VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MARTIN SCORSESE NË FILMIN E RI MBRON INFORMATORIN ANTIKOMUNIST ELIA KAZAN
E Djelë, 09.05.2010, 11:59am (GMT1)

Voal-online -Filmi i ri i Martin Scorseses (Martin Skorseze) i bën nderim personal Elia Kazanit, njërit prej regjisorëve më me ndikim në Hollywood dhe Broadway, por gjithashtu një figurë kundërthënëse, i cili u bë informator antikomunist në kohën e McCarthy-t. Në "A Letter to Elia" (Një letër Elias), dokumentar njëorësh shfaqur në Festivalin aktual të Filmit në Venecia, Scorsese vlerëson Kazanin për stilin e tij plot emocione, realist dhe origjinal, cilësi të cilat e kanë frymëzuar atë (Scorsesen) që të bëhet regjisor.

Ai nënvizon sidomos ndikimin e madh që dy nga filmat më të mirë të regjisorit Kazan, "On the Waterfront" (Në bregdet) me Marlon Brando (1954) dhe "East of Eden" (Ana lindore e Edenit) me James Dean (1955), kanë pasur tek ai kur ishte adoleshent. "Është pothuaj e pamundur ta rrëfej sa isha i dashuruar pas filmave të Kazanit," shkruante Scorsese menjëherë pas vdekjes së Elia Kazanit më 2003, në moshën 94 vjeçare.

Scorsese e zbuloi Kazanin kur ishte djalë i ri kur shkonte t'i shikonte filmat e tij në Nju Jork dh kishte pranë vetes Robert De Niro kur Kazani, filmat e të cilit fituan 20 Academy Awards (Oskarë), mori një Oskar të karrierës në vitin 1999. Ai çmim special ishte debatuar nxehtë, sepse më 1952 Kazan ia kishte dorëzuar House Un-American Activities Committee emrat e tetë anëtarëve të Partisë Komuniste të cilët kishin punuar në Group Theater ku ai kishte filluar si aktor.

Dhënia e emrave i kushtoi Kazanit, edhe vetë anëtar i partisë midis viteve 1934 dhe 1936 përpara se të largohej në shenjë proteste, shumë miq në Hollywood dhe midis intelektualëve të SHBA. Arsyeja e dorëzimit të këtyre emrave, pasi kishte refuzuar më parë të jepte dëshmi, ende është i debatuar.

Në kujtimet e tij Kazan shkruante: "Unë i kisha urryer komunistët prej shumë vitesh, dhe nuk m'u duk e drejtë ta humbisja karrierën time duke i mbrojtur ata. Po sakrifikoja unë për diçka në të cilën besoja?" Në dokumentar, i cili përmban një intervistë të gjatë me Kazanin, ai thotë se bëri vetëm atë që ishte më e "tolerueshme nga dy alternativat, të cilat ishin të dhimbshme dhe të gabuara".

Kazan, djalë i një tregtari emigrant grek, thotë se filmat e tij më të mirë erdhën pas asaj përvoje, edhe pse ai tashmë kishte bërë emër në Broadway me "Death of a Salesman" (Vdekja e shitësit) dhe "A Streetcar Named Desire" (Një tren i quajtur dëshirë) si dhe kishte themeluar Studiot e Aktorëve. Në filmat "Në Bregdet" dhe "Aan lindore e Edenit", mes tjerësh, ai solli personazhe të cilët deri atëherë asnjëherë nuk i kishe sjellë Hollywoodi, duke sjellë në ekran pasione të parrëfyeshme, lidhje të trazuara familjare dhe botën nëntokësore të krimit," tha Scorsese. "Ata i zgjeruan kufijtë mes emocionales dhe psikoligjikës," tha ai. "Ishin njerëz që unë i takoja përditë, të cilët i njihja. Ishte sikur të kuptoja se bota në të cilën jetoja kishte vlera."/Elida Buçpapaj

(http://www.reuters.com)

Përktheu Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.