VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ALL FULLANI'S MEN*
Nga ALFRED LELA

E Mërkurë, 08.20.2014, 08:43am (GMT1)


Një vizitë në Bankën e Shqipërisë dhe një takim me Guvernatorin e këtij insitucioni, dhe më pas një prononcim për mediat i ambasadorit amerikan Aleksander Arvizu ka shërbyer dje përmbylljen, të paktën në rreshtim, të ‘sagës Fullani’ e nisur tashmë prej dy javësh. Arvizu, me qëllim ose jo, nuk u shpreh dje për shkarkim apo dorëheqje të Guvernatorit të Bankës, megjithatë gjesti i djeshëm nuk kish si të mos evokonte një skenë të vjetër me protagonist po atë. Pikërisht vizitën në Ministrinë e Brendshme pas 21 janarit dhe shtrëngimdorën e përzemërt e mbështetëse me anëtarët e Policisë së Shtetit. Situatat natyrisht janë të ndryshme, të tilla edhe emocionet por habia ka qenë pothuajse e njëjtë. Duhet thënë sidoqoftë se, kurrë, as në vitin 1991-‘92, amerikanët nuk i kanë kënaqur dot të gjithë shqiptarët. Kur kjo është diçka që s’e bën dot as Zoti, pse duhet t’ua kërkojmë amerikanëve, në fund të fundit?

Vizita e Arvizusë duhet konsideruar, të paktën në masën e vet kryesore, si mbështetëse. Nëse ky është fakt, pyetja vijuese mund të ishte: për kë? Për Institucionin e Bankës, Institucionin e Guvernatorit apo individin Ardian Fullani? Përgjigjen shteruese e di vetëm z. Arvizu. Ne mund ta interpretojmë, por pa thënë shumë përtej emocioneve tona. Megjithatë nuk mund të rrimë pa vrojtuar dhe pa u habitur prej rreshtimeve të habitshme pro e kundër Fullanit. Prej aleancave të pashenjta, të çuditshme, fluide e kundrathënëse.

Në njërën anë, megjithë sikletin e këtij pozicionimi, janë ish-kryeministri Berisha dhe ambasadori amerikan. Dy burra që prej kohësh janë aq larg e aq në idhnim sa mund të thuhet se njëri është nga Marsi e tjetri nga Venusi. Nëse z. Arvizu e ka prodhuar suportin e vet incognito pa thënë shumë por duke qenë, z. Berisha e ka shpallur hapur se është kundër çdo hapi që cenon sa integritetin e Bankës, aq edhe të Guvernatorit.
Këta të dy janë edhe më ilustruesit e një falange përndryshe të heshtur të mbështetësve të Fullanit. Në heshtje, por jo mbështetëse, kanë qëndruar edhe Kryeministri e qeveria, po të përjashtosh një deklaratë që thoshte asgjë dhe e ardhur disi vonë. Pavarësisht kësaj, majtas, orkestra antiFullan ka lëshuar tingujt luftarakë që varionin nga marshet e dorëheqjes e deri te funebret ‘për shkuljen e këtij sistemi kleptokratik e abuziv’ sipas syresh, të mishëruar te ‘Ardiani dhe Eriku i Tmerrshëm’.

Nuk është kërkesa për llogaridhënie dhe dorëheqje, sesa adresa nga vijnë këto shigjeta që i japin kontroversialitet vetë kontroversialitetit. Më të uriturit rreth qafës së Fullanit kanë qenë eksponentë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të paktën tre syresh kanë dalë këto ditë në një ekskursion mediatik duke trumbetuar dorëheqjen si akt madhor dhe integritetin si domosdoshmëri. Se kush është predikuesi thotë shumë rreth predikimit, apo jo? Përfaqësuesit e LSI janë gjendur në të njëjtin shteg me përfaqësues të shoqërisë civile. Ka shumë që kjo nuk ka ndodhur. Që prej vitit 2008, kur LSI protestonte dhe futej në grevë urie për të mos lejuar ndryshimin e Kushtetutës, shoqëria civile dhe kjo parti politike kanë qenë përherë përballë dhe asnjëherë në të njëjtin krah.
Por sot, 6 vjet më vonë, ja ku i ke, ngjitur e ngjitur, dhe po aq të ngjirur, në patosin e çlirimit të Shqipërisë prej ‘Fullanëve të Tmerrshëm’.

Palët, në të dyja anët e barrikadës, megjithatë janë munduar ose ta shpallin fajtor, ose ta shfajësojnë Guvernatorin Fullani. Faji dhe përgjegjësia janë dy nocione që ngatërrohen shpesh në Shqipëri. Guvernatori i BK nuk është fajtor, por përgjegjësi mban për atë që ka ndodhur në institucionin prej tij të drejtuar. Duhet thënë megjithatë se në degën ku qëndron Fullani hipën të gjithë për ta shqyer, jo pas skandalit të Bankës, por pas fotove hedonistike të të birit. Shqiptarët reagojnë ndaj provokimeve vizuale më shumë se ndaj pothuajse konceptit të një vjedhjeje në shtet. Shqiptarët ngordhin për ta vjedhur shtetin.

Një pyetje megjithatë për mikun tonë ambasador të Amerikës: çfarë do të kish ndodhur në Washington nëse një rast i ngjashëm do prekte Federal Reserve?

*Titulli i komentit është një lojë me titullin e filmit amerikan rreth skandalit të Watergate ‘All President’s men’. Përkthimi: Të gjithë ata rrotull Fullanit.

ALFRED LELA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.