VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"GJERMANIA DUHET TË DEGLOBALIZOHET" - KUR ZHVILLIMI EKONOMIK ARRIN KUFIJTË E TIJ
E Enjte, 08.12.2010, 08:36am (GMT1)

Pamje simbolike - Globalizimi

Politikanët e kësaj bote bëjnë gjithçka për një zhvillim të madh ekonomik në vendin e tyre. Megjithatë gjithnjë e më shumë ekonomistë besojnë që janë arritur kufijtë e zhvillimit ekonomik

Shumë ekonomistë angazhohen për një zhvillim të qëndrueshëm që mbron ambientin dhe burimet natyrore. Niko Paech është një përfaqësues i kësaj ekonomie postzhvillimi. Ai nuk ka makinë, nuk ka televizor e as telefon mobil. Megjithatë ai nuk është i izoluar nga rrethina. Përkundrazi, ekonomisti nga Oldenburgu është një referent shumë i kërkuar. Shpesh ai udhëton, natyrisht me tren. Edhe pse udhëtimi me tren është më miqësor për mjedisin se udhëtimi me makinë prapëseprapë udhëtimet e tij me tren kanë dëmtuar bilancin e tij të dioksid karbonit.

Në foto, Prof. Niko Paech

"Aktualisht unë qëndroj përafërsisht tek 4,5 tonë."

Pa turnet e tij të ligjëratave ai do të kalonte vitin me më pak se tre tonë dioksid karboni. Kështu ai do të plotësonte detyrimin e tij si qytetar i globit për synimin e përcaktuar prej dy gradësh. Shkencëtarët kanë përllogaritur në të vërtetë se emisionet për kokë të njeriut në botë duhet të mbeten nën tre tonë në vit në mënyrë që ngrohja globale e tokës nga ndryshimet klimatike të kufizohet nën dy gradë Celcius. Aktualisht mesatarja gjermane është rreth 11 tonë për kokë të banorit.

"Vendeve të cilat shkaktojnë për kokë një të tretën e emisioneve tona të dioksidit karbonit, ne nuk mund t'ua shpjegojmë botën dhe t'iu themi se si funksionon mbrojtja e klimës. Njerëzve nga Kina dhe India mund t'iu tregojmë vetëm këtu në Gjermani se si mund të kalohet viti duke shkaktuar vetëm tre tonë Co2 dhe atë duke kënduar, duke qenë i lumtur dhe i shtensionuar."

Ai imagjinon një epokë të largimit nga gjërat e tepërta.

Pamje simbolike - Limuzinë luksoze në Monte Carlo

 

"Deri tani ka qenë gjithmonë kështu që njerëzitë në epokën moderne e kanë lidhur konceptin e tyre të lirisë me këto pyetje: Çfarë mund ende t'i lejojë vetes, çka krejt mund të blejë ende? Dhe një epokë e largimit nga gjërat e tepërta korrespondon me ndryshimin e këtj trendi duke thënë se nga cila ngarkesë mund të lirohem, e cila më kushton mua kohë, para, hapësirë, vëmendje dhe njëkohësisht kushton po ashtu burime ekologjike."

Ndërkohë që njerëzitë shkarkohen nga "konsumi i gjërave të tepërta" sipas mendimit të Niko Paech edhe induistria duhet të reduktohet përgjysëm.

"Gjermania duhet të deglobalizohet. Globalizimi të cilin e përjetojmë tani do të thotë që distanca në mes meje si konsumator dhe shumë prodhuesve të bëhet gjithnjë e më e madhe, më e ndërlikuar dhe të kalojë nëpër më shumë rrugë të cilat varen nga energjia. Ky globalizim është i dënuar të dështojë."

Shkak për këtë do të jetë ngritja drastike e çmimit të energjisë.

"Pastaj ne do të ndodhemi sërish në një situatë ku produktet nga rajoni megjithatë do të jenë në fund më të lira."

 

Park i prodhimit të energjisë me erë në Gjermani

 

Qysh tani konsumatorët duhet të përqëndrohen më shumë tek prodhimet rajonale, këshillon Niko Paech. Ato kanë rrugë më të shkurtëra transporti dhe shkaktojnë më pak shpenzime energjitike.

