E Premte, 09.20.2019, 03:49am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
NJË PRANVERË BALLKANIKE?
Nga TIM JUDAH

E Mërkurë, 02.12.2014, 02:12pm (GMT+1)



Për vite të tëra përshkrimi më i mirë për gjendjen politike në Bosnjë ka qenë “e stagnuar, por stabile”.Tani, me një shpejtësi marramendëse, analistët kanë filluar të flasin për një “Pranverë boshnjake”.

Në Tuzëll, Mostar, Zenicë dhe Sarajevë, ndërtesave të Qeverisë u është vënë zjarri, derisa ka pasur demonstrata në pjesën më të madhe të shtetit. Qindra persona janë lënduar, përfshirë këtu policët.

Politikanët kanë dënuar “huliganët” për dhunën, por shumica prej tyre janë të frikësuar. Ka pasur shumë fotografi të veturave, që thuhet se u takonin politikanëve, që janë rrëzuar në një kanal në Zenicë.

Telashet filluan në qytezën veriore të Tuzllës, të mërkurën. Punëtorët nga disa fabrika, të cilat ishin privatizuar dhe më pas kishin falimentuar, u bashkuan që të kërkojnë punë, pagat e papaguara dhe pensionet. Këtyre punëtorëve iu bashkuan studentët dhe aktivistët politikë. Pasi që ata filluan të gjuajnë me gurë Gjykatën lokale, dhuna shpërtheu.

Lufta katërvjeçare e Bosnjës mori fund më 1995 dhe që nga ajo kohë ka pasur shumë protesta rreth çështjeve sociale.

Deri në vitin 2006 ka pasur progres drejt bërjes së Bosnjës si shtet pak a shumë funksional. Por, që nga ajo kohë politika e Bosnjës ka mbetur e stagnuar, dhe ashtu si edhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, shteti është prekur rëndë nga shumë vjet të krizës ekonomike.

Papunësia ka arritur në 27.5 për qind dhe asnjë nga indikatorët ekonomikë nuk flasin për një rimëkëmbje serioze.

Industritë e moçme të periudhës socialiste, që kanë dominuar në qytetet si Tuzlla, kanë mbetur gërmadha pas luftës. Privatizimet shpesh kanë qenë pre e korrupsionit, me njerëz që kanë pasur lidhje dhe kanë blerë kompanitë vetëm në mënyrë që t’ua marrin asetet dhe të përfitojnë shpejt prej tyre – duke i shpallur më pas të falimentuara.

Për vite të tëra boshnjakët kanë qenë të mllefosur me politikanët e tyre – për të cilët besojnë se janë të korruptuar.

Por lufta i ka lënë pa iluzione, të frikësuar dhe cinikë.

Në të vërtetë, lufta ka lënë trauma aq të thella, saqë mllefi rreth mënyrës se si politikanët janë pasuruar, derisa standardet e jetesës kanë rënë është shtypur nga frika për një kthim në konflikt.

Problemi themelor politik i Bosnjës është se lufta ka lënë qytetarët me një shtet jofunksional.

Shteti është i ndarë në dy pjesë kryesore. Njëra pjesë është Republika Serbe, e dominuar nga serbët, lideri i të cilës, Milorad Dodik, do që atë ta bëjë shtet të pavarur.

Pjesa tjetër quhet Federata dhe përbëhet nga dhjetë kantone, që dominohen ose nga boshnjakët, ose nga kroatët e Bosnjës. Secili kanton e ka qeverinë e vet, ashtu si edhe këshillat lokalë të qyteteve dhe qytezave.

Në fund, një nga qytezat, Bërçko, është entitet autonom.

Me vetëm 3.8 milionë banorë, nganjëherë thuhet se ajo për të cilën ka nevojë Bosnja është në të vërtetë vetëm një prefekt, por ndasitë etnike e kanë pamundësuar ndryshimin e gjendjes.

Në të vërtetë, që nga viti 2009, liderët e Bosnjës kanë qenë të preokupuar me të ashtuquajturën “çështje Sejdiq-Finci”, e cila ndonëse e rëndësishme, nuk u intereson dhe aq shumë njerëzve, që shqetësohen më shumë për shkollat, punët dhe kujdesin shëndetësor.

