E Shtunë, 07.11.2020, 02:12am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
BETEJA PËR RADIKËN DHE VJOSËN
Nga Prof. dr. LULZIM SHUKA, Departamenti i Biologjisë

E Hënë, 02.10.2014, 08:38am (GMT+1)




Lumi Aoos (Vjosa) buron nga Malet Trapezitsa, Gkamila, Smolika dhe Timfi, i cili vendoset midis grykës Aoos dhe Viki. Lugina e lumit Aoos është vazhdimësi e luginës së Vjosës dhe shquhet për vegjetacionin e saj karakteristik, duke filluar nga drurët gjithmonë gjethegjelbër të dominuar nga prralli me brezat e shkozës, dushqeve gjetherënës dhe ahun në sasi të vogël, duke përfunduar më në lartësi, me halorët e dominuar nga pisha e zezë, rrobulli, bredhin e Maqedonisë dhe midis tyre drurë të tisi-t.

4 lloje dëllinjash vendosen midis pyjeve halorë dhe kullotave alpine duke plotësuar kështu prezencën e të gjitha tipave të vegjetacionit të vendosura mbi një larmi habitatesh të banuara nga mbi 1800 lloje bimore të larta sipas Hanlidou dhe Kokkini (1997), Spanopoulou (2001) dhe NATURA 2000; më shumë se 121 lloje shpendësh dhe rreth tetë gjitarë të mëdhenj, pa përmendur larminë botanike të Majës Smolika me rreth 34 bimë endemike.

Për të mbrojtur dhe ruajtur vlerat ekologjike, veçanërisht ato biologjike, cilësinë e ujërave, si dhe vlerat kulturore dhe estetike të kësaj zone, Greqia e ka shpallur ujëmbledhësin e Grykës Vikos dhe Aoos, Park Kombëtar qysh në vitin 1974, duke e emërtuar atë Parku Kombëtar Vikos-Aoos me rreth 12,600 hektarë dhe zonë NATURA 2000 ashtu si dhe zonën e Malit Smolika.

Në rrjedhën e poshtme, tek 3 Urat e Çarshovës, Aoos shndërrohet në Vjosë, ku nën ndikimin e fuqishëm të klimës mesdhetare e gjelbra e makies ngjitet më në lartësi, në të dy anët e ujëmbledhësit, kurse grija e shkëmbinjve gëlqerorë të Nemërçkës,

Dhëmbelit dhe Shëndëllisë ndjek gjarpërimin e saj deri poshtë Kalasë së Ali Pashë Tepelenës, për të vazhduar marshimin drejt Adriatikut bashkë me Drinon e Argjirosë. Megjithëse më pak e studiuar biologjikisht sesa pjesa e sipërme e saj greke, vlerat ekologjike, kulturore dhe estetike të peizazhit shtohen, ashtu si dhe uji i saj i kaltër.

Pjesa e sipërme e luginës së Vjosës, nga Dragoti deri tek 3 Urat është e mirë ruajtur nga përmetarët e urtë dhe punëtorë dhe nuk gëzon ndonjë status ligjor mbrojtës, përjashtuar sipërfaqes 34361.1 ha në anën e djathtë të ujëmbledhësit, e cila përfshihet në Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”.

Në veri të saj, rreth 200 km larg në vijë ajrore dhe në lindje të Korabit ndodhet Parku Kombëtar (PK) i Mavrovo-s, i cili përfshin ujëmbledhësin e Radikës, rrënjët e të cilës fillojnë në jug të Sharrit, Malet Vraça (mbi 2500 m të larta), komuna e Dragashit, Kosovë.

Radika, ashtu si Lugina e Aoos/Vjosa, përbën një ndër luginat më të bukura të Evropës, të ruajtura në gjendje natyrore, që dallohet për vlerat e larta të biodiversitetit, vlerat kulturore, ujore dhe të peizazhit. Sipas akademik V. Matevski, parku është streha e rreth 1700 llojeve dhe nënllojeve bimore, nga të cilat 10 specie bimësh janë përshkruar për herë të parë në këtë park, kurse 5 specie të tjera janë përshkruar në anën shqiptare të malit të Korabit.