Sektori energjitik luan një rol kyç në ristrukturimin ekonomik për të cilin angazhohen Paech dhe bashkëveprimtarët e tij. Ai është për energjitë e rinovueshme, por paralajmëron nga iluzionet se ato mund të ndikojnë në mbrojtjen e klimës dhe njëkohësisht të kontribuojnë për rritjen ekonomike:

"Nëse një impiant shtesë i energjisë me erë, të cilin e ndërtoj sot në të vërtetë do të ketë një efekt në mbrojtjen e klimës. Kjo do të thotë që mua do të më duhet në masë të njëjtë të nxjerrë nga funksioni energjitë bërthamore. Atëherë unë nuk do të kem zhvillim ekonomik. Në fund rezultati është i barabartë me zero."

 

 

Sa e qëndrueshme është rritja ekonomike në Gjermani?

 

 

Ekonomia gjermane po ecën me ritme të shpejta. Një fluks lajmesh pozitive bëjnë që në ekonomi të mbizotërojë atmosfera e festës. Por ka edhe ekspertë që paralajmërojnë ndaj euforisë së tepruar.

Ekonomia gjermane ofron aktualisht një lumë lajmesh të mira dhe shifrash pozitive. Mbizotëron atmosfera e festës. Indeksi i institutit Ifo për atmosferën në sipërmarrje, shënoi në muajin korrik rritjen më të fortë që prej ribashkimit. Banka Qendrore Evropiane bëri të ditur rritje të vëllimit të kredive të dhëna nga bankat në 16 vendet e eurozonës. Banka e madhe private gjermane "Deutsche Bank" e rriti fitimin e saj para tatimit në 1,5 miliardë euro. Koncerni i programeve kompjuterike SAP në tremujorin e dytë njoftoi një rritje fitimi me 15%, në gati gjysmë miliardi euro. Edhe prodhuesi i automjeteve nga Stuttgarti Daimler la pas humbjet e tremujorit të dytë të vitit të kaluar duke arritur një fitim prej 1,3 miliardë eurosh.

 

Lajmet e mira nga ekonomia forcojnë prirjen për konsum

Atmosfera e festës në ekonominë gjermane ka kaluar tani edhe tek konsumatorët dhe kontribuon për një klimë të mirë konsumi: me gjithë paketën e kursimeve të qeverisë gjermane dhe rritjes së kontributeve për sigurimet shëndetësore, indeksi që mat gatishmërinë për konsum në muajin gusht pritet të rritet, njofton shoqata për studimin e konsumit në Nyremberg. Situata e mirë në tregun e punës e forcon optimizmin e shumë familjeve. Dhe Agjencia Federale e Punës konsideron të mundur rënien e numrit të të papunëve nën tri milionë në vjeshtë.

Zëra paralajmërues ndaj euforisë së tepruar

Por ka edhe zëra paralajmërues, sipas të cilëve në gjashtëmujorin e dytë të vitit situata nuk do të jetë kaq rozë. Sipas insitutit IWH me qendër në Halle, në fund të 2010 pritet një ngadalësim i ritmeve të rritjes ekonomike. Edhe instituti gjerman për Studime Ekonomike në Berlin, pret një "reduktim të dinamikës së rritjes" në gjashtë muajt e ardhshëm.

Shkak për këtë është nga njëra anë dobësimi i koniunkturës në SHBA dhe rënia e ritmeve të rritjes në Kinë, që mund t'i godiste rëndë eksportet gjermane. Nga ana tjetër ftohja e koniunkturës ka të bëjë me programet strikte të kursimeve që kanë ndërmarrë shumë vende në eurozonë. Por Michael Heise, kryekonomist pranë grupit Allianz, mbetet optimist:

 

 

"Programet për konsolidimin e buxheteve që kanë miratuar shtetet evropiane, nuk janë aq të ashpra dhe me pasoja aq të forta sa të rrezikojnë rritjen ekonomike muajt e ardhshëm dhe në gjithë vitin 2010. Kjo lidhet nga njëra anë me zhvlerësimin e euros, që ndikon pozitivisht në koniunkturë: falë kursit të favorshëm të euros eksportet e vendeve të eurozonës mund të rriten deri në 4 për qind, dhe kjo është natyrisht mirë për ekonominë."

