E Shtunë, 05.30.2020, 03:39pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
RIPUSHTIMI DHE QËNDRESA NUK KANË MARRË ENDE FUND!
Nga SULEJMAN GJANA, kryetar i PLL

E Mërkurë, 08.13.2014, 07:33pm (GMT+1)




Fort të nderuem Profesor Shatri e Magjistër Oroshi!
Fort të nderuem pjesëmarrës në këtë sesion shkencor!
Të shtrenjtë vllazën, miq e dashamirë!
Zonja dhe Zotërinj!

Jam i impresionuar thellë me titullimin shumë domethënës “Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe i trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe Qëndresa shqiptare” të këtij sesioni shkencor, që evokon dhe na risjell në kujtesë të gjithë historinë e qëndresës antisllave, e kryesisht asaj antiserbe, që ende duhet të vazhdojë e të intensifikohet, deri në ditën e pashmangshme të bashkimit tonë kombëtar, jashtë a brenda Bashkimit Europian, qoftë nëse ai do të ekzistojë në atë ditë fatlume per ne, ose jo.

Përcaktimi “Ripushtimi dhe Qëndresa” janë tejet kuptimplotë dhe filozofik, pasi na jep mundësi për shpalosjen e qëndrimeve që duhet të mbajnë të gjithë faktorët e aktorët politikë e atdhetarë, intelektualët dhe mbarë shqiptarët, në trojet etnike e diasporë.

Për të shmangur përsëritjet dhe retorikën e panevojshme, duke u ndjerë fort i nderuem që ma dhatë fjalën në emër të legalistëve e mbretërorëve shqiptarë, në trajtesën time do ju ndërmend disa stacione dhe çaste mjaft domethënëse të historisë tonë, që e konkretizojnë Ripushtimin dhe Qëndresën; duke na mundësue edhe orientimin e qartë drejt qëndrimeve që duhet të mbajmë tash e tutje, deri në zgjidhjen përfundimtare të Çështjes sonë Kombëtare, me bashkimin e trojeve etnike.

Për ne legalistët dhe mbretërorët shqiptarë, ‘Ripushtimi’-t që trajtojmë sot, i parapriu Pushtimi i Madh sllav i trojeve tona etnike, që e ka zanafillën në Naçertanien dhe që e jetësoi Kongresi i Berlinit i vitit 1878, prej ku shqiptarët humbën Naisus-Nishin e lashtë ilir, asokohe mbushun me xhamija shqiptare dhe kisha katolike parasllave, të ndërtuara këto qysh në kohën e perandorëve iliro-dardanë të Romës e Bizantit. Për të vazhduar më pas me humbjen e Prokupljes, Leskovcit, Leposaviqit, Novi Pazarit, Vranjës e Kurshumlisë, që iu dhanë Serbisë duke ia dyfishuar sipërfaqen, dhe humbjen e Tivarit, Nikshiqit, Ulqinit, Rozhajës, Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë, që dyfishuan sipërfaqen e Malit të Zi, e në mbrojtje të të cilave shqiptarët shpërthyen kryengritjet dhe krijuan Lidhjen e lavdishme të Prizrenit.

Pas këtij Pushtimi të Madh të sipërcituem, kemi të drejtë që çdo gjamë, plan dhe zhvillim antishqiptar me synim një pushtim të ri dhe të përsëritur të trojeve shqiptare, atëherë, sot, e gjithmonë, ta quajmë Ripushtim, me plot gojë.

Në këtë kuptim, në ripushtim na çoi edhe mendjelehtësia dhe vetëmashtrimi për t’iu bashkëngjitur fqinjëve ortodoksë shovinistë të Ballkanit gjatë kryengritjeve dhe betejave të fillim-shekullit XX, gjatë të ashtu-quajturës Lufta e Parë Ballkanike, luftë nga e cila pasi mundën Perandorinë Osmane, serbët, grekët, malazezët dhe bullgarët bënë hajgare me shqiptarët dhe na pushtuan troje të tjera etnike.

Ripushtim është edhe shtrembërimi i qëllimshëm nga historiografia sllavokomuniste i rolit dhe kontributit të Vjenës dhe Romës gjatë Konferencës së Londrës, ku megjithëse u coptuan trojet shqiptare, u maksimalizuan trojet e mbetura të Shqipërisë-Amë, në formën e një Principate të Mosvarun e të njohun nga Fuqitë e Mëdha, ndërkohë që pa kontributin e këtyne fuqive kjo bërthamë mund të zhdukej fare nga faqja e dheut.

Ripushtim historiografik sllavokomunist janë edhe injorimi dhe heshtja për qëndresën heroike të Lumës në Kolesjan, Bicaj e Kodër-Lumë; të Matit në Dejë-Macukull dhe Dibrës në Muhur, Qafë Buall e Qafë Murrizë; apo betejat e matjanëve në Rrenz e Kakarriq. Por qëllimi për ‘kryepushtim’ është heshtja e plotë për qëndresën më të lavdishme 6 mujore të Rrethimit të Shkodrës, nga tetori 1912 deri në maj 1913, ku 30 mijë qëndrestarë me armë rezistuan heroikisht kundër 100 mijë serbomalazezëve, çka i detyroi Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës t’ia linin Shkodrën Shqipnisë së Mosvarun.

Ripushtim historiografik sllavokomunist ka qenë dhe mbetet injorimi i rolit shpëtimtar të Presidentit Uillson për moscoptimin e Shqipërisë në Konferencën e Versajës; injorimi i organizimit prej qeverisë së dalë nga Lushnja i atyre që njihen si Lufta e Vlorës dhe e Shkodrës, si dhe marrja në dorëzim prej qeverisë shqiptare, të Vlorës dhe rrethinave, Shkodrës dhe Korçës, pas përzënies së ushtrive italiane, serbomalazeze dhe greke.

Ripushtim sllav ishte edhe hapja nga Jugosllavia në vitet 1922-24 e tre konsullatave në Vlorë, Korçë e Shkodër, nga të cilat u rekrutua dhe u ngrit rrjeti agjenturor proserb. Rrjet që u vu në lëvizje pas dy dekadash nga vetë Mugosha, me listat e dhuruara komunistëve serbë nga ministria e Brendshme e Serbisë pas kapitullimit të Jugosllavisë në vitin 1940. Ndaj jo rastësisht operacionet e krimeve të komunistëve ndaj nacionalistëve shqiptarë, Mugosha i drejtoi personalisht në Korçë dhe Vlorë, ku nisi dhe lufta civile në Shqipëri ndaj nacionalistëve të deklaruar për Shqipërinë Etnike.

Ripushtim serb kanë qenë edhe 5 rebelimet kundër shtetit shqiptar, dhe dy rebelimet e dështuara, gjatë viteve 1921-1937, në të cilat u provua katërcipërisht implikimi i Serbisë. Rebelime këto që u neutralizuan me minimumin e jetëve njerëzore, që nuk e kalonin shifrën 30.

Ripushtim historiografik sllavokomunist ka qenë edhe emërtimi si “Revolucion Demokratik” i rebelimit antikushtetues të Qershorit 1924, pas të cilit e ashtuquajtura “Republikë Demokratike” dënoi me vdekje kundërshtarët politikë, dogji sarajet dhe konfiskoi pasuritë e tyre, me vendim të parapërgatitur e vetëm të shpallur të një Gjykate Speciale, pa avokatë dhe pa gjykim. “Republikë Demokratike” kjo, pa parlament e pa asnjë institucion të pavarur, me ilegjitimitet të plotë, të një opozite të ardhun në pushtet me rebelim të përgjakshëm e që kishte marrë vetëm 30 % të votave në votimet e ligjshme e të gjithëpranuara ndërkombëtarisht, të dhjetorit 1923.

Ripushtim historiografik sllavokomunist ka qenë edhe fshehja e faktit se Mbreti Aleksandër Karagjorgjeviç, nga 5 janari 1925 e deri në fundmarsin e atij viti, thirri në audience 7 herë ambasadorin e Italisë në Beograd, Bodreron, të cilit i kërkoi të bindë Duçen që Jugosllavia bashkë me Italinë të rrëzonin Zogun me aksion ushtarak, si armiku më i rrezikshëm i tyre.

Ripushtim historiografik sllavokomunist ka qenë dhe mbetet njollosja si tradhti kombëtare e Pakteve italoshqiptare 1926-1927, që shmangën pushtimin jugosllav e që u miratuan unanimisht nga Lidhja e Kombeve dhe Fuqitë e Mëdha, si pakte midis dy shteteve sovrane, anëtare të Lidhjes, ndërkohë që Italia ishte përcaktuar nga Lidhja e Kombeve në vitin 1922, si njëra nga katër fuqitë kujdestare dhe protektore të Shqipërisë, krahas Britanisë, Francës dhe Japonisë.

