VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

“BIJTË E SHQIPES” NDEROJNË VAÇE ZELËN
Nga VASI FILIPI, Filadelfia-SHBA

E Enjte, 02.13.2014, 04:49pm (GMT1)


    
Lajmi i largimit nga kjo jetë i mjeshtres së këngës shqiptare, “Artiste e Popullit” , e “Nderi i Kombit”, të madhes Vaçe Zela, u mësua me hidhërim nga të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Atdhe, ku iu bënë nderime të merituara, por edhe në të gjitha vendet, ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët. Gjithashtu, u perjetua thellë vdekja e saj edhe në Filadelfia të SHBA-ve, ndër emigrantët shqiptarë të vendosur në këtë qytet.   

 Për të shprehur respektin ndaj kësaj këngëtareje të paharruar, Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, organizoi një mbasdite përkujtimore, ditën e Dielë, më 9 Shkurt 2014. Ishte veprimtaria e parë për këtë vit, që zhvilloi ajo, në vijim të kujdesit që u tregua nga të gjithë për rifillimin e mësimeve, mbas pushimeve dimërore, në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”.   

 Megjithë kohën e pamjaftushme në lajmërimin e bashkatdhetarëve, anëtarë dhe jo anëtarë të kësaj Shoqate, si dhe motin e keq, në Qendrën Kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” u mblodhën mjaft bashkatdhetarë, për të nderuar Vaçen tonë të papërsëritshme.   

 “Njerëz e artistë, si Vaçja, lindin shumë rallë”, tha një nga pjesëmarësit në veprimtari. Kurse një tjetër u shpreh: “Ndër shqiptarët mund të ketë të tillë, që mund të mos e njohin Presidentin ose Kryeministrin, por nuk besoj se do të ketë shqiptar që të mos dijë kush ishte Vaçe Zela, të mos ketë dëgjuar, qoftë edhe një herë, Vaçe Zelën duke kënduar”.  
 
 Në krye të sallës u vendos një tavolinë, e mbuluar me cohë të kuqe, fotografia e Vaçes në krah të Flamurit tonë Kombëtar dhe anash saj dy vazo me lule shumëngjyrëshe. Simbolikisht, ato dësmonin për respektin dhe mirënjohjen, që i bëjnë shqiptarët e Filadelfias këngëtares sonë të shquar, që korri duartrokitjet jo vetën të shikuesve shqiptarë, por edhe atyre të të gjitha vendeve të botës, ku ajo buçiste, me zërin e saj aq të bukur.   

 Veprimtaria filloi me disa çaste heshtjeje, në kujtim të Vaçe Zelës, pa harruar këtu edhe nderimin për violinistin e shquar, Ibrahim Madhi, që u nda nga jeta pak kohë më parë. Pastaj në sallë buçiti zëri i Vaçes, në këngën “Valsi i lumturisë”. Në përfundim të këngës shpërthyen duartrokitje, ashtu siç vepronim gjithmonë, kur e shikonim dhe e dëgjonim Atë live, në skenë. Në fytyrat e pjesëmarrësve vërehej trishtimi, por nuk munguan edhe lotëte valë. Ishin lotë hidhërimi, që kanë shoqëruar këto ditë Vaçen tone, që shkoi në amëshim.   

 Në vazhdim të veprimtarisë, Sadik Elshani, kryetar i Shoqatës, lexoi materialin me titullin, “Vaçe Zela – Ylli, që nuk shuhet kurrë”. Aty bëhej fjalë për jetën dhe veprimtarinë e Vaçe Zelës, lindur në Lushnje, rritur në Tiranë dhe ndarë ëprgjithnjë nga jeta në Bazel të Zvicrës. Ndërsa u plotësua amaneti i saj, për t’u prehur në token amtare, ku u lind dhe u rrit.     Ndër të tjera, ai tha: “….Ja, kështu do të kujtohet Vaçe Zela. Me këngët e saj, gjithmonë do të jetë ndërmjet nesh. U nda nga kjo botë, për t’u ngritur në qiellin e Përjetësisë, prej nga do të shëndrisë si një yll, që nuk do të shuhet kurrë”.

Teksti i zgjedhur, muzika plot ritëm dhe e rrjedhshme, interpretimi me shpirt dhe pasion – këto janë këngët e Vaçe Zelës. Janë këngët e vendit tonë, janë këngët e shpirtit tonë”. Ai përfundoi me fjalët: “……Vaçe Zela, kjo zonjë e rëndë e muzikës sonë, u prehtë e qetë në Tokën Amtare. Gjithmonë, në zemrat tona!”.

Përsëri jehuan në sallë këngët e Vaçes dhe më pas iu la radha pjesëmarrësve për të sjellë kujtime, nga takimet me Vaçen. Publicisti Llazar Vero, që ka patur fatin ta takojë disa here, këtë këngëtare të shquar, rikujtoi bisedat me të. “Çdo radhë, që e kam takuar Vaçen,-tha ai,- në çastet, kur ajo priste të dilte në skenë para shikuesve të shumtë, e vëreja atë shumë të emocionuar, si të ishte hera e pare, që ajo dilte të këndonte në skenë. Ndërsa,  kur fillonte të këndonte, ajo hynte shpirtërisht në botën e këngës dhe emocionet i largoheshin”, tha Llazai, ndër të tjera.

Vlashi Fili, që e mori fjalën më pas, solli kujtimet e tij të fëmijërisë, kur e ka takuar Vaçen, për herë të parë dhe të vetme. Në atë kohë, ajo ishte këngëtare e estradës së Lushnjes dhe kishte shkuar për shfaqje në Kuçovë, rreth viteve 1955 – 1956. “Atëherë, në ato vite, nuk kishte kamera dhe, fatkeqësisht, këtë takim e kam vetëm në memdjen dhe zemrën time”, shprehu keqardhjen Vlashi.   

 Bisedat e lira, mbas veprimtarise, u përqendruan në kënaqësinë, që u falte njerëzve Vaçja, me zërin e vet brilant. Jehona e këngëve të saj i shoqëroi pjesëmarrësit e veprimtarisë, gjatë tërë kohës, edhe aty në sallë, deri sa mbaroi ajo mbasdite përkujtimore e nderimi të veçantë për të.Përmbledhurazi, mendimi i të gjithëve ishte: “Vaçja jonë, Ti nuk ke vdekur. Ti rron përherë në zemrat tona, sepse ke lënë zërin tend, që kumbon fuqishëm në këngët e panumurta. Shpirti Yt, le të prehet përjetësisht i qetë, në Parajsë!”    
                     
     Filadelfia, 9 shkurt 2014   

VASI FILIPI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.