E Djelë, 08.18.2019, 01:26pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
"Shqipëria më shumë se në proces transformimi është në proces themelimi"
E Mërkurë, 07.29.2009, 07:13am (GMT+1)

 

 

 

 

Si e shikoni Shqipërinë në kohën që keni qenë këtu? Çfarë është Shqipëria për ju?

 

Shqipëria është një shoqëri që ndodhet ndërmjet traumës së të kaluarës, pjesë e asaj që bënë, një ikje nga e kaluara dhe një superim i së shkuarës dhe ajo që e tërheq nga e ardhmja, që shpeshherë e kërkon jashtë vetes, e identifikon me integrimin evropian, por që njëkohësisht duhet ta kërkojë edhe brenda vetes së saj. E shoh si një shoqëri që ndodhet në këtë proces zbulimi dhe që tenton të shkruajë historinë si një opsion më shumë për të ardhmen e saj, më shumë sesa kjo si një superim i së shkuarës së saj.

 

 

Çfarë shikoni të veçantë në Shqipëri? Çfarë do të veçonit, nëse ju pyesin: çfarë merrni me vete nga Shqipëria?

 

Për mua si një spanjoll mendoj se Shqipëria ka një ndjenjë të përbashkët mesdhetare për jetën. Ajo që do të marr me vete është ndjesia që, pavarësisht historisë së vështirë që ka pasur Shqipëria, ka aftësinë për të rikonfirmuar jetën dhe për të rikonfirmuar shpresën. Mendoj që ndoshta kjo është esenca e kulturës shqiptare.

 

 

Shqipëria tashmë ndodhet pas një procesi elektoral që nuk ka mbaruar ende. Doja të dija, cili është vizioni juaj për procesin e ndryshimit politik, por edhe transformimeve në përgjithësi që po përjeton Shqipëria?

 

Besoj se Shqipëria po kalon një proces që më shumë se transformim është një themelim. Është themelimi i një regjimi dhe i një sistemi politik që nënkupton disa institucione të reja të shtetit. Një shtet, në të cilin ka pavarësi dhe ekuilibër të pushteteve të ndryshme dhe kjo nënkupton, jo vetëm të përcaktojmë se kush është në krye të këtyre institucioneve, por njëkohësisht nënkupton edhe stabilitetin e këtyre institucioneve nëpërmjet stabilitetit të administratës. Nga ana tjetër, nënkupton njëkohësisht disa rregulla loje të qarta mbi atë se si mund të hysh në pushtetin politik dhe ky është kuptimi që ka një proces elektoral. Në fund të fundit sfida është që shqiptarët të arrijnë të kuptojnë përtej çështjeve teknike në lidhje me procesin zgjedhor. Duhet të kuptojnë se duke iu bindur ligjit, siç thoshte Ruso, njeriu i bindet vetvetes. Dhe ajo që bëjnë përgjegjësit elektoralë në kutitë e votimit i përgjigjet mandatit që jepet dhe kjo është themelore për konsolidimin e këtij shteti të ri, dhe kjo nënkupton disa sfida teknike dhe ligjore, por edhe sfida të ndryshimit të mentalitetit dhe të paradigmave. Në këtë kuptim besoj se një pyetje e madhe që duhet të bëjnë shqiptarët dhe çdo shoqëri në ndryshim është ajo që John Kennedy bëri përpara Murit të Berlinit: “Mos pyet se çfarë mund të bëjë Amerika për ty, por pyet se çfarë ti do të bësh për Amerikën”. Është e njëjta gjë: “Mos pyet se çfarë mund të bëjë Shqipëria për ty, por se çfarë mund të bësh ti për Shqipërinë”. Në masën se sa ndryshimi i kësaj paradigme mund të ndodhë, se sa mund të ndodhë ky ndryshim mentaliteti, njëkohësisht ky proces ndryshimi që po përjeton shoqëria mund të përfundojë në mënyrë të tillë që shqiptarët të ndjehen të pajtuar dhe në paqe me veten e tyre.

 

 

Zoti ambasador, ju keni qenë edhe vëzhgues i këtyre zgjedhjeve. Çfarë rëndësie ka për ju ky proces elektoral?

 