Ripushtim sllav kanë qenë edhe vazhdimi i veprimtarisë së opozitës antizogiste në Vjenë dhe Zarë të Kroacisë, e që financohej me paratë e Serbisë.

Ripushtim sllavo-italian ishte edhe Pakti Çiano-Stojadinoviç i vitit 1937, për ndarjen më dysh të Shqipërisë nga Italia dhe Jugosllavia.

Ripushtim sllavo-grek ishte edhe refuzimi i Jugosllavisë dhe Greqisë për miratimin e Paktit të Antantës së Vogël Ballkanike, të propozuar nga Mbreti Zog në vitin 1938, që synonte mbrojtjen e përbashkët të tyre nga pushtimi italian.

Ripushtim sllavokomunist ishte edhe themelimi i PKSH nga Popoviçi e Mugosha dhe mospërmendja e Kosovës as në Rezolutën e krijimit të saj dhe, më pas, në asnjë dokument zyrtar të PKSH e PPSH, deri në vitin 1991, kur ajo gjoja u shpërbë. Edhe në vitin 1991, Ramiz Alia u tha byroistëve: “Kanë dale reaksionarë me parrulla dhe duan të na ngatërrojnë me Kosovën, por neve nuk ka ç’na duhet Kosova, kemi hallet tona”.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte deklarimi i Popoviçit në Pezë, më 16 Shtator 1942: “Ju shqiptarët nuk mund të merrni vendime pa mua, pasi jam unë kryetar i PKSH”.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishin edhe: (1) prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët shqiptarë me në krye Popoviçin; (2) prishja e njëanshme nga Tito dhe Enver Hoxha e vendimeve të Marrëveshjes së Bujanit; (3) anullimi i 28 nëntorit 1944 si datë e çlirimit të Shqipërisë londineze dhe përcaktimi si datë-çlirimi i 29 nëntorit të AVNOJ-it; (4) propozimi i Enver Hoxhës për shpalljen e Titos si kryetar i PKSH dhe vetvetes si sekretar i Përgjithshëm isaj, krahas Shqipërisë si Republika e Shtatë e Jugosllavisë; (5) hapja në selinë e qeverisë federale të Jugosllavisë, të zyrës së Republikës së Shtatë të saj, Shqipërisë, në derën e së cilës u shkruajt “Republika e Shtatë e Jugosllavisë, Shqipëria, kryeministër i Republikës druzhe Enver Hoxha”; (6) bashkimi doganor dhe barazimi i lekut shqiptar me dinarin jugosllav, si dhe hartimi i planeve të përbashkëta të zhvillimit ekonomik, si hap paraprak i bashkimit përfundimtar ekonomik dhe njësimit administrativ.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishin masakrat e Mehmet Shehut kundër nacionalistëve ballistë e legalistë në Korçë e Devoll, në Vlorë dhe Lushnje, në Martanesh e Myzeqe, si dhe ato të Shefqet Peçit në Kurdari, Fushë Alie dhe Buzëmadhe të Lumës. I tillë ishte edhe dërgimi i Divizionit të Parë partizan në Veri dhe Kosmet, për t’i “çliruar” këto treva nga gegët nacionalistë; si dhe asgjësimi i çetave të rezistencës antigjermane të Muharrem Bajraktarit dhe Gani bej Kryeziut, nën moton e njohur: “Nga Kuçi në Vishegrad / rrugët i kemi larë me gjak”.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe deklarata e Enver Hoxhës më 29 nëntor 1944 se “Shoku Tito na mësoi sesi ta shndërronim luftën antifashiste në Revolucion komunist, për marrjen e pushtetit me pushkë e gjak dhe shporrjen e klikës së shovinistëve shqiptaromëdhenj, që deshën të na prishnin me popujt vëllezër sllavë”.

