VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BLEONA QERETI - GANIT DO T'I SHKOJ NË DASMË, KAM 5 VJET QË FLE VETËM

E Premte, 07.04.2014, 08:50pm (GMT1)



TIRANE - Nuk e dimë nëse po të mos ishte larguar nga Shqipëria drejt tokës së premtuar, Bleona Qerreti do të ishte ajo që njohim sot. E lirshme, larg komplekseve dhe frazave shabllon, këngëtarja e famshme rrëfehet pa doreza për atë që është dhe për atë që synon të bëhet një ditë.

Siç e pranon dhe vetë, artistja shqiptare ka kuptuar se fama dhe suksesi janë gjërat që i falin lumturi. Për këtë arsye ajo ka hequr dorë nga njeriu i zemrës dhe nga ëndrra e zakonshme e pjesës më të madhe të femrave, të ketë një familje e të bëhet nënë. Bleona synon të tjera gjëra, dhe e quan veten të sinqertë teksa i shpreh.

E takuam në një restorant të Tiranës, bashkë me qenushin e saj. Është padiskutim një femër shumë e bukur! Na la përshtypjen e një vajze me vetëbesim të madh, e sigurtë për aftësitë e saj. Në fakt tjetër përshtypje ka dhënë ky personazh përgjatë 20 viteve. Është e vështirë ta kuptosh deri në fund Bleonën, vetëm duke e parë nga ekrani. Na besoni, aq është shumë më tepër se aq.

Bleona, cili ishte qëllimi i vizitës tuaj në Shqipëri këtë herë? Kishe një plan, pasi kemi parë që të kanë ftuar kudo nëpër emisione...

Të them të drejtën unë erdha për të takuar qenushin tim. Realisht është Xhoni që më ka sjellë në Tiranë sepse para një muaji mami dhe babi erdhën nga Amerika këtu për të kaluar verën dhe e morën qenushin tim me vete. Unë erdha deri në Kanë sepse kisha disa punë të miat për një konferencë. Shkova pastaj deri në Londër, dhe të mos vija në Shqipëri derisa isha kaq afër s'kishte kuptim. Sigurisht që më kishte marrë malli për qenin, por desha të takoj edhe shoqërinë e vjetër. Por kur vij këtu është një dyndje intervistash.

Si e ka emrin qenushi?
Xhoni, ndërsa profili i tij në "Instagram" është Xhoni Xhei Dog (Jonny J Dog).

I ke hapur "Instagram" qenit?
Po (qesh).

Kush ka më shumë ndjekës, ti apo Xhoni?
Sigurisht që unë. Por edhe Xhoni ka 217 ndjekës (qesh).

Si të duket që sa herë vjen në Shqipëri ftesat për ty janë gjithmonë gati?
Për mua kjo është lumturi e shkallës më të lartë. Është një dashuri pa kompromis. Sigurisht që është nostalgjia e jetës sime të mëparshme, malli i miqve dhe kolegëve të cilët unë i kam takuar këto ditë, kemi bërë shumë gallatë dhe kemi vdekur së qeshuri. Njeriu ka nevojë ndonjëherë që qoftë edhe për tre ditë, të mos i përgjigjet asnjë lloj e-maili, që në telefonin tim janë aq shumë. Të gjithë po më shkruajnë, ku je ti. Dje në orën 5 të mëngjesit, asistenti im më shkruan "Në cilin cep të botës je" (qesh). Nuk i kam thënë asnjë njeriu që kam ardhur në Shqipëri. Thjesht u kam mbyllur telefonat të gjithëve.

Me gjithë përkushtimin tënd ndaj punës atje, e ndjen të njëjtën vëmendje që ke këtu? Ka kërkesë kaq të madhe për ty në Amerikë?

Asnjëherë. Nuk është problemi i kërkesës, por i dashurisë. Atje janë gjërat ndryshe, kemi tjetër lloj kodi me njerëzit që punojmë. Sigurisht që ka njerëz që më duan dhe atje, kam grupin tim të menaxhimit që mezi presin të flasin me mua. Është tjetër lloj marrëdhënieje me ta dhe tjetër kur vij dhe shoh PR-in tim këtu i cili më do fort dhe unë po ashtu. Në Amerikë njerëzit me të cilët bashkëpunoj, janë thjesht njerëz që punojnë për mua.

Po pse nuk vjen më shpesh, derisa merr një dashuri kaq të madhe?
Sepse nuk kam kohë. Kur jeton në Los Angeles, janë 13 orë rrugë për të ardhur në Europë. Unë atje kam ikur për të nxjerrë diçka në dritë, e jo për të ngrënë në restorante e për të ecur në tapet të kuq. Duhet të punoj.

Me kë jeton në Los Angeles?

