VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ANXHELA MARTINI - SI TENTUAN TË MË RRËMBENIN NË SHQIPËRI

E Enjte, 06.26.2014, 11:09am (GMT1)


Një revistë e huaj që quhet "Unconditional", ka bërë që Anxhela Martini të rrëfejë për herë të parë detaje nga jeta, që deri tani i dinte vetëm ajo. Modelja shqiptare ndan me lexuesin çdo etapë të jetës së saj deri në ditët e sotme. Një pjesë të mirë të rrëfimit të Anxhelës e zë nëna e saj, e cila për të është pikë referimi e frymëzim për gjithçka. Një ndodhi e frikshme ndryshoi fatin e bukuroshes për mirë. Nëse nuk do të kishin tentuar ta rrëmbenin, ndoshta ajo sot do të ishte njësoj si vajzat e tjera shqiptare, për të cilat, modelingu kthehet në një profesion gati të pamundur ose mbetet gjithmonë një ëndërr...
FEMIJERIA
Kam lindur në Shkodër në vitin 1986. Kur isha 9 vjeçe, u transferova në Zvicër. Atëherë ishin vite të çmendura. Unë linda fill pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Asokohe komunizmi kishte marrë fund në thelb dhe demokracia sapo kishte lindur. Ato çka di për Shqipërinë e vjetër, i kam marrë vesh nga të afërmit e mi, si fakti që të gjithë ishin të detyruar të kishin të njëjtën sasi parash dhe që askush nuk mund as të kritikonte regjimin e atëhershëm, sepse të burgosnin. Edhe komshiu, po të dëgjonte diçka që s'duhej thënë, menjëherë lajmëronte autoritetet dhe të priste burgu. Askujt nuk i lejohej të largohej jashtë shtetit. Nëse dikush arratisej, atëherë familja e tij dënohej. Unë nuk i përjetova kurrë vetë këto, sepse erdha në jetë në vitet kur vendi kishte filluar të modernizohej disi. Mund të them që kam pasur një fëmijëri nga më të lumturat. Gjithmonë isha e rrethuar nga familja ime, të cilët më donin, veçanërisht nëna ime. Ajo është një grua e mahnitshme. Pavarësisht se çfarë mund të bëja, ajo më respektonte dhe më jepte dashuri të pakushtëzuar. Nuk më kanë dënuar kurrë. As edhe një herë të vetme! Nëna ime gjithmonë më ka nxitur të bëhesha e pavarur. Më kujtohet që prindërit e mi më jepnin kaseta video nga televizionet italiane, pas të cilave unë u fiksova keq. Fillova të shikoja rregullisht televizionet italiane që kur isha katër vjeçe. Mësova italishten duke parë ato kaseta. Prej atëherë u bë gjuha ime e dytë.
NENA
Në ato vite Shkodra ishte qyteti më katolik në Shqipëri. Familja e nënës sime ishte e përzier, gjysma myslimane e gjysma katolike, por familja e burrit të saj të parë ishte katolike fanatike. Kur ata u divorcuan, u bë një skandal i madh. Divorci konsiderohej si gjëja më e keqe e atyre kohëve, sidomos për një femër. Kjo është një pjesë e jetës së saj që gjithmonë më ka bërë përshtypje. Ajo e dinte që nuk ishte e lumtur dhe u largua. Njerëzit e quajtën të çmendur. Një nënë e vetme, e ndarë nga burri! Thoshin se do të mbetej e vetme deri në fund të jetës. Asaj nuk i interesonte. Më vonë nëna u njoh me babain tim, i cili ishte dhjetë vjet më i vogël se ajo, dhe një prej inxhinierëve më të mëdhenj të vendit. Ai madje kishte dhe një kompani të vetën. Kur ata u divorcuan, im atë u transferua në Zvicër për punë dhe unë e nëna mbetëm të vetme. U lidhëm shumë me njëra-tjetrën. Më kujtohet që, prej atëherë u bëra shumë feministe. Isha tipi i vajzës që ndërroja rrobat 5 herë në ditë, por isha njëherësh dhe shumë e vështirë. I urreja fëmijët që ngacmonin e tallnin, dhe rrihesha me djemtë kur shihja që ngacmonin dikë. Gjithmonë zihesha për të tjerët, kurrë për veten time. Këtë vetëbesim e kisha marrë nga nëna ime. Ajo ishte aq e fortë, dhe më bëri të fortë edhe mua. Kurrë nuk më vendosi rregulla dhe gjithmonë më thoshte "ti je e bukur, je e fortë". Fqinjët thoshin se unë isha e llastuar, por ime më besonte që, duke më dhënë lirinë, do të gjeja vetë identitetin tim, pavarësisht asaj çka më kishte dhënë ajo. E vetmja gjë për të cilën nëna shqetësohej ishte që unë të ndihesha e mbrojtur. Më lejonte të vrapoja në baltë, të shprehja veten time, dhe kurrë nuk më trajtoi si fëmijë. Besoj se kjo më ka dhënë vetëbesimin që kam sot. Prindërit e nënës sime ishin krejt të kundërt me të, shumë konservatorë. Ajo ishte e para nga gjashtë fëmijët dhe kjo mendoj që i dha shpirtin e pavarësisë. Askush nga familja e saj nuk pranonin ta çonin në shkollë kur ishte e re, por ajo këmbëngulte. Studionte natën fshehurazi, aq e zgjuar ishte. Ishte e para me mësime në gjimnaz dhe iu lut xhaxhait të saj t'i paguante universitetin. Ajo u zotua që një ditë t'ia kthente ato para dhe e bëri. Është për të qeshur: sot ata janë mirënjohës, sepse ishte pikërisht ky shkollim që i dha nënës mundësinë ta ndihmojë familjen financiarisht deri tani. Ajo u bë mësuese biologjie e kimie dhe ia doli mbanë mirë.

