E Premte, 01.24.2020, 12:42pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

VEPRA "MEDLINE OLLBRAJT – MISIONARJA E KOSOVËS" E STUDIUESES FATBARDHA LAUKA PËRBËN NJË NDER KOMBËTAR

Nga RAMIZ LUSHAJ


E Enjte, 06.21.2012, 06:44am (GMT+1)

Autorja Fatbardha Lauka duke i falënderuar të pranishmit

1.

Jo rrallë njeriu mbetet peng i vetvetes. Kësisoj më vangi mue. Dy vjet më hepohej në mendje me i fjalnue disa merita për veprën dokumentare të studiueses e pedagoges Fatbardha Lauka me titull palcor "Medline Ollbrajt – misionarja e Kosovës" i dritëdalun nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike (ISHSP, Tiranë, 2010). Gjithësesi ky peng moral shprehimor ishte aq tundues e reflektues saqë më shtyni me hulmue e vargarend publikisht vlerësime. Natyrisht nuk kishte si me ndodh ndryshe nistue edhe nga ky kryefakt: kjo vepër në kultin e vet vleror e me kumtimin e mesazheve të saj është një Nder Kombëtar, që autorja Lauka ia miraban njejtësisht kombit shqiptar, kohës së sotme të integrimeve shqiptare e miqëve tanë si aleatit ma strategjik – Amerikës.

Kombi shqiptar ka nevojë jetnore për ndere të tilla kombëtare, ndaj le të vijnë ato nga gjeo-koha e ditëve e viseve shqiptare në dimensione të vogla ose të mëdha duke mbart përkushtim e përcjell kushtrim në mesazhe e hapa të ecjes tonë drejt të nesërmes, siç e kreu një të këtillë mision edhe Fatbardha Lauka me artnimin ajkor të kësaj vepre për Sekretaren Amerikane të Shtetit, Medline Ollbrajt, që asokohe (1999) edhe shtypi rus e cilësonte "Gruaja e çeliktë" (stalnaya) dhe njëtrajtësisht edhe për Amerikën e Uillsonit, Bushëve, Klintonëve e Obamës.

Ky libër botohet dhjetë vjet pas "Luftës së Kosovës" (1999) po në këtë fokusim mbetet aktual, pasi edhe pas njëqind vitesh spektron me mesazh përditësor thirrja epike e politike e burrshtetasit themeltar Ismail Qemal Bej Vlora për t’u ngrit shqiptarisht (siç vepërtoi Hasan Prishtina) për pavarësinë kombëtare shqiptare tuj-e mos u tehnue e zgafell si "Kurdë të Ballkanit", sepse fatkeqësisht ende jena të ndamun si komb në gjashtë shtete ballkanike: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi e Serbi. Nëse në vitin 1912 Shqipëria Londineze ishte veç një e katërta e territorit të saj etnik, pikërisht në këtë kohë Mali i Zi u rrit me dy të tretat e tij me aneksimin e tokave shqiptare. Po kaq sa është sipërfaqja e Kosovës së sotme është edhe Çamëria e aneksuar nga Greqia, të cilës Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk ia përmend as emrin në "Fjalor Enciklopedik Shqiptar" (2008).

Tuj-e fletahap vertikalisht e horizontalisht këtë vepër dokumentare për kontributin amerikan kryesisht për Kosovën e lirë e të pavarur m’u beft një fakt: nuk është rastësi fati i njëjtë i udhëheqësve shqiptar, që patën miq disa shtete në fillimet e vazhdimësinë politiko-shtetërore, po në finale u ankoruan te Amerika.

Pavarësisht se Amerika gjendet kudo si lidership po këta burrshtetas shqiptar askund nuk gjetën një aleat strategjik si Amerika.