Unë jetoj vetëm në shtëpi. Kurse mami dhe babi jetojnë 20 metra larg meje, tek pallati përballë. Mami çdo mëngjes kalon vetëm rrugën dhe vjen tek unë më sjell kafen, Xhonin dhe pijen jeshile.

Pija jeshile çfarë është?
Është një pije që unë e konsumoj përditë. Është formulë e një specialisti të ushqyerjes, që ka brenda të gjitha vitaminat.

Është për bukurinë apo për shëndetin?
Për shëndetin. Për shkak të jetës dhe punëve që bëj, sado keq të ushqehem gjatë ditës, kjo më ndihmon të marr vitaminat e duhura. Pijen e përgatit mami çdo mëngjes dhe kjo transformohet në drekën time sepse kur unë zgjohem nga gjumi jemi vërtetë shumë vonë.

Teksa ti punon atje, njerëzit në Shqipëri të ndjekin dhe diskutojnë rreth teje. Së fundmi është përfolur ndarja jote me Gani Bardhën... Si është e vërteta?

Këtu Gani është bërë si Skënderbeu aq shumë sa është përfolur. Ai është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetën time. Marrëdhënia jonë ka përfunduar, të paktën legalisht. Në momentin që bën një punë, njeriu nuk duhet të jetë egoist në shkallën më të lartë duke i thënë tjetrit, më prit mua ndërkohë që unë jam nëpër avionë dhe bëj jetën time. Njeriu ulet dhe bën një lloj analize me veten "a jam njeri i mirë apo jo". Dua që ta shoh veten në pasqyrë dhe të ndihem krenare për gjërat që bëj, për veprimet e mia dhe sidomos për vendimet e mia. Ndarja ishte një vendim që erdhi si pasojë e largësisë, që nuk është ajo çka unë doja. Por ai ka çdo lloj të drejte të jetë i lumtur njësoj si unë.

Kush e mori i pari hapin drejt ndarjes?
Të dy. Menduam se çfarë do të bëjmë me njëri-tjetrin dhe erdhëm në këtë vendim. Nuk është se në marrëdhënien tonë ka ndryshuar diçka e madhe, përveç faktit që na është shtuar dyfish respekti i ndërsjelltë. Por unë nuk jam më me Ganin legalisht.

E ke menduar se si do të ndihesh kur ai të krijojë një lidhje të re dashurie?

Ai nuk do rrijë vetëm dhe unë u nisa drejt ndarjes pikërisht për këtë arsye. Ndoshta jam ish-gruaja e parë në botë që i kam hapur burrit tim një adresë në "Facebook" dhe "Instagram". Jam unë ajo që shkova në Detroit para dy javësh dhe bëra këtë. Dua që ai të jetë njeriu më i lumtur i botës dhe të ketë lumturinë më të madhe që mund të ekzistojë. Sepse ai e meriton. Tani, a do të ma mbajë mua zemra që ta shoh atë me dikë tjetër dhe sidomos me një vajzë shqiptare, nuk e di...

Pse sidomos me një vajzë shqiptare?!
Sepse është dikush që më përkiste vetëm mua për kaq shumë kohë. Është një lidhje 10-vjeçare. Logjika dhe zemra janë dy gjëra që nuk kanë lidhje absolutisht me njëra-tjetrën. Nuk kam bërë atë që zemra ime do, por kam ndjekur logjikën sikurse duhet bërë në këtë rast. Kur e shoh veten në pasqyrë jam shumë krenare për vendimet e mia, pa marrë parasysh se ato janë të dhimbshme. Kjo është jeta që unë kam zgjedhur.

Keni më kontakt me njëri-tjetrin?
Po. Shumë njerëz nuk e besojnë, por ne vazhdojmë flasim në telefon, takohemi. Nuk është se ka ndryshuar gjithçka, nuk është se unë dhe ai kemi të tjerë në krah.

Mendon se ekziston në Shqipëri një vajzë përveç teje që mund ta fitojë zemrën e Ganit?
Sigurisht që po. Vajzat shqiptare janë shumë të bukura. Ne jemi racë shumë e bukur, shumë e zgjuar. Gani është shumë shqiptar. Unë dua t'i uroj shumë fat dhe në qoftë se ai do të kishte dikë tjetër nga Shqipëria unë do t'i shkoja edhe në dasmë. Gjithsesi nuk dua që kjo histori kaq private e imja të kthehet në telenovelë.

