VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Qytetarët e Kosovës bojkotojnë në heshtje mallrat maqedonase
E Mërkurë, 06.17.2009, 03:16pm (GMT1)

 

Për rreth 30 përqind ka rënë eksporti i mallrave të Maqedonisë në Kosovë, thuhet në një raport të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK).

Sipas tij, theksohet se kjo gjendje është si pasojë e mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, gjë që ka shmangur interesin dhe iritimin e bizneseve kosovare për të bashkëpunuar me Maqedoninë, e cila tregohet indiferente ndaj shtetit të ri fqinj.

Sipas të dhënave të ESK-së, në tre muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, eksporti i mallrave të Maqedonisë në Kosovë ka shënuar rënie për 29,1 për qind, ndërsa poashtu edhe eksporti i mallrave kosovare në Maqedoni ka shënuar rënie për 9 për qind.

Në drejtim të zbutjes së kësaj situate, një delegacion i Odës Ekonomike të Maqedonisë (OEM) i udhëhequr nga kryetari Branko Azeski dje ka qëndruar në Prishtinë me ftesë të kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj.

Në këtë takim është shqyrtuar gjendja e krijuar pas acarimit të marrëdhënieve dypalëshe me rastin e mosrealizimit të vizitës së presidentit Sejdiu në Shkup, por edhe paraprakisht për shkak të mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Xhemail Dauti ka theksuar se nuk është kjo si një ndër faktorët për uljen e përqindjes, por sipas tij, duhet ridefinuar marrëveshja midis dy vendeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

“Normalisht se ka ndikime mosvendosja e marrëdhënieve diplomatike. Por kjo nuk është ndër faktorët kryesor. Kemi kërkuar që në bashkëpunim me ministrinë e ekonomisë të ridefinojmë marrëveshjet për bashkëpunim ekonomik midis Kosovës dhe Maqedonisë” , ka theksuar Dauti.

Maqedonia është eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë, që arrinë një shifër prej mbi 300 milion euro, ndërsa eksporti i mallrave kosovare në të kundërtën arrin vetëm rreth 7,5 milion euro.

Bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Kosovës në planin ekonomik akoma nuk është i zhvilluar sa duhet dhe ekzistojnë mënyra të shumta për thellimin e këtij bashkëpunimi.

Ky është konkluzioni i dalë nga një takim i përbashkët mes Odës ekonomike të Maqedonisë dhe asaj të Kosovës, që u mbajt dje në Prishtinë.

Në këtë takim biznesmenët e të dy vendeve fqinje kanë kërkuar nënshkrimin e një marrëveshje për evitimin e tatimit të dyfishtë dhe përmirësimin e infrastrukturës kufitare si dhe rregullimin e vendkalimeve kufitare moderne që do lehtësonin kalimin e mallrave dhe njerëzve.

Të pranishmit në këtë takim kanë theksuar se politika nuk është mirë të ndikojë në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.NOA-INA

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.