VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ç'E DUAM PARTINË?
Nga GETOAR MJEKU

E Hënë, 08.11.2014, 07:11am (GMT1)


Pse vendi ynë të mos ketë zgjedhje jopartiake? Të paktën, t’i hedhim kokrrat jo për parti, por për kandidatë veç e veç. Le ta shkruajnë pretenduesit emrin e vet në fletëvotime dhe të shtojnë po deshën (në kllapa) nofka, slogane a emra partish. Por të mos na detyrojë sistemi me ia dhënë votën një grupi e as mos t’ia njehë votën tonë partisë, të cilën shkenca shoqërore e mban për organizatën më të korruptuar që ka pjellë mendja e dora e njeriut.

Për të dytën herë brenda një muaji, partitë e kanë futë vendin në mengene, ndërsa shtyhen se cilës i takojnë detyrat e larta shtetërore. Sapo Gjykata Kushtetuese shtjelloi çështjen e kryeministrit, plasi sherri rreth kryekuvendarit. Partia Demokratike, që mori shumsinë por jo shumicën e votave në zgjedhje, thotë se i takon asaj me paraqitë kandidatin për kreun e Kuvendit. Treshi LAN i subjekteve që u bënë tok pas zgjedhjeve shpreson që kryetari i pezulluar të mund ta vazhdojë punën e vet.

Prej se është themeluar, Gjykata Kushtetuese ka qenë shpesh burim i shpresës për shtetin e së drejtës. Sogjetarët e Kushtetutës hoqën haraçin që KEK-u e mblidhte për RTK-në. U kujdesën që banorët e Prizrenit të kenë hisen e tyre në stemën e qytetit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike a fuqinë politike në komunë. Dhe më 2010, detyruan kreun e shtetit të japë dorëheqje, mbasi e mbajtën përgjegjës për shkeljen e ligjit më të lartë të vendit. Por kur partitë u paraqitën në Gjykatë me qëru hesape politike, pakkush u lakmoi gjyqtarëve për detyrën që kishin me e kry. Sistemi ynë qeverisës i kishte ngarkuar me çështje që, për qytetarët, nuk duhet as të ekzistojnë. Sepse telashet paszgjedhore sivjet nuk janë përpjekje me mbrojë demokracinë në vend, por thjesht garë e ndytë mes partive për pushtetin që i takon popullit.

Kur qytetarët dolën në votime në qershor, ata zgjodhën përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
 Por tani, s’bëhet fjalë se ç’deputet, por ç’parti paska fitua të drejtën me udhëheqë. Thua se partitë janë të domosdoshme për demokracinë në këtë shtet? Pse s’i pyesim ata që e kanë provu shumë para nesh? Në Shtetet e Bashkuara, vota e qytetarit i njehet një kandidati, pa marrë parasysh partinë. Kurse tri të katërtat e vendbanimeve amerikane caktojnë kryetarët dhe këshillat e qyteteve përmes zgjedhjeve jopartiake. Kjo domethënë se kandidatët garojnë si të pavarur, jo si anëtarë të një partie. Ndër qytetet që e përdorin këtë sistem, Los Angelosi dhe Houstoni – pa ua llogaritë rrethinat – kanë më shumë banorë se Kosova. Dhjeta të tjerë kanë më shumë banorë se Prishtina.

Pse vendi ynë të mos ketë zgjedhje jopartiake? Të paktën, t’i hedhim kokrrat jo për parti, por për kandidatë veç e veç. Le ta shkruajnë pretenduesit emrin e vet në fletëvotime dhe të shtojnë po deshën (në kllapa) nofka, slogane a emra partish. Por të mos na detyrojë sistemi me ia dhënë votën një grupi e as mos t’ia njehë votën tonë partisë, të cilën shkenca shoqërore e mban për organizatën më të korruptuar që ka pjellë mendja e dora e njeriut. Kjo s’është thirrje me i ndalu partitë, aq më pak me mbytë demokracinë. Në një republikë të mirëfilltë, qytetarët janë të lirë të tubohen në parti ose grupe, të zhvillojnë fushatë bashkërisht mbi një platformë a program të përbashkët, si dhe ta gëzojnë brenda kufizimeve të ligjit mbështetjen financiare prej partisë a grupit të tyre. Por përfaqësuesit e popullit zgjidhen me përfaqësuar popullin, jo partinë. Andaj, ligji s’duhet t’u krijojë privilegje zyrtarëve të zgjedhur vetëm pse i përkasin një subjekti politik.

Kjo është thirrje për reformë zgjedhore. Mbase kështu një ditë, s’do kishim më përplasje në Kuvend.

GETOAR MJEKU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.