VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

100 vjet nga fluturimi i parë ndërkombëtar
E Djelë, 07.26.2009, 08:48am (GMT1)

 

 

Një grup entuziastësh të aviacionit, banorë e funksionarë të qytetit Kale në Francë u mblodhën sot për të përkujtuar një moment historik për aviacionin. 100 vjet më parë, Louis Bleriot ndërmori udhëtimin e parë ndërkombëtar, duke u nisur nga Franca e duke zbritur në brigjet e Anglisë. Ky udhëtim shënoi lindjen e një epoke të re për njerëzimin.

Një pilot u nis sot në mëngjes nga Kaleja me një avion me një motor për të kaluar Kanalin e Lamanshit si dhe për të përkujtuar një udhëtim të tillë mbi një shekull më parë.

Louis Bleriot konsiderohej i çmendur nga vetë e ëma, e cila u pat thënë miqve se i biri donte të fluturonte nga Franca në Angli me një balonë.

Por Bleriot nuk u mpak nga mëdyshjet e të tjerëve dhe në vitin 1909 ndërmori udhëtimin epik nga Kaleja në Dover me shpikjen e tij që kishte rrota biçiklete dhe një helikë prej druri.

Avioni i përdorur prej tij u prodhua më pas në 800 kopie dhe u vu në veprim në Luftën e Parë Botërore nga forcat ajrore.

Sot piloti Edmond Salis u nis me një avion të ngjashëm nga një aerodrom pranë brigjeve të Kalesë në përpjekje për të ri-krijuar fluturimin historik të Bleriot-së.

“Është një rast unik për të përkujtuar 100-vjetorin e fluturimit të parë ndërkombëtar.”

Spektatorët e mbledhur sot në Kale ishin veshur me konstume të kohës dhe kishin ardhur me makina të fillimit të shekullit të 20. Ndër ta ishin edhe pasardhës të aviatorit Bleriot.

Një përfaqësuese e bashkisë mbajti fjalën e hapjes së aktivitetit:

Është një ngjarje e jashtëzakonshme. 100-vjetori shënohet vetëm një herë dhe ky ishte një moment shumë unik pasi shënoi fillimin e aviacionit.

Fluturimi i Bleriot u realizua 6 vjet pasi vëllezërit Wright përmbushën me sukses fluturimin e tyre mbi tokë në Kitty Hawk të Karolinës së Veriut. Vetë Bleriot kishte shpenzuar 10 vjet kohë dhe të gjithë paratë që kishte në projektin e tij. Në mbrëmjen e 25 korrikut 1909, i shoqëruar nga disa miq, ai e vendosi avionin në pozicion nisjeje. Para orës pesë të mëgjesit ai u nis drejt Doverit të Anglisë. Vetëm 38 minuta më pas ëndrra e tij u bë realitet kur zbriti në anën tjetër të Lamanshit. Zbritja ishte me probleme dhe avioni u dëmtua, pasi Bleriot ishte detyruar ta fikte motorrin 20 metra mbi tokë. Megjithatë, fluturimi shënoi një moment historik për aviacionin. /za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.