E Martë, 10.21.2014, 01:32am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SKËNDER ZOGAJ - KAM PUNUAR SIPAS VIZIONIT DHE IDEALEVE SHTETFORMUESE TË PRESIDENTIT RUGOVA
Intervistoi: XHEVAT REXHAJ

E Martë, 01.29.2013, 05:28pm (GMT+1)




Për çdo gazetar apo publicist, gjithmonë është kënaqësi e veçantë që të zhvillohet intervistë me njerëz të urtë, të menqur, të drejtë dhe të dhënë pas kombëtarizmës me punë e angazhime, me krijime e përkushtime e jo me fjalë e me parulla folklorike marksiste leniniste. Kësaj radhe do bëjë një intervistë me një atdhetar, shkrimtar, poet e publicist të njohur në opinionin gjithë shqiptarë, Skender Zogajn, një ndërë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, LDK-ist i kohës që prej themelimit të saj. Kryetar i LDK se në Fushë Kosovë në disa mandate, kryetar i komun¨se së Fushë Kosovës në disa mandate. Në vitet e 90 përfaqësues i R. së Kosovës në Shqipëri.

Z. Zogaj, këto ditë u shënua 7-vjetori i vdekjes së Presidentit Rugova, si një i afërt i tij me dekada, si e përjetuat përkujtim?
- Mungesa e Presidentit historik dr.Ibrahim Rugova nëpër përvjetore sjellë shumë mallëngjim, sepse janë kujtimet që shpërthejnë plot me pikëllim për burrin më të madh të shqiptarisë, mungesa e të cilit ndjehet në jetën dhe në të gjitha zhvillimet e shoqërisë kosovare. Përvjetori sivjet u shënua dinjitetshëm nga ana zyrtare, shtetërore dhe partiake. E konsideroj kthjellje, pastrim të ndërgjëgjës, pëndim dhe kërkim falje publike, kur tek varri i Presidentit, edhe sivjet u panë duke vënë kurora lulesh me përkulje, edhe disa nga ata që janë përpjekur ta përbuzin dikur…

Veprimtaria e juaj për cështjen shqiptare në përgjithësi dhe atë të Kosovës në vecanti është shumë vjecare. A mund të na ofroni një pasqyrë të Skender Zogajt, për dekadat deri te themelimi i LDK-së?

Punën e kam nisur më 1971, si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në shkollën fillore të fshatit Carrallukë, për ta vazhduar në Gjimnazin e Malishëves, ndërsa më 1974 kam kaluar në Prishtinë, për t’iu përkushtuar gazetarisë: 4 vjet redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, e pastaj në gazetën “Rilindja” në Prishtinë, e në Tiranë, ku më 1994 u vazhdua botimi i “Rilindjes” së ndaluar në Kosovë.

Si njeri i penës, e dini se ato ishin vite të vështira për krijues e gazetarë, ngase dihet se të tillët, ishin më së shumti të ndjekur nga monizmat komuniste?
Demostratat e vitit 1968 u gjykuan rëndë dhe pjesëmarrësit morën dënime drakonike nga regjimi serbo-jugosllav, por patën ndikim të madh në ndërgjegjësimin e shqiptarëve, për vazhdimin e përpjkejeve liridashëse. Emancipimi kulturor e arsimore, ishin vizioni i forcimit të rrezistencës kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Është koha e përpjekjeve të mëdha e të vrullshme që sollën Kushtetutën e vitit 1974, e cila edhe pse shumë e brishtë, ishet përfituese për Kosovën. Unë flas nga këndi i NGBG “Rilindja”, që në këtë kohë zgjeron rrjetin informativ me varg gazetash e revistash, dhe të botimit të librit, duke angazhuar elitën krijuese intelektuale shqiptare dhe pjesën dërmuese të talentëve të penës, që, bëhen “arrë e fortë” për dhëmbët e pushtetit komunist. Në këtë kohë, me mençuri është bërë dhe loja politike, përmes aderimit në organizatën komuniste, si kusht i hyrjes në institucione, që ua mundësoi faktorizimit të kuadrove shqiptare. Nuk më takon mua, por nuk mund të mos e them: Ndërmarrja GDG “Rilindja” në përgjithësi, e në veçanti gazeta “Rilindja”, ishin shpata që çau errësirën sllavokoministe dhe nxorri në shesh të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët brenda ish-Jugosllavisë.