Mendoj se në radhë të parë ka një rëndësi esenciale që nuk jam në gjendje ta mas, që është rëndësia që ka për vetë qytetarët shqiptarë. Çështja kryesore që lidhet me këtë proces është nëse çdo qytetar shqiptar, kur kthehet në shtëpi, pasi ka votuar dhe pasi sheh rezultatin, ndjen që jeton në një shoqëri të lirë dhe që ka mundur të ushtrojë të drejtën e tij për të influencuar në vendime kolektive dhe që më pas qeveria do t’i marrë parasysh dhe do t’i bindet. Kjo mendoj se është pyetja kryesore. Kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjemi. Nuk mund t’i përgjigjemi ne ndërkombëtarët ashtu si na përcaktojnë ne përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Mendoj se rëndësia themelore, kryesore, është për shqiptarët. Nëse ata kërkojnë të jenë pjesë e një komuniteti më të gjerë, pra duan të hyjnë në një klub që ka disa rregulla loje, anëtarët e tjerë të klubit në momentin që vlerësojnë, nëse duan të kenë apo jo një anëtar të ri, do të gjykojnë, nëse ky anëtar i ri i përmbush ato kushte të nevojshme. Për këtë arsye mendoj se ky proces elektoral ka një rëndësi për momentin historik që po përjeton Shqipëria. Natyrisht, nga ana gjeografike, Shqipëria i përmbush kushtet për të hyrë në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht duhet të përmbushë edhe kriteret ekonomike, politike dhe teknike dhe në këtë kuptim është e dukshme rëndësia që kanë në këtë perspektivë. Mendoj se e rëndësishme dhe fondamentale është që të kuptojmë se për çdo anëtar të Komunitetit Evropian, nëse kryen një proces elektoral, në një formë apo tjetër, nuk është që të tjerët të mendojnë që është bërë mirë apo keq, por të bëhet në mënyrë që qytetarët e këtij shteti t’i kenë këto standarde dhe ky është qëllimi kryesor.

 

 

Ju jeni ambasadori i parë i Spanjës në Shqipëri. Çfarë përparimesh ka pasur në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës në momentin sa arritëm të kemi edhe një ambasadë spanjolle në Tiranë?

 

Unë mendoj që marrëdhëniet tona kanë pasur një impuls të madh, një hov të madh përpara, sepse fakti që është themeluar kjo ambasadë ka nënkuptuar një sërë iniciativash paraprake, që kanë bërë të mundur të kalohet nga një pikë ekuilibri me intensitet të ulët në një pikë tjetër me intensitet të lartë. Është zhvilluar një program shumë ambicioz bashkëpunimi me 24 projekte në shumë fusha. Me një programacion kulturor shumë ambicioz. Ka një zhvillim sa i përket njohjes së spanjishtes në Shqipëri, ka një bashkëpunim strategjik në pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bashkimin për Mesdheun, në mbështetjen për reformën e Kombeve të Bashkuara, ku për momentin Spanja është donatori më i madh i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Bashkëpunojmë në zhvillimin e aleancës së qytetërimeve dhe Spanja besoj që është një vend që ka eksperimentuar në Komunitetin Evropian mjaftueshëm sa për të përcjellë eksperiencën e saj, por njëkohësisht e ka shumë të afërt memorien e saj të adaptimit, në mënyrë që të mund ta transferojë këtë njohuri dhe eksperiencë më mirë se ç’mund ta bëjnë vendet e tjera në lidhje me Shqipërinë. Në këtë kuptim kemi kaluar nga kjo pikë me intensitet të ulët, ku kishte një simpati të përbashkët, por pak tema diskutimi në axhendë, në një pikë tjetër me intensitet të lartë, që nuk është evident në momentin që qëndron në atë që nivel që është, sepse është rezultat i këtij hovi të parë. Në fund të fundit, në mënyrë që kjo pikë të jetë në këtë nivel që është, varet jo vetëm nga fakti që shteti spanjoll po bën përpjekjet e tij dhe që qeveria shqiptare po i përgjigjet në shumë fusha, por varet edhe nga gjithë aktorët e rëndësishëm, jo vetëm të shtetit, por edhe të shoqërisë. Varet nga fakti që shqiptarët interesohen për kulturën spanjolle, që ne spanjollet interesohemi për kulturën shqiptare; varet nga fakti që firmat tona të biznesit ta identifikojnë Shqipërinë si një vend ku mund të bëjnë investimet e tyre, varet nga fakti që universitetet tona të shkëmbejnë njëri me tjetrin, varet nga shumë e shumë faktorë të tjerë. Në këtë kuptim besoj që çdo ambasadë është një katalizator. Ne po katalizojmë shumë gjëra, por çdo vend mund të parashtrojë, nëse e do një gjë të tillë. Pra, ne kemi vënë në lëvizje motorin e një procesi, por se ku do të shkojë ky proces varet pak nga të gjithë. Besoj që dyert janë të hapura dhe që e ardhmja është një letër e bardhë që do të shkruhet, dhe mund të arrijmë aq lart sa do të dëshirojmë. Ne kemi një potencialitet shumë të madh simpatie, mirëkuptimi të përbashkët dhe që është e vështirë të mos gjesh shqiptarë dhe spanjollë dhe të mos kapësh atë ndjesinë e gjashtë mes njëri-tjetrit. Pra ka një sfidë të përbashkët njohjeje, por që njohja sjell dashurinë, kështu që, kur duhen, atëherë zhvillohet edhe më shumë një marrëdhënie.

 

 

Ajo që aspiron Shqipëria është Bashkimi Evropian. Është një rrugë drejt së cilës ajo po ecën. Si e mbështet Spanja Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian?

 

Spanja po e mbështet Shqipërinë në tri forma. Në radhë të parë nëpërmjet projekteve konkrete të bashkëpunimit, p.sh., Spanja ka kremtuar për herë të parë jashtë territorit të saj këtu në Shqipëri kursin që shkolla jonë diplomatike i ofron zyrtarëve shqiptarë që merren me integrimin evropian. Kemi ndihmuar për të formuar Shqipërinë në administrimin e fondeve, në lidhje me fondet e Komunitetit Evropian, në adaptimin e aspekteve të ndryshme të administratës shqiptare në standardet që kërkon Bashkimi Evropian, duke filluar nga reforma dhe krijimi i një modeli të ri të avokaturës së shtetit, nga reforma e sistemit detar, administratës detare, në formimin e ekspertëve në lidhje me barazinë gjinore, në reformën e burgjeve për të arritur standarde evropiane apo në reformën e Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë kuptim unë mendoj se ka një paketë projektesh, ku ne transferojmë eksperiencën tonë. Nga ana tjetër, kjo paketë kompletohet në një sërë konferencash, ku ne ndajmë eksperiencën tonë të integrimit evropian dhe opinionet tona mbi çështje të rëndësishme globale. Kjo në radhë të parë, dhe në radhë të dytë ndihmon nëpërmjet dialogut politik. Një temë shumë e rëndësishme në biseda që kanë pasur qeveritë tona është ndarja e eksperiencës sonë të integrimit evropian. Ne jemi një vend që akoma kemi në memorien tonë atë që, kur kemi qenë një vend diktature, kemi marrë shumë ndihma nga Komuniteti Evropian. Dhe pas shume vitesh që ne kemi qenë receptorë ndihmash, sot ne jemi një nga vendet kontribuuese më të mëdha të Komunitetit Evropian dhe kjo është një histori suksesi që ne po e ndajmë me juve. Në radhë të tretë, në muajt e ardhshëm, që janë decizivë për të ardhmen e Shqipërisë, Spanja do të ketë një përgjegjësi shumë të madhe, siç është presidenca e Bashkimit Evropian. Ne jemi tani anëtarë të Trojkës si presidencë hyrëse. Ndërmjet janarit dhe qershorit të vitit 2010 do të ushtrojmë presidencën e Bashkimit Evropian dhe gjatë këtij momenti sfida jonë është të bëjmë të mundur që avancimi i rrugës së integrimit shqiptar në Bashkimin Evropian të bëhet i mundur dhe këtë duhet ta promovojmë brenda Bashkimit Evropian, dhe njëkohësisht të kemi një dialog shumë të sinqertë me partnerët tanë shqiptarë mbi atë pjesë që Shqipëria duhet të bëjë, në mënyrë që të ketë atë rezultat që dëshiron dhe që përfshihet në objektivat strategjikë të presidencës sonë të radhës së Bashkimit Evropian.

 

 

Ndoshta do të jeni ju që do të na jepni lajmin e mirë, kur të merrni presidencën e radhës të BE, për liberalizimin e vizave të Shqipërisë?

 

Do të më pëlqente shumë t’jua jepja këtë lajm. Kjo varet në radhë të parë nga fakti që Shqipëria të përmbushë kushtet dhe në radhë të dytë varet nga vendimi i përbashkët që do të marrin vendet anëtare të Komisionit Evropian në fushat kompetente.

 

 

Sa njihet Shqipëria në Spanjë? Cilat janë marrëdhëniet mes dy vendeve tona në rrafshin prioritar? Cili është qëllimi global i tyre?

 

Në radhë të parë Shqipëria është pak e njohur në Spanjë, që nënkupton një situatë me avantazhe dhe disavantazhe. Disavantazhi është që çdo lloj marrëdhënieje duhet të bazohet mbi njohjen. Në këtë kuptim kemi një sfidë për të njohur njëri-tjetrin. Avantazhi është që duke mos pasur një njohje të veçantë, nuk ka asnjë njohje negative, nuk ka një paragjykim, të cilin duhet më pas ta superojmë dhe kjo në këndvështrimin e duhur mund të shihet si një mundësi. Nga ana tjetër, di që Spanja është një vend i njohur në Shqipëri, që ka një paragjykim pozitiv dhe që duhet ta kalojmë në gjykim dhe kjo është një pjesë e sfidës sonë, e ambasadës spanjolle në Shqipëri. Në këtë kuptim sfida jonë e zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve qëndron nga njëra anë që të bëjmë që marrëdhënia e bashkëpunimit shumë intensive që ekziston në shumë fusha, janë 24 projekte që po zhvillohen në pjesën më të madhe territorit të Shqipërisë, në pak kohë. Por këtij bashkëpunimi kulturor që po zhvillohet duhet t’i bashkëngjitet edhe bashkëpunimi ekonomik. Kjo është edhe sfida e përbashkët. Në këtë mënyrë marrëdhëniet tona mund të kalojnë në një pikë superiore. Sfida më e madhe ku kemi avancuar, por ku duhet të bëhet më shumë, është që duhet të ketë një bindje strukturale se duhet të gjejmë pika të përbashkëta me interes në çështjet e rëndësishme të axhendës ndërkombëtare. P.sh., mendoj që një interes i përbashkët mes dy vendeve, ku kemi një marrëdhënie të veçantë dhe që ka qenë objekt i bashkëpunimit tonë në të kaluarën, është Skënderbeu dhe kurora e Aragonit. Ka qenë të pasurit e një Mesdheu në paqe dhe stabilitetet, një zone progresi dhe mirëkuptimi mes popujve. Në këtë kuptim mendoj se kjo është një nga fushat ku marrëdhëniet tona janë zhvilluar. Mendoj që bashkëpunimi që kemi në çështje të tjera të axhendës ndërkombëtare, siç është aleanca e qytetërimeve, është me një interes të veçantë, në karakterin e saj si shoqëri laike, tolerante ku është krejtësisht e mundur bashkëjetesa e shumë feve, religjioneve dhe Shqipëria në këtë cilësi mund t’i tregojë shumë botës. Në çështje të tjera, ku standardet ndërkombëtare janë në një pikë të caktuar dhe debati është nëse Shqipëria i afrohet apo jo këtyre standardeve, në një temë që është boshti qendror i axhendës ndërkombëtarë sot siç janë marrëdhëniet ndërkulturore, Shqipëria është vetë standardi. Shqipëria duhet ta tregojë këtë gjë. Ta tregojë me vendosmëri dhe mënyrë pozitive dhe ne jemi duke bashkëpunuar në këtë pikë përmes aleancës së qytetërimeve, por njëkohësisht edhe në pika të tjera me interes të përbashkët. Më duket se gjithmonë e më shumë marrëdhëniet mes shteteve në këtë botë të globalizuar nuk mund të parashtrohen në terma ekskluzive bilaterale, por si partnerë për të tentuar të zgjidhin çështjet globale. Pjesë e çështjeve tona globale është për shembull e ardhmja e klimës në Mesdhe, në faktin që Mesdheu të mos shndërrohet në një shkretëtirë. Këtë nuk mund ta zgjidhin Shqipëria dhe Spanja, por duhet të krijojmë këtë koncept, që mund të jemi partnerë të besueshëm, në mënyrë që të krijojmë një të ardhme të mirë për bijtë tanë shqiptarë dhe spanjollë.

 

 

Si e pritët lajmin për marrjen e çmimit “Princi i Asturias” nga shkrimtari shqiptar Ismail Kadare? Ç’mund të na thoni rreth rëndësisë së këtij çmimi?

 

Personalisht e prita me gëzim shumë të madh. Që më përpara se të vija në Shqipëri, pata rastin të njihja një nga anëtarët që kishte qenë në jurinë e çmimit “Princi i Asturias” dhe më kishte folur për kandidaturën e Ismail Kadaresë. Mendova që më e mira që mund të ndodhte për të promovuar marrëdhëniet tona ishte që Kadare të merrte çmimin “Princi i Asturias”. Mendoj që në përgjithësi çmimet “Princi i Asturias” apo çmimet Nobel janë një version modern i Olimpit global, në kuptimin që bërja pjesë e natyrës humane që të arrijnë të kuptojnë ata që janë shembull i veçantë, që mund t’i dëshmojnë të tjerëve ashtu siç thoshte Kanti që “njeriu është e vetmja qenie që transhendenton vetveten” dhe kjo ndoshta është esenca jonë dhe kjo transhendencë nënkupton të sjellurit e një risie në shkencë, në arte, në sporte të ndryshme, në harmoni apo paqe në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në këtë rast një risi në letërsi. Në këtë kuptim mendoj që para 30 vjetëve, kur në Spanjë lindën këto çmime, pra në vitin 1981, duhet të kemi parasysh që gjeneral Franko vdiq në vitin 1976; kjo ka një simbolizëm të madh për spanjollët si popull. Nga të qenit një vend që kishte një regjim politik, heterodoks, le ta quajmë kështu, dhe nuk u pranua për këtë nga komuniteti evropian deri vonë, kaluam në një shtet që prodhon juri, që pas çmimit Nobel është juria e një çmimi më të lartë. Për ne si popull kjo ka një simbolikë të madhe, akoma dhe më shumë, sepse ai që simbolizon këtë çmim është princi i Asturias, që është trashëgimtari i kurorës mbretërore, dhe që prej kohësh e shohim si trashëgimtar që do na sundojë, që do të na mbretërojë dhe një trashëgimtar që ka sunduar në demokraci dhe që do të përfaqësojë më vonë Spanjën e së ardhmes. Ky çmim është i rëndësishëm që e merr Kadare, sepse më parë e kanë marrë figura të mëdha dhe të rëndësishme të letërsisë universale. Në këtë kuptim kjo është një strukturë që është zhvilluar që para 30 vjetëve dhe fakti që Kadare ngjitet në këtë Olimp është një triumf patjetër i Kadaresë dhe nëpërmjet tij është një triumf i gjithë kulturës shqiptare. Jo shumë kultura të vendeve të tjera me popullsi sa Shqipëria kanë dikë që mund të thonë që një shkrimtar i yni ndodhet në Olimpin universal. Dhe ky është aspekti i vërtetë simbolik i këtij lajmi. Për mua duket se është një moment i ëmbël, i rëndësishëm dhe që mund ta përjetoj si ambasador i Spanjës në Shqipëri. Jam i bindur se nëpërmjet letërsisë së Kadaresë ka një dritare mundësish për Shqipërinë, në mënyrë që të bëhet e njohur në të gjithë botën.

