VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUJTIMET E SHANIA TWAIN SHPALOSIN SFIDAT QË AJO KA KAPËRCYER
E Enjte, 09.23.2010, 03:00pm (GMT1)

Voal-online -Pesë herë fituesja e Grammy Award, Shania Twain, do t'i botojë kujtimet e saj më 2011, ku ajo shpalos luftën e saj për ta ndërtuar karrierën në muzikën kantri dhe vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar.

Këngëtarja yll e muzikës kantri pop, jeta personale e së cilës ka qenë subjekt i tabloideve prej ndarjes nga producenti muzikor Robert Mutt Lange, do të nxjerrë një biografi në pjesën e parë te¨vitit 2011, sipas shtëpisë botuese Simon & Schuster.

Kompozitorja dhe këngëtarja do të trajtojë një varg temash, përfshirë sfidat e saj në industrinë e muzikës kantri të mbizotëruar nga meshkujt si dhe vdekja e prindërve të saj në një aksident automobilistik më 1987 duke ia lënë asaj përkujdesjen ndaj tre vëllezërve e motrave më të vegjël.

Twain, 45 vjeçe, tha në një deklaratë se e ndjente të ngutshme të ndante historinë e saj me publikun para se të jetë vonë dhe e përshkroi librin e saj si "një paraqitje të ndershme dhe të plotë të jetës sime, me fjalët e mia".

"Ka pasur momente në jetën time kur isha përballë një realiteti ku e nesërmja nuk do të vijë kurrë. Kohët e fundit pata një nga këto momente, i cili më shtrëngoi mua të ngutem për ta dokumentuar jetën time përpara se të jetë vonë," tha ajo.

Twain nuk ka nxjerrë album të ri që nga viti 2002, por është shfaqur në televizione, përfshirë rolin e mysafires në "American Idol". Ajo do të luajë edhe në një realiy show të televizionit të Oprah Winfrey më 2011./Elida Buçpapaj

Përktheu Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.