Fundi i viteve të 80-ta, të shekullit të kaluar, shënoi kthesën historike për çështjen e Kosovës, që ndodhi me themelimin e LDK-së; a mund të na thuani dic më konkrete për ato ditë, javë dhe muaj që ndryshuan edhe rrjedhën e historisë për ne?
Fundi viteve të 80 të shekullit të kaluar, shënon kulmin e dëshprimit të Serbisë ndaj Kosovës, sepse, shihte qartë se, shqiptarët po i dilnin nga kontrolli. Prandaj, kur ndodhën demostratat studentore të vitit 1981, Serbia vuri në lëvizje gjithë potencialin politik, policor e ushtarak dhe përgjaku Kosovën. Pezmi gufoi në të dy taborret: sa më shumë qëllonte Serbia, aq më e padëgjueshme bëhej Kosova! Shqiptarët nga shkrimi fshehtas i parullave “KR” (kosova republikë), kur u derdh gjaku rinor, qartë dhe zëshëm e artikuluan kërkesën “Kosova Republikë”, që nuk u ndal as kur e tërë Kosova u mbërthy me policë, ushtarë, tankse dhe arsenal të rëndë luftarak, që shkelën edhe Parlamentin dhe suprimuan dhunshëm Kushtetutën komuniste të Kosovës. Ndryshimet kushtetuese serbe kishin qëllim zhbërjen e plotë të shqiptarëve, por shqiptarët nuk qëndruan duarkryq: 215 intelektualë të Kosovës, më 21 shkurt 1989, nënshkruan apelin për mbrojtjen e institucioneve dhe të pozitës kushtetuese të Kosovës, pastaj deputetët pasi shpallën Deklaratën Kushtetuese, e shpallën edhe Kushtetutën e Kaçanikut. Nga kjo bërthamë intelektualësh në krye me dr. Ibrahim Rugovën, më 23 dhjetor 1989, u themelua LDK, partia e parë demokratike shqiptare, e cila ia ndryshoi rrjedhën historisë gjithëshqiptare dhe e para ia hapi shtegun epokës së demokratine në kampin komunist ballkanik dhe evropian.

Ju z. Zogaj ishit ndër themeluesit e LDK-së, dhe me sa di unë edhe theleluesi i Degës së LDK-së për F. Kosovë, që ishte e para në Kosovë. A ishte e vështirë kjo punë?
Duke qenë i përfshirë në aktivitetet themeluese të LDK-së, që u jetësua më 23 dhjetor 1989, isha mirë i informuar për veprimet më të rëndësishme që ishin: zgjerimi anëtarësisë dhe strukturimi sa më i mirë i radhëve të LDK-së në gjithë Kosovën, kërkova nga kreu i LDK-së të ma besonte organizimin e Degës së LDK-së në Fushë Kosovë., që asaj kohe ishte pika më e ndieshme edhe më e rëndësishme strategjike, sepse konsiderohej bastioni i serbizimit, meqenëse aty funksiononte organizata më famëkeqe serbofashiste “Bozhur”, promotorja më destruktive e propagandës antishqiptare. Për këtë arsye depërtimi i LDK-së aty, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme. Detyra mu besua, por me vërejtjen serioze, që të isha tepër i kujdesshëm, sepse, shkalla e rrezikut ishte tepër e lartë dhe, çdo dështim eventual, do të kishte ndikim të keq dhe do ta rrezikonte LDK-në nëpër qendrat e tjera. Iu rreka punës dhe gjeta mirëkuptimin mahnitës të qytetarëve, që masivisht aderuan në LDK, zgjodhën përfaqësuesit për Kuvendin Themelues dhe, në afat rekord, dy javë pas Qendrës, në Fushë Kosovë, bërthama themeluese e LDK-së më 15 janar 1990 e formoi Degën e LDK-së në Fushë Kosovë, që ishte e para degë e LDK-së në Kosovë.
Pa modesti e them se, jo vetëm pse ishte e para, por edhe për rolin dhe sukseset e saj, Degës së LDK-së në F.Kosovë i takon lavdia historike, sepse: e para në Kosovë hapi zyren e LDK-së; e para në Kosovë themeloi Qeverinë Komunale shqiptare me 10 Departamente; e para në Kosovë organizoi mbrojtjen shëndetësiore dhe hapjen e shkollave paralele shqiptare, e para organizoi vetfinancimin... Kur jemi te kjo, më duhet ta patjetër ta theksoj përkrahjen e përhershme të Xhemajl Mustafës dhe Jusuf Buxhovit, të cilët ishin inspiruesit e suksesit të Degeës së LDK-së në Fushë Kosovë.