 

 

Le të flasim për këtë dritare që Kadare ka hapur me të gjithë botën, por edhe me Spanjën. Çdo të thotë për njohjen mes dy vendeve marrja e këtij çmimi nga Kadare dhe sa ai është i njohur në Spanjë?

 

Në radhë të parë Ismail Kadare është shumë i njohur në Spanjë. Ndërmjet të tjerave sepse ka pasur një përkthyes të shkëlqyer, që është Ramon Sanchez Lizarralde, që mendoj se historia e tij personale është një histori dashurie me Shqipërinë. Ai erdhi këtu për motive politike, në solidaritet me regjimin që kishte atëherë Shqipëria. Pasi mbaroi kjo periudhë, ai vendosi t’ia dedikonte jetën e tij përkthimit nga shqipja në spanjisht dhe anasjelltas, dhe kryesisht përkthimit të veprës së Kadaresë. Dhe fakti që një person vendos t’i kushtojë 20 vjet të jetës së tij kësaj gjëje, ka pasur një vlerë me rëndësi në njohjen e veprës së Kadaresë. Përtej kësaj, fakti që Ismail Kadaresë i është dhënë çmimi “Princi i Asturias” nënkupton një hop cilësor në njohjen e letërsisë së tij. Ai është një shkrimtar i mirënjohur për të interesuarit e letërsisë, por fakti që i është dhënë çmimi, do të thotë që kushdo, jo vetëm ata që janë të interesuar për letërsinë, por publiku në tërësi, do ta marrë atë si autor referencë, veçanërisht në botën hispanike, që janë 500 milionë njerëz, por edhe më gjerë, do të merret si figurë referenciale.

 

 

Në fakt Kadare brenda tre vjetësh merr dy nga çmimet letrare më prestigjioze në gjithë botën, që është çmimi britanik “Booker Price International” dhe çmimi “Princi i Asturias”. Në çfarë raporti qëndron tashmë Kadare sa i takon shkrimtarëve më të mëdhenj të botës?

 

Unë besoj që letërsia ka një aspekt objektiv dhe një subjektiv. Në aspektin objektiv, padyshim çfarë prove mund të jetë më e mirë se kjo? Fakti që Kadare ndodhet ndërmjet më të mirëve të letërsisë moderne, letërsisë kontemporane është një provë e qartë, evidente. Në momentin që do të vendosnim një renditje pikërisht në pozicionimin e tij mes këtyre figurave, çdo lexues e kupton rëndësinë e kësaj. Është e rëndësishme që një shkrimtar të arrijë këtë status, qoftë Markez, qoftë Kundera, qoftë Kadare apo kushdo tjetër. E rëndësishme është universalizimi i të veçantës së tyre. Në kuptimin që, nëse vepra e Kadaresë apo e Markezit bazohet në një realitet konkret dhe në një kulturë konkrete, siç është ajo shqiptare apo ajo kolumbiane në rastin e Markezit, ata dinë ta parashtrojnë në mënyrë të tillë që këto raste të veçanta të reflektojnë ndjesi universale, që i kemi të gjitha ne qeniet njerëzore. Nëpërmjet kësaj aftësia për të prodhuar ndjesi universale dashurie, urrejtjeje, frike, çfarëdo qofshin, është ajo që i bën të lidhen me pjesën tjetër të qenieve njerëzore.

 

 

Qarkullon mendimi që letërsia shqipe nuk njihet në botë, që nuk ka shumë shkrimtarë të botuar jashtë vendit. Cili është thelbi i gjykimit që një letërsi dhe një gjuhë të përfaqësohet më mirë me 100 shkrimtarë të përkthyer, qoftë edhe mesatarë në nivel apo mjafton një i rangut të Kadaresë, për ta bërë të njohur letërsinë dhe gjuhën e një vendi?

