VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
E Premte, 06.29.2012, 06:27am (GMT1)

Voal-online - TIRANË, 29 QERSHOR - Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori dje në qarkullim vëllimin me poezi "Raspodi e Golgotës së Tranzicionit " të autores Elida Buçpapaj. Redaktor i librit është Skënder Buçpapaj. Libri ka 144 faqe dhe kushton 500 lekë.

Libri poetik "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit" është prirë nga hyrja "Dy fjalë nga autorja" dhe nga parathënia e Skënder Buçpapajt. 

„Rapsodi e Golgotës të Tranzicionit" është ankthi i bujshëm i një njeriu dhe i një shoqërie njëkohshëm për t’iu shpëtuar kthetrave të së djeshmes, për të dalë sa më shpejt nga labirintet." Kështu shpreh kredon e saj poetike Elida Buçpapaj në fjalën e saj hyrëse.

DY FJALË NGA AUTORJA

Po i shkruaj këto radhë me rastin e botimit të librit tim „Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit". I takoj asaj gjenerate, ku fatbërës i jetës time ishte një regjim totalitarist mynxyrësjellës, në antitezë të plotë me poezinë, për fajin e vetëm se isha e bija e një poeti, të cilin regjimi e kishte futur në listat e njerëzve të padëshiruar . Dhe ky ritual pritej të përsëritej brez pas brezi, nga poeti, tek vajza e poetit, nipat e stërnipat e poetit, në vijimësi.

Si bijë arti, u linda me poezinë, isha objekti poetik i tim eti, e rrethuar nga tik-taket e makinës së shkrimit, nga bota poetike e fantazisë dhe figurave si kaligramet e Apollinaire-it, duke dëgjuar tim atë kur deklamonte, tek deklamimet e mia të para deri sa nisa edhe unë të shkruaj poezitë e mia, si shprehje vokacioni e trashëgimie genetike. Por ndërsa tim eti iu ndalua e drejta e shkrimit në moshë madhore, mua m’u ndalua që fëmijë, ky regjim monstrum të dënonte edhe në barkun e nënës, duke na futur në listat e qytetarëve të dorës së fundit, të atyre që i linte gjallë vetëm për t’i poshtëruar e depersonalizuar, e që me ne pastaj të frikësonte të tjerët.

Jeta jonë ishte gjithë trauma dhe vuajtje, të braktisur nga të gjithë, por jo nga poezia! Isha e përjashtuar për jetë nga listat e atyre që regjimi i zgjidhte se cilët do të ishin shkrimtarët dhe poetët e Partisë së Punës, por isha e privilegjuar në listat e përpiluara nga vetë Kaliopi, muza e Homerit dhe e poetëve, e cila edhe në momentet më të vështira të jetës nuk më braktisi.

W.H. Auden thotë se „Një poet është para së gjithash një person i dashuruar me gjuhën". Po, qëndron, por unë do të thosha se një poet është, para së gjithash, i dashuruar me ndjenjat më të holla të zemrës, me spleen-in, e shpirtin e tij. Dhe jam dakord potësisht me Jevgeni Jevtushenkon se « Biografia e poetit janë poezitë e tij„. Duke shtuar se biografia e poetit është biografia e shoqërisë ku jeton, e dramave të saj kozmike, vuajtjeve, sfilitjeve, pengjeve, dështimeve, humbjeve, sfidave, gjithçka është në këtë funksion, ku poeti si një kronikan respekton thelbin e së vërtetës të ndjenjave. Poeti nuk gënjen kurrë, nuk është hipokrit, nuk është fals, poeti iu qëndron besnik sensacioneve të tij, i bindet muzës së tij; poeti është i çuditshëm, „strange", i veçantë, ngjan gati si i huaj me botën që e rrethon, sepse ndjenja e bën të parandjenjë, të parashohë, të parathotë; poeti është më njerëzori, nuk e vret dot një mizë, nuk fyen dot askënd, poeti kur ndihet se gabon, kërkon ndjesë, poeti fal kur e fyejnë, poeti nuk është lulja e së keqes, është klithma kundër saj. Vargjet e librit tim „Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit „ janë fragmente të biografisë sime dhe të shoqërisë së qytetarëve, janë pasqyrë e atij kalvari që kemi hequr dhe e asaj Golgote të tranzicionit që na i tërheq zvarrë me brutalitetin e zvarritjes që Akili i bënte Hektorit, vitet e bukura të jetës.

