E Enjte, 03.28.2024, 07:26pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
HOLLYWOOD
 
Një darkë me Al Paçinon
E Djelë, 06.21.2009, 03:56pm (GMT+1)

 

 

 

Është ende herët për darkën, prandaj pronari i lokalit më prin drejt një tavoline të lirë e, duke treguar ndenjësen në qoshe, më thotë: «Si zakonisht, Al ulet këtu». Një çast më vonë afrohet një kamariere: «E do menunë? Al mban një dietë speciale». Me të mbaruar shfaqja, aktori ia mësyn drejt e këtu. Përshëndet Jennifer Jason Leigh, në tavolinën pranë nesh («Jennifa!»), pastaj ulet në ndjenjësen e tij të parapëlqyer. Aktori duket i hutuar, si një buf i lezetshëm, paksa tej mase i shkujdesur: një bacalok i adhuruar, nga ata që dalin me një xhaketë shumë të grisur duke bërë sikur nuk e kanë vënë re çfarë xhakete kanë marrë nga garderoba. Fillon rrëfimin me një sqarim: aktorët e breznisë së tij e kanë revolucionarizuar përkufizimin e yllit kinematografik. Ai, menjëherë, saktëson: «Ka qenë Dastin që e ka përvijuar me filmin "Laureati"». Ai përsërit se pikërisht falë atij, pra Dastin Hofmanit (Dustin Hoffman) dhe Robert De Niros, askush nuk e ka problem që të jetë medoemos aktor protagonist. Al thërret: «Por unë dua!».

Në fakt ai nuk ka bërë tjetërgjë. Qëkur ai personifikoi Michael Corleone në serinë "Padrinoja" nja tridhjetë vjet më parë (duke trajtuar atë që me sa duket është përfaqësimi më i madh kinematografik i zemërgurësisë së njeriut), Paçino i ka dhuruar publikut një numër mbresëlënës të roleve. Në filmin e tij triller "Insomnia" me regjisor Christopher Nolan, ai na jep portretin e hatashëm të një detektivi në Los Anxhelos të ngarkuar me zbulimin e një  rasti të ndërlikuar vrasjeje në Alaskë. Një burrë i tronditur nga ndjesia e fajit që nuk fle kurrë për arsye të dritës së ditës, që në atë zonë zgjat plot 24 orë, pra një ditë pa mbarim. Robin Williams, që luan rolin e të dyshuarit kryesor, ka mbetur i shushatur kur ka parë se si Paçino ka arritur të ngrejë në këmbë një personazh që mishëron tërësisht moshën e tij. «ishte për mua një përvojë e jashtëzakonshme», kujton Williams: «Ishte duke luajtur me diçka që mund të ishte një frikë e madhe e tij? Nuk e di. Ajo që mua më ka bërë për vete krejtësisht, që më ka magjepsur, ka qenë stërmundimi, përkushtimi total i një burri që i ka luajtur të gjitha llojet e roleve».

 

Si në "Donnie Brasco", edhe në "Insomnia" Paçino na kujton kapacitetin e tij të jashtëzakonshëm për t'i alternuar tonet e përvuajtura me tonet bërtitëse gjatë lojës, kapacitetin e tij për ditur si të mbushet dhe pastaj si të shpërthejë. Prandaj është kaq e vërtetë që një prej filmave të tij më të dashur nga të rinjtë në përgjithësi, është një sagë melodramatike si "Scarface", ku aktori murmurit, flet nëpër dhëmbë, në çdo centimetër të skenës për t'u bërë i papërmbajtur në 20 minutat vijuese. «E shikoj filmin "Scarface" së paku një herë në muaj", thotë raperi Snoop Dogg, që shikon në film një metaforë të luftës së të pakënaqurve kundër sistemit: «Besoj se kushdo prej tyre, kur e shikon këtë film, mund ta njëjtësojë veten me personazhin kryesor. Dhe kur kemi parasysh se rolin kryesor e luan Al Paçino të cilin ai e adhuron që nga kohët e "Padrino" nuk mund të mos e dashurosh atë film. Paçino lë mbresën e pashpirtësisë në të gjithë filmat e tij».

Herën e parë që e kam takuar, bosi Paçino ishte duke shkuar te dentisti në Manhatën. Ishte e enjte në drekë, një trafik ferri. Paçino, me flokë të lyera në ngjyrë të kuqe për rolin e Roy Cohn në "Angels in America", po shikonte nga frëngjia e limuzinës së tij të zezë një njeri në biçikletë që po bënte leqe të rrezikshme në trotuar. Nuk e kupton se si mund të bësh ushtrime të tilla në Nju Jork edhe pse ai vetë i ka pasur pasion biçikletat dhe një ditë kishte përfunduar nën një autobus. Paçino është rritur në South Bronx. I ati Salvatore, skulptor, ishte 18 vjeç kur lindi Al e dy vjet më vonë e braktisi familjen. Aktori u rrit nga e ëma Rose e nga prindërit e asaj. Këtë e tregon në një kafe.