Ismail Qemal Bej Vlora i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare sadoqë nuk shkëputej tërësisht nga Perandoria Otomane e sadoqë kapej gati krejtësisht tek Austro-Hungaria e shpesh hidhej nga Italia, aty nga fundi i jetës së vet misionare u fortlidh me Amerikën e si delegat i shqiptarëve të Amerikës donte të shkonte në Konferencën e Paqes në Paris (1919).

Po kështu edhe Ahmet Zogu sadoqë u lidh me praqe e traktate kryesisht me Italinë, sadoqë jetoi në Angli, Egjypt e në Francë, nga fundjeta e tij udhëtoi nga Kajro në Amerikë (1951) e biles shkoi edhe më tej, bleu një vilë në Nju York, për qëndrimin e aktivitetin e vet kombëtar, po nuk ia mbrrini këtij kursi misionar pasi ndrroi jetë para kohe (1961).

Noli, kur ishte kryeministër i Shqipërisë (1924) i hodhi sytë nga Rusia, po ma pas e kapërceu Atlantikun përjetsisht e nga Bostoni deklaronte se kombi shqiptar i mbetet borxhli Amerikës dhe atje i takoi e pati lidhje me presidentët amerikanë T. Ruzvelt, U. Uillson, F. Ruzvelt, H. Truman, D. Ajzenhauer e Xh. Kenedi.

Kryeministri Esat Pashë Toptani, kjo fatkeqësi e vendit të tij, sadoqë u nyjos e u njollos me disa nga fqinjtë tanë, aty nga fundikja atentatore nga kjo botë, u udhanis për në Paris (1919) me u takue me Presidentin Amerikan, Uillson.

I fundmi diktator komunist, "sëmundja e butë", Ramiz Alia, udhëheqës politiko-ushtarak përkrah sllavëve në Kosovë, i shkolluar në Moskë, "bilbili" i luftës kundër imperializmit amerikan, në fund të pushtetit të vet (1988-1992) nuk e tha publikisht astenji fjalë të keqe për Amerikën e, përkundrazi, edhe kur e shkunaliti një atak në zemër i çoi fjalë Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker.

I vetmi burrshtetas shqiptar vijues i pandalun në të njëjten linjë autostradore e piedestalore me Amerikën është lideri historik i shqiptarëve, Prof. Dr. Sali Berisha, njësoj në qëndrime e veprime, ashtu siç u deklarua më 12 dhjetor 1990 te "Zëri i Amerikës" (ditën e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë) u përcaktua vendosmërisht edhe më 10 qershor 2012 në fjalën përshëndetëse në 134 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bash te vendtubimi historik i këtij kuvendi parathënës e bërës i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.

2.

Kur mirëflas se kjo vepër është një Nder Kombëtar ndokush mund të dreqmendoj se po i tonoj disi hapët këtij vlerësimi, po më duhet me thanë troç: mblidheni (ha)mendjen se gjithësesi kam të drejtë të shumëfishtë.

Së parit, nderet e mëdha i lind një dashuri e madhe hyjnore e jetësore, e ndër ne shqiptarët e Ballkanit ka një dashuri të tillë të pamatë për Amerikën.

Kjo ka të bëjnë shpirtërisht e realisht me ëndrrën e veprën e madhe të lirisë, pavarësisë e demokracisë në tokën shqiptare, se vet "Lufta e Kosovës" (1999) njihet si "luftë për vlerat" në kauzën e të cilës Ollbrajt u investua aq shumë saqë u thirnue edhe si "Lufta e Medlinës" ("Madeleine’s War", Time, May 17, 1999).

Ndaj edhe me këtë botim vleror për Medline Ollbrajt e Amerikën nuk ka si të ngjasin ndryshe. Autorja nuk boton një libër, po na jep një vepër, përndryshe "një vepër monumentale", siç e kapitalon gazeta kombëtare "Bota Sot" (10 qershor 2011).