Po ashtu, konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe alarmi i Popoviçit dhe Enver Hoxhës në letrën dërguar Titos, ku i kërkonin t’u dërgonte udhëzime se çfarë t’i thonin popullit kur të pyetëshin për çështjen e Kosovës, prej së cilës pranonin se ishin inferiorë dhe të dyshimtë në raport me nacionalistët ballistë e legalistë, që kërkonin dhe premtonin bashkimin kombëtar pas luftës.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe kryesimi i listës së të ashtuquajturve “kriminelë të luftës” (pa asnjë krim të kryer dhe të vërtetuar), nga të gjithë krerët nacionalistë, ballistë e zogistë, që kishin firmosur Marrëveshjen e Mukjes; i tillë ishte edhe mbytja me tortura çnjerëzore e Patër Lekë Lulit, nënkryetar i Legalitetit, nga komunisti Kosovar Mehmet Hoxha në Pukë, teksa në grahmat e fundit i thoshte: “Ja, kjo është Shqipëria Etnike që kërkove dhe firmose në Mukje”.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte Masakra e Tivarit; ishte çarmatosja e mbarë shqiptarëve të Kosovës me mashtrim nga partizanët shqiptarë dhe dhunë nga ata serbë; ishte rekrutimi me dhunë i partizanëve ndër Shqiptarët e Kosovës dhe dërgimi i tyre në zona të vdekjes së sigurtë; ishte asgjësimi i kryengritësve të Shaban Polluzhës dhe 50 mijë kosovarëve gjatë viteve 1945-46, në prani ushtarake edhe të partizanëve nga Shqipëria, fakt ky i vetëpranuar nga historiografia serbe.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte emërimi i të gjithë krerëve të Divizionit të Parë partizan që kish ndihmuar në spastrimin etnik të Kosmetit, në krye të ushtrisë, ministrisë së Brendshme dhe institucioneve kryesore të shtetit shqiptar pas kthimit “triumfal” nga Jugosllavia komuniste; i tillë ishte edhe emërimi i të gjithë komunistëve me origjinë nga pakicat sllavomaqedonase në krye të ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit të themeluar sipas përvojës së OZNA-s nga Dushan Mugosha, sikurse ishin Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi, Sotir Vullkani, Zoi Themeli, Ndreko Rino, Dulaç Lekiqi, etj..

Po kështu, konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe asgjësimi i çetave nacionaliste të Xhemë Gostivarit dhe parisë së Dibrës së Madhe e Tetovës në aksione të përbashkëta me brigadat Maqedonase, apo i trimave të kryeheroit antisllav Prekë Cali dhe shtypja e përgjakshme e kryengritjeve të Mbishkodrës dhe Postribës, me aksione të përbashkëta me brigadat malazeze.

*****

Jo rastësisht, kur Kosova filloi të lëvizë politikisht dhe po mjekonte plagët pas eleminimit të Rankoviçit në luftën për pushtet me Titon, Enver Hoxha filloi luftën kundër fesë, shembi kisha e xhamija, burgosi klerikët e lartë dhe i shpalli shqiptarët ateistë, me ç’rast tërhoqi vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga masakrat që Serbët kishin bërë dhe bënin në popullin Shqiptar të Kosovës dhe u dërgoi mesazhin serbëve se “shqiptarët e pafe” të Shqipërisë londineze nuk kishin kurrfarë lidhjeje me kosovarët myslimanë e katolikë, prandaj veproni!

Jo rastësisht, kur Kosova lëvizi përsëri në vitet 1974 (kur fitoi statusin e Krahinës Autonome me Kushtetutën federative) dhe në vitin 1981 (kur mbarë Kosova u ngrit për Republikë), Enver Hoxha sajoi grupet armiqësore dhe filloi spastrimet për pushtet brenda udhëheqjes më të lartë, me ç’rast tërhoqi përsëri vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga masakrat e radhës që serbët bënin ndaj të drejtave dhe popullit Shqiptar të Kosovës dhe u dërgoi mesazhin miqve të tij serbë: Lajini hesapet me kosovarët, nuk ju pengojmë, se në vend që t’i mbrojmë siç na takon, po merremi këtu brenda me njëri-tjetrin dhe më mirëkuptoni kur ta akuzoj ndonjërin si agjent të UDB, se me këtë rast u themi të gjithëve se UDB është e tmerrshme dhe ne mezi po shpëtojmë lëkurën prej saj këtu në Tiranë, e jo më të guxojmë të shpëtojmë prej saj kosovarët dhe shqiptarët e Jugosllavisë.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte edhe internimi i afro 6 mijë kosovarëve të arratisur nga Jugosllavia në fshtarat e Myzeqesë dhe dënimi me burg i afro 2 mijëve syresh gjatë regjimit komunist, me dyshime të pavërtetuara dhe akuza si agjentë të UDB-së dhe “Armikë të pushtetit popullor”. Pa përfshirë këtu ata që iu dorëzuan UDB-së konform marrëveshjes për kthimin reciprok të elementëve të rrezikshëm të arratisur.