PK “Mavrovo” dallohet gjithashtu për speciet e rralla dhe të rrezikuara, ku veçohen rreth 21 specie të mbrojtura nga IUCN, 5 specie të tjera janë lloje me rëndësi evropiane, të mbrojtura nga Konventa e Bernës dhe Direktiva e Habitateve (Aneksi I dhe IVb), kurse 12 specie janë endemike ose subendemike të dy vendeve, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Larmia e habitateve, hidrologjia e mjedisit dhe përbërja gjeomorfologjike e tokës kanë mundësuar ruajtjen në park të 17 specieve relikte të periudhës post akullnajore. PK “Mavrovo” është burim i të ardhurave për banorët e vet dhe mjedisi çlodhës i turistëve vendas dhe të huaj.

Prof. Pieroni (2013) llogarit rreth 92 lloje bimësh natyrore të përdorura historikisht nga banorët e mbetur shqiptarë në pjesën e sipërme të luginës Reka, të cilat vazhdojnë të jenë pjesë e kulturës tradicionale të të ushqyerit dhe shëndetit të tyre.

Çatia e parkut është Korabi i madh, 2764 m i lartë, i cili ju dha emrin e vet 5 llojeve bimore: Achillea korabensis, Draba korabensis, Erysimum korabense, Festuca korabensis, Oxytropis korabensis dhe Sesleria korabensis. Në veri të PK “Mavrovo” dhe malit të Korabit shtrihet pjesa jugore e Sharrit, i cili kontribuon në pasurinë floristike të ujëmbledhësit dhe u jep emrin e vet 6 specieve të tjera të rralla dhe të rrezikuara si:

Viola schariensis, Verbascum scardolicum, Crocus scardicus, Dianthus scardicus, Narthecium scardicum dhe Cynoglossum scardicum të cilat mund të gjenden në trekëndëshin kufitar të ujëmbledhësit. Shpatet veriore dhe perëndimore të Korabit, pjesa shqiptare, nga pikëpamja e biodiversitetit është pak e studiuar, edhe kjo kryesisht nga studiues të huaj, ku kontributi më i madh u takon botanistëve hungarezë, Kummerle dhe Javorka (1918). Ato dallohen për një larmi habitatesh jetike për gjallesat bimore dhe shtazore, burim jetese për banorët e Peshkopisë dhe komunave të saj, si dhe burime ujore për ta dhe gjithë Shqipërinë.

Për ruajtjen e vlerave të zonës si dhe mbrojtjen e habitateve dhe gjallesave banore të këtij mjedisi, së fundi nga ana e qeverisë Shqiptare (21.11. 2011), ana e djathtë e ujëmbledhësit të Drinit të Zi dhe Lumës është shpallur Zonë e Mbrojtur e kategorisë së IV-t, Rezervat Natyror i Menaxhuar “Korab-Koritnik”.

Praktikisht, niveli mbrojtës ligjor i këtyre dy zonave në pjesën shqiptare, është larg realitetit që ato paraqesin në aspektin ekologjik, megjithëse ato llogariten pas Alpeve për nga rëndësia. Megjithëkëtë, ato mbeten natyralisht të paprekura e krahasuar me situatën aktuale në zonat e tjera të mbrojtura të vendit tonë të vendosura midis Vjosës dhe Drinit, megjithëse gëzojnë ligjërisht statuse mbrojtëse më të larta se këto dy zona.

Komedí tragjike mbi mjedisin nga Vjosa deri në Drin

Rreth 15 Parqe Kombëtare dhe 2 Rezervate Strikte Natyrore/Rezervat Shkencor me një sipërfaqe totale 215 301.4 ha janë miratuar me VKM të ndryshme gjatë 50-viteve të fundit me qëllim ruajtjen e larmisë biologjike, kulturore, peizazhit dhe pasurive ujore që ato mbartin.