Ma së dytit, veçojmë se autorja Fatbardha Lauka rrezaton si shqiptare e vërtetë po edhe si anglo-saksone e devotshme, çka kjo fisnikërohet në përzgjedhjen e përcjelljet dokumentare në këtë vepër me paraqitje e brendi të nivelit bashkohor. Në ballinën e fundme të kësaj vepre kjo studiuese shkronjohet si veprimtare e Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë (2001-2012), po përtej kësaj modestie mbetet një kontributore emblematike e saj.

Një vit ma parë (Prishtinë, 14.01.2011), në emër të kësaj Qëndre, (pjesë strukturore e ISHSP) ia dorëzoi çmimin "Faik Konica" familjes së Ibrahim Rugovës me motivacion për farkëtimin e ndjenjave të miqësisë ndërmjet kombit shqiptar dhe atij amerikan e britanik.

E shenjta jonë, Medline Ollbrajt, diellon si lidere e shquar amerikane dhe mike e madhe e shqiptarëve. Nga Uashingtoni më 15 prill 1999 do të yllnonte "Jam krenare për atë që po bën Amerika për Kosovën" (fq. 61); do të shkruante se gjatë një vizite në Moskë në janar 1999 teksa shihte operën "Traviata" në teatrin e famshëm "Balshoi", sytë dhe veshët i kisha në skenë, po mendja më rrinte te Kosova (fq. 24); gjatë luftës kur pa qëndrimet ekstreme antinjerëzore të Millosheviçit ndaj popullit të Kosovës do të deklaronte "Nuk duroj dot më" (fq. 117); do të zemërtonte një real-politikë "Qendra e universit tim – Kosova" (fq. 106). Njëkohësisht pesë vite ma vonë (SHBA,12 qershor 2004) kjo qytetare e denjë amerikane do t’i thoshte Presidentit Rugova teksa e nderonte me "Medaljen e Artë të Lirisë"se shpirtërisht "e ndjejn veten kosovare".

Kështu nuk ka deklaruar gjithkund. Ajo ishte çeke, e pikërisht nga që kishte lind në Pragë kur u ba Sekretare e Shtetit Amerikan nuk i lejohej të ishte pjesë e programeve bërthamore e as të zgjidhej ma pas Presidente e Amerikës, po njëherash gjatë "Luftës së Kosovës" u ngrit prerazi edhe kundër vendlindjes së saj, Çekisë ( Greqisë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Kofi Anan) për ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, ndërsa më 2002 (pas daljes në pension) Republika Çeke, pas mandatit të Havelit e kërkoi të shkonte për Presidente, po nuk e pranoi këtë post.

Ollbrajt ishte pjesë e stafit të fushatave presidenciale në Amerikë që prej vitit 1976 me Xhimi Karter e deri te fushata e fundit presidenciale e demokratëve përkrah Hillary Klinton e më pas për Obamen.

Kjo ishte e para femër në historinë e Amerikës që zgjidhej kryediplomate e saj (1997-2001) por duhet nënvizuar se lidhjet e saj me Kondeleza Rajs, Sekretaren Amerikane të Shtetit (2005-2009) ishin aq të forta saqë babain e Ollbrajt, diplomatin akademik Josef Korbel, e vlerësonte si një figurë qëndrore në të ardhmen e saj studimore, politike e diplomatike. Ndërsa me Sekretaren aktuale të Shtetit, kryediplomaten e shquar, miken e madhe të shqiptarëve, Hillary Clinton, ka në vazhdimësi një lidhje shoqërore e zyrtare, pasi është mike e familjes së shquar të Klintonëve, që para emërimit të saj ambasadore e Amerikës në OKB, dhe si diplomate e akademike edhe sot e kësaj dite i merret në konsideratë opinioni i saj për Kosovën, Shqipërinë etj.

