VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Greis Kelli, bija amerikane, princesha monegashe, mishërim i bukurisë, mirësisë, fisnikërisë E Enjte, 11.12.2009, 04:58pm (GMT1) Grace, Princesha e Monakos, e thirrur në përgjithësi Princesha Greis Patricia e Monakos, pra Grace Patricia Kelly, më tepër e njohur si Greis Kelli, simbol i elegancës për brezni të tëra femrash, e renditur nga Instituti Amerikan i Filmit në vendin e 13-të mes Yjeve më të Mëdhenj Femra të të Gjitha Kohërave, lindi më 12 nëntor 1929 në Filadelfia të SHBA, e treta nga të katër fëmijët e familjes Kelli- dhe u shua më 14 shtator 1982, plot 25 vjet më parë. Pasi mbaroi studimet e larta në Filadelfia, ajo shkoi në Nju Jork për të studiuar në Akademinë Amerikane të Arteve Dramatike (American Academy of Dramatic Arts ). Këtu, pasi kishte marrë diplomën, bëri debutimet e para teatrore. Ajo ishte e treta e katër fëmijëve të John Brenda Kelly Sinjor, i njohur edhe si Jack Kelly, dhe e Margaret Katherine Majer Kelly. Fëmijët e tjerë të familjes ishin, me radhë, Peggy, John Junior, dhe Lezzane. Babai i saj ishte një prej dhjetë fëmijëve të John Henry Kelly (1847-1879) dhe e Mary Costello në një familje katolike irlandeze amerikane. Tashmë hero i tri medaljeve të arta olimpike, biznesi i tullave i John Kelly u rrit me shpejtësi të jashtëzakonshme. Multimilioneri i vetëbërë dhe familja e tij hynë në radhët e shoqërisë së lartë amerikane. Rrethi i gjerë i familjes Kelly përfshinte dy artistë të mëdhenj, humoristin Walter Kelly, dhe George Kelly, dramaturg me Pultzer Prize. Më 1935, John Kelly garoi për kryetar bashkie të Filadelfias, duke humbur për pak vota. Gjatë Luftës II presidenti Ruzvelt e emëroi Drejtor Kombëtar të Fitnesit fizik. Nëna e Grace, lindur luterane nga prindër gjermanë (Carl Majer dhe Margaretha Berg), u bë katolike kur u martua me zotërinë Kelly. Si shoqi, edhe ajo ishte e shquar në fitnes. Filmi i parë i Grace Kelly ishte "Forteen Hours" ( Katërmbëdhjetë orë ) (1951), i regjisorit Henry Hataway, me një rol që kishte një hapësirë shumë të vogël në film. Por prova e saj e madhe si artiste vjen vitin e mëvonshëm, në filmin legjendar "High Noon" (Pika e mesditës ), ku aktorja e re luante personazhin e një nuseje të një sherifi,rolin e të cilit e luante i famshmi Geri Kuper (Gary Cooper). Filmi i mëvonshëm do të ishte rezultat i kontratës me shtëpinë prodhuese të filmave MGM. Bëhet fjalë për filmin "Mogambo" (1953), ku bashkëprotagonist i Kellit ishte mitiku Klerk Gebëll (Clark Gable).
Martesa përrallore u bë pikërisht në datën e fiksuar. Prilli dhe pranvera shënuan edhe lamtumirën e Greisit jo vetëm ndaj kinematografisë por edhe ndaj Amerikës. Martesa e tyre u quajt njëzëri nga shtypi i gjithë botës "martesa e shekullit". Ceremonia civile u kremtua më 15 Prill 1956, ndërsa ceremonia religjioze u krye të nesërmen në Kishën e Shën Kollit (St. Nicholas Church ). Nuk është nevoja të kujtojmë se kisha dhe mjediset e saj u pushtuan ato ditë faktikisht nga gazetarët (që tashmë njihen me emrin "paparacë" ) dhe nga telekamerat e gjithë botës. Gresi e fsheh mrekullisht nervozizmin, duke dashur të jetë gjithmonë e afërt dhe e natyrshme, pavarësisht se njerëzve të saj ua kishte hapur zemrën duke thënë se kishte mbetur tejet e bezdisur nga ceremonia, natyrisht për shkak të rolit të shtypit që, pa mëshirë, gjithçka e kishte publikuar në faqet e tij. Me pak fjalë, nga ajo ditë Greis Kelli, në sytë e mendjen e gjithë botës ishte transformuar përfundimisht në Princesha Greis e Montekarlos. Më 23 janar 1957 Greis Kelli solli në jetë Karolinën (Caroline ), fëmijën e parë dhe vajzën e parë. Më 14 mars 1958 ajo lindi fëmijën e dytë dhe të vetmin djalë të saj, Princin Alberto. Shtatë vjet më vonë, në mes të shkurtit, solli në jetën princeshën Stefani (Stephanie ). Këta janë emra që përfaqësojnë aktualisht principatën e Montekarlos, të cilët, që të gjithë, që nga çasti kur erdhën në jetë, në mënyrë konstante, u bënë personazhe të të gjitha tabloideve ndërkombëtare.
Princesha u varros në Katedralen e Shën Nikollës në Monako. Aty pranë saj do të varrosej edhe i shoqi, Princi Rainier, më 2005. Rreth 100 milionë veta në mbarë botën e panë nëpërmjet televizioneve funeralin e saj. Ajo do të mbetet princesha më e kujtuar në historinë monegashe. Në eulogjinë e tij, pra fjalimin lavdërues, James Stewart tha: "Ju e dini sa e kam dashur Garce Kelly-n. E kam dashur jo pse ishte princeshë, jo pse ishte aktore, jo pse ishte mikesha ime, por sepse ajo ishte zonja më e mrekullueshme që kam njohur ndonjëherë. Grace solli në jetën time, ashtu siç solli në jetën tuaj, një dritë të butë dhe të ngrohtë të pashterrëshme." Greis Kelli i takon asaj kategorie personazhesh, që lenë shenjë në historinë e njerëzimit, duke i mbetur shoqërisë njerëzore në kujtesë. E paharrueshme do të vazhdojë të mbetet biondja me sy të paqtë, si për pasurinë e çmueshme gjithë dritë si aktore e përmasave botërore, ashtu edhe për historinë personale që është shumë e ngjashme me ato të përrallave, për të cilat kemi aq shumë nevojë./Elida BUÇPAPAJ Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |