VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Washington Post: Sulmi raketor
E Shtunë, 09.19.2009, 07:18am (GMT1)



Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Robert Gejts, tha se vendimi i administratës Obama për tërheqje nga planet për sistemin mbrojtës raketor në Poloni dhe Çeki, ishte i mbështetur “pothuajse ekskluzivisht” në “vlerësimet e ndryshuara të inteligjencës”, lidhur me kapacitetet raketore të Iranit dhe nga “teknologjia e përparuar”.

Nuk ka dyshim se këtu ka shumë të vërtetë. Irani kishte punuar fuqishëm në raketat me rreze të mesme veprimi dhe është më tepër i gatshëm që t’i vendosë ato.

Por, sistemi i ri, i planifikuar, synonte goditjen e tyre gjatë fluturimit të raketave. Gjithmonë na dukej se presioni i administratës Bush për instalimin e këtij sistemi, në masë të madhe, ishte dobët i arsyetuar.

Por, për shkak se sugjerimet nga zëdhënësit e tjerë të administratës, se vendimi nuk ka të bëjë asgjë me Rusinë, me gjasë deklaratat e zotit Gejts nuk do të jenë shumë kredibile te pjesa tjetër e botës, përfshirë edhe vetë rusët.

Duke e zëvendësuar sistemin e planifikuar të radarëve në Çeki me një tjetër në Kaukaz dhe duke e përfunduar përkushtimin për vendosjen e 10 interceptorëve raketorë me rreze të gjatë veprimi në Poloni, vendimi i presidentit Barak Obama paraqet satisfaksion për kërkesat e paarsyeshme të liderëve të Rusisë, Vlladimir Putin dhe Dmitri Medvedev.

Moska, në mënyrë të papranueshme, ka pretenduar se ndihet e kërcënuar nga këto sisteme; në realitet Rusia ka vërejtje ndaj çfarëdo vendosjeje të rëndësishme të Shtetet e Bashkuara në vendet anëtare të NATO-s, që dikur i takonin bllokut sovjetik.

Pas takimit me presidentin Obama, në korrik, presidenti Dmitri Medvedev e deklaroi lidhjen ndërmjet koncesioneve të Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen raketore dhe realizimin e marrëveshjes së re për armatim strategjik.

Zoti Obama, i cili do të takohet me zotin Medvedev javën e ardhshme në Nju-Jork, pavarësisht se a ishte ky synim i tij apo jo, është tërhequr ndaj tij.

“Ne mirëpresim këtë lëvizje të përgjegjshme nga ana e presidentit të Shteteve të Bashkuara drejt realizimit të marrëveshjes sonë”, tha me gëzim zoti Medvedev.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ndryshimi është “shenjë shpresëdhënëse për tejkalimin e vështirësive me Rusinë në strategjinë uniforme për luftimin së bashku të kërcënimit nga Irani”.

Në fakt, zyrtarë të administratës thonë se ata nuk kanë kërkuar asgjë nga Rusia në këmbim për vendimin për raketa dhe - kjo vlen të theksohet - nuk ka pasur hapa paralelë nga Moska për të shqyrtuar shqetësimet kryesore të Shteteve të Bashkuara në Evropë, ose kudo tjetër. Ministri i Jashtëm i zotit Putin, para vetëm disa ditësh, ka përsëritur se Rusia nuk do t’i mbështesë sanksionet e reja kundër Iranit.

Marrëveshja për armatim strategjik, megjithëqë e dëshirueshme, është me interes shumë më të madh për Rusinë, sesa për Shtetet e Bashkuara.

(http://www.evropaelire.org)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.