10 PK ndodhen midis Vjosës dhe Drinit, të cilat nuk kanë struktura administrative mbrojtëse dhe menaxhuese të veçanta (përjashto PK Prespë); ato janë lënë nën presionin e vazhdueshëm negativ njerëzor, por edhe të biznes-politikës, më e theksuar kjo gjatë këtyre 23 viteve të fundit. Në këtë drejtim, vetë Vjosa po e ndjen afrimin e “shpërfytyrimit” prej 8-hidrocentraleve të planifikuara për t’u ndërtuar mbi të, teksa Langarica tashmë është mposhtur nga “gjallëria” e mjeteve të rënda që punojnë për devijimin e rrjedhës së ujërave të saj, për prodhimin e energjisë së pastër duke ndotur PK “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”.

Më tej, midis lumit të Devollit dhe Osumit, ndodhet PK “Mali i Tomorrit” ku “skllavatorët” gurënxjerrës kanë marrë përpjetë drejt varrit të Abaz-Aliut, nën emrin e të cilit mijëra bagëti bëhen kurban çdo fund gushti, gjaku i të cilave, por edhe kokë, brinjë e lëkurë e kanë fituar betejën me aromën e çajit të Malit dhe manushaqes shqiptare përreth tij.

A do të mundë vallë uji i liqeneve që do të ndërtohen në kaskadën e Devollit t’i largojë ato në “parajsë” pasi kanë humbur betejën e parë të aromës qysh nga postakullnajat e fundit? Duke u ngjitur më në veri, drejt Korabit të madh, zërat e mekur të fshatarëve të Polisit dhe Shebenikut për të mbrojtur ujin që “Zoti” u fali, nuk dëgjohen më në zyrat e Tiranës dhe të shoqërisë civile.

Tirana vetë e ndjen etjen e ujit të bollshëm të Bovillës, deri tani të pastër, kurse filtrat bimorë (ahu) në Bizë, pushteti dhe biznes i zyrave të Tiranës kërkoi t’i tjetërsojë në dru zjarri për të luftuar “zgjeben” që ato i paskej kapur.Qafë-Shtama së largu rri e vështron xhelozisht Bovillën ujëplotë, teksa erozioni e zhvesh për vit atë, pas prerjeve që pyjeve iu bënë.

Qenia Park Kombëtar nuk e ndihmoi t’i shpëtonte barbarisë, e prapë gjen ngushëllim tek Lura. Bredhi i Drenovës dhe Sheleguri u dogjën dhe pastaj u prenë, Lurën në fillim e prenë dhe pastaj e dogjën. Kërkuan ta rimëkëmbin dhe për të pastruar paratë e rimëkëmbjes e ridogjën edhe njëherë.

Saga e vuajtjeve të saj nuk ka të sosur teksa m’u në lule të ballit një kanal-shenjë ja bënë përsëri; uji i syve të saj “dritë” ka filluar të prodhojë për të tjerët, poshtë në Arrëmollë.

Dhe kështu vazhdon historia e mega dhe mini-hidrocentraleve që s’kanë lënë lumë e përrua pa prekur, brenda PK-ve ose jo, duke devijuar ose ndërprerë rrjedhën normale të ujit e bashkë me të copëzuar e transformuar mjedisin dhe përkeqësuar cilësinë e ujërave natyralë.

Edhe vetë Korabi i madh po e ndjen  rrethimin liqenor prej ujërave të Radikës dhe Skavicës. Vetë Ministria jonë e Transporteve (Drejtoria e Rrugëve) i futi duart edhe mbi Kopshtin Botanik, të vetmen strehë në vend për ruajtjen e bimëve të rralla dhe të kërcënuara, jashtë habitatit natyral të tyre.

Në këtë rast u protestua dhe askush nuk u dëgjua, biles disa prej protestuesve u dëmshpërblyen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nëpërmjet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM-së së tij). Rruga është ndërtuar, kurse dëmi i shkaktuar nuk u korrigjua, “lumi” imagjinar i VNM-istëve i krijuar tashmë nën mbikalimin e trasesë së rrugës është kthyer në një ËC publike, kurse Kopshti Botanik vuan pasojat e ndërhyrjes. Shqipëria jonë nga brenda po shkatërrohet me VNM dhe pushtet-biznesi, si pronar i tyre.