Si rrallë kush,dr. e shkencave, Ollbrajt, arriti të mësonte se çfarë ishte regjimi komunist kur ishte në Çekosllovaki, në Beograd: kur bante studimet shkencore për Pranverën e Pragës, lëvizjen e studentëve në Poloni, etj.; arriti të kuptonte qëndrimet ultranacionaliste të Jugosllavisë kur i ati ishte diplomat kariere në Beogard; arriti të provonte se ç’ishte Holokausti pasi tre të afërm të saj hebrenj iu ekzekutuan në Çeki nga nazistët gjermanë; arriti të zotëronte gjuhët çeke, angleze, ruse, polake, etj.

3.

Mirënjohja e studiueses Fatbardha Lauka, është e themeltë, e palctë, e bardhtë. Vjen në këtë vepër e përcillet nëpërmjet kësaj vepre. Është në gen e në kulturën e saj, shfaqet si virtyt njerëzor i saj, visaron si pasuri vlerash, gurron e lisnon në kohën, vendin e mënyrën e duhur.

Gjithçka e simboltë si vet emri i saj: "fat" e "bardhësi", pasi i përkushtohet misionares Medline Ollbrajt, e cila edhe 13 vite pas "Luftës së Kosovës", në fundmaj 2012, edhe kur Presidenti Amerikan, Barak Obama, e nderoi me Medaljen e Lirisë, më i larti nderim në SHBA, gjeti rastin e lumnueshëm të dritënojnë: "Në jetën time profesionale jam shumë krenare për atë që kemi bërë në Kosovë. Isha shumë e shqetësuar për atë që po ndodhte në Ballkan, ishte shumë e vështirë të shihje se si njerëzit vriteshin për atë çka ishin jo për atë që kishin bërë".

Mirënjohja tjetër vjen nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike me seli në Tiranë e filial në Prishtinë (ku studiuesja Lauka është pjesë e tij, drejtore e botimeve), i cili ka në veprimtarinë e tij edhe çmimin "Madeleine Albright" për punimin më të mirë të studiuesve të rinj në fushën e politologjisë. Ky është një nderim për emrin e veprën e Ollbrajt, për atributet e kontributet e saj.

Mirënjohja nuk ka cak as nga vet shpirtmadhja Ollbrajt, që e shfaq në çdo rast për shqiptarët, të cilët me vend e rend ia lartësojnë kontributet, ia jetësojnë emrin. Në ditën që mori Medaljen e Lirisë (2012) u shpreh botnisht: "Jam shumë e kënaqur që shumë vajza të gjeneratës së re në shtetin e pavarur të Kosovës mbajnë emrin Medline".

Ne, shqiptarët e Ballkanit e në krejt planetin tokësor, kemi traditë e obligim brezash për mirënjohje me fjalë e vepra në hulli fisnike e deri në lartësi klasike në të dy anët e medaljes: kur e japim vet e kur na e japin të tjerët.

Kjo na duhet patjetërsisht e besnikërisht, duke pasë parasysh faktin historik gjeopolitik se jemi komb e vend i vogël, ndaj me miq të mëdhenj si Amerika mund të bëhen punë të mëdha, si dëshmohet në një shekull pavarësi të Shqipërisë, mbi një dekadë pavarësi të Kosovës etj. Ne nuk kemi vlla me ADN biologjike e fetare të përbashkët si Sllavët ortodoks të Jugut, si Bota Arabe myslimane, etj.

E për ma tepër e ma keqas, në Ballkan po rivijnë Millosheviç të ridimensionuar si Presidenti i Serbisë, antishqiptari Tomislav Nikoliq, që çartlloset me deklarata e hapa për "Serbinë e Madhe", që çarkardiset se "Nuk do ta njohim kurrë Kosovën" e lëshon humorin e zi nacionalist "shqiptarët duhet të infektohen me AIDS"; po shfaqen kërcenueshëm ultranacionalistët e djathtë e të majtë në Greqi, të cilët ullakojnë "I shikoni ata, i quajnë shqiptarë, litarë do të bëjmë me zorrët e tyre",etj.; po qarkullojnë rryma për diskriminimin racor e historik në FYROM me thirrjet "dhoma gazi për shqiptarët", "Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur" etj.