E kam të dëgjuar edhe të dëshmuar, se ju ishit një njeri i afërt dhe besnik ndaj Presidentit Rugova, i cili kishte shumë besim besimin tek ju, prandaj dhe ishit i emëruar në Përfaqësinë e R. së Kosovës në Shqipëri. A mundeni pakëz më gjerësishtë të na tregoni rreth asaj periudhe të punës suaj?

Ibrahim Rugovën e kam njohur që në vitin 1972, dhe kam pas fatin të bashkëpunoj me të kur redaktonte gazetën studentore “Bota e re”. Dy vjet me vonë, më 1974, Ibrahim Rugova mori detyra të reja, në “Rilindje” e në Institutin Albanologjik, dhe mua më ra që bëhesha redaktori i gazetës “Bota e re”. Ndërlidhja miqësore u shtua kur Rugova ma redaktoi librit e parë me poezi, “Zogu i ekspozitës” që ma botoi “Rilindja” (1983), pas të cilit më pranoi edhe anëtar në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Jeta dhe puna më mbajti afër tij, edhe kur u themelua LDK dhe Ibrahim Rugova u bë lideri Kosovës (sepse do “trimave” nuk ua mbajti që të viheshin në ballë të saj).
Me bekimin e Presidentit Rugova përfaqësova Zyrën e Republikës së Kosovës në Shqipëri dhe, jam i lumtur që detyrën e besuar e kam bërë sipas vizionit dhe porosive të Presidentit, nga i cili gjatë qëndrimit në Tiranë, por edhe pas luftës, kam pasur përkrahjen e plotë. Kur fitova dhe u bëra Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, qe gëzuar shumë. Me shumë kënaqësi më vizitonte. Prandaj e them: e pata dhuratë hyjnore të isha bashkëpunëtor dhe pjesëmarrës në projektin e Presidentit Rugova. Prandaj, besnikërinë ia kam pas borxh, sikurse të gjithë shqiptarët, që duhet ta mbajnë vath në vesh, se mosbesnikëria ndaj Rugovës ishte tradhëti ndaj vetvetes. Jam i bindur se kush ka prek besnikërinë e Rugovës, e ka iriqin brenda ndërgjegjes!

Kam një pyetje e cila shtrohet nga shumë shqiptarë, e kjo është: rreth fotografisë e cila shumëzohet me mijëra kopje, ku është Presidenti Rugova, Adem Jashari, Ju dhe disa të tjerë.
Çfarë keni për t’ju thënë lexuesve të shumtë rreth kësaj fotografie?

Eshtë fotografia me origjinalitet të pakontestueshëm, që është bë në Aeroportin e Tiranës, me 12 mars 1993, gjatë vizitës së Presidentit Rugova në Shqipëri, në takimin me gazetarë, ku Mehmet Kraja, si përfaqësues i Zyrës së R.Kosovës, unë si bashkëpunëtor ndihmës i z.Kraja dhe Adem Jashari që në Shqipëri ndodhej për stërvitje ushtarake, ishim aty zyrtarisht, për pritjen e Presidentit Rugova. Publikimi i parë i kësaj fotografie, për çudi, i shqetësoi shumë disa koluare të UÇK-së, që u përpoqën ta quajnë foto-montazh! Gënjeshtra rrugaçësh smirëzinj dhe primitivë, që nuk mund ta duronin Adem Jasharin afër Presidentit Rugova. Të këtillëve më duhet t’ju them, Adem Jashari është deklaruar hapur ushtar i Ibrahim Rugovës, me fjalë e me shpirt. Në pritje ishte me plotë dëshirë dhe fort i gëzuar për ardhjen e Presidentit, që e quante “Komandanti”! Këtë e di saktë, sepse në Tiranë kam vajtur më 24 shkur 1993 dhe, me Adem Jasharin më ka rënë të takohen dhe bisedoj disa herë, shumë miqësisht, në zyrat e Përfaqësisë së Kosovës në godinën e Muzeut Kombëtar, dhe jasht tyre. Kjo është e vërteta e kësaj fotografie, që padyshim është historike, sepse i ka dy burrat më emblematikë të historisë së Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin, deshën apo nuk deshën dikushët!

