VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Heather Graham, hollivudiania përherë me hiret e adoleshentes
E Enjte, 01.28.2010, 12:53pm (GMT1)

 

 

 

Heather Joan Graham ka lindur më 29 janar 1970 në Milwaukee, in Wisconsin. E famshme si "party girl", pra adhuruese e festave dhe e pritjeve modane, në një kohë të shkurtër të karrierës së saj kinematografike ka luajtur në dhjetëra filma.

 

Debuti i mirëfilltë i saj në kinematografi erdhi në vitin 1988, me "License to Drive" (Patenta e makinës) dhe dy vjet më vonë u vlerësua për dhuntinë komike në filmin aq zbavitës "I Love You To Death" (Të dua sa edhe vdes për ty). Takimi me regjisorin David Lynch qe përcaktues për vazhdimin e veprimtarisë si aktore: nën petkun e Annie Blackburn, një bjonde me bukuri dehese dhe tejet misterioze e vendosur ta shtjerë në dorë agjentin Cooper, ajo mori pjesë në serialet televizive "Twin Peaks".

 


Aktore jo shumë e bukur, me nur të fshehtë, ajo i ka intriguar gjithmonë regjisorët për tiparet e saj pothuaj fëminore, gjithnjë adoleshente, e vetëdijshme për veçantitë e saj, të cilat nuk mund të mos i tundojnë regjisorët.

 

Rastin më të mirë që t'i dëshmojë këto karakteristika ia jep pjesëmarrja në një numër serialesh nga më ekstravagantet, si ato me regjisorin Gus Van Sant, me të cilin punoi në "Drugstore Cowboys" e "Even Cowgirls Get the Blues". Për të mos folur për filmin ngjethës Boogie Nights, film i cili do ta afirmonte përfundimisht dhe në të cilin luante një femër të shthurur profesioniste me aftësi edhe akrobatike.



Në sheshin e xhirimit të filmit Diggstown njihet me aktorin James Woods me të cilin do të vihej në qendër të thashethemeve edhe për shkak të ndryshimit të moshës, ajo ishte njëzet e dy vjeçe dhe ai ishte dyzet e pesë vjeç. Woods do të ishte i pari në një radhë të gjatë historish të sa: me Adam Ant, Edward Burns e më vonë me të famshmin e ndjerë Heath Ledger, për t'i përmendur vetëm më të shquarit.

 

Pas zbulimeve të lartpërmendura që e kanë përcaktuar si ikonë të thyerjes së rregullave e mospërfilljes së skemave, aktorja e re do të merrte pjesë edhe në një numër filmash të pavarur, por të suksesshëm. Nga këta mund të përmenden "Six Degree of Separation" (Gjashtë gradët e ndarjes), "Mr Parker and Vicious Circle" (Z Parker dhe rrethi vicioz),  "Swingers" apo  "Ecstasy Generation".

Në vijim Graham nuk i ka shmangur edhe prodhimet kinematografike popullore si tek filmi i famshëm horror-cult "Scream 2" (ku ajo realizon një skenë në nisje të filmit tejet të paharrueshme me Matt LeBlanc), ose "Bowfinger", por sidomos në telefimin e famshëm fantastikoshkencore "Lost In Space" (Humbur në hapësirë); në filma të tjerë ajo luan role bishttundëseje si tek Austin Powers në kapitullin e dytë dhe fatmadh të parodisë së temës së spiunazhit (ku luan mes tjerësh edhe aktorja Elizabeth Hurley).

Me një fjalë një aktore gjithsesi eklektike dhe të prirur tej mase për të eksperimentuar role të ndryshme, aq sa edhe ambicioze, ka mbetur gjithnjë e etur të shquhet në ndonjë gjini të veçantë, për shembull në komedi, por duke kaluar pastaj menjëherë në filma horror.

 

Ndonëse xhirimet e filmave nuk e lënë të marrë as frymë, Graham nuk e harron për asnjë çast jetën mondane, duke marrë pjesë në çdo festë e në çdo pritje në New York, duke e begatuar edhe sferën aventurave galante të saj. Ndër tjerët viktimë e saj do të ishte Johnny Depp.

 

Në vitin 2001 revista People do ta zgjidhte mes "100 Mos Beautiful People in the World" (100 njerëzit më të bukur të botës). Ndërsa revista Life Magazine e përcaktonte më 2006 si aktoren më tunduese televizive të të gjitha kohërave./Elida BUÇPAPAJ
Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.