VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Digjet hotel Unioni, ndërtesë me vlera kulturore
E Djelë, 08.23.2009, 09:07pm (GMT1)

 

Në Prishtinë është djegur në tërësi objekti më i vjetër në kryeqytet, i quajtur hotel “Union”.

Dyshimet për një zjarrëvënie të qëllimshme kanë dërguar në polici një person për t’u marrë në pyetje, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Policia e Kosovës ka thënë për BBC-në se hetuesit janë duke punuar në lidhje me rastin. Ata nuk japin detaje deri në përfundim të hetimit.

Zjarrfikësit kanë qëndruar në vendngjarje deri në orën 10 të mëngjesit, për të shuar flakët, të cilat kanë dëmtuar tërësisht muret e brendshme dhe arkitekturën e jashtme.

Këshilltarja në Ministrinë e Kulturës Arbnore Riza në një reagim për BBC-në tha se se ky veprim dënohet ashpër nga Ministria dhe kërkon zbardhjen sa më parë të rastit.

“Për ne ky akt vandal është shumë i keq sepse çdo objekt i vjetër, përbën një histori. Besojmë që shumë shpejt do të marrim një raport final nga organet e hetuesisë”

Hotel Union është vlerësuar si objekt me rëndësi të madhe arkitekturore dhe kulturore në vend, ndër të rrallat që mund të ekzistojnë në kryeqytetin kosovar.

Objekti hotelier, i ndërtuar 82 vjet më parë është shpallur monument i mbrojtur kulturor- artistik.

Ai u shit nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në vlerë prej 3 milionë e 200 mijë eurosh.

Përfaqësues për mbrojtjen e monumenteve thonë se në të gjithë Kosovën janë të rrezikuara edhe shumë objekte të tilla, për shkak të mungesës ligjore dhe mosmenaxhimit të duhur nga ana e Ministrisë së Kulturës.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.