VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Leonardo Di Kaprio ose parashkruesi i fatit të vet E Martë, 11.10.2009, 06:16pm (GMT1) Talenti kinematografik i njohur si një nga më të mëdhenjtë e dhjetë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, ka lindur në Los Anxhelos më 11 nëntor 1974, bir i George (me prejardhje italiane) e Irmalin (gjermane) dy hippy të famshëm. Qëkur ishte fëmijë Leonardo ka njohur shkrimtarë të mallkuar si Charles Bukowski e Hubert Selby, miq të familjes, në mënyrë të veçantë të babait, aktor komiksash dhe botues i specializuar në librat komiksa.
Dukej si një shenjë e fatit dhe atëherë erdhi zgjedhja e emrit, që është natyrisht një nderim për artistin e madh italian, por edhe një parathënie për fatin e djalit. Fëmijëria e tij nuk ka qenë aq e lehtë dhe ende sot konsiderohet disi tepër i pabindur. Pas ndarjes së prindërve u transferua me nënën në rrethinat e Los Anxhelosit për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike. Sigurisht që nuk ka interes të madh për shkollën, prandaj kërkon të bëjë diçka sa më parë duke luajtur në një spot publicitar e pastaj duke marrë pjesë në ndonjë serial televiziv, ndër të cilët "Parenthood" (Prindërit ). Studion në Center for Enriched Studies e diplomohet në "John Marshall High School", duke dëshmuar prirje më të madhe për imitimet e paroditë më tepër se ndaj detyrave të shtëpisë. Vështirësitë e tij shkollore nuk e dobësojnë dashurinë e tij për aktrimin. Biografitë sjellin datën e daljes së tij të parë në vitin 1979, e saktësisht në show-n televiziv "Romper Room". Sa duket, ai largohet nga sheshi i xhirimeve për shkak të gjallërisë së tij të pakontolluar. Do të vazhdonte gjithsesi të punonte në spote publicitare e për ndonjë dokumentar. Në vitin 1985 merr rolin e të pastrehit Luke në serinë televizive "Growing Pains", një provë mediokre e errësuar nga aktorët e tjerë. Viti 1995 e gjen të përfshirë në tre filma, midis të cilëve "The Quick and the Dead" me Sharon Stone e Gene Hackman. Në të njëjtin vit, përveç të tjerash, refuzon rolin e Robinit në "Batman Forever". Një vit më vonë është gjithnjë kryepersonazh në "Marvin's Room" e "Romeo + Juliet" (me regjisorin Baz Luhrmann), e merr ndërkaq në konsideratë të interpretojë personazhin James Dean në filmin mbi jetën e aktorit. Pas studimit të vëmendshëm të rolit e refuzon atë, duke qenë i vetëdijshëm se nuk ka mjaft përvojë. Por është viti 1997 që shënon momentin fatsjellës, atë që e bën ta njohin platetë e gjithë botës. Është "Titanic", filmi romantiko-katastrofist mbi dashurinë e përjetëshme të dy të rinjve të përfshirë në tragjedinë e transatllantikut të "pafundosshëm". DiCaprio është protagonist i filmit bashkë me Kate Winslet, personazhi i tij është një hero romantik dhe paksa i modës së vjetër, ideal për të bërë zemrat e mijëra femrave të rrahin, çfarë ndodh pikërisht. Shndërrohet në sex-symbol, i përkryer të konkurojë me të famshmit diva hollywoodianë. Në vitin 2005 Leonardo DiCaprio ka marrë një Golden Globe si Aktori më i Mirë Dramatik, për interpretimin e rolit të miliardierit Howard Hughes në "The Aviator", të Martin Scorsese-s. Për këtë film pati edhe një kandidaturë për Oskar. Me Scorsese ai do të kish më 2006 filmin The Departed dhe Blood Diamond. Për këta filma mori kandidime për Golden Globe dhe disa kandidime për çmime të tjera. Për Blood Diamond pati edhe një kandidaturë për Oskar. Më 2008 luajti në Body of Lies. Po atë vit Revolutionary Road dhe Shutter Island. Do të luante edhe në filmin fantastiko shkencor Inception. Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |