E Djelë, 08.18.2019, 05:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
Ismail Kadare. E vërteta mbi krimet serbe duhet të dalë në dritë, Evropa ende nuk e di të vërtetën
E Martë, 06.09.2009, 12:13pm (GMT+1)

 

 

 

 

 

Pas 15 muajsh nga shpallja e Pavarësisë, shkrimtari i madh, Ismail Kadare, viziton Kosovën ku zhvilloi takime me krerët e shtetit të ri, por edhe me studentë. Në një intervistë dhënë në emisionin “Rubikon” në Tv “Kohavizion”, Kadare ofron vizionin e tij se çfarë duhet të bëjnë më shumë shqiptarët, që Pavarësia e Kosovës të njihet nga të gjithë. Sipas tij, diplomatët shqiptarë duhet të angazhohen më shumë, të jenë më energjikë, ndërkohë që e vërteta mbi krimet serbe në Kosovë duhet të dalë në dritë. Sipas Kadaresë, Evropa ende nuk e di të vërtetën. Gjithashtu Kadare u shpreh edhe për pranimin e Shqipërisë në NATO, zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe letërsinë.

Është hera e parë që vizitoni Kosovën pas shpalljes së Pavarësisë, ndani ndonjë emocion të veçantë?!
Natyrisht, çdo shqiptari do t’i vinte rasti që nuk jeton. Të vish pas Pavarësisë, ka diçka që ndryshon. Ndoshta thelbi nuk ndryshon, sepse ai ndryshoi kur Kosova u çlirua sigurisht, por edhe Pavarësia është një gjë sigurisht e madhe. Është ajo linja e lirisë që vazhdon, që forcohet.

Si e shihni procesin e njohjeve të shtetit të ri? Tashmë kemi rreth 60 njohje, mjafton kjo për këto 15 muaj?
Normalisht duhet të kishte më shumë, megjithatë nuk duhet të krijohet ndonjë brengë për gjithë atë keqkuptim që Kosova ka krijuar në shekullin XX dhe XXI. Ka pas shumë propagandë kundër Kosovës. Ne ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se sa forca, rrethana, rryma shoqërore, filozofike, publicistike e letrare kanë qenë kundër Kosovës. Ishte një botë e tërë që ishte lidhur me mbeturinat e botës komuniste dhe gjithashtu me fajet e Shqipërisë komuniste, e cila ka ndikuar kundër Kosovës. Kosova ka larë disa herë borxhe, që nuk ishin të saj dhe kështu që pritej kjo gjë, pritej një keqkuptim i madh, se keqkuptimi ishte që kur se një kohë të gjatë u lejua gjendja në Kosovë. Evropa një kontinent jashtëzakonisht i emancipuar, e kishte pranuar në heshtje këtë gjendje që ishte skandaloze. Ajo sigurisht, bëri shumë pastaj për ta shlyer dhe e shleu. Evropa ka bërë një aksion madhështor, i cili përpara se të ishte ushtarak, ishte emancipues për veten e saj. Ajo i bëri nder vetes që luftoi për popullin shqiptar. Nuk e themi këtë vetëm se jemi shqiptarë, por për çdo popull, që do ta bënte, do t’i bënte nder vetes. Cili është thelbi i asaj që po ndodh? Forcat që kanë qenë kundër këtij aksioni emancipues evropian, përpiqen në mënyra tinzare që ta neutralizojnë këtë aksion, si ai uji që gërryen shkëmbin çdo ditë. Ata përpiqen çdo ditë që ta revizionojnë, që të krijojnë një vizion të ri të ngjarjeve të Kosovës. Me dy fjalë vizioni është ky: që atje kanë ndodhur gjëra të pakëndshme, të rënda ndoshta, por si në çdo konflikt sigurisht në Ballkan, dy etni me 300 a 500 vjet armiqësi u përleshen më në fund dhe i krijuan dëme njëri-tjetrit. Kjo është strategjia. Ajo quhet simetrizimi i krimit dhe forcat antishqiptare kanë arritur një farë suksesi me këtë. E vërteta është që unë jam për parimin se çdo popull kur kritikon veten pastron veten e vet. Vetëkritika është një gjë shumë emancipuese, por kur ajo kthehet në të kundërtën e saj, në falsifikim të së vërtetës, ajo është shumë e shëmtuar.

Nganjëherë ne shqiptarëve na ka ndodhur që ta kritikojmë veten edhe më tepër se të tjerët. Ju keni folur shpesh për këtë...
Po, kam folur shpesh dhe jam kundër asaj që shqiptarët të dallohen. Ne jemi në një trend të historisë dhe toleranca nuk mund t’i kërkohet pesë ose gjashtë pasagjerëve, nëse janë në një tren. Toleranca i kërkohet vetëm njërit, dhe të tjerëve iu lejohet intoleranca. Toleranca duhet t’u kërkohet bashkërisht të gjithëve dhe të jetë e dënueshme intoleranca për të gjithë. Kjo po ndodh tashti. Është e drejtë që Evropa shpeshherë është kërkuese ndaj nesh. Unë e quaj në radhë të parë nder, por pastaj Evropës duhet t’ia bëjmë këtë vërejtje. Ajo duhet t’u kërkojë të tjerëve gjithashtu të njëjtat kritere, sepse paqja në Ballkan është e shtrenjtë për të gjithë. Nuk ka njeri me mend në Ballkan që të mos dojë që Ballkani të paqësohet, që Ballkani t’i lejë marrëzitë dhe të vihet në atë rrugë që duhet të ecë, drejt Evropës, drejt të ardhmes së vet. Kur themi drejt Evropës, është drejt të mirës së vet, sepse jemi pajtuar të gjithë se Evropë do ta quajmë çdo gjë të mirë që lidhet me të ardhmen e Ballkanit.
Pra nuk ka njeri në Ballkan që nuk e do këtë gjë, por e keqja është që nuk kuptohet si duhet nga disa dhe nga disa kuptohet e kundërta.

Ka disa vlerësime, sipas të cilave, pas Pavarësisë së Kosovës, Serbia është duke u marrë me të mirë nga Bashkimi Evropian, duke toleruar mosdorëzimin e të gjithë të akuzuarve për krime lufte. Ndërkohë në veri të Kosovës ka shumë më tepër pushtet Serbia, dhe toleranca i kërkohet gjithnjë Prishtinës zyrtare. Nuk kemi parë të jetë bërë ndonjë qortim i madh, apo është ndërmarrë ndonjë hap i madh ndaj Serbisë. Keni parasysh edhe këtë, për sa folët më parë?
Unë mendoj që në qoftë se dikush do t’i bëjë mirë edhe Serbisë është normale, nga vizioni evropian. Është normale që ajo të kërkojë të vejë në paqe popujt, ose faktorët që kanë qenë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Por varet ç’është e mira e një vendi e cila e tjetrit. E mira e Serbisë nuk është e keqja e shqiptarëve. Duket se po t’i bëhet diçka e keqe shqiptarëve, i bëhet mirë Serbisë. Përkundrazi, në fillim duket se është mirë për Serbinë, por është keq për të, është e njëjta dramë e vjetër që vazhdon. E mira e Serbisë është që ajo të demokratizohet, të paqësohet gjithashtu, t’i thotë lamtumirë pasioneve të egra që e çuan në atë bombardim që pësoi dhe të mos ngushëllohet me veten, ne tashti e morëm pjesën tonë të ndëshkimit dhe duhet të bëjmë prapë si përpara. Jo. Unë nuk e di, nuk bëj pjesë në organizmat evropiane, që të di se si gjykojnë ata, por jam i sigurt se po t’u shpjegohet miqve tanë evropianë me gjakftohtësi një gjë e tillë, ata do ta kuptojnë se ç’është e mira dhe ç’është e keqja e popujve në Ballkan. Mendimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshueshëm, e mira e çdo populli në Ballkan është e mirë kur është e mira e të gjithëve, ose të jetë pjesë e të mirës të përgjithshme. Nuk ka të mira që dëmtojnë të tjerët. Nëse duket se të mirat dëmtojnë të tjerët, do të thotë se dikush nuk ka të drejtë.

Ka edhe anën tjetër çështja e Pavarësisë së Kosovës, duke parë pak a shumë një dozë hezitimi nga vetë shqiptarët që të imponohen edhe më tutje. Shpesh ka kritika edhe për vet numrin e njohjeve që nganjëherë duket i vogël. Diplomacia shqiptare duhet të luajë një rol më të madh në këtë çështje..
Po, është e vërtetë një përshtypje e tillë. Sot në bisedë me miqtë u thash se pritet një aktivizim më i madh i diplomacisë kosovare. Kosova është si një luan i ri që ka dal në skenë dhe ajo duhet të jetë e vrullshme, duhet të ketë energji të madhe, më mirë nga energjia t’i shpëtojë ndonjë gabim se sa të jetë e mefshtë. Një shtet i ri, një komb që del në liri është gjithmonë energjik dhe prandaj përfaqësitë e saj në botë e sidomos në Evropë, atje ku vazhdon të vendoset fati i saj, të konsolidohet fati i saj, duhet të jenë më të vrullshme, më dinamike, të mos tuten, të bëhen të ndërgjegjshëm që ata kanë të drejtë, se liria që ata morën është e drejtë dhe mungesa e lirisë ishte turp për të gjithë. Pra, kurrsesi të mos bien në atë sugjestionin, i cili përpiqet të hapet nga pala tjetër, që ishte gabim ndëshkimi i Serbisë, rrjedhimisht ishte gabim që Kosova u çlirua. Kjo duhet hedhur me nënçmim, me përbuzje nga kushdo që thuhet edhe nëse thuhet nga një farë filozofi, shkencëtari ose njeriu me mjekër të bardhë, të cilit i dëgjohet çdo fjalë. T’i thuhet: zotëri, ti po flet kundër lirisë së një populli. Të flasësh kundër lirisë së një populli, siç është rasti i lirisë së Kosovës, që e kishte humbur dhe ishte turp për gjithë kontinentin evropian që vazhdonte të ishte në robëri në mes të lirisë evropiane. Pra, të vazhdosh të flasësh kështu, ti je një njeri i kapërcyer nga koha krejtësisht, njeri i errët që nuk duhesh të dëgjohesh më. S’kemi pse të kemi drojë ne që ta themi këtë, sepse nuk ka pasur ndrojtje nga fitimi i lirisë por vetëm një krenari të arsyeshme natyrisht, jo krenari boshe, krenari koti që të lë në vend, nuk të lë të ecësh përpara. Shqipëria dhe Kosova bashkë duhet të ndjehen mirë në këtë kohë. Evropa ka bërë luftë për ta, ata e merituan plotësisht, tërhoqën vëmendjen e këtij kontinenti dhe duhet të ruajnë këtë simpati. Këtë simpati duhet ta ruajnë mbi të gjitha për veten e tyre, sepse jetojnë në këtë kontinent, në këtë familje dhe duhet të jemi mirë me ta.

Ndërkohë, ka pasur edhe një që është quajtur bllokadë nga shtetet islamike, kurse kohëve të fundit u kalua edhe një rezolutë e cila nuk mbështet Pavarësinë e Kosovës, por mbështet përparimin e Kosovës dhe kërkon që Kosova të forcohet ekonomikisht, që u quajt dhe u vlerësua si një depërtim i ri atje. Deri më tani e kanë njohur Kosovën 13 nga 57 vende të Konferencës Islamike, kështu që edhe një herë po na shpërfaqet kjo çështja e fesë, që më herët thuhej se shqiptarët kanë mbetur peng i Evropës që është në masë të madhe e krishterë, kurse tani edhe duke qenë shumicë myslimane duket se nuk po mjafton shumë, pasi e gjithë politika hyn në rolin e Amerikës dhe luftërat e fundit sikur duket se kanë ndryshuar gjendjen, ndërsa kosovarët po mbesin peng i politikave të mëdha.
Mendoj se sigurisht është një lajm i mirë nëse është miratuar një rezolutë e tillë, ndonëse siç thatë ju, edhe unë kam parë se nuk ka qenë fort e qartë në shtyp dhe kështu është interpretuar.
Nuk kam informacion më tepër. Por duhet thënë nga ana tjetër, për hir të vërtetës, kjo ka qenë një njohje e ngadaltë nga këto vende dhe për çudi nuk ka pasur ndonjë arsye objektive. Unë nuk di, nuk shoh se ku u preken interesat e tyre, një hezitim kaq i gjatë. Duhet ta kishin njohur... Shumë mirë që e bënë atë që e bënë, me vonesë që e përmendet ju, por që të themi, të analizojmë se ka pasur këtë dhe atë arsye, unë nuk e kuptoj dot. Arsyet mund të jenë të papërfillshme, nostalgjira të vjetra me Titon, Nehrunë, Naserin..., ku ta di unë. Në qoftë se ata kanë mbetur rob i këtyre nostalgjive para 40 vjetëve, aq më keq për ta. Por nga ana tjetër, Kosova nuk duhet ta presë si dhuratë këtë gjë, nuk duhet. Nuk ka asnjë arsye objektive, njerëzore dhe morale nga çdo pikëpamje që të hezitohet kaq gjatë. Ka vetëm arsye të paqarta që tregojnë diçka të errët. Shtete që kanë bërë deklarata agresive kundër Kosovës për mua, kanë turpëruar veten e tyre moralisht, qëndrimi i tyre nuk justifikohet historikisht. Pse të jesh kundër një populli, çfarë ka bërë ai? Ka kërkuar lirinë e vet, e ka marrë më në fund. Këtë pas masakrave të tmerrshme, pas tragjedive të pafund që ende nuk janë përshkruar, se shqiptarët janë treguar shumë të kursyer në tregimet e atyre që kanë pësuar. Shqiptarët nuk kanë abuzuar me këtë gjë. E shoh se nuk është tërhequr vëmendja në botë për këtë gjë. Shqiptarët duhet t’i tregojnë Evropës, t’ia kujtojnë së paku se, “zotëri keni dëgjuar ndonjëherë që ne të përmbysim ndonjë avion ose të hedhim ndonjë bombë në kafenetë e Beogradit, apo të masakrojmë autobusë me serbë në mes të Beogradit”? Shumë e lehtë për ta bërë, aq më tepër shqiptarët janë kokëshkretë, nuk mund të thuash se janë aq të kujdesshëm, mund ta bënin, kanë etje për lavdi, sepse edhe këtë mund ta bëjnë, domethënë për t’u shtyrë nga motive negative...

Për t’u kënduar këngë shpesh...
Edhe për t’u kënduar këngë, por nuk e kanë bërë këtë. E kjo është një meritë, është një popull që ka qenë midis Evropës, ka luftuar për lirinë dhe nuk ka një akt frikësues kundër serbëve dhe duhet çmuar kjo gjë. Duhet çmuar që nuk po abuzon me krimet, nuk po nxjerr tërë ditën reklama me plagë, se ka tmerre që kanë ndodhur në Kosovë që bota ende nuk i di. Shpresa e këtyre formave revizioniste për ta rishkruar historinë është që sa të harrohen pak këto, njerëzve t’u krijohet një bindje se ka pas grirje e vrasje nga të dy palët. Kanë bërë dy palët marrëzira. Dikur kur vjen faza e tretë, do të thuhet shqiptarët ju kanë rënë në qafë serbëve, kështu do të përfundojë sipas mendjes së tyre një histori i tillë. Epo Shqipëria, Kosova, gjithë kombi shqiptar duhet të tregojë të vërtetën, jo për të nxitur armiqësi me serbët, përkundrazi për të filluar procesin e vërtetë të paqes me ta. Procesi i çdo paqeje, kur dy klane janë në konflikt, dy lagje, dy qytete ose dy kombe, fillon vetëm nga njohja e fajit të atij që ka bërë fajin kryesor, në qoftë se ka faj kryesor, dhe që nuk përjashton njohjen e fajit edhe nga ai që, për arsye hakmarrjeje e teproi me hakmarrjen e vet, përgjigjen e vet. Unë nuk jam kundër që ata shqiptarë që kanë bërë krime të dënohen, të dënohen aq sa kanë bërë, por të thuhet e vërteta kaq dhe kaq.

Këtu në Kosovë ditë më parë qëndroi edhe nënpresidenti amerikan Joe Biden, i cili erdhi në kuadër të në turi ballkanik, ku u ndal në Sarajevë, në Beograd dhe e fundit ishte në Prishtinë. Një nga mesazhet e fuqishme ishte se nuk do të ndahet Kosova dhe se pavarësia është e pakthyeshme. Ai tha se vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian. Ky mesazh nga Amerika vjen në kohën kur hezitimet rriten gjithnjë e më tepër në shumë kryeqendra evropiane se duhet thënë mjaft me integrimet në Bashkimin Evropian pas Kroacisë. Duhet edhe një herë roli i Amerikës për të shtyrë përpara çështjet e komplikuara në Ballkan?
Unë nuk jam specialist i politikës. Duhet të dimë që deklaratat politike janë shpesh herë të përhershme, ruajnë fuqinë e tyre një kohë të gjatë, por shpesh herë janë edhe të përkohshme. Vetë politika është një mekanizëm, një proces që ka fazat dhe ligjet e saj, prandaj ne duhet të dallojmë atë që është e qëndrueshme, e palëvizshme, siç thatë në deklaratën e Bidenit, që pavarësia është e pakthyeshme, Kosova nuk ndahet, vendi i saj në Bashkimin Evropian. Ky është lajmi i gëzuar. Në qoftë se mes këtyre lajmeve që çdo ditë merr administrata kosovare nga miqtë e saj ndërkombëtarë, mund të ketë edhe të tillë që kërkojnë sqarime, plotësime, atëherë Kosova duhet t’i bëjë ato në mënyrë të qetë, siç bëhet në mes miqve, siç bëhet në mes partnerësh, që do të thotë se në fund të fundit kanë qëllime të përbashkëta. Sqarimet për këtë arsye janë gjithmonë të dobishme.

Kaluan 10 vjet nga Konferenca e Rambouillet-së. Ju keni qenë të përfshirë, jeni konsultuar dhe keni ndikuar që të pranojë këtë marrëveshje, ndonëse ka pas shumë kritika ndaj saj. Si e vlerësoni 10 vjet pas, i jeni kthyer edhe në disa intervista duke thënë se ka qenë mundësia e fundit për t’u rreshtuar nga perëndimi?
U ndodha në Paris, kur ndodhën këto ngjarje dhe kam bërë një gjë të zakonshme, detyrë normale të një qytetari shqiptar, të një bashkëkombësi me shqiptarët e Kosovës. Mund edhe të kisha mbajtur një qëndrim tjetër, mund edhe të gaboja, por më vjen mirë ta kujtoj, që qëndrimi që kam mbajtur ka qenë i drejtë. Sigurisht isha i bindur që kisha të drejtë, por mendja më ka shkuar se unë nuk di ndonjë të fshehtë dhe mund të kem gabuar. Shumë shpejt e kuptova që unë kisha pasur të drejtë dhe kjo më jep një kënaqësi të madhe. Unë kam treguar një episod tjetër, kur kam qenë në dilemë se a kam pasur të drejtë apo jo, kur në prag të ndërhyrjes evropiane në Shqipëri në 97-ën, më kanë pyetur në atë mëngjes në një emision në radio. Një gazetar i shquar më pyeti gati si në emër të Francës: “Ju propozoni që të ndërhyjë Evropa ushtarakisht për t’i dhënë fund anarkisë në Shqipëri, por zotëri Kadare, a jeni i sigurt se shqiptarët nuk do të gjuajnë me armë ndaj Evropës, duke marrë parasysh se kanë pasur gjithmonë armë?” Edhe unë shumë i sigurt i thash se shqiptarët nuk do të gjuajnë me armë. Por më pas, duke hipur në taksi, i thashë sime shoqeje: “më duket se dhashë një premtim pa menduar mirë, sepse tashti që po e mendoj më duket se mos ndodh e kundërta dhe shqiptarët do të gjuajnë me armë”. Pastaj thash: “punë e madhe, mjafton të bëhet ndërhyrja dhe unë do të turpërohem, nuk do të më dalë fjala”.

Kjo nuk ndodhi, evropianët nuk gjuajtën as në Kosovë as në Shqipëri me armë...
Për fat të mirë! Shikoni se si njeriu mund të ketë dilema, mund të bëjë edhe gabime, mund të bëjë ndonjë premtim pa menduar mirë, s’jemi të pagabueshëm.

Ndërkohë, ajo gjuajte me armë në vitin e largët 1997, duket e largët. Tanimë Shqipëria është anëtarësuar në NATO, u bë edhe vet pjesë e forcave ushtarake, aleancës më të fuqishme në botë. Çka do të thotë kjo për shqiptarët në përgjithësi?
Në Shqipëri u bë një festë e madhe për pranimin në NATO, disa e quajtën një gëzim të tepruar, sepse kroatët nuk u gëzuan dhe aq. Po punë e madhe, kroatët nuk u gëzuan dhe aq, është punë e tyre. Është punë e jona që u gëzuam më tepër seç duhet sipas tyre. Unë nuk mendoj se ne u gëzuam më tepër seç duhet, ne u gëzuam aq sa duhej. Ne u vendosëm për herë të parë në një aleancë, jo vetëm ushtarake, por edhe politike, më të madhen dhe më të emancipuarën në botë. Kemi pas qenë në aleanca të tjera, kryesisht në Traktatin e Varshavës, e cila ishte një aleancë e gabuar për ne, sikurse ishte e gabuar e gjithë vendosja jonë në strategjinë botërore në atë kohë. Prandaj, ne u gjendëm në një aleancë më të madhen në botë. Kjo aleancë ka bërë luftë për popullin shqiptar dhe më duket se ne ende nuk jemi të ndërgjegjshëm për këtë gjë. Kështu që ironia ishte, në këtë rast, nga ana e disa shqiptarëve fare e pavend, për të mos thënë qe ishte rrezatim i tërthortë, do të thosha, i një snobizmi kombëtar dhe ndërkombëtar rrotull shqiptarëve, që nuk ju ka ardhur mirë për këtë gjë.

Ka filluar fushata zgjedhore në Shqipëri, ju më herët keni thënë se është mirë që të ndërrohen kohë pas kohe pushtetet. Çfarë prisni nga këto zgjedhje në Shqipëri?
Unë pres që të zhvillohen mirë mbi të gjitha, të zhvillohen ashtu siç kërkojnë standardet e botës së qytetëruar. Kjo është mbi të gjitha.

Pavarësisht se kush fiton?
Pavarësisht se kush fiton.

Të flasim pak shkurt për letërsinë. Keni qenë në listën e ngushtë edhe të një çmimi të madh ndërkombëtar, ku shpërblehen shkrimtarët që nuk shkruajnë drejtpërdrejt në gjuhën angleze, pra përkthehen, është fjala për “Independent Foreign Fiction Prize”. Ishit në mesin e 6 të përzgjedhurve, nga dhjetëra mijëra libra që mund të përkthehen gjatë një viti në gjuhën angleze. Si e vlerësoni, keni filluar gjithnjë e më tepër që të jeni në rrethin e ngushtë ose edhe të fitoni çmime ndërkombëtare..
Më ka qëlluar që edhe kam marr shpërblime. Për një shkrimtar është normale që të marrë shpërblime, siç është normale të mos marrë, bile në shumicën e rasteve nuk merr. Në këtë rast bëhej fjalë për romanin “Kështjella”. Për mua është kënaqësi që libri im, që e kam shkruar 40 vjet përpara, në kulmin e asaj që quhet botë komuniste, më 1970, ndërsa e kam shkruar një vit më herët, papritur në vitin 2009 figuron në mesin e 6 librave që mund të pretendonin çmim në Angli nga letërsia botërore. Është vërtetë prekëse, kam qenë i ri kur e kam shkruar. Të më thoshte njeri që do të vinte koha që ky libër të konkurronte në Britaninë e Madhe pas 40 vjetësh do të ishte e pabesueshme.

Në një intervistë për shtypin zviceran “Mua ma thotë mendja se nuk ka shkrimtar politik, ose aq më tepër sa i përket letërsisë së mirëfilltë, nuk ka fare shkrimtar politik”. Është një përkufizim që e keni thënë pas shumë polemikash se ju keni qenë në shërbim të regjimit. Keni vendosur së fundi ta përjashtoni rolin e një shkrimtari në sistemet politike të vendeve të ndryshme, këtë herë Shqipërisë?
Po, atë mendim kam. Nuk ka shkrimtarë politikë, nuk ka shkrimtarë historikë, s’ka shkrimtarë policorë. Letërsia është një, pavarësisht si shfrytëzohet ajo, se si spekulohet me të.

Ku po qëndron letërsia shqiptare në përgjithësi sot në arenën ndërkombëtare?
Letërsia shqiptare është ndër letërsitë e njohura të Ballkanit. Nuk është fare e vërtetë ajo që thuhet se nuk e njeh askush. Nuk është e vërtetë. Ka shumë vende në Evropë që kanë letërsinë më pak të njohur se ajo shqiptare.

Është një shkrimtar që përkthehet në shumë gjuhë, është Fatos Kongoli. Çfarë mendimi ndani ju për të?
Po, është shkrimtar i mirë. Është i përkthyer në disa vende, shkrimtar serioz.

Mund të na tregoni çfarë mund të presim nga aspekti i letërsisë nga ju?
Ndonjë libër...

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Die Welt: Pse ne italianët i duam dobësitë e Berluskonit Nga Xhuliano Ferrara (06.08.2009)
The New York Times: Zgjidhja e lëmshit në BallkanNga William Montgomery (06.07.2009)
Në prag të 65 vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Normandi (06.06.2009)
Komiteti i Helsinkit në Kongresin Amerikan organizoi një bisedë mbi zgjedhjet parlamentare 2009 (06.06.2009)
Financial Times: Shteti i sapolindur përgjon drejt së ardhmes së mjegulluar (06.05.2009)
Shtypi gjerman komenton raportin e Obamas me botën arabe (06.05.2009)
Fjalimi i Presidentit Obama drejtuar myslimanëve në mbarë botën (06.05.2009)
Komisioni i Helsinkit analizon situatën para zgjedhjeve në Shqipëri (06.05.2009)
Përvjetori i gjashtëdhjetepestë i zbarkimit të forcave aleate në Normandi (06.02.2009)
Industria e diamantit në Botsvanë (05.31.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2019  
D H M M E P S
        1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]