Në bazë të kushteve të Marrëveshjes paqësore të Daytonit, që i dha fund luftës më 1995, postet kryesore, si të qenit anëtar në presidencën trepalëshe të shtetit, janë të rezervuara vetëm për serbët, kroatët dhe boshnjakët.

Kjo gjë u sfidua me sukses në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga Jakob Finci dhe Dervo Sejdiq, një hebre dhe një rom.

Që nga ajo kohë, liderët evropianë dhe amerikanë janë munduar që të bindin liderët e Bosnjës që ta modifikojnë Kushtetutën – por nuk kanë pasur sukses.

Megjithatë, çështjet si këto e kanë ngufatur debatin, duke bërë që ekonomia të shpërfillet vazhdimisht.

Që të gjitha shtetet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kroacinë, e cila u bë anëtare e Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar, janë goditur nga kriza ekonomike dhe kanë probleme të ngjashme.

Por, në Bosnjë trashëgimitë e luftës bëjnë që shumë pak njerëz të shpresojnë në ndryshime. Për këtë arsye zemërimi është grumbulluar me vite të tëra dhe tani ka eksploduar.

Por, a pritet që protestat ndryshojnë ndonjë gjë?

Këtu kemi dy elemente të rëndësishme. Së pari, protestat sociale gjatë verës në Sarajevë u heshtën shumë shpejt, me gjithë entuziazmin fillestar.

Së dyti, deri më tani protestat kanë të bëjnë vetëm me boshnjakët.

Ndonëse protestuesit nuk kanë shprehur nacionalizma, protestat deri më tani nuk janë përhapur në Republikën Serbe apo në rajonet me shumica kroate, ndonëse pothuajse secili në Bosnjë përballet me telashet e njëjta ekonomike.

Këtë vit tri ngjarje të mëdha janë në kalendarin boshnjak. Bosnja pritet të mbajë zgjedhje; ekipi i saj futbollistik do të luajë në Kampionatin Botëror dhe Sarajeva do ta përkujtojë njëqindvjetorin e ngjarjes që e ndryshoi botën – vrasjen e Franz Ferdinandit në qershor të 1914-s, gjë që e ndezi Luftën e Parë Botërore.

Është ende herët të thuhet nëse 2014-ta do të mbahet në mend si vit që e ndryshoi Bosnjën. Por shpresat sot janë shumë të mëdha.

“Përshtypja ime është se nuk ka kthim prapa tani”, thotë Dushica Ikiq-Cook, administratore biznesi në Tuzëll.

“Besoj se do të kemi rezultate, të paktën në Federatë, duke vrarë këtë administratë të madhe, që po na i merr të gjitha paratë”. (kd)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AS PRANVERË BOSHNJAKE E AS PRANVERË BALLKANIKENga PETRIT HALITI (02.12.2014)
ILIRJAN BROKAJ - JU RRËFEJ KUPOLËN E MAFIES SË GAZIT (02.12.2014)
FERMA MË E HERSHME NË EVROPË ZBULOHET NË SHQIPËRI (02.12.2014)
400 VJET QYTET - TIRANA FESTONGazmend Bakiu në një intervistë për “Shekullin” rrëfen 94-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet të përkohshëm dhe vitin e 400-të të themelimit të saj si qytet (02.12.2014)
'ETIKA NË INSTITUCIONE DHE LIDERSHIPI' - A MUND TË FILOZOFOSH NË SHQIPËRI?Esé nga STELA KETA (02.12.2014)
BAZA E REFORMËS ADMINISTRATIVE-TERRITORIALE NË SHQIPËRIStudim nga LUAN SHAHOLLARI (02.11.2014)
FTESË - PËR PJESËMARRJE NË PËRURIMIN E LIBRIT 'E VËRTETA PËR FARK-UN' (02.11.2014)
EC NJË MILJE NË KËPUCËT E SAJ - MARSHI NDËRKOMBËTAR I BURRAVE KUNDËR DHUNËS NDAJ GRAVE (Lajm dhe fotogaleri) (02.11.2014)
30 FOTOT MË PREKËSE TË TË GJITHA KOHËRAVE (02.10.2014)
NËSE NUK JU PËLQEN VIDEOJA JUAJ E FACEBOOK-ut MUND TA MODIFIKONI (02.10.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Shtator 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30          
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]