Se çfarë konsideratë kishin Enver Hoxha e Ramiz Alia për Kosovën dhe Çështjen Kombëtare, e tregoi hapur anëtari i KQ të PPSH, njëkohësisht deputet komunist për 20 vjet dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në takimin e shkrimtarëve ballkanas, organizuar në Nishin shqiptar në vitin 1987, kur deklaroi: “Eh more vëllezër jugosllavë, ta dini sa bukur duket Shkodra e rrethuar prej fshatrave sllavë, në ditët me qiell të pastër, nga maja e Tomorrit dhe Tomorricës, që të parët tuaj i vunë emrin...”. Dhe këtë ky po ua thoshte bash kryetarëve bashkë-firmëtarë të Memorandumit famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë të vitit 1986, të cilët kishin kërkuar qysh në rreshtat e pare të Memorandumit në fjalë, futjen e tankeve në Kosovë dhe shfarosjen me zinxhirë tankesh e mitroloza të shqiptarëve atje.

Dhe mendojeni vetë kur këtë deklaratë e jepte shkrimtari, bashkëshort i gruas sllave nga Vrraka e Shkodrës, në shtëpinë e të cilëve flitej vetëm serbisht. Pas shpalljes së pluralizmit ky shkrimtar u shpall dhe akoma thërritet “Patriarku i Partisë Socialiste”, trashëgimtare e PKSH të krijuar nga Popoviçi e Mugosha.

Konfirmim i Ripushtimit sllavokomunist ishte hapja e ambasadave në Tiranë më 2 korrik 1990, bash në ditën e shpalljes së Kosovës Republikë, që ndodhi pikërisht më këtë datë për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar prej ngjarjeve në Kosovë. I tillë ishte edhe manifestimi i komunistëve shqiptarë në Tiranë, në qershor 1991, në mbështetje të puçistëve stalinistë që rrëzuan Gorbaçovin dhe morën përkohësisht fuqinë. I tillë ishte edhe rebelimi i tregishtorëve në Vlorë, në vitin 1997, dhe fyerja nga komunistët e gegëve si “çeçenë”, me urrejtjen ndaj të cilëve ishin ushqyer nga “vëllezërit rusë” për shkak të kryengritjes së tyre kundër Rusisë.

Konfirmim i Ripushtimit sllav ishte edhe shkatërrimi i plotë i arsenalit ushtarak të Shqipërisë në vitin 1997, nga bandat komuniste, ndonëse pushtetin e kishin të siguruar, vetëm e vetëm me qëllimin e porositur nga Beogradi, për t’i lënë shqiptarët të çarmatosur përballë makinës ushtarake serbe gjatë gjenocidit dhe spastrimit etnik të Kosovës, që për fat i ndaluan SHBA dhe NATO. Ndërkohë Azem Hajdari deklaronte në parlament: “Më gjeni një komunist të vetëm shqiptar, që ka marrë dhe strehuar qoftë edhe një kosovar, dhe unë do të dorëzoj mandatin e deputetit”.

Konfirmim i Ripushtimit sllav është edhe mospërpjekja për zbatimin e Paketës “Ahtisari” dhe lejimi i zëvendësimit të saj me Paketën “Ahtisari Plus”, krahas pranimit dhe njohjes së habitshme të fuqisë vepruese të anekseve të Rezolutës 1244 në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, fuqia e së cilës ka rënë për shkak të zhbërjes së subjektit “Federata e Jugosllavisë”.

I tillë është edhe moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe pranimi i këtij fakti e realiteti nga faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni, në qeverisje dhe opozitë, çka padyshim do të sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike.

Lista e fakteve historike që provojnë ripushtimin dhe qëndresën e shqiptarëve dhe të trojeve tona është e pafund, e kërkon një studim objektiv prej një Akademie Shqiptare, që për fat të keq nuk ekziston ende por besoj se stacionet që paraqita sot janë të mjaftueshme për të kuptuar rreziqet e djeshme dhe ata të sotme për popullin dhe kombin tonë.

*****

Ne legalistët dhe mbretërorët shqiptarë mendojmë dhe propozojmë se duhet kundërshtuar fort, politikisht, Asosiacioni i komunave serbe në Kosovë dhe pengimi i ushtrimit të Sovranitetit të shtetit të Kosovës si dhe ai i Autoritetit të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore dhe komunat me shumicë serbe, apo edhe pikat kufitare e doganore atje.