Çuditërisht, VNM-të nuk evidentojnë pothuajse asgjë nga thesaret e natyrës sonë, duke ricikluar vetveten dhe duke i lënë liri veprimi biznes-shkatërrimit, pavarësisht se ne mburremi si vend me biodiversitet shumë të lartë. Ato janë porositur dhe paguar nga investuesi dhe pranuar pa oponencë dhe transparencë nga pushteti dhe më e keqja, shpesh ato kryhen nga sharlatanë, të cilët gjithë ditën bërtasin kapeni shkatërruesin (hajdutin), kurse natën numërojnë paratë e përfituara prej tyre.

Dhe kështu vazhdon simbioza e shkatërruesit me mbrojtësin, të cilat shpesh njësohen me “pronarin” e radhës të institucionit përgjegjës. Ne sot përjetojmë dëmin e madh që pësuan ekosistemet shkurrore dhe kullosore nëpërmjet tarracimeve, pastrimit të kullotave dhe hapjes së tokave të reja pas viteve ‘70, në kuadër të nismës socialiste: “T’u qepemi kodrave dhe maleve t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat”. Për pasojë, pjesa dërrmuese e territorit e ka humbur natyralitetin e vet.

Kur natyra po përpiqej të shëronte plagët e kësaj nisme, del në skenë nisma e re kapitaliste: “T’u qepemi lumenjve dhe përrenjve për t’u bërë superfuqi energjetike”, dëmet e së cilës, ne dhe brezat që do të vijnë do t’i vuajmë gjatë.

Në këtë shkatërrim, një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi organizmat financiare të Komunitetit Europian dhe Bankës Botërore, të cilat kanë harxhuar paratë e taksapaguesve evropianë dhe më gjerë, për studime dhe përgatitjen e planeve të menaxhimit të PK-ve, kurse në anën tjetër, kreditojnë projektet e ndërtimeve të hidrocentraleve. Në këtë trajtesë, z. Sequi mund të gjejë edhe përgjigjen se ku kanë shkuar 140 milionë euro financime të KE-së për mjedisin, pavarësisht se nuk i dihet se çfarë kanë prodhuar për mjedisin shqiptar.

Shoqëria civile, komuniteti apo organizatat e tjerë profesionale nuk u ndien për këtë keqpërdorim apo shkatërrim që i është bërë dhe po i bëhet natyrës, burimeve ujore apo edhe pasurisë sonë të përbashkët. Është kjo arsyeja që trajtimi aktual nacional-politik i çështjes, në emër të patriotizmit, më shumë e dëmton se sa e zgjidh  problemin e ujërave të Radikës dhe Vjosës. Dëmin më të madh mjedisit shqiptar në këto 22-vite të demokracisë ja kemi bërë vet ne shqiptarët dhe jo të huajt.

Radika dhe Vjosa, beteja për ujin e pastër

Vjosa, Radika dhe i gjithë territori midis tyre përfshihen në sistemin malor Scardo-Pindik i cili nuk ka qenë kështu si ne e shohim sot. Për këtë arsye ai nuk do të jetë kështu edhe në të ardhmen. Për të kuptuar rëndësinë e mbrojtjes si dhe ardhmërinë e mjedisit tonë drejt fund-shekullit aktual, le të hedhim një vështrim mbrapa në histori. Sipas Institutit Grek të

Gjeologjisë dhe Mineraleve (2009) jeta në pjesën greke të Vjosës ka filluar 14 000-13 000 vjet para Krishtit, që përkon me kohën e krijimit të kushteve të përshtatshme të klimës, bimësisë dhe faunës, si shërbime të ekosistemit në përdorim të njeriut.

Këto kushte janë rezultat i evolucionit të natyrës pas akullnajave të fundit në Pleistocenin e mesëm dhe të vonë. Hughes (2007) etj., argumenton se prezenca më e gjatë e akullnajave ka ndodhur në fazën e Skamnellianit, rreth 430 mijë vjet p.k, kur temperatura mesatare gjatë verës ishte rreth 11°C më e ulët se sa sot. Janë të evidentuara mbeturinat e akullnajave të

fundit që përkojnë me fazën midis Skamnellian-it dhe Vlasian-it në Malin e Timfit, 2 497 m i lartë  (Hughes 2007) dhe në masivet malore fqinje si Nemërçkë (2495 m) dhe Malin e Lunxhërisë (2200 m) (Herbert Louis 1926), krahas të dhënave evidente nga Alpet Veriore dhe Veri-Lindore të vendit tonë të raportuara nga Menkoviç dhe Markoviç (2004) si në Korab (2753 m),

