VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BARDHYL AJETI NË MEMORIALIN E GAZETARËVE NË ARLINGTON NDËRSA NË KOSOVË MBULOHET ME HESHTJE 

Nga Elida BUÇPAPAJ


E Enjte, 06.25.2009, 07:29am (GMT1)



 

Sot bëhen dy vjet prej vrasjes të gazetarit 28 vjeçar Bardhyl Ajeti, pas një agonie 21 ditore prej plagosjes nga    dora e zezë e krimit politik që vazhdon në Kosovë të marrë jetë gazetarësh. Dy vjet pas vrasjes, asgjë nuk është zbardhur, nuk janë zbuluar as dorasit që ekzekutuan krimin dhe as ideatorët e tyre. Në vend të zbardhjes dhe në mungesë të plotë të solidaritetit ndaj gazetarit të Bota Sot, shtypi i majtë fill pas plagosjes dhe përgjatë kohës kur ai ishte në gjendje koma, u mbush me insinuata dhe shpifje në adresë të Bardhylit. Ndërsa periudha dy vjeçare e pas vrasjes e mbulua nga heshtja, që do të thotë se pjesa më e madhe e gazetarëve në Kosovë është nën diktatin e politikave botuese që ushtron politika e cila e mban financiarisht këtë shtyp.

Askush në Prishtinë, veç gazetës Bota Sot dhe disa emrave të përveçëm të politikës të Kosovës, nuk guxon ta kujtojë Bardhyl Ajetin, gazetarin 28 vjeçar, i cili idealizoi politikanët e Kosovës, duke besuar se çlirimi i Kosovës i kishte çliruar ata nga e djeshmja.

Por teksa në Prishtinë Bardhy Ajeti kujtohet me heshtjen që e komprometon klasën politike të Kosovës, e cila edhe sot e kësaj dite i ka lënë të lirë vrasësit e Bardhyl Ajetit, në SHBA emri i Bardhyl Ajetit është i skalitur në Memorialin e Gazetarëve të Forumit të Lirisë që ndodhet në pikën më të lartë të Parkut të Lirisë (Freedom Park ) të qytetit Arlington, Va në rrethinat e Washington D.C., pranë rrjedhës të Lumit Potamok (që njihet nën emrin Lumi Kombëtar i Amerikanëve) me sytë kthyer nga nga Monumentet e Washington –it,  Jefferson-it, Lincoln-it dhe Katedrales Nacionale.

Parku i Lirisë është një muzeum i hapur formuar në vitin 1996 me qëllimin të përkujtojë dhe nderojë shpirtin e lirisë, si dhe luftën që bëhet për ta ruajtur e mbrojtur atë. Në këtë Park- Muze të hapur janë të ekspozuara gurë nga getoja e Warshavës; një statujë pa kokë e Leninit, njëra prej atyre të shumtave që u rrëzuan në 1991; dera e qelës e derdhur në bronz e Marthin Luther King Jr. kur ishte në burgun e Birminham-it; figura refugjatësh kubanë të derdhur po ashtu në bronz; një kopje e Perëndeshës së Demokracisë, njohur si Shpirti i Demokracisë,  dhjetë metra e lartë, e cila u krijua gjatë Protestave të 1989-tës në Sheshit Tienanmen nga studentët e Akademisë Qendrore të Arteve të Bukura si simbol i idealeve të tyre; në Parkun-Muze ndodhen edhe copa nga Muri i Berlinit pas rrëzimit të tij, pjesa më e madhe jashtë Gjermanisë, i mbushur me shkrimet dhe grafitet e kohës.

Parku i Lirisë është një bashkim midis tij, Newseum (Muzeut të Lajmeve dhe Gazetarisë), Forumit të Lirisë dhe Memorialit të Gazetarëve në trupin e të cilit deri në vitin 2006 ishin emrat e 1665 gazetarëve, midis tyre edhe emri i Bardhyl Ajetit, gazetar i Bota Sot. Ky Memorial është një strukturë çeliku dhe xhami dikrorik pak më e lartë se 7 metra, i cili në mëngjes ngjan me një shtjellë spirale të fuqishme ajri, ku në panelet me emrat e gdhendur të gazetarëve të vrarë reflektojnë ngjyrat e ylberit. Lista e gjatë e emrave shtohet për çdo vit prej gazetarëve të rinj të cilët vriten. Kur të mos vriten më gazetarët, atëhere e gjithë bota do të jetë e lirë.