Kur menduam se diktatura u rrëzua, sepse poetët janë edhe besimtarët më naivë të rruzullit, besuam se jeta jonë do të merrte kuptimin e bujshëm, larg reminishencave, inercisë dhe atavizmave të së djeshmes, por mjerisht shohim se pas njëzet vitesh kohën na e kanë bjerrë njerëzit që në fakt nuk kanë lidhje me atë që ne ëndërruam.

Një shoqëri e dalë nga një burg-bunker gjysmëshekullor nuk mund të shërohet në mënyrë të menjëhershme, por të paktën tani jemi të kthjellët dhe syçelë. Të paktën askush më nuk mund të na i diktojë dhe t’i zgjedhë mes turmës se cilët do të jenë poetët dhe as dogmat nuk mund të na i paraqesë më askush si ideale të lirisë. Këtë pak a shumë shpreh edhe poezia ime e këtij vëllimi poetik. Ky vëllim i ka shpëtuar fatalitetit të diktaturës, këto vargje janë të çliruara nga iluzionet dhe janë të shqiptuara në mënyrën më të sinqertë të mundshme, me sinqeritetin e fëmijës që nuk di të gënjejë kurrë.

Duke kaluar jetën time në rivistë në një minutë të tërën, me shpejtësinë e trokun e trenave e shoh portretin tim në mosha të ndryshme, diku duke matur të rrahurat e shpeshta të zemrës prej fantazmave të frikës, që shkaktonte terrori i një regjimi, që kishte fikur sa e sa jetë të pafajshme, me atë pamundim sa të duhet të ndezësh a të fikësh një fill shkrepse. Por e mbijetuar sepse prapë ne ishim fillimi i fundit të tyre, i gjeneratave të para që u ndriti ylli i fatit sepse i shpëtuam ad literam ferrit të diktaturës, paçka se u futëm në spiralet e Golgotës së tranzicionit. Por destini i poetit më në fund i shpëtoi lakut të litarit të xhelatit si oguri i një fillimi të pritur e të vonuar njëkohshëm.

Zotit i jam mirënjohëse gjithashtu sepse na shpëtoi nga armata e produktit më mizerabël të superstrukturës totalitariste që prodhonte akulturizëm dhe lejfenizimin e shqiptarëve, një soj larje trush nga njerëz mediokër dhe të pashpirt, që ende sot i ngrohin duart mbi zjarrin e kalvarit të tranzicionit, ku kultura shqiptare po vazhdon të digjet në turra drush e vendin e xhelatëve të kritikës socrealiste që i çonte poetët në litar, e ka zënë antikritika, ajo që vazhdon të jetë e varur nga politika, në një formë spektakolare, tragjiko-komike si dordolecë në një buratiniadë.

„Rapsodi e Golgotës të Tranzicionit" është ankthi i bujshëm i një njeriu dhe i një shoqërie njëkohshëm për t’iu shpëtuar kthetrave të së djeshmes, për të dalë sa më shpejt nga labirintet e saj në dritën e diellit, në emër të asaj që na vjen në dorë vetëm një herë.

-

POEZI E FRYMËZIMEVE NEOIMAZHISTE, E TUNDIMEVE SIMBOLISTE DHE E REBELIMEVE TRONDITËSE SUREALE

Nga Skënder BUÇPAPAJ

Poezi e imazheve tronditëse, poezi-dramë. Nëse trille hyjnore si poezia do të pranonin përkufizime, atëherë them se ky do t'i shkonte më shumë krijimtarisë së Elida Buçpapajt përmbledhur në librin e saj të ri "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit".

Imazhi në qendër të frymëzimit poetik do të pagëzonte në fillim të shekullit të shkuar imazhizmin, një lëvizje poetike angloamerikane, të cilën Thomas Stearns Eliot, i shqipëruar tejet mjeshtërisht nga Elida, e konsideron lëvizjen e parë moderniste në arte. Eliot vetë do të ndikohej gjithë jetën nga imazhizmi, sidomos nga njëri prej themeluesve të imazhizmit, Ezra Pound. Madje poezitë e tij të personazheve, poezitë e tij portrete do ta kishin pikënisjen drejtpërdrejt nga vinjetat epigramatike të Pound.