Në ato vite të vrullëshme për dhe rreth Kosovës, ishit një protagonist i ngjarjeve dhe zhvillimeve të shumta për Kosovën, ku vend të vecant zënë edhe aktivitetet institucionale për mbrojtjen. Ka shumë paqartësi si ishte gjendja e vërtetë në Shqipëri, ku ishin me ndikim bukur të fort edhe grupe marksiste leniniste të LPKse dhe të tjerë, që pengonin Institucionet e Republikës?
“Me laps në Evropë!” ishte motoja e parë e LDK-së dhe viza e filozofisë politike të dr.Ibrahim Rugovës, që ia hapi shtegun drejtë demokracinë evropiane. Më vonë Rugova thoshte se “mbrojtja e pragut të shtëpisë është e drejtë dhe detyrë demokratike!”. Sipas kësaj më 1991, LDK-ja elaboroi sistemin e vetmbojtjes gjithëpopullore, nga nëndegët deri të kryesia qendrore e LDK-së. Mirëpo, Presidenti, që ishte edhe Komandanti Suprem kurrë nuk pranoi se kishte struktura të organizuara të mbrojtjes brenda Kosovë. Ndërkohë, Qeveria Bukoshi në Shqipëri kishte organizuar kampet përgatitore ushtarake, në njerën nga të cilat, ishte edhe Adem Jashari. Pra, kishte angazhime institucionale për mbrojtje, që nisën mirë, por në mungesë të një mekanizmi kontrollues, në Shqipëri depërtuan të gjitha llojet e “patriotizmave” politikë e mafiozë, marksisto-leninistë, kontrabandistë, kriminelë gjithfarësh që u rekrutuan në rrjetin e shthurur të SHIK-ut, dhe iu rrekën “gjuetisë së shtrigave”, duke pasur cak kryesor – moslejimin e funksionimit të institucionale të Kosovës. Shqipëria e dërmuar ekonomikisht nuk kishte trohë fuqie për mbrojtjen e “miqëve kosovarë”, mbi të cilët propaganda pamëshirshëm derdhte urrejtje, aq sa kampet stërvitore për djemt e Kosovës u desh të mbyllen.

Njiheni si njeri që në krijimtarinë tuaj dhe në shkrimet tuaja e thuani troc të drejtën. Më intereson të di se, asaj kohe a kishte lëshime nga ana e të parit të Qeverisë dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, karshi marksistë-leninisteve?
Unë kam punuar në Tiranë dhe nuk kam pas qasje direkte në funksionimin e Qeverisë, mirëpo, nga këndvështrimi i Zyrës në Tiranë, që ishte njëfarë ekspoziture e Qeverisë Bukoshi, mund të them se, lëshimet në disa segmente kanë qenë drastike! Fjala vjen, grupet marksiste-leniniste kanë qenë shumë më të privilegjuara se sa LDK–ja dhe Presidenti Ibrahim Rugova, të cilit, sic dihet, nuk i lejoheshin mjetet për udhtime, për telefona dhe shpenzimet tjera të domosodoshmë, ndërsa me mjetet e Qeverisë Bukoshi, janë bërë qejfe dhe janë financuar atentate kundër veprimtarëve më të devotshëm të LDK-së. Rasti më eklatante është Ministria e Mbrojtjes dhe FARK-u, që Bukoshi i kurbanizoi nën presionin e grupeve kriminale marksito-leniniste, të cilave ua krijoi mundësinë që të vrasin në krye të detyrës kryestrategun ushtarak institucional, Ministrin e Luftës të Qeverisë së Kosovës, kolonelin Ahmet Krasniqi, kur ky e kishte profilizuar forcën ushtarake dhe po priste vetem urdhërin e Bukoshit për të hy në arenën e luftës në Kosovë. Ky lëshim është krimi skandaloz i Bukoshi, që ngado që të vlerësohet, del se kishte gisht në vrasje...