Mirënjohja është Nder Kombëtar, si në rastin e kësaj vepre dokumentare "Medline Ollbrajt – misionarja e Kosovës" të studiueses Lauka, si në rastin kur ISHSP jep çmim me emrin e saj, si në rastin kur një çoban në maje të Gjerovicës apo në breg të Drinit të Zi ia vnon fëmijës së vet emrin e bardhë "Medline".

4.

Studiuesja Fatbardha Lauka është bashkëshorte e denjë e diplomatit të karierës, ambasadorit të suksesshëm të Shqipërisë në Kosovë, Dr. Islam Lauka. Nistue nga ky "status diplomatik" i saj deshta të them se përbën rastin e parë në historinë e diplomacisë shqiptare që bashkëshortja e një ambasadori boton një vepër të këtillë, që parasëgjithash e mbi të gjitha dëshmon një nivel shkencor për nga ndërtimi strukturor, përmbajtësohet me literatura e ilustrime interesante, pasqyron vlera dokumentare të kohës. Keq a me thanë po s’kie çka i ban: zonjat e ambasadorëve duan të jenë ma së forti krahas në pritje ceremoniale diplomatike e nuk iu hyjnë punëve të tilla kombëtare të vyera, si kjo vepra e Fatbardha Laukës për të parën kryediplomate në historinë e SHBA, miken e madhe të shqiptarëve, Medline Ollbrajt.

Në Universitetin Victory në Prishtinë, personalitete të politikës, diplomacisë e kulturës të Kosovës, gjatë promovimit të kësaj vepre, dolën veç të tjerash me një emnues të përbashkët vlerësimi, me një "notë" të përbashkët: "Atë që nuk e kanë bërë studiuesit, historianët, kronistët e gazetarët shqiptarë të Kosovës për një nga personalitetet më të shquara të fundshekullit XX, Sekretaren e Shtetit, Medline Ollbrajt, e ka bërë pedagogia dhe studiuesja shqiptare, Fatbardha Lauka"("Bota Sot", 10.06.2011).

Indianët thonë se "çdo plak është një bibliotekë", po në rastin konkret, Dr. Islam Lauka, me botimet e tij shkencore për Kosovën si "Evolucioni i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale", rusisht-shqip (Moskë,1994), "Kosova rast universal, apo sui Generis" në gjuhët shqip, anglisht, arabisht, persisht (2007), "Shkëputja e Kosovës nga Rusia" në shqip, anglisht, serbisht (2007) e të tjera vepra studimore përben një "akademi më vete". Njëherash është edhe President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, President i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, Kryetar i Bordit Drejtues pranë Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, "Qytetar Nderi" i komunës së Bytyçit" (Tropojë, përndryshe: Malësia e Mirë), i vlerësuar me çmime të ndryshme etj.

Në këto sipërmarrje akademike e ka pasë një bashkëpunëtore të afërt, në njëren tre sish: redaktore, korektore apo konsulente të parë, bashkëshorten e tij, Fatbardha Lauka, të cilët portretizojnë mirësisht një çift ideal, një familje shembull.

As te vepra e Fatbardha Laukës nuk mund të lamë pa vnue në pah se parathania në shqip e anglisht e Dr. Islam Laukës është një punim shkencor më vete, ashtu sikurse tjetra parathanie e maparshme e tij te vepra "Tony Blair: Për Shqiptarët" (Tiranë, 2005).

Nëse i shkon dikujt për vizitë në shtëpi e ka libra duhet me e pi kafen e me prit drekën e poqese nuk i gjendet ndonjë libër nën kulm e në rafte ha bukë shpejt e dil me pi kafen diku përjashta. Në familjen Lauka nget e para: kujton se je në ndonjë bibliotekë (ndër)kombëtare, pasi aty ke çdo botim edhe për Kosovën në shqip e në gjuhë të huaja si në anglisht, frengjisht e rusisht. Në atë shtëpi të gjithë rriten me libra e rriten nga librat, biles edhe djali i tyre, Albani, që pas përfundimit të Universitetit Amerikan të Nju Yorkut në Tiranë tani po ndjek studimet pasuniversitare në Angli e pritet të dalin së shpejti me një libër, e kësaj udhe ecin edhe dy vajzat e tyre: Drenica e Faina.