Koritnik (2394 m) dhe Alpe (2692 m). Më vonë, Palmentola (1995) evidenton shkëmbinj reliktë të akullnajave të vona deri në lartësi 1700 m mbi nivelin e detit në alpe, që u përkasin fazës së Würmian-it të vonë (115 000 deri 11 500 vjet p.k) të njëjta me ato të Evropës Veriore. Vëzhgimet tona kanë evidentuar prezencën u mbeturinave të periudhës akullnajore në

Malin e Tomorit në lartësitë (2300 m), të njëjta me ato të Timfit dhe Nemërçkës. Llogaritë e sotme tregojnë se mbajtja dhe krijimi e akullnajave kërkon sasi të lartë reshjesh shiu dhe dëbore, mbi 5000 mm në vit dhe temperatura mesatare vjetore 8-9°C më të ulëta se sa këto të sotmet që janë rreth 18.7°C (Hughes etj. 2003). Klima aktuale e Ballkanit Perëndimor, sipas Llasat (2009), është influencuar nga ciklogjeneza e zhvilluar mbi pjesën veriore të Detit Mesdhe e cila siguron burimin kryesor të reshjeve gjatë muajve të dimrit.

Të dhënat 45-vjeçare (1951-1996) të temperaturave mesatare për luginën e Vjosës dhe Drinos variojnë nga 14°C në lugina në 6-8°C në lartësitë mbi 1500 m në të 2 vargmalet, me ndryshimin e vetëm që për luginën e Drinosit luhatjet janë shumë të mëdha midis dimrit dhe verës përkundrejt luhatjeve të vogla që vërehen në Luginën e Vjosës, çka tregon për rolin vendimtar të lumit të Vjosës në zbutjen e amplitudës dimër-verë.

Sasia mesatare vjetore e reshjeve lëviz në kufij të gjerë nga 1560 mm në 2200 mm. Maksimumi absolut është regjistruar në vitin 1956 me rreth 2597 mm shi në Vjosë. Nga pikëpamja stinore, rreth 40% e reshjeve bien në dimër, rreth 35% në vjeshtë, 18-20% në pranverë dhe vetëm 5-7% në verë (Draçi 1996 dhe SOGREAH 2008) me një tendencë zvogëlimi në vitet e ardhshme.

Lagështia e ajrit është një faktor i rëndësishëm ekologjik për ruajtjen e potencialit ujor të bimësisë dhe lagështirës nëntokësore, përcaktues për shpërndarjen dhe jetesën e faunës dhe bimësisë.

Ajo është gjithashtu, edhe një rregullator i temperaturës së ajrit. Është kjo arsyeja çka na lejon që të kundërshtojmë me forcë një devijim të ujërave nga ana e palës greke, në një kohë kur nevoja për to gjatë periudhës së verës do të jetë shumë më e madhe në 50-100 vitet e ardhshme.

Ndikimi i klimës mesdhetare-malore dhe asaj kontinentale në lartësitë mbi 1500 m në malin e Korabit i mundëson atij temperatura mesatare vjetore më të ulëta, të cilat variojnë nga 7-10°C në ultësira, 2-6°C në lartësitë mbi 1500 dhe 2-3°C në majë të tij.

Sasia e mesatare vjetore e reshjeve është pothuajse e njëjtë me atë të luginës së Vjosës, dhe konkretisht sasia e tyre varion nga 1300-1800 mm në lartësitë mesatare, kurse në lartësitë e shpateve perëndimore, sasia shkon deri 2000 mm shi në vit (stacionet meteorologjike vendore).