Siç është në natyrën e poezive të kësaj prirjeje, edhe tek "Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit", personazhi, qoftë ai në vetën e parë, i gjithëpranishëm, qoftë personazhi me emër të përveçëm, qoftë personazhi alegorik apo personazhi simbol, qoftë në njëjës apo në shumës, priren drejt konkretizimit, drejt sendëzimit. Ku realiteti jepet si lojë e fantazi nga më spektakolaret, që të merr mendjen e të rrëmben shpirtin, por që mban vulën e kohës të cilën e jetojmë autorja dhe ne. Kjo bën që peizazhi të marrë frymë si njeri, ndërsa frymorët mitikë apo të mitizuar si engjëjt, shtrigat, lubitë, kanibalët, ujqit, çakejtë, kojotat, tartabiqet, magjistricat të marrin fytyra të bashkëkohësve tanë. Në këtë terren hedhin shtat simbole si "faraonët", "Ramsesët", "hunët dhe gotët e Jugut", "Kali i Trojës në Veri", "Kleopatra", "Klu-klus-klanet", "Sodomat dhe Gomorrat".

Poezi e frymëzimeve neoimazhiste, do ta zgjeroja më tej përkufizimin tim për krijimtarinë e re të Elidës. Si kudo tjetër në art, ndjeshmëritë edhe në poezi çojnë drejt një prirjeje të caktuar, drejt formave dhe mjeteve të parapëlqyer, drejt zgjedhjes së aleatëve estetikë, filozofikë dhe etikë, drejt kërkimeve, drejt eksplorimeve dhe drejt zbulimeve artistike. Në art të gjitha këto bëjnë pjesë në pafajësinë e krijimit. Frymëzimet ndërtohen mbi bazën e një imazhi dhe shprehen poetikisht një ritëm të lirë. Ato janë sublimim i përjetimit emocional dhe i përsiatjes intelektuale, janë ndjenjë dhe mendim. Parimi estetik qendror i kësaj poezie është se objekti dhe pasqyrimi janë e njëjta gjë, pra sa objekti është pasqyrim, aq edhe vetë pasqyrimi është objekt.

Zbulime të mirëfillta poetike janë formanse si "lotët e urrejtjes", "të njohurit s'më njohin", "qielli refugjat", "kockat e imta të yjeve", "qielli me thesaret e tij personale" deri tek fjala "drithërenja" e përftuar nga ngjashmëria me "ngashërenja". Të tilla janë edhe metaforat e përftuara nga metamorfozat e shumëfishta të njëpasnjëshme si "kurmin e bardhë/ si mështeknat/ ta kthyen në xham/ të thyeshëm si kristalet e borës"; "e dëshiron botën vetëm të bukur/ të paktën të bukur/ sa gishtat e tij të këmbës"; "qielli iu arratis prangave/ të reve dhe zinxhirëve të mjegullave për në Jug"; "gjurmët e gishtave/ të këmbëve të mia janë fotografi/ të eshtrave të ditëve të shkuara". Nga të gjitha llojet e shkrimit letrar, poezia është e vetmja që ka privilegjin të rilexohet pafundësisht, të mësohet përmendsh, të deklamohet dhe të citohet. Poezitë e Elidës, në çdo lexim, i japin kënaqësi befasuese, zbulimesh si ato më sipër lexuesit të thjeshtë, kritikut apo eseistit.

"Shqipëria asht diell,/ andërr, zhgjandërr,/ asht shi, breshër, borë,/ furtunë, stuhi,/ stuhi në gotë;/ delir,/ gënjim, zhgënjim/ asht pranverë, verë,/ verë e kuqe, e bardhë,/ dehëse,/ dehje/ verë e dielltë,/ Drin, Bunë, Vjosë,/ Shkumbin, Valbonë;/ asht Liqen, kodër, mal,/ fushë e ultësirë;/ asht ofshamë...." Këto janë vargjet e para të poezisë së parë ("Shqipëria asht") të librit të ri të Elida Buçpapajt. Autorja, pra, parapëlqen vargun e bardhë, organizimet jostrofëshe, jometrike, monokolone. Poezia e saj pajton dhe kundërvë asimetrinë me simetrinë, rregullin me çrregullin, kaosin kozmik me monotoninë tokësore, abstrakten e kulluar me konkreten e vrazhdë, duke i manifestuar parimet e saj estetike deri edhe në rrafshin gjuhësor.