Po thua se me jetën që bën e ke të vështirë të krijosh një marrëdhënie stabël. Ke menduar se në një moment do të duhet të gjesh dikë për të krijuar familje? Kur mendon se do të ndodhë kjo?
Unë nuk eci me idenë se çfarë plani kanë të tjerët në kokë për mua dhe si mendojnë ata se duhet të jetë jeta ime. Eci me planin, çfarë dua unë dhe çfarë më bën të lumtur. Pasi i blen të gjitha fustanet, këpucët, diamantet, pasi merr të gjithë adrenalinën e të qenit njeri i famshëm që unë kam 20 vjet që e përjetoj, fillon mendon dhe analizon çfarë të bën të lumtur. Isha e famshme këtu dhe shkova për t'u bërë e famshme në Amerikë. Unë jam artiste, kam qenë këtu dhe dua të bëhem artiste edhe atje. Ajo që më bën mua të lumtur është absolutisht muzika. Dua të jem një artiste me famë botërore, dua të mbush stadiume, dua të këndoj dhe bota të dëgjojë zëri tim. Kjo është ajo që mua më bën të lumtur. Deri në momentin që kjo do të realizohet, unë ndihem sikur jam shtatzënë 8 muajshe e gjysmë me një gjë që është albumi im. Deri kur të arrij këto që dua, nuk kam shans të mendoj për gjëra të tjera sepse është vetëm shpërqendrim. Është kjo arsyeja që marrëdhënia me Ganin nuk funksionoi. Është kjo arsyeja që në këto momente një marrëdhënie tjetër nuk do të funksiononte. Duke qenë se kjo është zgjedhja ime dhe fatmirësisht jam në pozitën që mund ta realizoj, mendoj se ky është një mesazh mjaft i mirë për të gjitha vajzat, shqiptare ose jo, për t'i thënë se në momentin që ato kanë një ëndërr të mos ulen të pinë kafe e të presin nga dikush tjetër. Apo të presin nga një mashkull që t'i mbështesë për të realizuar ato që dëshirojnë për jetën e vet. Sepse këtu në Shqipëri është ende ai mentaliteti që duhet gjetur dikush me lekë, që të shpëtosh.

Ky ka qenë rasti jot, apo jo? Gani të ka ndihmuar financiarisht për të bërë gjërat që doje në fillimet e tua?
Unë jam ndarë nga Gani pa marrë absolutisht asnjë cent. As në fillim e as në fund. Jo se ai nuk e ka ofruar, por unë nuk kam pranuar. Ganin nuk e kam dashur për para. Unë njoh një radhë shumë të gjatë njerëzish që janë shumë herë më të pasur se Gani. Por problemi është se nuk kam dashur të shkoj në Hollivud si e dashura e këtij apo atij. Unë dua të shkoj si Bleona. Kur merr një vendim të tillë, nuk ka vend as për martesë e as për të marrë shuma të majme nga divorci. Fatmirësisht jam në pozitën që mund t'i arrij gjërat vetë. Kam punuar për veten time dhe dua të jem e pavarur. Dua t'i jap një shembull të gjitha vajzave shqiptare të cilat nëse kanë një ëndërr, atë mund ta realizojnë vetëm vetë.

Je ndjerë e paragjykuar për zgjedhjet e tua?

Media, opinioni, paragjykimet, më kanë çarë kokën për 20 vjet. Ata nuk e dinë fare jetën time dhe çmimin që po paguaj për suksesin që kam. Njerëzit duhet të merren me veten e tyre, të kuptojnë çfarë duan e çfarë i bën të lumtur. Dhe fjalët e komentet e këqija, vijnë nga palumturia dhe jeta e shëmtuar që njerëzit kanë. Në fakt jam lodhur nga mediat dhe nga paragjykimet. Ka 20 vjet që flitet për mua, është folur për moralin tim kur unë isha ende e virgjër, është zbehur suksesi im duke thënë që këtë e ndihmon Gani. Këto më kanë lodhur ndaj dua që t'i prezantoj të gjithëve të vërtetën duke i treguar realitetin. Dhe nuk është ai që është përfolur 20 vjet. "Minarja në thes nuk futet", thotë një shprehje e vjetër popullore. Mund të jesh sipërfaqësore deri në një lloj pike, pasi dikur gjërat dalin në dritë. Thellë brenda vetes nuk është se më intereson opinioni i njerëzve për atë çka bëj, por askush nuk ka të drejtë të gjykojë kur punon 24 orë dhe në vend që të thonë "bravo", bëjnë gjykime mendjeshkurtra.

Pse ke zgjedhur të shfaqesh kaq shpesh e zhveshur?
Unë gjithmonë kam dalë e zhveshur. Fotot e mia janë nudo dhe unë s'bëj asgjë. Ndërkohë që këtu ka njerëz që s'po ja përmend emrat, që bëjnë një dynja të zezë prapa kuintave. Kam vendosur të shfaqem pa filtra. Në Amerikë kam një reality-show, një bazë të re fansash që nuk më njohin dhe duhet të mësojnë se kush është Bleona. Duhet të përcjell realitetin tim, me grim, pa grim, e veshur, e zhveshur, e krehur, e pa krehur. Këtë duan të shohin njerëzit, se sa e vështirë është të kesh sukses në një punë, sa e vështirë është të jesh në kopertina revistash për çdo javë e të flesh vetëm për pesë vjet dhe asnjeri nuk e di.