Vlerat e reshjeve të shiut në të dy zonat fqinje me territorin shqiptar, Aoos dhe Radika, është dukshëm më e ulët dhe respektivisht shkon në rreth 1100 mm dhe 1300 mm në vit. Vëzhgimet dhe projektimet e klimës së Europës në 50-100 vitet e ardhshme parashikojnë një rritje të temperaturave mesatare me 2.5-4°C, të krahasuar me mesataren e viteve 1961-

1990, e shoqëruar kjo me një tendencë zvogëluese të reshjeve të shiut dhe borës, duke vazhduar në thellimin e çrregullësisë së rënies dhe intensitetit të tyre. Rritja e intensitetit parashikon edhe rritjen e incidencës së përmbytjeve në të gjithë Europën.

Për pjesën e Alpeve lindore parashikohet një reduktim me rreth 25 % të reshjeve të shiut e krahasuar kjo me mesataren e sotme. Projeksionet e ndryshimeve klimatike parashikojnë ndryshime të theksuara në ciklin hidrologjik të ujit në malet e Evropës dhe për pasojë edhe te disponueshmërisë së tij për konsum (EEA 2009). Zvogëlimi i rezervave të ujit të pastër, pra të pijshëm, vjen për shkak të rritjes së ndotjes së tyre në lartësitë e ulëta si rezultat i intensifikimit bujqësor, ndikimit njerëzor si dhe zvogëlimit të shtresës së dëborës dhe akullnajave në lartësitë e maleve.

Dimri dhe vera janë bërë dukshëm më të ngrohtë në 25 vitet e fundit, gjë që nuk ka ndodhur në 250-vitet e fundit, prandaj dhe tendenca e zjarreve do të jetë gjithashtu në rritje. Zvogëlimi i sasisë së reshjeve të dëborës, shkrirja e akullnajave dhe ngrohja globale mund t’i detyrojë shumicën e specieve bimore të zhvendosen më në lartësi, ose të çojë drejt zhdukjes të rreth 60 % të florës së Europës në vitet 2100 (EEA 2010).

Nga sa thamë më sipër, duket qartë roli kyç që ka patur, ka dhe do të ketë uji si faktor thelbësor ekologjik në transformimin e natyrës, gjallesave dhe shoqërisë njerëzore. Sipas të dhënave të J. Woodward (Gjeografia Fizike e Mesdheut), sasia e ujit të konsumuar në rajonin mesdhetar është rritur me rreth 50% e krahasuar me 30 % rritje në Europën veriore.

Në basenin mesdhetar tërhiqen dhe përdoren rreth 177 bilion m3 ujë në vit, sasi e cila përbën rreth ¼ e nivelit mesatar të burimeve ujore. Sasia e rezervave mesatare të ujit për banorë në rajonin mesdhetar, për shtete të ndryshme është e ndryshme. Kështu në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Slloveni, Mali i Zi dhe Serbi, sasia e rezervave ujore shkon më shumë se 10 000 m3 ujë për person në vit, përkundrejt 3834 m3 ujë në vit për person në Greqinë qendrore dhe veriore dhe pothuajse në të njëjtat vlera edhe për Maqedoninë. Sasia e ujit të nevojshëm për konsum në Mesdhe në vitin 2025 parashikohet të rritet me rreth 11%, ku Libia, Turqia dhe Algjeria do të kenë edhe kërkesat më të larta (Woodward, 2009). Kërkesat në rritje për ujë të pastër, për të përballuar zhvillimet e së ardhmes, është shkak kryesor i lindjes së problemit Aoos dhe Radika, problem i cili edhe po të shtyhet, një ditë do të dalë përsëri në sipërfaqe.

Devijimi i rrjedhjes natyrale të ujit kërkohet të kryhet në afërsi të burimit, për të siguruar cilësinë e lartë të ujit. Si përfundim mund të konkludojmë se: Devijimi i ujërave të Vjosës dhe Radikës është me pasoja të pariparueshme për integritetin e ekosistemit në të dy anët e kufirit në rastin e Vjosës dhe pasoja të rënda për të 3-shtetet në rastin e Radikës.

