as meloditë qiellore tua!"".

2. Në ditët në të cilat ishte akoma koristi më i zoti i seminarit, Stalini filloi të shfaqë interes për fatet e të varfërve të qyteteve. "Gjatë lutjeve", shkruan Montefiore, "fëmijët e kishin Biblën e hapur mbi skrivani, por praktikisht lexonin Marksin apo Plehanovin (dekanin e marksizmit rus), që i mbanin mbi gjunjë".

Që e frymëzoi qe një roman i ndaluar i Aleksandr Kazbegi, Atvrasësi, ku tregohet historia e një banditi kaukazian të quajtur Koba, i cili luftoi rusët, duke sakrifikuar gjithçka për vendin e tij, duke u hakmarrë më pas mizorisht me armiqtë e tij. Dhe pikërisht "Koba" qe pseudonimi revolucionar i adoptuar nga Stalini. Po t'i qëndrosh Montefiore, "emri nënkuptonte gjëra për Stalinin: hakmarrjen e popujve malësorë gjeorgjianë, pamëshirshmërinë e banditit, ankthin për besnikërinë e tradhtinë dhe sakrificën e vetes të familjes së vet për dashurinë e një kauze".

Montefiore ka fjalë admirimi të madh për Kaukazin dhe Tbilisin në veçanti. Përshkruan një botë barinjsh delesh dhe dyqanesh të vogla zanatçinjsh, mushkash, kuajsh dhe gamilesh, kapelesh dhe festesh me lëkurë bualli, pazaresh dhe kuplarashë - një botë e transformuar papritmas dhe në mënyrë rrënjësore nga ardhja e kapitalizmit ndërkombëtar (i ardhur për t'u ushqyer me vendburimet e naftës të Bakusë) dhe nga ekspansioni i hekurudhave. Stalini gjeti një auditor të ndjeshëm ndaj retorikës revolucionare të thjeshtë të tij në rrethet "punëtore", mbizotërueshmërisht ruse, që dolën nga ofiçinat dhe stacionet hekurudhore të Tbilisit.

Në vitin 1899, Stalini u përjashtua nga seminari - për propagandë marksiste, do të theksonte më pas, pavarësisht se verifikimet e bëra nga Montefiore lënë të kuptohet se ka qenë i përfshirë në një skandal seksual (kishte lënë shtatzënë një vajzë), që drejtoria e seminarit kishte menduar mirë të fshihte duke e përjashtuar, së bashku me nja 20 djem të tjerë, për aktivitet revolucionar. Shpejt pas saj u bë kreu i një bande seminaristësh të përjashtuar (40 të tjerë u përjashtuan nga instituti më 1901), që menaxhonte një aktivitet "gjobash" dhe kontrollonte rrugët në lagjet punëtore të Tbilisit. Stalini ishte mendja, ndërsa kumbari i tij "Kamo", Simon Ter-Petrossian - i pari i një serie të gjatë vraësish psikopatë të ngarkuar për të bërë punën e pisët për llogari të Stalinit - merrej me organizimin e bandave.

Pas një manifestimi punëtor të shtypur nga policia dhe nga kozakët në vitin 1901 në Tbilisi, Stalini shkoi në Batumi, qyteti i vogël gjeorgjian në Detin e Zi që ndërtimi i një naftësjellësi dhe i një rafinerie nga ana e Rothschild-ëve e kishte transformuar në port ndërkombëtar të dorës së parë. Tri muaj nga ardhja e tij, rafineria në mënyrë misterioze mori flakë - një zjarr pothuajse me siguri i organizuar nga Stalini (që atëherë punonte atje) për të frikësuar padronatin, të siguronte një rritje rrogash për punëtorët dhe - po t'i qëndrosh asaj që thotë Montefiore, që bën verifikimin e disa provave të kontakteve sekrete të Stalinit me drejtuesit - të nxirrte një tanxhente nga baronët e naftës.