 

Unë besoj se letërsia është e çdo shkrimtari. Unë mendoj se çdo shkrimtar prodhon një botë të veçantë të patransferueshme. Nëse unë do të isha shqiptar, ose qoftë edhe duke qenë spanjoll, ose i çfarëdolloj kulture tjetër, do më pëlqente të më lexonin për vetë faktin e të qenit Manuel Montobbio dhe jo të qenit spanjoll, ashtu si Ismail Kadaresë do t’i pëlqente të lexohet për të qenit ai dhe jo për të qenit shqiptar. Unë mendoj se sfida është të prodhohen shkrimtarë që lexohen, për faktin që janë ata që janë, në këtë rast Kadare, pavarësisht nga fakti i të qenit shqiptar dhe jo për faktin i të qenit shqiptar. Në këtë kuptim shoqëria ka prodhuar një shkrimtar që përbën një interes universal. Për faktin e të qenit shqiptar nuk do të ishte i mjaftueshëm vetëm për t’u bërë i njohur. Çdo rast është i veçantë dhe çdo shkrimtar është i veçantë.

 

 

Megjithatë qarkullon ideja se letërsia shqiptare nuk është e njohur dhe doja t’ju pyesja, nëse një letërsi bëhet e njohur nga numri i shkrimtarëve të përkthyer që ka apo i mjafton edhe një shkrimtar i madh...

 

Unë besoj në radhë të parë që nëpërmjet Kadaresë kultura shqiptare njihet më shumë. Të njohësh një autor universal, do të thotë të ndryshosh perceptimin e një gjuhe dhe një kulture. Ka gjuhë për shembull që nuk kanë as të kaluar, as të tashme, as të ardhme, por kanë vetëm një kohë të foljes. Gjuha shqipe që është gjuhë e sofistikuar, komplekse, ka prodhuar diçka siç është vepra e Kadaresë. Nëpërmjet kësaj, imazhi global i gjuhës shqiptare mund të ndryshojë në kuptim pozitiv dhe kjo mund të përbëjë interes më të madh për shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Ndoshta është mirë të këtë një në Olimp, për të cilin interesohet gjithë bota dhe bazuar në këtë pastaj të këtë një interes gjithmonë e më të madh drejt kësaj kulture, kësaj shoqërie. Tematika e Kadaresë është shumë universale dhe bota e Kadaresë përmbledh, le të themi, letërsizim të përfytyrimeve kolektive shqiptare. Në këtë kuptim besoj që për një kulturë minoritare, duke folur nga aspekti numerik i saj, siç është Shqipëria, kjo përbën një lajm të madh padyshim.

 

 

Për ju si përfaqësues i një gjuhe dhe kulture të madhe, sa të rëndësishëm e gjykoni çmimin “Princi i Asturias” për njohjen e letërsisë dhe gjuhës shqipe nëpërmjet Kadaresë në botën hispanike?

 

Besoj se ka një rëndësi shumë të madhe. Për faktin se evolucioni i çmimeve “Princi i Asturias” për letërsinë tregon një opsion të ndërgjegjshëm të faktit që kultura e botës hispanike është një opsion i saj drejt universalitetit. Nëse i referohemi çmimeve të para të “Princi i Asturias” për letërsi, ato i janë dhënë shkrimtarëve që kanë patur gjuhën e tyre spanjishten. Pra ka një ndërgjegje të kësaj që çmimi është orientuar në atë se çfarë është e drejtë së jashtmi, kulmi i universalizimit. Pra njerëz që kanë një prestigj të kristalizuar për çmimet e mëparshme që kanë marrë. Pra i thonë tani botës spanjolle që përveç Doris Lessing apo Gunter Grass, po konsiderojmë se një figurë tashmë e rëndësishme, për të cilën duhet të interesohemi dhe që bota duhet të interesohet është ajo e Kadaresë, letërsia që ai përfaqëson dhe nuk ka një mesazh më të fuqishëm drejt botës hispanike se ç’është mesazhi që jepet nëpërmjet dhënies së këtij çmimi Kadaresë.

 

 

A mund të na flisni për prapaskenat e votimit të Kadaresë?

 

Nuk kam patur asnjë kontakt me jurinë dhe vendimi i jurisë është një vendim që merret me dyer të mbyllura, i pavarur. As unë dhe askush nuk mund të dijë rreth debateve dhe dialogëve që janë bërë. Pra, ajo që dua të them është që nuk kam shumë për të thënë në këtë pjesë. Por mund të them se ceremonia e dhënies së çmimeve do të bëhet më 23 tetor, në teatrin Campo Amor, i cili ka më shumë se 200 vjet dhe që ndodhet në Oviedo, kryeqyteti i principatës së Asturias. Është një zonë e Spanjës ku nisi rekonkuista e kristianëve nga gadishulli Iberik. Pra rekonkuista e të krishterëve përballë pushtimit mysliman dhe që mbahet si origjina e Spanjës së sotme dhe për këtë arsye edhe trashëgimtari i kurorës mban emrin Princi i Asturias. Është një ceremoni, ku tetë fituesit marrin çmimin; ku ka një fjalim tradicional të princit dhe ku fondacioni më ka konfirmuar se Ismail Kadaresë do t’i besohet fjalimi që mbahet në përgjigje të fjalimit që mban princi. Kjo është një ceremoni që shihet nga qindra miliona vetë në botë dhe mendoj që në këtë moment zëri dhe mesazhi i Kadaresë do të mund të ndiqet dhe të shikohet nga qindra milionë njerëz. Njëkohësisht është traditë që përveç kësaj ceremonie formale secili prej fituesve të bëjë një akt të veçantë. Në rastin e çmimit të letërsisë, fituesi i tij, në një aktivitet në universitetin e Oviedos parashtron në një dialog me publikun aspekte të veçanta të veprës së tij. Është një rast për ta bërë atë figurë që ka marrë çmimin më të afërt, ndryshe nga solemniteti që ka ceremonia. Dhe në rastin e Ismail Kadaresë ky aktivitet prezantimi do të mbahet më 22 tetor.