Të kthehemi z.Zogaj në kohën pas çlirimit të Kosovës, kur në të dy nivelet LDK-ja fitoi në mënyrë absolute zgjedhjet. Mirëpo, fitoret ishin me rrezik për veprimtarët e LDK-së gjithandej...

Ndodhën ngjarjet të tmerrshme që, uroj kur të zbulohen deri në fund, se do të trishtohemi nga vetvetja, për veprat e ndyra që kanë ndodhur. Populli i dinte të gjitha duke qenë nën trysninë e fortë të frikësimit, nuk guxonte të fliste, por të vërtetën e tregoi përmes votës, që në zgjedhjet e para duke ia dhënë besimin LDK-së, apo më saktë, dr. Ibrahim Rugovës, që në të dy nivelet, në mënyrë absolut i fitoi zgjedhjet! Kjo ishte fitore historike për demokracinë shqiptare. Mirëpo, fitorja indinjoi nëntokën kriminale, grupet marksiste-lenioniste-enveriane dhe nëntokën mafioze të shërbimeve sekrete, që në shenjtë të hakmarrjes e përgjakën tokën e Kosovës, duke vrarë atdhetarët më të shquar të demokracisë dhe patriotizmit të pastër, siç ishin: Xhemajl Mustafa, Ukë Bytyçi, Ismet Raci, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Hasan dhe Enis Zemaj, gazetarët Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, etj, të gjithë, vetem e vetëm pse ishin veprimtarë të LDK-së.

Në Fushë Kosovë, si kryetar keni bërë shumë për rimëkëmbje e jetës, mirëpo, kishit edhe sfida të mëdha me disa parregullsi; më kujtohet lufta juaj për pjesën industriale ndërmjet dy komunave, ku kishte keqpërdorime dhe uzurpime të pronës nga “komandantët” e vetshpallur?

Për dy mandate me votës apsolute të qytetarëve kam qeverisur aty ku Millosheviqi dikur kërkonte kokë shqiptarësh për një qime floku të serbëve! Zoti ma shpërbleu mundësinë të isha kryetari Fushë Kosovës dhe t’i tregoja millosheviqëve se, kokat e shqiptarëve janë të pamposhta. Nuk takon të bëj vlerësime, por mund të them se, kam punuar sipas vizionit dhe idealeve shtetformuese të Presidentit Rugova. Vështirësi ka pasur shumë dhe të rënda sepse, cubat e kuq e të zinj, “komandantë” vetshpallur e “luftëtarë” me uniforma të blera në tregjet e ciganëve në Tiranë, Durrës e Kukës, nuk lenin guri pa rrotulluar për të uzurpuar, vjedhur e grabitur pronat e huaja; lokale, shtëpi, banësa, tokat, pasuritë...gjithandej, shumë sosh edhe permes dokumenteve të falsifikuara nga gjykatat benda dhe jashtë Kosovës. Shkrryrjet kriminale në “Zonën insustriale” ndërmjet Fushë Kosovës dhe Prishtinës, u përpoqa t’i ndakoj, por nuk e gjeta përkrahjen e duhur, sepse uzurpatorët, bënin me dije se “plumbi kushtonte 20 cent!” Jam krenar që nuk u jam nënshtruar kërcënimeve!

Vdekjes së Presidenti Rugova më 2006 iu organizua ceremoni si i ka hije varrimit të një burrështetasi. Por, mjerisht, pa u kryer mirë zia u mbajt Kuvendi VI, që ishte një katrahurë e pabesueshme brenda LDK-së. Si e shpjegoni atë ngjarje?

Vdekja e Presidentit Rugova ishte goditje e rëndë dhe e kobshme për Kosovën që ndodhej në pragun e daljes nga inkubatori. Pas dy palë zgjedhjesh eksperimentale, dihej që zgjedhjet e tretat, do të ishin finalizuese të Pavarësisë së Kosovës, sipas frymës Rugoviane. Por, ndodhi ndryshe, sepse kolosi mbylli sytë dhe plasi gjama. Sa e madhe ishte kjo Vdekje, e treguan burrat botëror që erdhën i dhe iu përkulën me pietet kolosit më të madh të shqiptarëve, “Skënderbeut të shekullit 20”, siç e quajti këto ditë Sali Berisha.
Vdekja e Ibrahim Rugovës ishte me pasoja të jashtëzakonshme për zhvillimet kosovare në përgjithësi, e për LDK-në në veçanti! Kuvendi i VI, “i karrigave”, ishte turp i mallëkuar, shëmti, mjerim partiak, degjenerim intelektual, katrahurë ambiciesh traumatike për pushtet, shfrim egocentrik, shpërthim injorance... Pikërisht kjo, sepse, nga ai kuvend të gjithë dolën të fikun dhe te koritun!

