VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

400 VJET - TIRONA MBRETNESHË
Nga REZARTA DELISULA

E Mërkurë, 02.12.2014, 06:19pm (GMT1)



Kaq u bë, 400 vjet, Tirona ime, 400 vjet ne në të. Sa pak u kujtuan për ditëlindjen tënde e sa keq më vjen, sepse të deshën, të ëndërruan, t’u turrën, të zaptuan, të tjetërsuan e tani heshtin... apo më keq s’duan të kujtojnë. Po ti Tirona ime ke ditëlindjen e ne jemi mijëra që duam të ta kujtojmë, sepse ti na dhe atë virtyt që e kanë shumë si unë, zemërgjerësinë.

Do thoni ju, sa “modeste” jam.... Po boll kam dëgjuar për të gjithë e gjithçka, ju kam parë tek i rrihni shpatullat njëri-tjetrit se ju jeni magjistarët e kohëve moderne e që i dhatë qytetari qytetit tim. Kam duruar malinjitetin që ju gërryen çdo ditë duke sharë ata që ju dhanë dorën, ata që ju dhanë bukë. Tirona nuk është aq e lashtë sa Durrësi dhe Shkodra por kjo s’do të thotë që s’ka bërë histori, sepse gati 100 vjet është kryeqyteti ynë, i të gjithëve neve. Tironë, s’dua t’u hyj historive, se kur daton për herë të parë emri yt, zbulimet arkeologjike, mendimet e udhëtarëve të huaj... Meqë jam në ditëlindjen tënde, dua të kuptoj se përse është folur gjithmonë kaq pak për ty, përse të kanë shmangur, shpesh edhe të kanë injoruar duke krijuar idenë se te ty, Tirona ime, bëhej vetëm tregti, pihej raki e kishte mëhalla me çingie... pra qejf hesapi dhe se mendimtarët e mëdhenj të vinin nga jugu e veriu. Burrat e urtë e të mençur tironas nuk i zinte askush me gojë dhe as ata nuk nxirrnin zë, sepse i kishin mësuar se punët e mira s’bëhen po bërtite. Portreti im i preferuar, është një burrë hollak e me mjekër të bardhë, me mendje të madhe e penë të fortë... po aq i papërmendur në tekste historie e letërsie edhe pse ka qenë një patriot i madh, Hafiz Ibrahim Dalliu. Shok i Fishtës, i vlerësuar shumë nga kolegët në të njëjtën lartësi me të, pjesë e grupit të mësuesve në hapjen e Normales së Elbasanit, mësuesi i parë i Shkollës së Vajzave më 1905, publicist e shkrimtar, Dalliu mbeti inekzistent. U kujtuan për të në ‘45 kur nisi burgosja e të gjithë atyre që flisnin e mendonin për demokraci dhe e burgosën e torturuan deri sa mbylli sytë. Më pas heshtje. Dëgjojmë çdo ditë për martirë të rinj të demokracisë, por martirët e vërtetë i mbuloi pluhuri. E si Hafiz Ibrahim Dalliu ka shumë tironas të tjerë. Atyre që i akuzojnë tironasit për orientalizëm, dua t’u përgjigjem me pak vargje të eruditit Dalliu të hedhur në letër më 1915, pra 1 shekull më parë: Në qoftë se vjen paqi n’kët dhe’, Vjen vetëm nga bota e re, Vetëm nga Shtetet e Bashkueme, Vjen kjo gja e ngushëllueme...
Në ditëlindjen tënde Tironë, sepse në 11 shkurt mbushe 400 vjet qytet dhe 94 vjet kryeqytet, torta që t’u bë ishin disa foto të shkëlqimit tënd, atëhere, kur ishe e re dhe e pastër, vendosur në kavaleta, para xhamisë. Na mallëngjeu dhe na trishtoi.

E më pas një koncert i Shoqatës Tirana dhe Bashkisë, i bërë pa shumë reklamë e i shfrytëzuar më shumë nga “New entry”-t këtë ditë të ngrohtë shkurti. Po si nuk doli një shtetar apo një politikan që të thotë një urim për ty o kryeqytet, qoftë edhe në “Facebook” meqë e përdorin shumë, ndërsa më vjen të qesh kur i shoh ata në 70-vjetorin e brigadës së V sulmuese në Bramyshnjë të Tërbaçit të Vlorës. Të shkoni pse jo dhe në Bramyshnjë të Tërbaçit të Vlorës, aty jeni të parët, s’ka probleme me kompleksitetin.... Pyet një gjimnazist sot, se cila është historia e Tiranës, e Tiranës kryeqytet, e s’di ta thotë, sepse as në kurrikulat mësimorë nuk ka asnjë rresht për ty, përveç se që Kongresi i Lushnjës të caktoi mbi të tjerë qytete. Epo kjo nuk është krenari, ky është turp që një gjimnazist të mos dijë historinë e kryeqytetit të vet, të të gjithë shqiptarëve. Tironasi i butë e gojëmbël e ka zakon ta quajë femrën ‘Mbretneshë’ e jo ‘qëne’. Andaj, gëzuar Tirona, Naltmadhnia jonë.

E vetmja gjë që mund të them në këtë ditëlindje “me pak e sak” miq, që të të lehtësoj disi, është se këta njerëz që jetojnë dhe s’duan ta kujtojnë se ku, e bëjnë nga frika, nga frika sepse s’kanë mundur asnjëherë të të japin, atë që u dhe ti

REZARTA DELISULA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.