VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ankand i autografeve, në garë koleksionisët
E Martë, 08.25.2009, 10:51am (GMT1)

 

 

        Në foto: Greta Garbo

 

Është ëndërra e çdo gjahtari të autografeve: koleksioni i "firmave të njerëzve të famshëm" më të plotë në rruzull. Përfshirë firmat e të gjithë aktorëve dhe aktoreve që kanë fituar një çmim Oskar që prej vitit 1929, vitin në të cilin Hollivudi filloi të japë shtatoret divave të kinemasë, përveç personaliteteve të tjera VIP të skenës, këngës, politikës. I ka mbledhur, me një ngulmim pa shoq dhe me çmim të shtrenjtë një llogaritar anonim londinez, Alan Robinson, që ia ka kushtuar 30 vjet energjitë, krejt kohën e lirë dhe të gjitha kursimet e veta për ta pasuruar koleksionin. Pastaj ka vendosur ta shesë, duke e nxjerrë në ankand në një hotel të aeroportit Heathrow, ndoshta se e parashikonte që koleksionistët e të gjithë planetit do të fluturojnë për në Londër me këtë rast. Nga shitja të fitonte më shumë se një milion sterlina, gati një milion e gjysmë euro: mjaft për një pensionim të parakohshëm ose tepër një jetë të qetë. Koleksioni kishte dy gjëra të rralla: autografin e Greta Garbos, konsideruar "Shën Graal" i autografeve, të cilin Robinson e ka siguruar nëpërmjet një koleksionisti privat si ai, duke parapaguar 70 mija euro në bankë; dhe autografi i Marylin Monroe, vlera të cillit çmohet 25 mijë euro. Midis firmave të tjera më të famshme të arkivit ishin Elvis Presley, Liza Minnelli, Elizabeth Taylor, Meryl Streep, Vivien Leigh, Sofia Loren, Clark Gable, Grace Kelly, Steve McQueen, Brad Pitt, Gwyneth Paltrow. Autografin e parë Robinson e siguroi kur ishte shtatë vjeç: ia dha kryeministri i atëhershëm laburist Harold Wilson, i cili ishte duke vizituar qytezën Tolpuddle, afër Dorset ku ka lindur Robinson. Ishte pikënisja e një pasioni trallisës për këtë tip të veçantë gjahu: e kur u bë gjashtëmbëdhjetë vjeç, duke u vendosur në Londër me familjen, filloi t'i kalojë mbrëmjet e të shtunave te dyert e teatrove dhe të sallave të koncerteve nga hynin dhe dilnin artistë. "Pas takimi me kryeministrin Wilson fillova të mbledh foto të firmave të yjeve të estradave dhe të industrisë skenike," ka treguar për mediat britanike Robinson. "Pastaj pasioni im është rritur dhe kam filluar të shkoj në ankandet e autografeve dhe për t'i blerë ato që askush nuk i donte. Pastaj iu kam vënë gjahut unë vetë, duke rendur personalisht pas famozëve." Përveç përmbledhjes së plotë të të gjithë aktorëve dhe aktoreve të çmimeve Oskar, koleksioni i tij përmban nëntëdhjetë për qind të të gjithë aktorëve dhe aktoreve që kanë pasur një "kandidaturë" për Oskar. Kinemaja, pas autografeve, është pasioni i tij i dytë, dhe jo rastësisht ai caktonte ankandin e koleksionit të tij në fund të javës kur shtatoret do të jepeshin në Hollivud. Me paret e ankandit Alan Robinson dëshironte të bënte së pari udhëtim nëpër botë. Së dyti: të japë, për herë të parë, ai vetë një autograf./Elida BUÇPAPAJ

Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.