Kur ishte i vogël, të rriturit ishin të gjithë bilingë të përkatësive të ndryshme. Kjo, megjithatë, nuk ka lënë ndonjë gjurmë të veçantë te ai. E ëma, një grua tejet e brishtë, me të cilën ai ishte shumë i lidhur, nuk merrte guxim ta shikonte të birin në skenë në ndonjë rol që merrte ai në shfaqjet e shkollës. «Ajo nuk guxonte ta merrte me mend atë që po ndodhte. Madje as im gjysh. Mëkat, më në fund unë kisha filluar të fitoja pak para. Kisha filluar të ndihmoja nënën time të zgjidhte disa probleme. Është një histori e bukur... Kush e ka shkruar? D.H. Lawrence? Më duket se titulli është "The Rocking-Horse Winner". Është një djalosh që arrin të fitojë një garë me kuaj. Familja e tij është e varfër. Prindërit thonë vetëm: "Kemi nevojë për para!". Më në fund vdes nga ethet. Në njëfarë mënyre e njëjtësoj veten me atë histori që më emocionon gjithmonë».

Menjëherë ndalet. Në historinë e Lawrence djali ia del të fitojë fshehtazi diçka për të ndihmuar nënën e tij dhe vdes në krahët e një deliri, duke thënë: «Mama, të kisha thënë ndonjëherë se jam me fat?». Rose Paçino vdiq nga infarkti i zemrës kur Al ishte vetëm 22 vjeç. Midis të tridhjetave e dyzetave, Paçino filloi në seri legjendare me "Padrino I" e "Padrino II",  "Serpico", "Një mesditë qensh" e "... And Justice for All". Por nuk ishte i kënaqur. «Nuk ndihesha i pajtuar me ato që po më ndodhnin. Nuk kuptoja se çfarë po më ndodhte, prandaj fillova të pi, të drogohem dhe të veçohem nga njerëzit. Merrja pak ajër vetëm kur punoja. Më në fund miku im i dashur dhe mentori im Lee Strasberg më thotë: "I dashuri im duhet vetëm të mësohesh". Këto fjalë kaq të thjeshta dhe kaq të vërteta më kanë ndihmuar sa nuk thuhet. Nuk po mësohesha dhe as sot e kësaj dite nuk e di pse. Ndoshta kisha frikë nga e panjohura, nga diçka që ishte jashtë meje».

Në vitet 1980, Paçino xhiroi një film me titullin "Revolution", një film kaq zhgënjyes saqë e bëri të tërhiqet nga skena për katër vjet rresht. Tani ai thotë se ishin katër vite pushime, por një mik i tij rrëfehet: «Besoj se "Revolution" i la një shije shumë të keqe.  Ishte një film i urryer si nga kritika, si nga publiku, e kjo është një botë në të cilin ti vlen aq sa vlen filmi yt i fundit. Nuk ishin katër muaj pushime. Al në atë periudhë ndihej i vdekur, edhe pse nuk e pranonte kurrë. Kishte oferta, por vetëm për role gangsterësh dhe policësh». Ato vite Paçino financoi një film me metrazh të shkurtër të titulluar "The Local Stigmatic", një projekt i vjetër, por që nuk e nxori kurrë në qarkullim. Tani duke reflektuar për ato katër vite, thotë: «Nga shumë këndvështrime, ato vite më kanë rilindur. Psikologjikisht ishte si një torturë. Por pastaj...». Qesh: «Pastaj njeriu rikthehet në jetë». Në jetë? «Pikërisht. Në stilin tim të jetës...».

Përgjatë viteve kallinjtë e Al Paçinos janë mbushur plot me kokrra e jo vetëm pse nuk pi asnjë pikë alkool prej dhjetëra vitesh. E pyes Al Paçinon nëse është i lumtur. «Më pëlqen thënia e Shekspirit për lumturinë». Dhe citon Hamletin: «Jam i lumtur sepse nuk jam tepër i lumtur. Ajo që përjetoj nuk është tamam lumturia, por më në fund së paku është një jetë e qetë. Kuptoni?»./Elida BUÇPAPAJ

Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Sandra Bullok në filmin "Propozimi" (06.20.2009)
Hottest Bachelors 2009 (06.18.2009)
Kërtni Koks e serialeve Friends bëhet 45 vjeçe (06.14.2009)
Pesë vjet pa Rei Çarls legjendën e muzikës bluz (06.08.2009)
Forbes: Anzhelinë Zholi është artistja më potente e Hollivudit (06.04.2009)
Xhinxhi Roxhers ose jeta e dyfishtë e "Mëkatares së Madhe" (05.31.2009)
Elizabetë Teilor doli nga spitali (05.27.2009)
Turmat e paparacëve nuk i ndahen Naomi Kempbellit as në kroçiera (05.24.2009)
Anzhelinë Zholi mbretëron edhe Kanën (05.21.2009)
Vudi Alen fiton gjyqin $5 milionë për shfrytëzim imazhi (05.19.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]