Në vitin 1902, Stalini arrestohet në Batumi me akuzën se ka qenë në krye të një manifestimi gjatë të cilit 7000 punëtorë qenë ndeshur me një repart kozakësh me kuaj. I arrestuar në pritje të vendimit, u bë shpejt bosi i të gjithë fshatit penitenciar, "duke dominuar miqtë, terrorizuar intelektualët, duke korruptuar gardianët dhe duke u bërë mik me kriminelët", për të përdorur fjalët e Montefiore. Prelud domethënës për atë duhej të pasonte ishte fakti që, sipas vetë pranimit të tij, Stalini preferoi shoqërinë e kriminelëve ndaj asaj të revolucionarëve, "pasi midis politikëve kishte shumë spiunë". Ushqeu gjithmonë përçmim dhe mosbesim ndaj intelektualëve revolucionarë; i konsideronte të pabesë, i mbante larg (kur nuk i asgjësonte), për t'u mbështetur në fakt tek delinkuentët të cilëve mund t'ua manipulonte besnikërinë. "Sapo u ngjit në pushtet", shkruan Montefiore, "Stalini do t'i skandalizojë shokët duke rekrutuar kriminelë në NKVD, por e vërteta është se i kish përdorur gjithmonë".

I dënuar me internim në Siberi, pak kohë më pas Stalini u arratis me dokumente fallse duke arritur të kthehet në Tbilisi në kohë për faktet revolucionare të 1905, vit në të cilin ndodh kontakti i tij i parë i vërtetë me bolshevikët. Lenini e vlerësonte si kapobandë në gjendje që t'u prokuronte kontakte bolshevikëve nevojtarë, që përballë valës represive të shpërthyer nga policia pas vitit 1905 u gjendën të detyruar që për pjesën më të madhe të arratiseshin jashtë vendit apo të kalonin në ilegalitet.

"Stalini", shkruan Montefiore, "u bë kumbari eficent i një strukture për grumbullimin e fondeve, e vogël, por fitimprurëse, që në realitet i ngjante një familje mafioze me sukses jo të pakët: praktikonte "gjoba" dhe tarifa, falsifikonte kartëmonedha, kryente rrëmbime dhe akte piraterie, si dhe menaxhonte rrjetin e mbrojtjes (përveçse të punonte në fushën e agjitacionit politik dhe të gazetarisë)".

Stalini organizoi edhe rrëmbime fëmijësh dhe familjarësh të tjerë afaristësh të pasur, midis të cilëve ka mundësi baronin e naftës të Bakusë, Musa Nageev, dy herë i rrëmbyer dhe po aq i kthyer familjes në shkëmbim të një shume të majme - e para në kohën që Stalini ndodhej në qytet.

Qe sigurisht Stalini ideuesi i sulmit spektakolar ndaj Bankës Kombëtare të Tbilisit, i kryer në qershor të 1907 nga Kamo dhe nga banda e tij. Libri i Montefiore hapet me një përshkrim elektrizues të episodit, në të cilin rrëmbyesit vranë me të shtëna pistolete rojet dhe hodhën bomba nën pajtonë, për t'u arratisur më pas me thasët e rëndë plot me rubla, me një vlerë prej rreth 3.4 milionë dollarësh aktualë - të mjaftueshëm për të ushqyer bolshevikët për disa vjet.

Më së fundi, në mars të 1908, policia arriti ta kapë. Stalini u dënua me mërgim në veriun e thellë. Por shpejt u arratis sërish. Për 5 vitet e ardhshme, jetoi në ilegalitet, duke adoptuar maskime të ndryshme dhe duke vrarë këdo që kishte frikë se mos e denonconte në polici. Ndoshta ka një lidhje midis një egërsimi të tillë dhe vdekjes së bashkëshortes shumë të dashur në vitin 1907 (ashtu siç do të mbeste i tronditur nga vdekja e gruas së dytë, Nadezhda Allilueva në vitin 1932, në vitet përpara Terrorit të Madh). Në një prej skenave më madhështore të librit, Montefiore e përshkruan të dëshpëruar sa për t'u hedhur në varrin e së dashurës dhe ti rrëfejë një miku gjatë funeralit: "Kjo krijesë e kish zbutur zemrën time prej guri. Tani ka vdekur dhe bashkë me të kanë vdekur për mua grimcat e fundit të ngrohtësisë njerëzore".

Duke braktisur të birin, për 10 vitet e mëpasëm Stalini jetoi nën shenjën e amoralitetit dhe të marrëdhënieve të çfrenuara seksuale (jo e pazakontë midis revolucionarëve, të bindur se familjet dhe lidhjet afektive e dëmtonin dëtyren e shërbimit siç duhej të interesave të revolucionit). Preferencat e Stalinit, vëren Montefiore, shkonin nga "të rejat e manipulueshme tek fshataret e bëshme, që i nënshtroheshin qetësisht".