Ndërtimi i digës në Fushën e Lukovës, do të ndikojë në transformimin e ekosistemit dhe fragmentimin e habitatit, duke u bërë kërcënim direkt për zhdukjen e disa llojeve endemike dhe të rrezikuara në malet Vraça dhe në pjesën veriore të Korabit. Kështu që VNM-ja e kërkuar nga Banka Botërore për PK “Mavrovo”, nuk do të ishte e plotë pa u shtrirë edhe në kullotat alpine të komunës së Dragashit dhe pjesës veriore të maleve Korab-Kallabak, të cilat preken direkt nga ndryshimi i regjimit të ujit në ekosistem.

“Vjosa-Radika”, para së gjithash është çështje ekologjike, kurse zgjidhja afatshkurtër e saj është tërësisht çështje e politikës ndërshtetërore, e ndihmuar kjo edhe nga kundërshtia e përbashkët e komuniteteve të prekura brenda ekosistemit. Në të kundërt, moszgjidhja politike e saj, e drejton çështjen drejt rrugës ligjore, në të cilën zbatimi i direktivës së ujërave është faktori kryesor, por jo i vetëm.

Rruga ligjore kërkon argumente të hollësishme dhe të pakundërshtueshme ekologjike, se si dhe sa ndikon devijimi i ujërave të Vjosës në ekosistem. Në rastin e Radikës çështja ligjore është më e thjeshtë, sepse ndikimi i saj në ekosistem është më i dukshëm, sidomos në florën e maleve Vraça, për shkak se niveli i ujit afrohet deri në kufirin me Kosovën, dhe pak më larg, me pjesën veriore të malit të Korabit. Në të dy rastet, unë mendoj se Ministritë e

Mjedisit të të dyja vendeve tona (Kosovë dhe Shqipëri) duhet të jenë të përgatitura edhe për aspektin ligjor në grumbullimin e fakteve ekologjikë (të cilat në të dy rastet, për mendimin tim, aktualisht janë të pakta) të kundërshtimit të devijimit të ujërave nga rrjedha e tyre natyrale.

Dhe së fundi, pavarësisht bollëkut në rezerva ujore që natyra na ka falur sot, keqmenaxhimi i tyre deri në shkatërrimin e burimeve ujore dhe “filtrave” të pastrimit të tyre (mbulesës bimore), në zonat e mbrojtura, është një ndër gabimet më të mëdha, e cila në gjysmën e dytë të shekullit do të ketë një kosto shumëfish më të lartë se sa fitimet e çastit.
-
Shënimi i VOAL - Shkrimi është marrë nga 'Shekulli' ku është botuar me titullin "Folku politiko-nacionalist midis Vjosës dhe Radikës"

Prof. Dr. LULZIM SHUKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË HISTORI ARRATIE QË BËRI BUJË MË 1984 - DHE SHQIPËRIA DJE E SOT SIPAS IZABELA ISLAMITNga XHEVDET SHEHU (02.09.2014)
EDI RAMA - U PREHSH NË PAQE, YLL I SHUARFjala e Kryeministrit në homazhet e zhvilluara për nder të Vaçe Zelës (02.09.2014)
LETËRKËMBIMI I RAMIZ ALISË NË NËNË TEREZËN - S'I DUAM 'MOTRAT', KEMI PLOT BAMIRËS KËTU (02.09.2014)
FOTO QË KA BËRË XHIRON E BOTËS - POLICËR PËRDORËN LËNG SPECI DJEGËS KUNDËR PRTOESTUESVE NË PRISHTINË (02.09.2014)
ÇFARË KANË THËNË PËR VAÇE ZELËN (02.09.2014)
PRESIDENTI NISHANI DEKOROI ZONJAT ANNA KOHEN DHE JOHANNA NEUMANN - TË MBIJETUARA NGA HOLOKAUSTI NË SHQIPËRI (02.09.2014)
VAÇE ZELA - SHOQJA JONË E GJIMNAZITKujtime nga ROZI THEOHARI, Boston/USA (02.09.2014)
A MUNDEN SHQIPTARËT TË GJEJNË PRIJËS TË MIRË?Opinion nga AGIM GASHI (02.09.2014)
TIRANA E LASHTË DHE PËRVJETORËT E SAJ SI KRYEQYTETStudim nga SAIMIR LOLJA (02.08.2014)
MAJLINDA KELMENDI FITON MEDALJEN E ARTË NË PARIS (02.08.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2020  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]