Optimizëm i përmbajtur

Të tjerë analistë janë më të përmbajtur në vlerësime: "Mund të marrim frymë lirisht por krizën nuk e kemi lënë pas njëherë e përgjithmonë", thotë presidenti i institutit Ifo në Mynih, Hans Werner Sinn. Ndërsa Michael Grömling nga Instituti i Ekonomisë Gjermane në Köln, përmbledh:

"Atmosfera aktualisht është më e mirë se gjendja. Situata ende karakterizohet nga një mosshfrytëzim i kapaciteve për shkak të krizës. Por të paktën ka lëvizje në kërkesën nga jashtë vendit. Kjo e forcon optimizmin në Gjermani, veçanërisht tek sipërmarrjet në sektorin e industrisë, dhe në total kjo është shumë pozitive."

 

Në të gjitha tregjet- Si reagon globalisht ekonomia kineze?

Ditën e hënë më 2 gusht, prodhuesi kinez i automobilëve Geely bleu firmën tradicionale suedeze, Volvo. Kinezët i paguan Fordit, pronarit të deritanishëm 1,5 miliardë dollarë.

Nganjëherë ia vlen të shohësh zhvillimet në perspektivën historike. 200 vjet më parë, dinastia Qing ndodhej në lulëzimet e saj dhe ekonomia kineze përbënte 30 përqind të prodhimit botëror. Në vitin 1978, para fillimit të politikës reformuese dhe të hapjes, kjo shifër ishte 5 përqind.

 

Ndërkohë Kina duket se ndodhet drejt kthimit në pozicionin e vjetër, atë të superfuqisë ekonomike. Tre dekadat e fundit bota ka parë përpjekjet e mundimshme të Kinës për t'u ngjitur në nivelet ekonomike, duke arritur  Kina ka arritur të bëhet eksportues botëror. Në tregtinë e jashtme, Kina ka patur vitin e kaluar 200 miliardë dollarë më tepër në bilanc. Rezervat e devizave, sipas të dhënave të Bankës Qëndrore "Bank of China", kanë mbërritur në muajin korrik në 2,4 bilionë dollarë.

Megjithëse, pjesa më e madhe e devizave janë depozituar në letra shtetërore me vlerë, kryesisht në letra amerikane shtetërore me vlerë, Kina e përdor arkën e devizave për të forcuar pozicionimin e saj global. Gati 50 miliardë dollarë kanë investuar firmat kineze jashtë vendit.

Kriza ekonomike globale bëri ndër të tjera që blerjet të bëheshin shumë të lira. Kujdes të veçantë Kina i ka kushtuar sigurimit të lëndëve të para për nevojën e papërmbajtshme të zhvillimit ekonomik. Në krye të listës së blerjeve janë blerja e gjithçkaje që ka të bëjë me naftë dhe gazin, dhe më pas me minierat.

Kina tregohet kreative në planifikimin e investimeve të saj në vendet në zhvillim. Në Afrikë përdoren modele biznesi sipas motos ndërtim infrastrukture kundrejt lëndëve të para. Kina ndërton rrugë, porte, hekurudha dhe fiton me to hekur, bakër, naftë. Investimet e Kinës në Afrikën e pasur me lëndë të para u rritën në vitin 2008 me 75 përqind.

Kina i përdor njëkohësisht investimet për zhvillimin e ekonomisë së vet. Kinës nuk i mjafton më të jetë burim i krahut të punës, ku prodhuesit perëndimorë kanë firmat e prodhimit. Kinezët duan të pushtojnë tregjet me markat e veta.

 

Kina është kryesues tregu në produktet me çmime të ulta. Por në prodhimet e kushtueshme, në prodhimet me kualitet të lartë me përqindje atraktive fitimi, dominojnë prodhimet perëndimore. Krijimi i një marke kërkon kohë. Prandaj, s'ka më mirë se kur blihet një markë! Kështu pas blerjes së Volvos në fillim të gushtit prodhuesi kinez i automobilëve Geely, futet në "klasat e larta". Blerja e firmave perëndimore ofron edhe shancin e marrjes së know-how teknologjik. Gjatë një blerjeje të tillë nuk blihen vetëm patentat, blihen edhe inxhinjerët me të cilët ruhet dhe çohet më përpara superioriteti.

Përfitime të tjera të investimeve të huaja janë përfshirja e tregjeve të huaja nëpërmjet rrjetit të shitjes dhe shërbimit. Për të qëndruar tek shembull i i Geely-s, me blerjen e Volvos blihet edhe rrjeti i shitësve të makinave dhe klientët e tyre.

Me strategjinë e investimeve Kina krijon mundësitë që të prodhojë produke për të gjitha tregjet e botës dhe për të gjitha segmentet e tregjeve.

(http://www.dwelle.de)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.