VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NGA NAGORNI KARABAK NË BALLKAN
Nga PETRIT HALITI

E Hënë, 08.11.2014, 08:05pm (GMT1)



Takimet e veçanta që organizoi Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në Soçi në 9 gusht, me presidentët e dy shteteve e Azerbajxhanit dhe takimi trepalësh i tyre në 10 gusht, janë më shumë një mesazh diplomatik dhe gjeopolitik drejtuar Perëndimit, se sa një përpjekje për të zgjidhur tensionet mes dy shteteve, të cilat nga data 31 korrik deri në 4 gusht kanë pasur përplasje të armatosura me njëra-tjetrën, që shkaktuan 20 të vrarë. Presidenti rus ndërmori një nismë diplomatike personale për të pajtuar dy presidentët dhe dy shtetet, të cilat kanë qenë republika të ish-Bashkimit Sovjetik. Të dyja shtetet kanë luftuar gjashtë vjet njëra me tjetrën 1988-1994, për një rajon malor të quajtur Nagornij Karabak, i cili ndodhet në mes të territorit të Azerbajxhanit, por në vitin 1994 mbeti jashtë sovranitetit të shtetit azer, që humbi luftën në atë kohë. Armëpushimi, që rregulloi mes tyre Rusia në maj të vitit 1994 i dha fund luftës, por jo armiqësisë mes Azerbajxhanit, që kërkon rivendosjen e integritetit territorial dhe Armenisë, që kërkon ruajtjen e statusit të Nagornij Karabakut të shkëputur nga shteti azer. Në fakt, janë katër rezoluta të OKB-së, të cilat njohin sovranitetin e Azerbajxhanit mbi Nagornij Karabakun.

Në ditët e para të gushtit shpërtheu një seri përplasjesh të armatosura në vijën e frontit, të cilat janë nga më të rëndat gjatë 20 viteve të armëpushimit dhe të cilat shkaktuan një shqetësim ndërkombëtar për mundësinë e një lufte të re mes dy shteteve. Në datën 7 gusht Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev, deklaroi pas një vizite në vijën e frontit, se “ne do ta rikthejmë integritetin territorial si me mjete paqësore, ashtu dhe me ato ushtarake. Lufta nuk ka mbaruar”. Nga një konflikt i ngrirë, Nagornij Karabaku u shndërrua në një konflikt të shkrirë dhe duke qenë se bëhet fjalë për një rajon të rëndësishëm nga pikëpamja gjeostrategjike dhe energjetike, si Kakukazi, shqetësimi u ringjall në kancelaritë më të fuqishme të botës.

Por topin në ajër e kapi Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili e vlerësoi si një rast të artë për t’i paraqitur botës rolin dhe të drejtën ekskluzive të Rusisë në një çështje dhe për dy shtete, që në planifikimet strategjike ruse i përkasin zonës ish-sovjetike të influencës. Nisma diplomatike e Putinit ka brenda edhe ambicien personale për të fuqizuar imazhin e tij si udhëheqës ndërkombëtar dhe për të afirmuar forcimin e peshës dhe rëndësisë personale në menaxhimin e krizave dhe konflikteve. Në Soçi presidenti rus ndërmori një nismë ekskluzivisht ruse, duke përjashtuar Perëndimin, ndonëse për zgjidhjen e konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për çështjen e Nagornij Karabakut është krijuar i ashtuquajturi Grupi i Minskut i OSBE, ku bëjnë pjesë Rusia, SHBA dhe Franca. Vladimir Putini e mënjanoi Grupin e Minskut dhe ndërmori një nismë diplomatike ruse, duke afishuar pretendimin se konfliktet dhe problemet mes shteteve, që kanë qenë dikur republika sovjetike, i takojnë Rusisë për t’i trajtuar.

Moska padyshim ndodhet në një pozitë më të favorshme se shtetet e mëdha perëndimore në angazhimin e saj për konfliktin Armeni-Azerbajxhan. Ajo që po ndodh në kufirin mes dy shteteve të Kaukazit ka një lidhje të ngushtë me efektet e krizës ukrainase. Në një mënyrë apo tjetër, Rusia po vazhdon politikën dhe strategjinë e madhe, që nisi në Ukrainë me pushtimin e Krimesë dhe me ndezjen e zjarrit të luftës në Ukrainën Lindore. Me hapat e saj të fundit ushtarake dhe diplomatike, Rusia kërkon të imponojë njohjen ndërkombëtare të sferës së saj të influencës në të gjitha hapësirat ish-sovjetike. Kjo do të thotë se ajo po shfrytëzon në planin diplomatik dhe gjeopolitik konfliktet e ngrira dhe të shkrira në ish-hapësirën postsovjetike, për të afirmuar rolin dhe influencën e saj ekskluzive në rajonet përkatëse.

