VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FLORI MUMAJESI PADIT NË GJYKATË ISH TË DASHURËN SONI MALAJ

E Hënë, 04.28.2014, 06:39am (GMT1)



TIRANË - Kantautori i njohur, Florian Mumajesi, pas gjyqit me kompaninë "Acromax GmBh", me drejtues Aldor Ninin, ka ngritur padi edhe ndaj ish-të dashurës së tij, këngëtares së njohur, Soni Malaj. Padia është depozituar pranë Gjykatës së Tiranës më datë 23 prill, me paditës Florian Mumajesin dhe të paditurën Sonja Malaj (e cila në muzikë prezantohet me emrin Soni).

Dihet që gjatë periudhës që ata kanë qenë të fejuar, kanë pasur edhe mjaft bashkëpunime, mes të cilave duete dhe këngë të kënduara nga Soni, që mbanin autorësinë e Florit. Por tashmë që lidhja ka marrë fund, mbetet që mes tyre të ketë vetëm komunikim profesional, për sa i përket respektimit të së drejtës autoriale të krijimeve muzikore të sipërpërmendura. Por, me sa duket, as ky komunikim nuk shkon mirë, përderisa Flori kërkon zgjidhjen e çështjes me gjyq.

Në objektin e kësaj çështjeje që do të ndiqet nga gjykatësi Altin Shkurti, Mumajesi kërkon detyrimin e palës së paditur, përkatësisht këngëtares Malaj, që të pushojë cenimin e të drejtave autoriale të kantautorit, lidhur me publikimin dhe shfrytëzimin e veprave muzikore, pikërisht këngëve "Kalle mos ta nin" dhe "Zona Zero", që transmetohen në kanalin e "YouTube Arkiva Shqip". Me anë të kësaj padie, Mumajesi kërkon po ashtu ndalimin e publikimit dhe të shfrytëzimit të mëtejshëm të këtyre veprave muzikore, si dhe shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor pasuror në masën e të ardhurave të nxjerra nga këto këngë nga shfrytëzimi i paautorizuar i tyre", citohet në dokumentin e padisë, që gjendet tashmë në Gjykatën e Tiranës.

Përveç Sonit, Flori paralelisht ka hapur dhe dy çështje të tjera gjyqësore edhe ndaj miqve të vjetër: Getoar Selimi e Altuna Sejdiu, Emrush Thaqit, Mehdin Pergjecajt. Për personat në fjalë Mumajesi ka kërkuar të zgjidhet po ashtu me gjyq detyrimi i tyre që të pushojnë cenimin e të drejtave autoriale të tij, lidhur me publikimin dhe shfrytëzimin e këngës të Meda ft. Tuna ft. Geti, me titull "Verë e nxehtë" në kanalin e "YouTube ArkivaShqip".

Ndalimin e publikimit dhe të shfrytëzimit të mëtejshëm të kësaj vepre muzikore, si dhe shpërblimin e dëmit jashtë kontraktor pasuror në masën e të ardhurave të nxjerra nga kjo këngë nga shfrytëzimi i paautorizuar i saj. Brenda prillit Flori ka hapur gjithsej tri çështje gjyqësore, që do të ndiqen nga dy gjyqtarë të tjerë: Teuta Hoxha dhe Ibrahim Hoxha. Nuk dihet se cili do të jetë reagimi veçanërisht i Soni Malajt, me të cilën pati një përballje të fundit në skenën e "X Factor", ndërsa interpretoi për herë të parë pas ndarjes duetin e tyre "Fluturimi 3470".bw

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.