VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kalendari 1 maj ATSH
E Premte, 05.01.2009, 03:42pm (GMT1)

NGA VENDI

1819  - Zë fill Kodiku i Fierit nr. 100, një monument kulture me rëndësi të madhe, që ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit. Ai përmban regjistrimin e kontratave të fejesave të kryera gjatë viteve 1819-1843. Çdo kontratë përbën një akt juridik dhe njëkohësisht edhe një dokument historik, që jep të dhëna të rëndësishme mbi jetën e përditshme, gjendjen ekonomike, shtresëzimin e popullsisë nga pikëpamja ekonomike, prodhimtarinë e zejtarisë, doket e zakonet e kohës.

1905 –  Festohet për herë të parë në Shkodër në një rreth të ngushtë punëtorësh festa ndërkombëtare e punëtorëve. Në kushtet e Shqipërisë së robëruar, në vitet që pasuan, 1 Maji shërbeu jo vetëm si dita e punëtorëve, por edhe për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe të luftës për çlirimin nga zgjedha e huaj.

1898 - U lind Myslim Peza, komandanti i çetës së parë partizane që e krijoi në Pezë, menjëherë pas pushtimit të vendit. Ajo ka hyrë në historinë e Koalicionit Antifashist të popujve si çeta e parë antifashiste e krijuar në kontinentin tonë, si njësia e parë që hyri në luftë me pushtuesit italianë. Në shtëpinë e tij u mblodh Konferenca Nacional Çlirimtare e Pezës.

1889 - Mati Logoreci hapi shkollën e parë shqipe në Prizren, që ishte dhe shkolla e parë shqipe në Kosovë. Ai jepte atje mësimin e gjuhës shqipe dhe njëkohësisht ngjallte ndjesitë atdhetare tek brezi i ri.

1913 - Emetohet pulla e parë shqiptare. Ajo është një vulë e rumbullakët me diametër të jashtëm 37.8 milimetra. Me të janë vulosur 2232 pulla. Edhe tri emisione të tjera të Qeverisë së Vlorës u bënë me vulosje me dorë. Këto janë pullat e para shqiptare, shumë të rralla dhe me vlera të mëdha filatelike dhe monetare.

1918- Krijohet Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Nga nëntori i atij viti u vendos në Shkodër. Ishte organizatë politike kombëtare që luftoi për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë, të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Ai drejtohej nga Hoxhë Kadriu dhe atdhetarët e shquar Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica, Hysni Curri, etj.

1937  - U vra pranë brigjeve të Barcelonës i riu shqiptar Teni Konomi, vullnetar i brigadave ndërkombëtare, duke luftuar përkrah mijra vullnetarëve të tjerë antifashistë të ardhur nga të gjitha anët e botës. Konomi dhe vullnetarët e tjerë antifashistë shqiptarë luftonin edhe për atdheun e tyre, Shqipërinë, që rrezikohej nga pushtimi fashist që ndodhi vetëm dy vite më vonë.

1943 - 100 maturantë të Normales së Elbasanit morën armët dhe dolën malit për të luftuar në çetat partizane për lirinë e vendit. 63 normalistë ranë në fushën e nderit në luftë kundër nazifashizmit.

1945- Jugosllavia ishte vendi i parë që njohu shtetin shqiptar të dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe rivendosi marrëdhëniet diplomatike me të.

1947 - Filarmonia shtetërore dha premierën koreografike “Dasma shqiptare”, të bazuar mbi motivet e këngëve dhe valleve popullore. 

NGA BOTA 

1886 - Policia e Çikagos hapi zjarr dhe vrau shumë punëtorë, të cilët ishin hedhur në grevë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Tre vjet më vonë, Kongresi  Ndërkombëtar i II-të Socialist, i mbajtur në Paris, Francë, vendosi që dita e 1 Majit të festohet çdo vit si dita e luftës dhe solidaritetit të klasës punëtore në të gjithë botën. 