Në një farë kuptimi, shndërrimi i konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit nga një konflikt i ngrirë në një konflikt të shkrirë duhet parë në lidhje të drejtpërdrejtë me krizën ukrainase. Kremlini është inkurajuar nga suksesi që strategjia e tij agresive e rimarrjes së hapësirave ish-sovjetike pati në Ukrainë, dhe në këtë linjë po avancon edhe në shfrytëzimin e konflikteve të tjera të ngrira. Moska është inkurajuar dhe po përfiton nga rrethanat që Perëndimi, NATO dhe BE janë të zëna me krizat e mëdha si Ukraina dhe Lindja e Mesme, gjë që e kufizon interesimin dhe hapësirën e Perëndimit për t’u angazhuar në konfliktin e ri të shkrirë armeno-azer. Ka një tendencë të qartë nga diplomacia ruse dhe nën ndikimin e saj, edhe nga diplomacitë e shteteve në konflikt për Nagornij Karabakun, për ta mbajtur Perëndimin sa më larg angazhimit për ndërmjetësim. Nuk duket e rastit që Presidenti i Francës, Fransua Holande, ndërmori një nismë diplomatike, të ngjashme si e Putinit, në maj të këtij viti, duke zhvilluar vizita në Baku dhe në Erevan dhe ai nuk arriti që t’i ulë dy presidentët përkatës së bashku për të kërkuar apo gjetur një zgjidhje. Nisma diplomatike e presidentit rus është në mënyrë të veçantë një sfidë ndaj Bashkimit Europian, sepse dihen interesat e mëdha ekonomike apo energjetike, që BE ka në rajonin e Kaukazit dhe dihen investimet e mëdha politike dhe diplomatike të Brukselit atje. BE po kërkon çelësin e sigurimit të pavarësisë energjetike nga Rusia pikërisht në pellgun e Kaukazit. Në këtë optikë duket erdhi edhe deklarata në 9 gusht e ambasadorit amerikan, Xhejms Uarlik, bashkëkryetari amerikan i Grupit të Minskut, se “Nagornij Karabaku është një problem europian dhe SHBA mbështesin një zgjidhje, që do t’i kënaqte të gjitha palët”.

Rusia jo vetëm është në avantazh diplomatik e politik dhe ka një set instrumentesh presioni më të shumtë se fuqitë e tjera të mëdha mbi shtetet e rajonit të Kaukazit, por e ka shtuar avantazhin e saj diplomatik dhe gjeopolitik. Pas ngjarjeve në Ukrainë dhe agresivitetit të pandëshkuar të Moskës në Ukrainë, shtetet e tjera ish-republika sovjetike kanë përftuar një ndjenjë më të madhe frike lidhur me atë se çfarë është në gjendje Rusia t’u bëjë ose t’u shkaktojë atyre.

Rusia si fuqi me ambicie globale ka ndjekur politikën dhe strategjinë e mbajtjes gjallë të konfliktit në atë rajon me synimin që ta shfrytëzojë atë, qoftë kur është i ngrirë, qoftë kur është i shkrirë, për nevojat e zgjerimit të influencës së saj në atë rajon të rëndësishëm. Rusia luan me të dyja shtetet. Natyrisht, ajo ka marrëdhënie më të ngushta me Armeninë, e cila është ndër shtetet më servile ndaj Rusisë nga të gjitha ato shtete që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Armenia është anëtare e organizatës së Traktatit të Sigurimit Kolektiv, CSTO, të krijuar nga Moska me gjashtë shtete ish-republika sovjetike në formën e një mini-NATO të rajonit. Rusia ka marrë përsipër sigurimin e Armenisë, gjë që ka shërbyer si faktori kryesor frenues i Azerbajxhanit për të nisur luftën me Armeninë, ndonëse ekuilibri ushtarak dhe financiar anon nga shteti azer. Armenia ka kërkuar zyrtarisht të jetë anëtare e Unionit Doganor të krijuar nga Moska dhe e Unionit Euroaziatik, që është projekti i Vladimir Putinit për krijimin e një lloj organizate si Bashkimi Europian në hapësirën ish-sovjetike dhe aziatike. Rusia ka në Armeni baza të rëndësishme ushtarake, që kanë mision kontrollin e hapësirave ajrore dhe të telekomunikimit të shteteve të Aleancës Atlantike. Por si fuqi imperiale, Rusia ka lozur edhe me kartën e afrimit të madh me shtetin tjetër, Azerbajxhanin, i cili ka rëndësi të jashtëzakonshme energjetike. Moska e ka furnizuar kohët e fundit me armë moderne, duke shkaktuar pakënaqësi dhe protesta tek aleati i vet armenas. Rusia llogarit që Azerbajxhani merr një rëndësi të posaçme strategjike pikërisht tani, kur po shtohen kërcënimet nga qeveria e Ukrainës për të ndërprerë tranzitimin e naftës dhe gazit rus nga Ukraina për në Europë. Kompanitë e mëdha ruse si “Gazprom” dhe “Lukoil” po shohin mundësinë e kalimit të furnizimeve ruse nëpërmjet Azerbajxhanit dhe tubacioneve të tij drejt Turqisë e pastaj në Europë.