Pa kërkuar se kush ishte fajtori, apo iniciatori i shkatërrimit të LDK-së, çfarë është mendimi i juaj personal për atë Kuvend, a kishte gisht edhe ndonjë ambasadë apo shtet mik i yni?

Ndodhi ajo që nuk do të duhej të ndodhte, qoftë edhe për hatër të Presidentit, i cili nuk e meritonte një katrahurë të tillë në partinë që e kishte nxjerrë nga zemra dhe e kishte ushqy me urtësinë e mendjes, në kohë e rrethana robërie, ndërsa po degjeneronte në kohë lirie. Tepër rrëqethëse!
Nuk mendoj se kishte gisht ndonjë ambasadë, as shtet mik apo armik. Jo! Nuk kishte nevoje të implikohej askush, sepse, kishte mjaft mish të egër brenda LDK-së, që ishte aty prej kohësh, por nuk kishte guxuar të shfaqej sa ishte gjallë mendjendrituri, i cili tentim-puçet i shkrinte si rrezja diellit brymën! Por ai nuk ishte dhe u shfaqën zemrat e zifta, interesaxhinjtë, përfituesit e fatkeqësive. Fajtorë ishin të gjithë pjesëmarrësit në Kuvend, por ikësit nga shtëpia them se bën gabimin e pafalshëm. U la shtëpia për Hanin e Dilit! Dhe kjo, kinse për hatër të rugovizmit?! Sipas bindjes time të thellë, më i ngrituri intelektualisht në lojë ishte akademiku Nexhat Daci, dhe, atij i përket epiteti i kryfajtorit ti pafalshëm.

LDK-ja prej vitit 2007 po i humb zgjedhjet, ndërsa askush nuk ndjehet përgjegjës. Nuk kemi pa ndonjë dorëheqje të udhëheqjes, që t’ju lëshohet udha forcave të reja. Bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të besueshëm të Presidentit kanë mbetur jashtë strukturave të udhëheqjeve. Si shpjegohet kjo?
Populli ka thënë “Teposhtëzën e pret lugina!” Kjo i ndodhi LDK-së. Pasojat janë fatale, sepse, partia që rrëxoi komuniznim, i ra të mposhtet nga xhon-komunistët, mbetjet staliniste-enveriane dhe ca grupe mafioze hajdutësh, gërryes të zorrëve të popullit atdheut. LDK-ja u mposht nga hajdutët, që e pranojnë se me vjedhje e kanë marrë pushtetin, e kanë marr ligjin, i kanë marr mekanizmat e drejtësisë, deri edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjendja është kjo! Cka i duhet LDK-në është vështirë të gjykohet. Unë nuk mendoj me dorëheqje mund të kthjellet situata. Jo, përkundrazi, dobësohet edhe më shumë. Forcat e reja të LDK-së kanë nevojë për bashkërenditje të vlerave kadrovike, nga më të rinjtë deri te veteranët. Kështu forcohet dhe çohet përpara tradita e frymës së pastër rugoviane, që i përket demokacisë së mirëfilltë euroatlantike!
Sa i përket anashkalimit të bashkëpunëtorëve ma besnikë të Presidentit Rugova, është i patolerueshëm dhe me pasoja, sepse, roli i tyre aktualisht është i pazëvendësueshëm në strukturat udhëheqëse. Dua ta them zëshëm: për rugovistët e vërtetë është kriter moral që të mos shtyhen me bërryla…

Z. Zogaj, ku është sot LDK-ja, parë nga këndëvështrimi i juaj si një nga të dalluarit e LDK-së që prej themelimit të saj?
Momentalisht LDK-ja është në udhëkryq, si Kulla e Ajfelit, shenja më e dukshme dhe ma simbolike partiake gjithëshqiptare – me këmbët në tokë dhe kryet në qiell, plot me njerëz rretherrotull e nëpër trup. LDK-ja është në momentet kuçe kur duhet të konsolidojë anëtarësinë, që nuk duhet të lihet në bredhje të kota dhe në pritje të pacak. Hapur kuadrot e verifikuara duhet të dihet se ku e kanë vendin dhe, të mos të kompromise me dilengjinjtë! Anëtarësia e gjerë kërkon transparencë dhe informim të saktë, sepse është topitur nga enigmat, fshehjet, veprimet prapa shpine, aleancat e interesit, nepotizmi ideologjik që thirret por në fakt nuk i përket konceptit të vërtetë rugovian.