E gjithë kjo dramë luhet në një atmosferë simboliste, çka përbën një përmasë qendrore të frymëzimeve neoimazhiste të poezisë së Elida Buçpapajt. Simboli që do t'i shprehë lidhjet poete-atdhe, Elidë-Shqipëri do të jetë Jugu: "Mbetem e shushatur/ prej mungesës së qiellit/ të gllabëruar/ nga retë e mugëta/ dhe kur vjen nata/ e njëtrajtshme/ kur mungojnë/ yjet/ si gurët kilometrikë/ që ndrisin prej fosforit/ të eshtrave/ nëpër rrugën e kthimit/ drejt Jugut/ dhe arsyes/ Por arsyeja e humbi rrugën/ në natën/ pa qiell/ që si lubi i gëlltiti yjet dhe hënën/ dhe shpresa humbi/ si një monedhë/ në oqeanin e zi të natës/ pa zbardhëllimën/ e gurëve kilometrikë." Nën këtë frymë përftohen simbole si "Kuçedra flokëkuqe" që na e pati zili fluturimin, "bastardët e tranzicionit", "çakejtë e urbanizmit". Përballë tyre, sa hajthëm aq dhe fisnikërisht qëndrojnë simbole ku poetja e mban të hedhur ankorën e lidhjeve me atdheun, si Ura e Tabakëve, "ciceronia që më nxjerr nga ngujimi i ankthit".

Nuk mungojnë situatat surealiste, çka i bën të panevojshme edhe shenjat e pikësimit sidomos në poezitë e mallit të skajmë dhe rebelimit të shfrenuar. Shembull i fatalitetit surealist, ndoshta më i spikaturi në libër, është poezia "Vargje për përbindëshat e tranzicionit": "Ne njerëzit e çliruar nga bunkerët e rrathëve/ të ferrit/ tash e mbas/ e të gjitha herët/ jemi të ngopur/ nginjtas/ me shëmtimin/ postum/ dikur në emër/ të tutës/ sot në emër të mostutës/ dje në emër/ të kuçedrës së diktaturës/ sot në emër të prostituimit të lirisë."

Më kulmin e shfrimeve dhe shfrenimeve poetike, në trajektoren mes atdheut dhe poetes e anasjelltas, një vend qendror zë cikli kushtuar Kosovës, tragjedia më e madhe e përjetuar deri sot nën kupën qiellore , "Kosova vendi ku Zoti i shumon fëmijët si fijet e barit", i paraprirë nga thënia e Ibrahim Rugovës, "Kosova është një vend i vogël, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri që janë dhënë për ne nga Zoti". Cikli hapet me "Unë vij në Prekaz", përjetim thellësisht dramatik, ku poetja ngrin "e palëvizur si mermeri i varreve/ nën harkun/ e violinave të vajit/ të fijeve të barit/ që qajnë/ nga mungesa/ e hapave/ të fëmijëve. Pastaj vijnë tri poema: "Kur vjen qershori vritet Bardhyl Ajeti", "Balada e 3500 nënave shqiptare që presin 3500 fëmijë të zhdukur" dhe "Vajza e vogël me emrin Lule", kushtuar vogëlushes pa emër, të pagëzuar prej poetes Lule, është një simfoni tejet e përkryer imazhesh kushtrimtare: "Vajza e vogël/ me trupthin e zvogëluar/ prej frikës/ nga nata që e rrëmbeu/ prej shtëpie/ duke ia grisur dhe shqyer lodrat/ prej të cilave ajo shpëtoi/ vetëm vizatimin e fundit/ të saj/ ku me lapsat me ngjyra/ kishte vizatuar/ lule dhe shtëpinë e saj/ në Kosovë/ Vajza e vogël... / me zemrën që vazhdon/ t’i dridhet/ si një fije bari,/ nëpër ujërat e ftohtë/ të Danubit të largët..."

Me librin e saj të ri „Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit", Elida Buçpapaj e vendos veten në një pozicion paraprijës (avangardë ) poetik, në një rrymë kundër-rrymë. Krijimet e saj janë të përkora në strukturë dhe shqiptim, pajtojnë në vetvete frymën mistike dhe teknikat simboliste për të krijuar një formë poetike me tingëllim klasik e njëherësh modern, njëherësh të thjeshtë e të kursyer sa të ndërlikuar dhe kompleks, njëherësh të butë sa edhe të ashpër, sa të bukur aq dhe antidekorativ, njëherësh të butë dhe provokativ, njëherësh subjektiv dhe objektiv, njëherësh ritmik dhe jo metrik, njëherësh ledhatues sa edhe tronditës dhe shokues. Metafora e kësaj poezie nxit zbulimin dhe shpalosjen intuitive të realitetit në thelbin e tij të vërtetë. Kambanat e imazheve të kësaj poezie bien për zhdukjen e frikës, bien për shpërgjumjen, bien për zhdehjen, bien për zgjimin, bien për t'i dhënë fund ankthit dhe makthit të kalvarit të përbindshëm posttotalitar që ka pllakosur deri sot e gjithë ditën anembanë hapësirës së qenies shqiptare. Është një Rapsodi virtuoze e Golgotës së Trazicionit shqiptar.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.