Gjithashtu mendojmë se nuk duhet të vazhdojnë bisedimet shqiptaro-serbe në Bruksel pa asnjë kushtëzim ndaj Serbisë, duke arritur deri në heqjen dhe injorimin madje edhe të 10 pikave kushtëzuese që Gjermania i kish vënë Serbisë për raportet politike me Kosovën.

Ne legalistët dhe mbretërorët mendojmë dhe sugjerojmë që në Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare duhet të propagandohet hapur se aleatët tanë strategjikë për përmbushjen e objektivave të bashkimit kombëtar dhe atyre integruese, janë SHBA-të, Gjermania, Turqia dhe Austria, bashkëpunimi me të cilët duhet shndërruar në objektiv prioritar kombëtar, politik dhe qeverisës duke konsideruar edhe interesat gjeostrategjike afatmesme dhe afatgjata të aleatëve dhe kundërshtarëve tanë, në trojet shqiptare.

Në këtë drejtim, mendojmë se elita politike dhe intelektuale kombëtariste shqiptare, ajo që jetësoi dhe trashëgoi qendresën ndaj pushtimeve dhe ripushtimeve, nuk duhet të kemi komplekse për të propozuar, kërkuar e vepruar për krijimin e një ‘Konfederate shqiptare’ ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës si hap i hap drejt krijimit të shtetit tonë unitar për të cilin aspiruan të parët tanë dhe u derdh aq shumë gjak shqiptari. Ne besojmë se ky variant juridik dhe institucional mund të jetë plotësisht i pranueshëm edhe nga partnerët tanë nëse elita jonë politike dhe intelektuale largohet nga interesi i thjesht i pushtetit rajonal dhe i atij ekonomik e financiar por merr realisht përgjegjësinë që të përfaqësojë vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar.

Ne kemi bindjen se bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është nje deklaratë lufte ndaj askujt, përkundrazi! Ky variant është një garanci për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan nëse dijmë të manaxhojmë raportet ndër-shqiptare dhe ata me fqinjët tane dhe ne besojmë se forma institucionale më e qëndrueshme do të ishte ajo e Mbretërisë Shqiptare.

Dhe duke e mbyllur fjalën time më lejoni t’i uroj organizatorët drejtues të Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit” për këtë sesion shkencor të spikatun, që pa droje do ta quaja fillimi i nismës për konstituimin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit këtu në Gjakovë, pas dy besëlidhjeve tona të lavdishme.

Edhe njëherë, në emër të legalistëve dhe mbretërorëve shqiptarë, shumë faliminderit.

Sulejman Q. Gjana, MR
Kryetar i PLL
Gjakovë, 9 gusht 2014
--
Kumtesë mbajtur në sesionin e XII shkencor që Shoqata “Trojet e Arbrit” organizoi më 9 gusht 2014 në Gjakovë me temë : “Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe Qëndresa shqiptare”

SULEJMAN GJANA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DOLI U GUCISË - KARTOLINË URIMI PAPËS PARA VIZITËS NË SHQIPËRINga RAMIZ LUSHAJ (08.13.2014)
JETA PA LUKS E FAN NOLIT NË RRUGËN 'BLAGDEN' (08.13.2014)
GËZIM ALPION - NGA EKSODI I TRURIT GODITEN RËNDË POLITIKA, EKONOMIA, ARTET (Intervistë) (08.13.2014)
BISEDIMET ME SERBINË 'SHOU MARKETING I MARRËVESHJEVE', VIKTIMË EDHE EMIGRANTËT!Nga ASLLAN DIBRANI (08.12.2014)
NGA NAGORNI KARABAK NË BALLKANNga PETRIT HALITI (08.11.2014)
POETJA SHQIPTARO AMERIKANE RITA SALIU MORI 'MIRËNJOHJEN' NGA MINISTRIA E DIASPORËS (08.11.2014)
Ç'E DUAM PARTINË?Nga GETOAR MJEKU (08.11.2014)
MINISTRI TAHIRI PËR DHJETË DITË 170 MIJË EURO? DERI TANI MINISTRI NUK KA PËRGËNJESH​TRUAR! (08.10.2014)
RRJETET SOCIALE SHPËRTHEJNË NË AKUZA, DORA E HENRI ÇILIT PAS MBYLLJES SË 38 UNIVERSITETEVE, JA SI FAVORIZOHET UET (08.10.2014)
LAJM FOTOGALERI - MBRËMË TEK HOTEL VOLLGA NË DURRËS, QYTETARË TË SHUMTË FIRMOSIN PETICIONIN KUNDËR FULLANIT (08.10.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2020  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]