Pati të paktën dy fëmij ilegjitimë, por për asnjërin prej tyre nuk shfaqi kurrë as edhe interesin më të vogël.

Rregullshmëria më të cilën Stalini arriti të arratiset nga mërgimi penal (Montefiore llogarit 9 arratisje në 9 arrestime dhe 4 periudha të shkurtra burgimi) ka ushqyer hipotezën se mund të ketë qenë agjent i policisë cariste. Lëvizja revolucionare gëlonte nga informatorët dhe spiunët e policisë - më i famshmi i të cilëve qe Roman Malinovskij, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Bolshevike dhe një prej 2 deputetëve të saj në Dumë, që e mashtropi Leninin deri në vitin 1917.

Montefiore i refuzon në mënyrë bindëse akuzat për lojë të dyfishtë të adresuara Stalinit, megjithëse duke e pranuar mundësinë që ka përdorur ndonjë miqësi në polici për të siguruar informacione mbi rrjete dhe informatorë të mundshëm (padyshim në shkëmbim që të informonte lidhur me atë shokë tek të cilët dyshonte dhe që policia mund t'i hiqte qafe). Një trafik i paligjshëm i ngjashëm ishte praktikë e zakonshme. Politika kaukaziane ishte deklarueshëm e korruptuar. Funksionarët e saj pranonin rregullisht "zarfa" për të liruar të burgosur dhe çmimet qenë të mirënjohura. Por deri më sot nuk kanë dalë prova vendimtare se Stalini punonte për policinë. Nëqoftëse mundi të arratisej me mjaft lehtësi nga internimi, kjo qe kryesisht për shkak të joefikasitetit dhe korrupsionit të policisë cariste.

Në realitet, pozicioni i tij prej "pajtuesi" (domethënë favorizimi nga ana e tij i një afrimi midis bolshevikëve dhe menshevikëve) e bënte figurë pak të pëlqyer nga policia, e cila kërkonte në fakt që ta ushqente armiqësinë reciproke midis dy krahëve të Partisë Socialdemokrate me qëllim që t'i shmangte një forcim. Megjithëse Montefiore nuk tenton ta shpjegojë, pozicioni pajtues i Stalinit padyshim kishte shumë të bënte me nevojën praktike të bashkëpunimit me krahun menshevik në brendësi të lëvizjes klandestine, sidomos në provinca, ku tipografi, depo municionesh dhe instrumente të tjerë thelbësorë qenë të vështirë për t'u gjetur. Për Montefiore, idetë politike të Stalinit nuk meritojnë shumë vëmendje: antiheroi i tij nuk është mendimtar, por keqbërës. Botimi kryesor i tij, "Marksizmi dhe çështja kombëtare" (1913), me të cilën rivendikoi reputacionin e tij modest si teoricien (dhe teksti i parë i rëndësishëm i nënshkruar me pseudonimin "Stalin"), meriton mezi një shënim, në të cilin Montefiore bën një analizë të shkurtër të parimeve centralizuese të pamfletit - të njëjtit që do të adoptonte në cilësinë e Komisarit sovjetik për Kombësitë, duke mbikëqyrur në formimin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1923.

Linja e Stalinit tek "Marksizmi dhe çështja kombëtare" e mohonte nacionalizmin e lashtë gjeorgjian, ashtu si dhe pozicionin e marrë në vitin 1905, kur kish mbështetur idenë e një partie socialdemokrate gjeorgjiane të ndarë nga ajo ruse. Nuk bëhet me dije se në çfarë pike pushoi së rreshtuari nga ana e gjeorgjianëve, as kur gjeorgjiani "Koba" vazhdoi të lulëzonte në gjirin e sllavit "Stalin" (që në rusisht do të thotë "Njeri prej çeliku"). Ajo që është e sigurtë është se influenca ideologjike e Leninit - centralizimi dhe armiqësia e ngurtë e tij ndaj tendencave separatiste të çfarëdo lloji - ia zëvendësoi gradualisht ndjenjën e identitetit kombëtar.

