VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ARTI DHE KOMERCI NË FESTIVALIN E KANËS

E Martë, 05.13.2014, 06:29pm (GMT1)


Nicole Kidman si Grace Kelly në filmin, me të cilin hapet festivali

Festivali më i famshëm i filmit në botë tërheq aktorët dhe regjizorët më të njohur në Francë. Në fillim Nicole Kidman do të shkelqenë në ekran si Grace Kelly. Pastaj emra të mëdhenj do të jenë në garë për Palmën e Artë.

Disa ulëse do të mbeten të lira në ceremoninë e hapjes. Kjo së paku është e sigurtë dhe të çon në skandalin e parë të vogël të festivalit të Kanës të këtij viti. Eshtë refuzuar pjesëmarrja nga familja princërore e Monakos në shenjë proteste kundër filmit të hapjes "Grace of Monaco".

Prodhimi francez "Grace of Monaco" i regjizorit Oliver Dahan ishte caktuar prej kohësh se do të ishte filmi hapës i festivalit. Dahan paraqet në film disa vite vendimtare të jetës së aktores së Holivudit, Grace Kelly, e cila u bë princesha e Monakos. Një film biografik me aktorë të shkëlqyer. Nicole Kidman luan rolin kryesor. Grace Kelly dhe princi Rainier III ishin njohur në 1955 në festivalin e Kanës. Nga Monaco në Kanë përmes Côte d'Azur do të kishin qenë vetëm disa kilometra për familjen princërore. Por ajo është shumë e zemëruar. Që gjatë përgatitjeve për filmin pjesëtarët e familjes ishin përzier në skenarin e filmit.

Princeshë depresive dhe si qëllim fitimi

Ajo, që regjizori donte të vinte në ekran, atyre u dukej shumë kritike. Dahan përqëndrohet në vitet e kalimit të Kelly-t nga yll i Holivudit në princeshën e Monakos. Ylli i ri i kinematografisë, që kishte arritur në moshën 25 vjeçare kulmin e karrierës, shkoi me princin Rainier III në Evropë. Pesha e përgjegjësive të reja dhe pritshmëritë e shtëpisë princërore ishin një barrë e madhe për princeshën e re. Perveç kësaj burri i saj kërkonte, që ajo t'i jepte fund karrierës së aktrimit, edhe pse jo dokushdo, por Alfred Hitchcocku donte të xhironte një film me aktoren. Por ajo iu nënshtrua diktatit të burrit dhe u bë depresive.

Linja e dytë e rrëfimit pasqyron turbullirat diplomatike ndërmjet principatës së Monakos dhe Francës. Presidenti francez De Gaulle nuk donte ta pranonte më tej Monakon si oaz fiskal. Republika e vogël ishte e izoluar politikisht dhe ekonomikisht dhe në fund u detyrua t'i nënshtrohej presionit nga Parisi.

Një martesë e dështuar dhe me sa duket një shtëpi princërore me oritentim vetëm fitimin, kjo ishte për pasardhësit e Rainier III shumë. Filmi është një deformim i historisë familjare për qëllime thjesht komerciale, ishte reagimi nga Monte Carlo. "Grace of Monaco" është "historikisht e pavërtetë" dhe "e glamorizuar në mënyrë të panevojshme". "Familja princërore nuk do që të identifikohet në asnjë mënyrë me këtë film, që nuk ka të bëjë aspak me realitetin." Prandaj ajo do ta bojkotojë filmin e hapjes së festivalit të Kanës.

Emra të mëdhenj - pak të rinj

Festivali i Kanës do ta kapërcejë një gjë të tillë. "Grace of Monaco", i cili një ditë pas premierës botërore në Kanë më 14 maj, do të shfaqet në të gjitha kinematë e Evropës, është si gati çdo film hapës i një festival i madh jashtë çdo konkurrence. Pas turbullirave të para ai do të harrohet shpejt, edhe për shkak të garës për Palmën e Artë, çmimin më të rëndësishëm të festivalit. Përsëri këtë vit ka shumë emra të mëdhenj. Në prag të hapjes së festivalit ka patur kritika se festivali i Kanës mbështetet shumë në emrat e mëdhenj duke mos i dhënë asnjë shans talenteve të rinj.


Tapeti i kuq i festivalit të Kanës

Shumica e filmave janë përsëri nga Franca. Mjeshtri i madh Jean-Luc Godard, ndërkohë 83 vjeç, do të marrë pjesë me një film 3-D, Bertrand Bonello konkurron me një biografi të re të Yves-Saint-Laurent. Gjithashtu edhe Michel Hazanavicius me filmin e tij të parë pas suksesit botëror me filmin "The Artist". Nga Belgjika vijnë fituesit e mëparshëm të Palmës së Artë, vëllezërit Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Britania e madhe dërgon mjeshtrat e kinemasë kritike shoqërore, Ken Loach dhe Mike Leigh. Me padurim pritet edhe vepra e re e regjizorit turk Nuri Bilge Ceylan.

Film nga Afrika në vend të dominancës së Holivudit

Prania e Holivudit është këtë vit modeste. Regjisori Bennett Miller dhe Tommy Lee Jones, i cili është i njohur më shumë si aktor, nuk bëjnë pjesë në rangun e parë të regjizorëve. Por Kanadaja prezantohet me tre nga regjisorët më interesantë të kinemasë moderne: David Cronenberg, Atom Egoyan dhe talenti 25-vjeçar Xavier Dolan. Filma nga Rusia, Argjentina dhe Japonia e plotësojnë programin. Që një film nga Afrika, "Timbuktu" i regjizorit Abderrahmane Sissako nga Mauritania, arriti të vijë në këtë konkurs prestigjioz, është një surprizë e këndshme.

Po Gjermania? U anashkalua edhe një herë, gjë që tashmë ka thuajse traditë në Kanë. Deri në fund ishin në diskutim katër emra të njohur, me filmat e tyre të fundit: Christian Petzold, Andreas Dresen, Fatih Akin dhe Wim Wenders. Askush nuk u muar parasysh. Akin e pati tërhequr vetë filmin e tij "The Cut", që përshkruan një kapitull të konfliktit historik në mes të turqve dhe armenëve.dw
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.