Shumë rugovistë-ldk-istë nuk e kanë të qartë pse z. Sejdiu po sillet në këtë mënyrë me LDK-në dhe më kryetarin e saj, kur dihet botërishtë se, vet z. Sejdiu e solli në kierarki më të lartë Isa Mustafën, si shpjegohet ky fenomen?
Vizioni politik është largëpamësia e perceptimit të fatit historik! Rugova me vizionaritetin e tij krijoi epokën e re të demokracisë shqiptare – rugovizmin - perceptim filozofiko politik, jo bash i lehtë për pasardhësit.
Fatmir Sejdiu ishte padyshim ishte trashëguesi më i qëlluar i postit presidencial pas Presidentit Rugova. Por, ngatërrimi ndodhi brenda Partisë, ku “mishi i egër” po e kërkonte “egjrën”! Jam fort mirë i informuar që udhëheqja e lartë e LDK-së, duke mos i kushtuar kujdesin e duhur afrimit të anti-LDK-istë të përbetuar, u dhanë atyre mundësinë e marrjes së LDK-në, nëpërmjet Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës, që pastaj të eliminoheshin edhe ata: me një të rame për dy të vrame. Kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kafshoi Presidentin Sejdiu, u lëndua edhe miqësia ndërmjet Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës, që e tronditi fort LDK-në, dhe jemi dëshmitarë të pasojave. Mirëpo, në këtë lojë kaq të keqe është edhe një e mirë e madhe: LDK-në e ka në dorë Isa Mustafa që është shoku, miku kolegu dhe bashkëpunëtori më i afërt I Fatmir Sejdiut. Unë dua të mendoj e të shpresoj se, Fatmiri dhe Isa, dy intelektualë reprezentativ, janë të vetëdijshëm për rolin dhe përgjegjësinë historike që kanë ndaj LDK-së dhe Kosovës. Pavarësisht nga çfarë u ka ndodhur, Isa dhe Fatmiri, pa asnjë sqarim duhet t’ia zgjasin dorën njëri tjetrit dhe ta kthejnë në vendin e duhur nderin e tyre dhe të LDK-së. Ka vend të mjaftueshëm për meritat e të dyve, nëse LDK-ja bëhet meritore, përndryshe, të dytë, por edhe gjitha LDK-ja do të jetë të humbur.

A ka rrezik, që nga këto përçarje dhe inate të humbet gara edhe në zgjedhjet e ardhëshme, meqenëse PDK-ja mundet t’i improvizoj, kur ajo e sheh rastin më të volitshëm që të fitoj?


PDK-ja kurrë nuk mund t’i fitoj zgjedhjet ndërshmërisht! Rreziku brenda LDK-së janë inatet dhe përcarja, që janë zbutun fort, por jo deri ne masën e duhur. Veprimtaria e finokëve vazhdon të jetë prezente dhe po përpiqet t’i pengoj vlerat e pastra e të sakta që elektorati i dëshiron. LDK-ja ka nevojë të jetë e hapur dhe konkrete ndaj finokëve, që duhet të herren sikur bari i keq!

Një çështje tjetër shumë aktuale: Veriu dhe bisedimet me Serbinë. Biseduesit e sotëm dikur, në kohë okupimi, shanin dhe e quanin tradhëtar Presidentin Rugova, pse lejonte delegacionet e caktuara të bisedonin për çcështje që i kërkonte perendimi. Ç’farë po ndodh, a është në rerezik veriu?