Nga ana e tij, Montefiore sigurisht që ka të drejtë kur pohon se arrestimi i fundit dhe katër vitet e internimit në Siberi të Stalinit, midis viteve 1913 e 1917, kontribuan "për ta rusifikuar". I harruar nga shokët e tij të Shën Petërsburgut, Stalini jetoi në një kolibe në lumin Jenisej, pak nën rrethin polar arktik. Pati një marrëdhënie me një jetime 13-vjeçare, e cila i dhuroi një fëmijë dhe u bë një gjuetar i aftë: dhelpra, drerë dhe zogj qenë pretë e privilegjuara gjatë seancave të gjuetisë së tij në shoqëri të komuniteteve lokale tungushkase. Siç vëren Montefiore, dimri i egër siberian dhe ekzistenca vetmitare e internimit lanë shenjë në diktatorin e ardhshëm: "Ndoshta akulli siberian zhduku tek ai një pjesë të ekzotizmave gjeorgjiane. Solli me vete në Kremlin zakonin e mbështetjes në forcat e veta dhe qëndrimin vigjilent, rregullat dhe vetminë e dimrit siberian".

3. Stili konspirator i Stalinit nuk ishte i përshtatshëm për politikën "në dritën e diellit" të demokracisë së re ruse të vitit 1917. I liruar nga mërgimi siberian në mars të atij viti, Stalini u bë një figurë e rëndësishme prapa kuintave të skenarit politik dhe të partisë revolucionare të Petrogradit (siç ishte ripagëzuar Shën Petërsburgu). Punoi në kontakt të ngushtë me Leninin në Komitetin Qendror bolshevik, drejtoi organin e partisë, gazetën Pravda, dhe përfaqësoi bolshevikët në ekzekutivin sovjetik. Siç e pranonte vetë Trockij, Stalini kishte "një talent të vërtetë për të bindur drejtuesit e rangut të mesëm, veçanërisht provincialët", talent i destinuar për të rezultuar më efikas se oratoria publike brilante e Trockij sapo partia pati vendosur diktaturën e tij.

Formimi i vërtetë i Stalinit qe periudha e luftës civile, midis viteve 1918 e 1921 dhe lufta për suksesin e shpërthyer pas vdekjes së Leninit në vitin 1924. Montefiore e mbyll vëllimin e tij në tetorin e vitit 1917. Libri i tij i mëparshëm, "Njerëzit e Stalinit", pas një prologu të shkurtër, fillon në vitin 1932. Një vëllim i tretë për të mbuluar vitet e ndërmjetme do të ishte një shtesë e pëlqyer, nëqoftëse mendohet se shumë prej praktikave dhe qëndrimeve që individualizon Montefiore në vitet e klandestinitetit duhet të luajnë absolutisht një rol të tyrin në ngjitjen e diktatorit në pushtet pas vitit 1917.

Gjatë luftës civile, Stalini mbuloi një numër të madh postesh administrativë relativisht prozaikë - që Komisar i Kombësive, Komisar i Rabkrinit (Inspektoratit të Punëtorëve dhe Fshatarëve), anëtar i Këshillit Ushtarak Revolucionar, i Byrosë Politike, i Orgburo-së, pse jo dhe i Sekretariatit të Partisë - me rezultatin e fitimit brenda një kohe të shkurtër të një reputacioni modest dhe mediokriteti maksimal. Të gjithë drejtuesit e partisë (dhe asnjë përveç Leninit) bënë gabimin e nënvlerësimit të forcës potenciale të Stalinit dhe të ambicies së tij për të fituar, si rezultante e pushtetit klientelist të akumuluar prej tij në virtyt të këtyre posteve. Çelës i influencës në rritje të Stalinit qe kontrolli i ushtruar ndaj aparatit të partisë në provinca. Si President i Sekretariatit dhe anëtar i vetëm i Byrosë Politike i pranishëm në Orgburo, që mbante kontrollin mbi emërimet e partisë, ai ishte në gjendje që të promovonte miqtë dhe të hiqte qafe armiqtë.

Vetëm në vitin 1922, vit në të cilin Stalini u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Parë i Partisë, Orgburo-ja dhe Sekretariati emëruan mbi 10000 funksionarë provincialë, pjesa më e madhe e të cilëve me sinjalizimin personal të tij: do t'i ishin mbështetësit kryesorë gjatë luftës për pushtet kundër Trockijt. Njëlloj me Stalinin, ata qenë për më tepër me origjinë të thjeshtë krahinore. Dyshues ndaj intelektualëve kozmopolitë (dhe të zonës hebraike) si Trockij, ndjeheshin shumë më të prirur që të aderonin - në fushën ideologjike - në thirrjet e thjeshta staliniane për unitet proletar dhe disiplinë bolshevike.