Në këtë kuadër, Rusia mban një qëndrim kontrollues dhe të ngushtë me të dyja shtetet në konflikt dhe ajo paraqitet si forca e vetme që mund të ruajë ekuilibrin e paqes dhe të stabilitetit në rajonin e Kaukazit. Kjo është klima që prodhoi edhe nismën diplomatike personale të presidentit të Rusisë, që thirri në Soçi presidentët e Armenisë dhe të Azerbajxhanit. “Takimi i Soçit, shkruan ‘Eurasia Daily Monitor’, do t’i mundësojë Rusisë të demonstrojë muskujt diplomatikë dhe të tregojë një influencë rajonale, që është kryesorja në kohën e keqësimit të marrëdhënieve me Perëndimin për shkak të krizës ukrainase”. Lëvizja e Putinit ka një domethënie, që shkon përtej Kaukazit dhe dëshmon se pas krizës në Ukrainë dhe fazës së re të politikës agresive ruse, duhen pritur pasoja dhe efekte të krizës ukrainase në të gjitha rajonet e tjera të kontinentit, ku ekzistojnë konflikte të ngrira. Kjo do të thotë se duhet pritur edhe një politikë e ngjashme e Rusisë edhe në gadishullin e Ballkanit, ku kemi kaq pranë konflikte të ngrira si ai Transnistrias në Moldavi dhe ai i “Serpska republikës” në Bosnjë-Hercegovinë. Nagornij Karabaku duket shumë larg për t’u shqetësuar këtu në Ballkan, por e parë në planin gjeopolitik rus dhe në interesin strategjik dhe energjitik rus, ai është shumë afër.

Nagornij Karabaku merr një rëndësi të veçantë për shkak të interesit të Ballkanit për gazsjellësin “Transadriatik”, TAP, që do të sjellë gazin azer nga Azerbajxhani nëpërmjet Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali. Është e lehtë të kuptohet se një luftë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit apo një konflikt i shkrirë mes dy shteteve do të kishte efektet e veta negative edhe në ecurinë e realizimit të TAP-it, aq i shumëpritur për të pakësuar varësinë e Europës nga gazi rus. Nëse çelësin e ngrirjes apo të shkrirjes së këtij konflikti do ta kishte Rusia, kjo do ta bënte të pasigurt çdo projekt energjitik europian të bazuar në gazin e Azerbajxhanit. Situatat e krijuara tregojnë se ndërtimi dhe funksionimi i gazsjellësit TAP dhe siguria e transportit të gazit për në Europë nuk paraqet nivelet e dëshiruara. Ndikimi ekskluziv rus në shtetet e rajonit kaukazian do të krijonte një hapësirë tepër të gjerë për mundësitë e sabotimit të këtij gazsjellësi, në qoftë se në Moskë do të vendosin se preken interesat dhe strategjia energjetike ruse në Europë. Në këtë kuadër duhet të jetë e qartë se çfarë ngjet në një rajon ka efektin e saj edhe në një rajon tjetër dhe ndërvarësia e sigurisë, e objekteve dhe e lëndëve strategjike, është dhe po bëhet gjithnjë e më e madhe në ditët tona. Ndaj Nagornij Karabaku dhe zhvillimet e fundit rreth tij duhet të vënë në lëvizje ato shtete, diplomaci, kompani dhe forca, që janë angazhuar për ndërtimin dhe funksionimin e këtij kanali të rëndësishëm energjitik për Europën. Rruga nga Nagornij Karabak në Ballkan është e shkurtër si për tensionet, ashtu dhe për sigurinë.

PETRIT HALITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.