 

 

Ju e njihni personalisht Kadarenë?

 

Po, e njoh personalisht dhe e njoh edhe letërsinë e tij.

 

 

Çfarë mendoni për të?

 

Mua më duket mbi të gjitha se si shkrimtar ka një aftësi të veçantë për të tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe për ta bërë të hyjë në një botë të vetën të veçantë. Disa prej eseve që janë shkruar për Kadarenë flasin për të si krijuesi i botëve të veçanta. Unë pjesën më të madhe të karrierës sime e kam kaluar në Amerikën Latine. Dikush, para se të shkonte atje, lexonte Markezin dhe përjetonte realizmin magjik, ndërsa kur shkonte, mendonte se do të gjente vërtet realizmin magjik, por që nuk ndodhte. E njëjta gjë ndodhi edhe me Kadarenë. Mua leximi i Kadaresë më ka shërbyer disi të kuptoj dhe të mund të përkthej më mirë botën e shqiptarëve ndaj botës sime dhe kjo është ajo që duhet të bëjë një ambasador, të jetë përkthyes i botëve.

 

 

Ju pyeta në e njihni personalisht Kadarenë dhe kërkova një opinion për veprën e tij, për faktin se jeni vetë një shkrimtar, pra duke ditur se do të merrja një mendim të specializuar. Pra mund të më thoni diçka më tepër për këtë anë tjetër tuajën?

 

Është e vërtetë. Përveç punës sime profesionale unë kam edhe një dedikim tjetër jo-letrar, si shkrues esesh, veçanërisht në fushën time, politikën; për çështje të qeverisjes globale, çështjeve të paqes. Jam autor i dy librave të mi dhe njëkohësisht bashkautor i librave të tjerë më të vegjël. Është diçka që unë dedikohem personalisht përtej të qenit personazh.

 

 

Keni shkruar diçka për Shqipërinë?

 

Jo. Ose më mirë akoma jo. Në të kaluarën vendet ku unë kam qenë, si Salvadori, Guatemala, Indonezia, pas qëndrimit tim aty kam shkruar më pas esé apo punime akademike mbi realitetin e këtyre vendeve. Pra, në momentin që ka mbaruar përjetimi im si personazh institucional kam ndarë eksperiencën time personale në mënyrë që njerëz të tjerë spanjisht-folës të mund të kuptojnë realitete të tjera që unë kam patur mundësinë t’i përjetoj së brendshmi.

 

 

Në fakt ne shqiptarët e duam dhe e vlerësojmë shumë letërsinë hispanike, dhe pse nuk bëjmë dallim mes asaj që prodhohet ne Spanjë dhe vendet e Amerikës latine. Si mendoni, ka një lloj afiniteti mes letërsisë dhe gjuhës sonë dhe botës hispanike?

 