1707 - Anglia dhe Skocia u bashkuan nën emrin e Britanisë së Madhe. 

1873 - Mbretëresha Viktoria shpalli veten Perandore e Indisë. 

1884 - Filluan punimet për ngritjen e një ndërtese 10-të katëshe në Çikago, duke përdorur një skelet të vetëm prej çeliku. Në këtë mënyrë kjo ndërtesë bëhet grataçela e parë në botë. 

1898 - Në betejën e gjirit të Manilës, gjatë luftës spanjolle - amerikane, forcat amerikane shkatërruan flotën spanjolle duke bllokuar gjirin për tre muaj, para pushtimit të Manilës. 

1904 - Vdiq kompozitori çek, Antonin Dvorak, i njohur për simfoninë e nëntë të tij "Nga bota e Re". 

1925 - Qipro u bë zyrtarisht koloni britanike. Ajo i kaloi Britanisë nga Turqia në vitin 1878 dhe në vitin 1914 iu bashkua Perandorisë Britanike. 

1931 - U hap zyrtarisht godina 102 katëshe "Empire State Building" në Nju Jork, ndërtesë kjo që për kohën ishte  më e larta në botë. 

1937 - Piktori spanjoll Pablo Pikaso prodhoi bocetin e parë të kryeveprës së tij "Guernika", pesë ditë pasi  gjermanët bombarduan qytetin bask. 

1945 - Radio Hamburgu njoftoi zyrtarisht se Hitleri vdiq në Berlin. Po në këtë kohë udhëheqësi tjetër nazist Jozef Gebels kreu vetvrasje në bunkerin e tij në Berlin. Ndërkaq shtabi gjerman në Itali pranon formalisht një dorëzim pa  kushte. 

 1960 - Bashkimi Sovjetik rrëzoi një aeroplan spiun amerikan U-2 të pilotuar nga Frensis Geri Pauers. Ai u burgos më vonë përpara se të shkëmbeheshin me një shkëmbim spiunësh lindje-perëndim në shkurt të vitit 1962. 

1961 - Tanzania arriti vetëqeverisjen me Julius Nievere në postin e kryeministrit. 

1963 - Sir Uinston Çurçill shpalli tërheqjen e tij nga zgjedhjet e ardhshme. 

1967 - Elvis Priestley u martua me Prishik Bolie në Las Vegas. 

1978 - Naomi Uemura, një eksplorues japonez, u bë njeriu i parë në botë që arrin në Polin e Veriut, i vetëm. 

1982 - Në Poloni rreth 50 mijë mbështetës të Sindikatës së Lirë Polake demostruan në rrugë kundër regjimit ushtarak. 

1990 - Trupat kineze filluan tërheqjen nga kryeqyteti i Tibetit, Lhasa; kjo mbas heqjes së ligjit të luftës. 

1994 - Artion Sena, tre herë kampion i botës në garat automobilistike të Formula-1, vdiq pas një përplasjeje në  garën e San Marinos. 

1998 - Senati amerikan aprovoi anëtarësimin në NATO të Hungarisë, Polonisë dhe Çekisë. 

1999 - Gjatë konfliktit në Kosovë, një raketë e NATO-s goditi një autobus që po kalonte një urë në veri të Prishtinës duke u vrarë 39 vetë, shumica e të cilëve ishin fëmijë. 

1999 - U gjend në malin Everest trupi i alpinistit anglez Xhorxh Mallori, i zhdukur 75 vjet më parë gjatë një ekspedite alpinistike. 

2000 - Pesë fuqi bërthamore premtuan të zhdukin armët bërthamore. Në një deklaratë prej 23 pikash, SHBA,  Rusia, Franca, Britania dhe Kina bënë gjithashtu thirrje për forcimin e traktatit të vitit 1972 mbi Raketat Antibalistike  dhe tërthorazi iu referuan kundërshtimit të Izraelit për të nënshkruar traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore (NPT)./s.s./  


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.