Në këtë vepër autorja Fatbardha Lauka na vjen e shumëfishtë në hulumtimet e prurjet e saj dokumentare: si shqiptare e anglo-saksone me profilin e vet; si nanë e humaniste dinjitare; si studiuese e pedagoge me contribute; si diplomate aktive e veprimtare e shoqërisë civile; si botuese, redaktore e korektore e disa librave për marrëdhaniet shqiptaro-amerikane, për Kosovën, për Tropojën, etj.

Kjo vepër e studiueses Fatbardha Lauka është njëherash edhe vetpërjetim i tragjedisë shqiptare të Kosovës, pasi e ka pasë në jetë e mote shtëpinë në Malësinë e Gjakovës (Malësinë e Mirë) ku ka provue djegie, vrasje, terror nga serbët, malazezët, otomanët etj.; ka pasë te dera e shtëpisë "klonin e kufinit" që i ndante për së gjalli ndër veti shqiptarët. Njëherash edhe gjatë kohës që ishte në misionet diplomatike në Moskë e në Prishtinë përkrah të shoqit i ka ra me pa nga afër se sa i egër është boshti Moskë-Beograd ndaj shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë (FYROM), të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës e të Sanxhakut. Prandaj duket se vepra e studiueses F.Lauka fillnohet e konturohet nga ajo çka apelon Ollbrajt "Një Europë pa mure, plotësisht në paqe dhe tërësisht e lirë" (fq. 78), nga ajo çka është e sotmja dhe e nesërmja e integrimit të shqiptarëve në Ballkan dhe e progresit të Europës në rrjedhat e kohës e të botës.

 

RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NË TAKIMIN ME TOPIN KISINGER SHPREHU VLERËSIM TË MADH PËR ROLIN VENDIMTAR TË SHQIPËRISË NË RAJONIN E BALLKANIT (06.20.2012)
JOHNNY DEPP DHE VANESA PARADIS U NDANË PAS 14 VJETËSH BASHKËJETESE (06.20.2012)
IKJA E KOLONELITNga ZEQIR LUSHAJ (06.20.2012)
U PËRKUJTUA NË PËRVJETORIN E PARË TË VDEKJES NEKIBE KELMENDI (06.19.2012)
45 VITET E NIKOLË KIDMAN DIVËS MË DIVË TË HOLLIVUDIT(Ilustruar me foto të Nikolë Kidman në Kosovë më 2006) (06.19.2012)
TONY BLAIR SIMBOL I BESIMIT, OPTIMIZMIT DHE SHPRESËS PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS (06.18.2012)
GREQIA SHPËTON SIPAS NOBELISTIT PAUL KRUGMAN TEK NYT:VETËM EURO MUND TA SHPËTOJË GREQINË - Gjermanët dhe Banka Qendrore duhet të ndryshojnë sjelljen! (06.18.2012)
FRANCË: TRIUMFON E MAJTA, SEGOLENE ROYAL, ISH GRUAJA E HOLLANDE HUMB - E TRADHTUAR NGA BASHKËSHORTJA AKTUALE E PRESIDENTIT TË FRANCËS (06.18.2012)
U VU GURTHEMELI I SHTËPISË MUZE TË LIDERIT KOMBËTAR UKSHIN HOTI (06.17.2012)
BEKIM FEHMIU: ÇËSHTJA SHQIPTARE, TAKIMI I TIJ ME JOSEPH DIOGUARDIN MË 1991 (06.17.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Janar 2020  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]