VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Njëqind gra për njëqind vjet, bukuri që kanë bërë epokë
E Shtunë, 03.07.2009, 09:25am (GMT1)

Voal-online - Njëqind vjet bukuri, një shekull feminitet shpallur përmes modave, stileve, tipeve, pamjeve që kanë bërë histori, janë shndërruar në mësime dhe ua kanë treguar rrugën miliona grave në botë. Disa gra kanë lënë një shenjë të thellë. Të tjera janë shndërruar në ikona të pavdekshme, legjenda, kur ende ishin në jetë. Gjithmonë në emër të kontrasteve. Format e buta dhe të ëmbëla të Sophia Loren e silueta e saposkicuar e Audrey Hepburn. "Akulli i valë" i Grace Kelly e prushi vullkanik, krejt mesdhetar i Claudia Cardinale. Më së fundi  magjia shkumëzuese e Kate Moss e trupi prej shtatoreje i Naomi Campbell. Janë këto disa nga njëqind gratë më të bukura të Shekullit XX.  Për të treguar kështu se në çfarë mënyrë janë ndërruar kanunet e bukurisë e të stilit në harkun e një shekulli mund të vërejmë më poshtë këtë radhitje.

Vitet Tridhjetë: Vërshon magjia e sofistikuar e diveve si Greta Garbo e Katherine Hepburn. Ndërthurje mashkullorefemërore, "moderne", panatollina, këpucë burrash dhe cigare midis buzëve.

Vitet Dyzet: Triumfon bukuria e shfrenuar e Ava Gardner, Rita Hayworth, Lauren Bacall. Tejet të bukura, sidomos Ava e Rita, simbole të sensualitetit të papërballueshëm. Mëndafshi zi bën epokë në veshjet e grave.

Vitet Pesëdhjetë: Është epoka e pin-up, e bukurive të përkryera, të paqortueshme. Afirmohen bukuroshet yje, me forma trupora mahnitëse. Nga Marilyn tek Liz Taylor dhe Sophia Loren. Përkrah tyre, gjithsesi, bashkëjetojnë bukuri më "engjëllore", së paku nga pamja e jashtme, si Grace Kelly e Capucine.

Vitet Gjashtëdhjetë: Silueta në trajtë kelpsidre e bukurive pin-up ua lë vendin trupave me linja të gjata të modeleve si Twiggy (e quajtur Grissino për shkak se ishte tepër e hajthme) e Jean Shrimpton, e sex appeal rebele paksa të pacipa të diveve të tilla si Brigitte Bardot e Jaqueline Bisset.

Vitet Shtatëdhjetë: Dalin në skenë bukuritë jotradicionale. Të tilla si Barbra Streisand e Angelica Houston, hollaket Charlotte Rampling, Lauren Hutton, Faye Dunaway e Marisa Berenson.

Vitet Tetëdhjetë: Shija estetike transformohet. Janë ikona të bukurisë aristokratike si Lady Diana, aktore si Michelle Pfeiffer, Nastassja Kinski e Carole Bouquet, këngëtare si Deborah Harry e Whitney Houston.

Vitet Nëntëdhjetë: Janë shënuar nga triumfi i topmodeleve: Christy Turlington e Cindy Crawford, Linda Evangelista e Naomi Campell, Iman e Kate Moss. Falë filmit Basic Instinct lind yllësia e Sharon Stone.

Një epokë në përfytyrime: Gratë e përfshira në listë ishin konsideruar shumë të bukura në kohën e tyre, por shijet tona janë ndërruar vazhdimisht. Ndoshta sot bukuria e disave prej këtyre duket disi e pazakonshme.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.