Pjesa më e madhe e aleatëve politikë besnikë të Stalinit kishte qenë me të qysh në vitet e para. Grigorij (Sergo) Ordzhonikidze (që do të bëhej Komisari për Industrinë e Rëndë i tij), ishte pjesë e bandës së Kamos në Tbilis. Kliment Voroshilov (Komisari i ardhshëm i Mbrojtjes i tij) ishte kumbari i Stalinit qysh nga viti 1906. Andrej Vyshinskij (Prokurori i Përgjithshëm i tij gjatë Terrorit të Madh) ishte pjesë e klikës mafioze të tij në Baku. V.M. Molotov, më i besuari ndër ndjekësit e tij, pse jo dhe ai më i vjetri (veç të tjerash, Komisari i Punëve të Jashtme i tij), e njohu diktatorin e ardhshëm në vitin 1912. Feliks Dzerdzinskij, themelues i policisë politike bolshevike, ishte miku i tij qysh nga viti 1917. Stalin e njohu shumë shpejt rëndësinë e policisë në kuadrin revolucionar. Në fund të fundit, kishte pasur të bënte gjatë gjithë karrierës politike të tij në Gjeorgji.

Stalini solli me vete në Kremlin hakmarrjen politike klanore tipike të Kaukazit. Nuk i harroi asnjëherë armiqtë dhe e përdori pushtetin e tij jo vetëm për t'i hequr qafe, por edhe për të asgjësuar familjet e tyre. Dyshonte shumë deri në paranojë ndaj shokëve dhe vartësve, me përjashtim - trashëgimi e pandryshuar e aktiviteteve banditeske të tij - të atyre besnikëria e të cilëve kish kaluar provën e zjarrit. Sapo ka vendosur diktaturën e tij, Stalini pati nevojë për beteja të vazhdueshme dhe fushata terroriste gjithmonë të rinovuara për t'i nënshtruar në verifikime të reja ndjekësit e tij.

Siç e demonstron Montefiore në studimin e mrekullueshëm të tij, shpesh me detaje shokuese, vitet e klandestinitetit të Stalinit dhe frekuentimin e shpeshtë të spiunëve të policisë në brendësi të lëvizjes bolshevike, kulmuese në demaskimin e Malinovskij në vitin 1917, e mësuan diktatorin sovjetik që të dyshojë për tradhtarë kudo. Në maskrat periodike të tij, mësoi që të ecë në të sigurtë, të vrasë armiqtë më potencialë të afërsisë së nevojshme si masë paraprake - sipas arsyetimit që do t'i jepte më pas Terrorit të Madh. "Si fantazma e Bankut", shkruan Montefiore, "ka infektuar historinë sovjetike".

"Nëqoftëse Malinovskij kish mundur të rezultonte tradhtar, atëherë pse jo marshallët sovjetikë, pse jo i gjithë Shtabi i Përgjithshëm, pse jo Zinov'ev, Kameniev, Bucharin dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të Komitetit Qendror, të gjithë të likuiduar si spiunë në vitet '30 me urdhër të Stalinit?"

--

Orlando Figes është Profesor Historie në Birkbeck College të Londrës. Libri i fundit i tij është "Dyshim dhe heshtje. Jetë private në Rusinë e Stalinit".

 

Përgatiti ARMIN TIRANA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ERA E RE E INTELIGJENCËS ARTIFICIALE (07.29.2010)
'PENELOPE CRUZ SHTATZËNË 4 MUAJSHE' (07.26.2010)
I GJITHË QIELLI NË AFRO NJË MILION FOTOGRAFI (07.21.2010)
THESARET QË U ZHDUKËN PA LËNË GJURMË (07.20.2010)
KUSH E KA VRARË MALCOLM X? ÇFARË PËRFAQËSON MALCOLM X? (07.16.2010)
ZBARDHET URDHËRI I RAMIZ ALISË PËR VRASJET NË KUFI (07.06.2010)
TRENI ISHTE SHUMË I GJATË: SI ERDHËN 3200 SHQIPTARËT NË GJERMANI (07.03.2010)
URDHËRI I RAMIZ ALISË PAS AMBASADAVE: LUFTË PËR JETË A VDEKJE (07.02.2010)
SVR, NJË SPIUNAZH TRASHËGIMTAR I TË FAMSHMIT KGB (06.30.2010)
SI ZGJIDHET PRESIDENTI FEDERAL NË GJERMANI? (06.29.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]