Kriteri i Memorialit është përfshirja në këtë listë e të gjithë atyre gazetarëve që vriten në krye të detyrës, duke ushtruar funksionin e gazetarit, siç ishte edhe rasti i Bardhyl Ajetit. Forumi i Lirisë bashkëpunon me CPJ, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (Committee to Protect Journalist) me qendër në New York që mbulon gjithë botën.

Emri i Bardhyl Ajetit ndodhet midis emrit të gazetares Veronica Guerin që mbulonte krimin e organizuar në Irlandën e Veriut; Elijah Lovejoy, i cili u vra sepse i kishte shpallur luftë skllavërisë; Ernie Pyle, që mbulonte nga fronti Luftën e Dytë Botërore; Don Bolles, që denonconte korrupsionin, Daniel Pearl nga forcat barbarike të al-Qaeda-s.

Kësaj liste këtij viti do t’i shtohen midis të tjerëve edhe emri i gazetares ruse Anna Politkovskaya që e vranë teksa kthehej në shtëpi sikur Bardhyl Ajeti, sikur janë vrarë edhe Enver Maloku, Xhemail Mustafaj, të cilët duhet t’i shtohen kësaj liste, ashtu siç duhet t’i shtohen edhe emrat e Ali Ukajt, Shefki Popovës, Bekim Kastratit të cilët me veprimtarinë e tyre nuk kanë bërë gjë tjetër veç kanë sakrifikuar jetën.

Siç thotë edhe një sentencë e Thomas Jefferson-it gdhendur në faqen ballore të Memorialit, se "Zhvillimi i lirisë së mendjes njerëzore…lirisë së shtypit, kërkon që çdo shpirt të jetë i gatshëm të sakrifikojë për këtë liri…” Por që të sakrifikojë për lirinë, ky shpirt duhet të jetë së pari vetë i lirë, siç ishte Bardhyl Ajeti, ndryshe nga klasa politike dhe pjesa më e madhe e gazetarëve të Kosovës, që rrinë me gojë të kyçur të urdhëruar nga politika, të cilën emri i Bardhyl Ajeti në Memorialin e Gazetarëve në Arlington i denoncon sot dy vjet pas vrasjes të pazbardhur dhe heshtjes që e ka mbuluar këtë vrasje.

Qendrimi i politikës në Kosovë ndaj Bardhyl Ajetit, Enver Malokut, Xhemajl Mustafajt, Ali Ukajt, Bekim Kastratit, Shefki Popovës reflekton veç dobësinë e kësaj klasa politike. Dhe, sa më tepër që ata të heshtin, kjo heshtje nuk iu bëhet martirëve të fjalës së lirë, nuk i bëhet Bardhyl Ajetit, por i diskretion heshtësit, ata që ndalojnë t’i blatohen Bardhyl Ajetit nderime në ditën e vrasjes, në Ditën Ndërkombëtare të Shtypit, në çdo ditë të lume, të cilët janë kaq cinikë dhe të verbër sa bëjnë sikur nuk e shohin se emri dhe vepra e Bardhyl Ajetit nderohet në Memorialin e Nderit në Arlington, Va, dy hapa larg Washington D.C. .

Politikanët e Kosovës  dhe të gjithë ata shqiptarë nga Kosova dhe trevat shqiptare që e kanë  vizituar Washington D.C. duhet të ishin ndalur patjetër në Memorialin e Gazetarëve. Për të shkuar atje mafton të marrësh metronë, Metroreil në Washington, D.C. me destinacion  Arlingon Va. Asgjë nuk i kishte ndalur ata që të çonin një tufë me lule në Parkun e Lirisë ku ndodhet Memoriali për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre gazetarëve si Bardhyl Ajeti, të cilët lirinë dhe ndërtimin e demokracisë e vlerësuan si gjënë më të rëndësishme dhe të çmuar të jetës së tyre, sepse në fakt, kështu është, dhe për të sakrifikuan jetën.

Sepse nëse nuk ktheheni aty, Bardhyl Ajeti ju shikon me habi prej lartësive të Memorialit në Arlington, nga ku shihen si në pëllëmbën e dorës Monumentet e baballarëve të Amerikës, buzë Lumit Potomak, të cilit poeti i madh Walt Whitman i ka kushtuar poezinë “Bregut të gjërë të Lumit Potomak” (Broad Potomac's Shore” ), atje “ku çdo vit shpërthejnë lulet e kuqe të gjakut” dhe “bari është i përjetshëm”.

 
 

 

Ky shkrim është shkruar me rastin e 2 vjetorit të vrasjes të Bardhyl Ajetit.

 

 


Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.