Ti ke vërtetë pesë vjet që fle vetëm?
Po, unë kam pesë vjet që fle vetëm. Por nuk është kjo ajo që unë dua të përcjell. Dua t'u tregoj realitetin njerëzve që nuk kuptojnë e që thonë "kjo ka bërë këtë a ka bërë atë". Ndërkohë ata nuk e kanë idenë se si jam unë e çfarë kam bërë për të arritur ku jam. Nuk po ankohem sepse është absolutisht zgjedhja ime, por nuk kam as edhe arsye të gënjej. S'kam asnjë lloj përfitimi, atëherë pse nuk duhet të jem e vërtetë.

Në çfarë moshe ke arritur t'i kuptosh të gjitha këto, dhe ke marrë vendimet e duhura?
Sigurisht që kur je 15 vjeç thua "më duhen këto këpucët, këto rrobat, kjo makina". Pastaj njeriu rritet natyrshëm, sidomos pasi i ka parë të gjitha. Për shembull 10 vite më parë, unë mendoja se ata njerëzit që kishin vilat, varkat, famën ishin më të lumturit në botë. Por kam parë që shumica prej tyre janë mizerabël, sepse kanë shkuar automatikisht atje pa luftuar dhe pa i dhënë vetes kënaqësinë e një arritjeje përmes punës. Unë njoh njerëz shumë të palumutur me shumë para, njoh dhe njerëz shumë të lumtur pa para. Në momentin që njeriu mbaron punë me instinktin e mbijetesës, gjërat materiale s'kanë më vlerë. Janë të tjera gjëra që të bëjnë të lumtur.

Sa larg je ti nga suksesi dhe maja ku do të arrish?
Jam çdo ditë një hap më afër. Kam mundësi të bëj pushime gjithë vitin, por nuk ia lejoj vetes të zgjohem në mëngjes dhe të humb kohën kot. Suksesin nuk ta garanton njeri, duhet vetëm punë.

Ku është përqendruar puna jote më konkretisht në këtë periudhë?
Është një reality-show që del në nëntor në Amerikë, në një televizion të famshëm. Në të do të transmetohet jeta ime reale, ajo çka unë bëj gjatë gjithë kohës. Nuk jam vetëm unë, por disa pjesëmarrës nga e gjithë Europa, të gjithë të suksesshëm në punën që bëjnë dhe të njohur në vendet e tyre. Xhirimet e sezonit të parë kanë mbaruar.

Aty ke folur shqip apo anglisht?
Jam diskutuar shumë këtu edhe për këtë çështje dhe meqë ra fjala dua ta sqaroj. Është një idiotësi me brirë, pasi unë njoh shumë artistë nga Shqipëria e Kosova të cilët nuk kanë as edhe një fans të huaj në faqen e tyre dhe flasin anglisht. Ata nuk i komenton njeri. Ndërsa unë që kam një numër të madh fansash të huaj, jam e detyruar të flas anglisht që ata të më kuptojnë çfarë po iu them. Megjithatë unë për të treguar se kush jam dhe nga vij, kam folur shqip në një televizion kombëtar amerikan me qëllim që deri në janar të 2015-s të mos mbetet askush pa e marrë vesh se kush është Shqipëria dhe shqiptarët dhe çfarë do të thotë "˜zemra'. Gjysmën e kohës në këtë reality kam folur shqip.

A ke ndjerë një lloj nënvlerësimi kur ke thënë që je nga Shqipëria?

Në momentin që prezantohesh dhe thua jam këngëtare nga Shqipëria, ata menjëherë thonë sa ka ky vend, tre milionë banorë, pra sa një e katërta e Manhatanit. Për ta duket sikur je i famshëm vetëm tek lagjja. Unë gjithmonë u them të mos e nënvlerësojnë faktin që është një vend i vogël, pasi në tregje kaq të vogla konkurrenca është shumë e madhe. Jam shumë e lumtur për faktin që jam nga Shqipëria sepse eksperiencën që kam fituar këtu, ata atje nuk mund ta kenë kurrë. Kam treguar karakterin shqiptar, dashurinë dhe respektin për familjen, nuk jam marrë me thashetheme, nuk i kam hyrë njeriu në hak.

Pushimet e kësaj vere ku do i kalosh?
Pushime?! Çfarë do të thotë kjo fjalë (qesh). Nuk kam shans. Bëra disa ditë pushime për ditëlindjen time dhe kaq. Duhet të kthehem tani e të zhytem në punë. Duhet të merrem fillimisht me këngët që duhet të lançohen. Po bëj maksimumin për të dalë sa më mirë në çdo gjë, ndaj më uroni fat (qesh). Është shumë e vështirë, por shpresoj t'ia dal.

ADELAJDA XHAMANI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.