Veri është sprova më e keqe që i ka ndodhur Kosovës, sepse në fakt bisedimet e kanë cënuar dinjitetin moral dhe interesin historic të shqiptarëve, të cilët kanë rënë në kurthën e vet tradhëtisë së plotë. Bisedimet për veriun janë – biseda për gruan që ka kurorën dhe burrin e saj legjitim, mirëpo, iu ka mbush mendja një matrapazi që dëshiron ta ketë, sado pak! Kjo grua është shtatëzënë…!
Sa i përket Presidentit Rugova gjithë bota e di, i marrun peng, duke qeshur e ka mposht kasapin ma të egër të Ballkanit, Millosheviqin, në kulmin e forcës së tij dhe në kasphanen e tij. Ata që Rugovën e quanin tradhëtar, tash u themi: u bëftë mirë tradhëtia!

As në 7-vjetorin e vdekjes së Presidentit historik të Kosovës, nga disa aktorë të caktuar të politikës shqiptare nuk e gëzoi nderimin e duhur dhe të merituar: R.Qosja, J.Krasniqi, A. Kurti, e mjerisht edhe Rifat e Murat Jashari, qëndruan në heshtje. A keni ndonjë koment rreth kësaj?
Sa më shumë që kalon koha, aq më i madh e më i lavdëruar do bëhet Presidenti i shenjtë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Këtë e dinë miqtë dhe armiqtë e tij. Sa i përket nderimit, është cështje e dinjitetit të njerëzve, ndjesi shpirtërore që jo të gjithë njerëzit e kanë. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, politika Shqipërisë në përgjithësi u korit, sepse Ibrahim Rugova i buzëqeshur i ka falur. Sa i përket disa emrave të theksuar, nderimi mi i tyre nuk i duhet Rugovës as sot as mot! Por e dhimbshme, vërtetë shumë e dhimbshme është heshtja dhe qëndrimi anash i Familjes së shenjtë Jashari, e cila bashkë me Rugovën, përbën dy anët e së njejtës medalje! Kjo është norma historike e Kosovës, sot e përgjithmonë, pavarësisht nga rrjedhat e reja: Ibrahim Rugova me laps dhe Adem Jashari me pushkë, janë emri i vërtetë i Kosovës. Gjithcka tjetër është politikë e interesit, është zhvatje të historisë.


XHEVAT REXHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ROZI DOSTI - PËR ÇËSHTJEN E SHQIPËRISË HASAN DOSTI TAKOI DIMITROVIN E BULLGARISË (II)Nga FATOS VELIU (01.29.2013)
HISTORIA E PASAPORTËS SHQIPTARE TË ALBERT AJNSHTAJNIT NË GAZETËN GJERMANE DIE WELT“E vërteta është se Ajnshtajn në vitin 1935 iku në SHBA me një pasaportë shqiptare që e kishte marrë pas një qëndrimi të shkurtër në Shqipëri (01.29.2013)
SHQIPTAROFOBI E PAPARË - IDEOLOGU NEONAZIST I AGIMIT TË ARTË KRISTO PAPAS RRËFEHET TEK '360 GRADË' E ARTUR ZHEJIT (01.29.2013)
MAJLINDA KETA - DEMOKRACIA DUHET TË LARGOHET NGA (KJO) MERKATO DEPUTETËSH QË QEVERISIN PA MORALKeta - Kryesia dhe Asambleja e PS me përbërje e protagonizëm që vetëm socialiste nuk është. Pse opozita duhet të votojë tri ligjet e BE&am (01.29.2013)
BARAK OBAMA E HILLARI KLINTON TEK '60 MINUTA' CBS - ISH RIVALË TË FORTË DHE MIQ TË MIRË (01.28.2013)
ROZI DOSTI - ME VJEHRRIN TIM HASAN DOSTI KAM JETUAR 40 VJET NË NJU JORKNga FATOS VELIU (01.28.2013)
HILLARY CLINTON KANDIDATE PËR PRESIDENTE MË 2016? (01.28.2013)
HAFIZ GAGICA - PËR TREPËQINDËSHIN DUHET TË MBAJË PËRGJEGJËSI ISA MUSTAFA (01.28.2013)
SUKSESI I ARTISTIT G4SHI (LABINOT GASHI) NGA DRENICA NË NEW YORKNga NORA KALAJA, Prishtinë - New York (01.28.2013)
AKADEMI PËRKUJTIMORE E DINJITOZE PËR TRE HERONJTË JUSUF E BARDOSH GËRVALLA DHE KADRI ZEKËNFotoreportazh nga XHAFER LECI (01.28.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2014  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]