FRIKA
Pas kësaj Shqipëria kaloi në një krizë bankare dhe gjërat për ne u bënë të rrezikshme. Njerëzit e dinin që babai im ishte i suksesshëm e i pasur, ndaj unë dhe ime më u kthyem në objekt sulmi. Një ditë, teksa po luaja, disa burra u përpoqën të më rrëmbenin. Ata mendonin që, meqë kisha babain në Zvicër, mund të fitonin para prej nesh. Më kujtohet që njëri prej tyre u përpoq të më fliste, duke më thënë se e njihte babain tim, por nëna më kishte paralajmëruar për këtë. Ai më kapi nga dora dhe u përpoq të më fuste në makinën e tij, por unë ulërita me sa kisha në kokë dhe i shpëtova nga duart. Ai vrapoi dhe u largua me makinë. Pas kësaj ngjarjeje, nëna më dërgoi për të jetuar tek gjyshja, në anën tjetër të qytetit. Im atë u shqetësua shumë nga kjo ndodhi dhe më mori me vete. Në atë kohë unë shkova të jetoj në Bazel të Zvicrës. Ime më nuk mund të vinte me mua, por më premtoi që do të vinte të më shihte. Mendoj që, ajo ishte hera e parë në jetë që m'u thye zemra. Nëna qëndroi në Shqipëri e vetme, megjithëse e dinte që ndodhej në rrezik. Eksperienca e largimit nga Shqipëria, një prej vendeve më të varfra, për në Zvicër, një prej vendeve më të pasura, më ka mbajtur gjithmonë mbërthyer. Të dyja ndjesitë i mbaj me vete edhe sot e kësaj dite.

ZVICRA
Kur më në fund nëna vendosi të vinte për të jetuar me mua në Zvicër, ishte për të hera e parë që dilte jashtë shtetit. Atëherë ajo ishte 45 vjeçe, e divorcuar dy herë, e me dy fëmijë! Ajo është frymëzim për mua, sepse e nisi jetën edhe një herë nga e para, gjeti dashurinë e vërtetë dhe u martua sërish. Njerku im mendonte se ajo nuk duhet të punonte, por nëna ishte e vendosur. Mësoi gjermanishten për tetë muaj dhe vazhdoi mësimdhënien. Madje arriti të fitonte më shumë para se i shoqi. Më vonë ajo ndërmori dhe një nismë, për t'u ardhur në ndihmë femrave në nevojë. E quajti "Drita". Ajo ndihmonte emigrantët të integroheshin në shoqërinë zvicerane. Shumë prej tyre nuk flisnin gjermanisht dhe ishin të varfër. Vitin e fundit kjo organizatë fitoi çmimin UNESCO, gjë që më bëri të ndihem shumë krenare për gjithçka ka arritur. Ajo është modeli im, gjithmonë ka qenë unike. E mori jetën në dorë dhe gjeti rrugën e saj.

MODELINGU
Gjithmonë e kam ditur se doja të bëhesha modele, që kur isha vetëm 5 vjeçe. Madje edhe në Shqipëri fitoja çmime në lagje apo në shkollë. Ishte gjëja ime. E kam dashuruar pozimin përpara projektorëve. Kur u vendosa në Zvicër, i gjithë ky pasion mori fund, pasi babai interesohej vetëm për shkollën. Isha shumë e gjatë. Kur mbusha 18 vjeç, provova seriozisht të bëja modeling. Sapo kisha mbaruar shkollën dhe jetoja në Zyrih. Në atë kohë u ktheva për herë të parë në Shqipëri, qysh prej ditës që isha larguar, dhe çmenduritë filluan sapo zbrita në tokë. Në Doganë më ndaloi polici. Ai thirri dikë që njihte nga organizatorët e "Miss Shqipërisë" për të pyetur nëse unë mund të përfaqësoja vendin. Unë nuk desha atëherë. Isha modele dhe doja të kuptoja se si do të shkonte. Por pas atij takimi unë u lidha me Fadil Berishën. Fadili është një fotograf mjaft i njohur e i kërkuar në Nju Jork, por është shqiptar. Ne të dy u kuptuam menjëherë. Kështu nisi karriera ime, vetëm se rashë në kontakt me të. Është çmenduri!