Në fakt as ne nuk bëjmë shumë dallim mes asaj që shkruhet në Amerikën Latine dhe asaj që shkruhet në Spanjë. Për më tepër sot figurat e mëdha të letërsisë spanjolle ndodhen më së shumti jashtë Spanjës dhe ne spanjollët i konsiderojmë si figurat tona. Një nga specifikat e botës spanjolle është që nuk është e lidhur nga një bashkim neokolonial. Ne tani do të kremtojmë 200-vjetorin e pavarësisë së Amerikës. Është një komunitet kulturor dhe në këtë kuptim ka një sintoni kulturore të veçantë. Besoj se letërsitë kanë mjaft elemente të përbashkëta, sepse historitë tona kanë elemente të caktuara përbashkëta. Në këtë kuptim të qenit prezent në disa aspekte të letërsisë shqiptare është anasjelltas prezent edhe në letërsinë spanjolle. Një rëndësi të veçantë mendoj se i jep koha në kuptimin që ndërtimi kombëtar, konstruksioni shqiptar, bëhet nëpërmjet kohës. Unë jam katalan dhe gjuha ime përveçse spanjolle është edhe katalane. Në shekullin e XIX në Katalunjë ka ndodhur ajo që quhet Rilindja dhe shumë herë duke lexuar histori të Shqipërisë më kujton shumë lëvizjen e rilindjes së letërsisë katalane që në shkollë jepej mësim në gjuhën katalane dhe jo në gjuhën spanjolle. Në këtë kuptim ushtrimi i një letërsie në gjuhën shqipe ka patur një komponent afirmimi kombëtar. Le të themi që atdheu i vërtetë i shqiptarëve është te gjuha më shumë se te feja apo elementë të tjerë. Dhe aty ka një element konstruksioni kombëtar që nuk ndodhet në letërsinë spanjolle, por ndodhet ne atë katalane. Ka një letërsi më të gjerë, pra një guatemalas, një argjentinas, një espanjoll dhe një spanjoll kanë një “ne” të përbashkët, por që njëkohësisht ndjehen të një shtetësie tjetër, pra mendoj se ka ngjashmëri dhe ka ndryshime. Ne kemi 400 vjet që lexojmë Don Kishotin, që kur mbushim 12- 13 vjeç në shkollë dhe një gjë e tillë vonon 400 vjet për t’u prodhuar. Në këtë kuptim ka një lidhje historike të letërsive tona që për shkak të rrethanave historike të Shqipërisë, e shohim letërsinë shqiptare në moment themelimi, por letërsia shqiptare ka prodhuar dhe prodhon figura universale dhe kjo ka një rëndësi simbolike për Shqipërinë.

 

 

Le të flasim për mësimin e gjuhës dhe letërsisë spanjolle që ka qenë një traditë në Shqipëri. Çfarë ndodh me gjendjen aktuale? Në universitet ka një katedër të veçantë. A jeni të kënaqur në këtë drejtim?

 

Kjo është një nga fushat, ku falë përkushtimit të përbashkët të qeverisë spanjolle dhe asaj shqiptare, por edhe universitetit me këtë rast, kemi lajme të mira, me të cilat kënaqemi. Mendoj që një nga objektivat që kemi parashtruar që prej hapjes së ambasadës ishte që gjuha spanjolle të kishte të njëjtin status si gjuhët e tjera evropiane në mësimdhënien universitare në Shqipëri. Deri para pak kohësh ishte një seksion i Departamentit të italishtes. Unë mund të them që në komisionin e parë miks të edukimit mes Spanjës dhe Shqipërisë që u mbajt në korrik të vitit 2007 u ndërmor ky objektiv, pra që të krijohej një degë e studimeve hispanike. Këtë vit 2008-2009 ka dalë brezi i parë i studentëve të spanjishtes dhe është krijuar Departamenti i Studimeve Hispanike. Kjo është një përpjekje politike dhe institucionale që ka bërë Shqipëria, por një përpjekje së cilës Spanja i është përgjigjur në mënyrë decizive. Tani në universitet ka dy lektorë të spanjishtes, dhe duke filluar nga viti i ardhshëm do të vendoset bashkëpunim me universitetin spanjoll, nga i cili do të vijnë profesorë, të cilët do të japin lëndë që nuk janë dhënë në Shqipëri dhe për të ndarë këtë eksperiencë të njohjes humane që më pas Departamenti i spanjishtes të mund t’i transferojë këto njohuri. Do të ketë dy profesorë të ftuar për çdo semestër. Kjo do të garantojë që këta studentë të rinj të formësohen nëpërmjet profesorëve më të mirë që vijnë nga Spanja dhe të përmbushin kriteret dhe standardet më të mira dhe flasim këtu për standardet e Bolonjës. Dhe mendoj që kjo fabrikë hispanikësh të jetë një ushtri e vogël që të infiltrohet në mënyrë progresive në sistemin e edukativ shqiptar dhe bashkë me konspirimin e heshtur të atraktivitetit që zgjon kultura dhe gjuha jonë të bëjnë të mundur që shqiptarët të dinë të thonë më shumë se “Hasta La Vista”.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Hyseni: Statusi - çështje e përfunduar (07.28.2009)
Hillari Klinton përpiqet të sqarojë komentet e nënpresidentit Bajden (07.28.2009)
Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë raportojnë në Kongres (07.26.2009)
100 vjet nga fluturimi i parë ndërkombëtar (07.26.2009)
Forbes: Shqipëria ka ecur shumë përparaNga John ZOGBY (07.20.2009)
Trashegimia kulturohistorike paruria me e vyer e Republikes te KosovesNga Jaho Brahaj (07.10.2009)
Shkrirja e metodave të Luftës së Ftohtë (07.05.2009)
Krerët e Kosovës e cilësojnë destruktiv qëndrimin e Tadiçit (07.02.2009)
Nënshkruhet marrëveshja me OPIC për investimet amerikane në Kosovë (06.30.2009)
International Herald Tribune: Shpresat evropiane të Shqipërisë (06.30.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2019  
D H M M E P S
        1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]