KARRIERA
Pas kësaj prenotova një biletë për në Nju Jork dhe Fadili më bëri setin e parë fotografik. Qysh prej fëmijërisë kur shkova për vizitë me familjen e tim eti në Queens, e kam ditur që Nju Jorku do të ishte shtëpia ime. Fadili më tha që, fillimisht duhej të kthehesha në Europë për të krijuar librin tim si modele. Nuk doja të largohesha. Amerika ishte vendi ku doja të punoja. Nuk më pëlqente të punoja në Europë. Energjia e njeriut shuhet kur e di që ndodhet në vendin që nuk i përket. Në subkoshiencën time unë e dija që nuk i përkisja atij vendi. Ishte pikërisht atëherë, kur në Milano pashë në "MTV", një reality show mbi modelingun, që bëhej në Miami, dhe menjëherë kuptova që ishte për mua, që ishte vendi ku duhej të punoja. Nëse nuk do të shkoja në Nju Jork, do ta nisja atje krijimin e librit tim të modelingut. Një javë më pas fluturova për në Miami. Qëndrova një natë në qendër dhe pashë çdo agjenci mode të qytetit. Të nesërmen në mëngjes u zgjova dhe shkova tek secila prej tyre. Nuk pata frikë, edhe pse s'kisha lënë asnjë takim gjëkundi. Në agjencinë e parë, eca drejt tyre teksa po hanin drekë e u thashë "Përshëndetje, jam Anxhela. Jam nga Shqipëria, por jetoj në Zvicër. Kam ardhur se dua të bëhem modele". Pastaj shkova tek "Next" dhe "Front Management". Të dyja më thanë "Po", por unë nuk kisha vizë. As nuk e dija që më duhej një e tillë. Bëra një marrëveshje me agjencinë, që të punoja për ta e të mos paguhesha, vetëm që të rrija në Miami. Në atë mënyrë nuk më kërkonin vizë. Ata paguanin biletat e mia, apartamentin dhe çdo gjë tjetër, por unë nuk merrja asnjë fitim nga setet fotografike dhe isha shumë mirë. Ndërkohë krijova katalogun tim të parë dhe nisa karrierën time. Në mendjen time vazhdoja të isha e fiksuar që të shkoja në Nju Jork. Pas tre muajsh në Miami, kërkova nga agjencia ime që të më dërgonin atje, por sërish më thanë të pres. E urrej pritjen! Kisha një mik në Miami dhe shkova të jetoja në një apartament me të në Brooklyn. Shkova tek "Elite" dhe më kujtohet që Marcos Olazabal po bënte casting. Ai më zgjodhi mua. Ishte realizimi i një ëndrre. Agjencia "Elite" ishte më e mira atëherë. Brenda 7 muajsh unë kisha punë pa fund dhe mora vizën e apartamentin tim, i cili kushtonte 3500 dollarë në muaj. Ishte çmenduri! Fadili dhe unë u bëmë shumë të afërt më pas. Ai u bë mentori im. Ishim të dy shqiptarë dhe ai kujdesej për mua. Pas pjesëmarrjes në aktivitete dhe një pune të madhe, unë nisa edhe biznesin tim, një linjë bikinish.

E TASHMJA
Gjithmonë kam dashur të jem një "businesswoman" dhe të kem diçka më të madhe se thjesht modelingu. Koleksionin e parë e prezantova në 2012-ën në Miami Fashion Week, një eksperiencë e mahnitshme. Ishte e çuditshme, pasi unë mblodha shoqet e mia modele për atë show. Shihja vajzat që kishin filluar njësoj me mua rrugën e modelingut, ndërsa tani isha unë që u bëja casting atyre. Kjo tregon se sa e çmendur mund të jetë jeta. E njihja mirë ndjesinë e vajzave, ndaj u thashë të bënin qejf, pasi ajo natë ishte vetëm e jona. Kështu kam qenë gjithmonë. E bëj punën dhe besoj në të. Kështu i kam bërë gjërat gjithë jetën time. Në pesë vjet... mendoj se në pesë vjet bota u bë shtëpia ime. Kam një vend në Zvicër, një në Nju Jork, një në Shqipëri, dhe do të shkoj kudo ku është puna. Nuk dua të jem e kufizuar. Urrej gjithçka që mundohet të më kufizojë. Më merr gjithë lumturinë që kam. Mendoj se kudo mund të jetë shtëpia ime. Jeta ime ka qenë si një përrallë dhe unë dua që e tillë të jetë deri në fund.bw
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.